MËRGIMTARËT E PËRDORUR

Emigracioni shqiptar po shkon dalëngadalë drejt të njëzetave, ndaj koha për një bilanc nuk mund të konsiderohet e papërshtatshme. T’i shohësh emigrantët si një trup i vetëm është natyrisht kundër logjikës. Megjithatë, në raste të veçanta, me saktësimet e nevojshme, disa arsyetime përgjithësuese edhe mund të bëhen. Në qoftë se do ta shikonim mërgatën shqiptare si tërësi të veçantë, me atdheun si qendër gravitacionale, pikëpyetjet për raportet me këtë të fundit do të ishin mëse të ligjshme. Një nga pyetjet më problematike do të ishte kjo: “Shqipëria është sjellë në mënyrë instrumentale me emigrantët e vet?”. Me fjalë të tjera: “Në vendin tonë emigrantët janë parë thjesht si mjet apo jo?”.

Pyetjes së mësipërme unë i përgjigjem “Po”. Arsyet po i shpjegoj më poshtë, me dëshirën që të përgënjeshtrohem nga kundërargumentimet dhe nga faktet e së ardhmes.

Emigrantët shqiptarë janë vështruar gjithnjë nga pikëpamja ekonomike. Nuk them se edhe vetë familjet i kanë parë bijtë e tyre kryesisht nga xhepat kur zbresin nga avioni apo trageti, as e kam e fjalën për komshinjtë kureshtarë me sytë nga valixhet e jashtme, por bankat, qeveritë dhe agjencitë e transferimit të valutës e kanë bërë këtë rregullisht. Emigrantët janë parë dhe peshuar përgjithësisht nga ana ekonomike. Dërgesat janë kthyer në sinonim të emigrantëve. Një lumë me grafikë, shifra, tabela, raporte, ka vërshuar në mediat e shkruara dhe televizive: është folur dhe flitet vetëm për paratë e tyre. Ky mëkat është i përhapur kryesisht në botën perëndimore, e cila i mëshon prej kohësh dobisë ekonomike të (i)migrantëve, çka bëhet në thelb për të qetësuar zemëratën e opinioneve publike. Si të thuash: “I duhen ekonomisë, prandaj po i mbajmë”. Porse ky arsyetim, që vlen “ekonomikisht” për vendet pritëse, nuk ka përse të zërë rrënjë në vendet që “eksportojnë” krahë pune.

Kur politika nuk di se çfarë guri apo letre të hedhë në lojë, atëherë shfaqet karta e emigrantit. Nuk ka fushatë elektorale që nuk është diskutuar për emigrantët dhe politikat ndaj tyre. Madje shumë bojë është harxhuar deri më sot. Liderët e politikës shqiptare tashmë e kanë bërë normë kalimin nëpër vendet ku ka më shumë emigrantë, për të zhvilluar takime pune dhe fushate. Radhët biblike në dogana apo në porte, herë në Krishtlindje dhe herë në verë, janë shndërruar pothuajse në casus belli. Kush me protesta e kush me komunikata shtypi, të gjithë për të demonstruar muskujt patriotikë në favor të emigrantëve. Mirëpo, pas daulleve kombëtariste, çdo gjë ka përfunduar në flluskë sapuni. Emigrantët kanë duruar mungesën e shërbimeve, kanë dhënë ndonjë intervistë të inatosur, dhe, së fundi, kanë ikur me një torbë zhgënjimesh nga mëmëdheu. Kurse forcat politike janë çjerrë, sipas rolit, për të dëftuar se “mendojnë për popullin” dhe “bijtë e tyre jashtë shtetit”.

Disa paralelizma vështirë se mund të bëhen. Gjithsesi, nuk duhet harruar se dje mërgimtarët i duheshin regjimit diktatorial për të mbajtur ngrehur strategjinë e tensionit. Nga radhët e mërgatës dilnin rregullisht armiq të popullit, që komplotonin pa pushim kundër “pushtetit popullor”. Mërgata përdorej si laborator për të prodhuar sintezën ideale të armikut të brendshëm me atë të jashtëm. Sepse ata ishin aq “të brendshëm”, sa edhe “të jashtëm”. Pra emigrantët i shërbenin (in)direkt regjimit, për ta ashpërsuar ose për ta mbajtur ndezur luftën e klasave. Ishte mënyra më e mirë për t’i shfrytëzuar. Sot realiteti nuk i lejon “përdorime” të tilla, porse arti i retorikës është ndonjëherë më i mprehtë se tehu i shpatës së Enverit të djeshëm.

Aktualisht, qendrat studimore, Ojq-të dhe Ojf-të i kanë përdorur emigrantët për marrjen e fondeve për hulumtime e kërkime shkencore. Këtu kanë ndihmuar, pa dyshim, edhe simotrat perëndimore ose organizatat ndërkombëtare që financojnë projekte për kthime fantazmë të trurit apo të emigrantëve në atdhe. Një mënyrë e shkëlqyer për të financuar burokratizimin e shoqërisë civile dhe jo për të zgjidhur problemet e emigrantëve.

Për kulturën pop emigrantët janë minierë ari. Sa qerpikë janë përlotur për shkak të arritjeve të emigrantëve nëpër botë? Sa emisione televizive, lajme, artikuj, etj. janë bërë për nder të mundësit, kërcimtarit, aktores, këngëtares, studentit, të diplomuarit, sipërmarrësit, muzikantit, matematikanit, me vendlindje apo origjinë shqiptare? Sa herë jemi krenuar me krenarinë e tyre? Deri dje shkruheshin libra të zymtë si “Mërgata e qyqeve”; sot, kur nuk flitet për histori mallëngjyese prostitutash, për t’ia shitur lexuesit perëndimor, shkruhet për emigrantët që ia kanë dalë mbanë, pra që kanë pasur sukses. Emigranti “hero” merr në ligjëratën publike funksionin e viagrës, për t’i ngritur opinionit publik vetëvlerësimin e rrëgjuar pas vite të tëra frustrimesh.

Përdorim është edhe harresa. Emigrantët po shihen gjithnjë e më shumë si “të ikur”. Të larguar përfundimisht. Vetë fjala “emigrant” ka përftuar disa ngjyresa negative, që i serviret publikut sipas sebepit. Shkëlqimi i atij që ka ikur jashtë dhe që ka parë botë me sy ka kohë që është zbehur. Kurioziteti i dikurshëm gjithashtu. Hiq ndonjë nismë sporadike, politikat në favor të një të tretës së popullsisë shqiptare, që aktualisht gjendet jashtë shtetit, kanë qenë pothuajse inekzistente. Qëllime të mira? Plot, madje të sanksionuara në programe e ligje. Por në realitet, mjafton të kërkosh një certifikatë për t’i nxjerrë lakrat administratës publike shqiptare dhe politikës së saj “vullnetmirë”. Vula, firma, legalizime, pulla takse, sorollatje… Emigrantit i lipset vetëm një praktikë çfarëdo për ta ndjerë veten si gjitari mes shushunjave. Dhe ç’është më e keqja, si i huaj në shtëpinë tënde.

10 Komente

  1. Ka nje mosperputhje midis kontributit monetar dhe atij politik dhe shoqeror te emigranteve. Nuk i di shifrat e sakta te te ardhurave nga emigracioni ne ekonomine shqiptare, por sidoqofte ato jane shume te madha per te mos u sanksionuar atyre p.sh. te drejten e votes, kudo qe ndodhen. Flitet per kontributin e gruas, te fshatarit, te rinise, te veteraneve ne politike, por nuk kam degjuar te flitet per kontributin e emigranteve.
    Nderkohe qe eshte e qarte tashme se keta emigrant kane qene pjesa me vitale e asaj shoqerie, dhe ndoshta mosintegrimi i tyre shpjegon disi ngadalesite e zhvillimit dhe veshtiresite qe po has ajo ne proceset demokratike.

  2. Po te veshe re edhe energjine qe perdor Pishaku per kete teme eshte disi i frenuar trajtimi i saj, ndofta nga modestia si emigrant i integruar ne nje jete tjeter qytetare ndryshe nga ajo e Shqipris. Shqipria eshte e te gjithe Shqiptareve si dhe e atyre qe jane ne rrole sherbimi te interesave te Shqiprise.
    Shqipria i ka dashur dhe i do emigrantet si nena femijet, por nena s’eshte ne gjendje te beje ne kohen e duhur dhe vendin e duhur ate qe emigrantit i duhet, prandaj ky fakt shkon pa as me te voglin pretendim nga ana e emigranteve, si femija ndaj nenes. Por Qeverria Shteti duhet te rreflektoje ate marrdhenje shpirterore-materiale me emigrantet si ajo qe ka Nene-Bir(j). Aty mendoj se s’thuhen mjaft per te metat dhe mundesit.
    Struktura e funksionimit te Shtetit nuk perfshin si subjekt real emigrantet si bene me te gjithe subjektet e tjere, dhe kjo sjelle kete tem ne diskutim te ketij rrangu, pra, pa perfshire ne strukturen e funksionimit te shtetit.

    Ne jemi dhurate per njeri tjetrin Shqipri-nene dhe Emigrant-bir(j), por do kemi edhe Qeverri me te mira, kjo munde te varet edhe nga ne.

  3. Pasqyrimi i situatës i bërë nga Pishaku është tmerësisht i saktë dhe kap disa nga pikat më kyçe të fenomenit emigracion.

    Emigracioni dhe ekonmia.

    Shqipëria, si shumë vende të tjera, një pjesë të mirë të PBB-së e garanton me tashmë të famshmet dërgesat e emigrantëve. Si çdo fenomen fiziologjik, dërgesat janë në ulje dhe do jenë akoma më shumë në ulje gjatë viteve. Ky zhvillim koinçidon me stabilizimin e shqiptarëve në vendet ku jetojnë, blejnë shtëpi, hapin aktivitete, fëmijët shkollohen etj etj. Këtë alaram e kanë lëshuar dhe raportet e fundit e Bankës Shqiptare, që ka nënvizuar disa herë brishtësinë e kësaj ekonomie të droguar.

    OJQ –të shqiptare, njëlloj me simotrat perëndimore krijojnë vende pune për bashkëpuntorët e tyre me projekte që në letë ndihmojnë zhvillimin dhe në praktikë vazhdojnë të mbeten akoma në letër, Po bëj një shembull për të nënvizuar një paradoks; Shumë OJQ italiane bëjnë programe që kanë si qëllim ndalimin e mërgimit të “trurit” nga Shqipëria. Në itali një nga problemet kryesore të mos zhvillimit është ikja e “trurit” italian në pjesën e Evropës më të zhvilluar ose në SHBA dhe Kanada. Atëhere lind natyrshëm pyetja: Nëse këta zotërinjtë kanë recetat e duhuru, pse nuk ndalojnë mërgimin e trurit italian???

    Nga ana tjetër politikanët tanë as nuk e marrin në konsideratë fare pjesën e shqiptarëve që gjatë muajve korrik – gusht dhe nëntor – dhjetor i jep një overdozë valute vendit dhe ekonomisë. Me taksat që ne paguajmë do mjaftonte të shumëfishoheshin shërbimet kufitare gjatë këtyre muajve për shembull, dhe jo vetëm fjalë.

    “Emigranti “hero” merr në ligjëratën publike funksionin e viagrës, për t’i ngritur opinionit publik vetëvlerësimin e rrëgjuar pas vite të tëra frustrimesh.” – asnje fjalë nuk mund ti shtohet këtij përkufizimi, që sipas mua përmbledh në mënyre geniale situatën.

    Nuk më ka pëlqyer asnjëherë koncepti i ekzagjeruar i atdheut dhe unë ndihem nënshtetas shqiptar, i një republike parlamentare dhe absolutisht nuk më pëlqen krahasimi bir/nënë për të përshkruar lidhjen nënshtetas/shtet.

  4. Nuk e gjej dot lidhjen midis parave te emigranteve derguar familjeve dhe detyrimit te shtetit shqiptar per te bere nuk di cfare per emigrantet. Shteti vertet lehtesohet nga rritja e fuqise blerese te familjeve te emigranteve, teorikisht mbledh me shume taksa, ka me pak detyrime ndaj disa qytetareve sepse e kapercejne pragun e shtresave ne nevoje ekonomike etj. etj. Por c’lidhje ka kjo me detyrimet e nje shteti ndaj qytetareve te vet? Mos valle shteti duhej te kete me pak detyrime ndaj atyre qe nuk kane mundesi te kontribojne kaq e aq miliona ne vit? Shteti shqiptar duhet te beje per emigrantet as me shume e as me pak se sa ben per qytetaret qe jetojne ne Shqiperi. Cfare sherbimesh ne kufi apo marrje certifikatash u ofrohen vizitoreve te huaj, apo shqiptareve jo emigrante qe u qenkan mohuar emigranteve?

    E drejta e emigranteve per te votuar ne Shqiperi eshte prape disi e paqarte. Nese jeten e ben ne nje shtet tjeter, interesat e tua jane te lidhura me politikat dhe politikanet e atij shteti. Per cfare arsye duhet te votojne emigrantet per politiken shteterore apo lokale atje? Apo thjesht per patriotizem kallp te tipit nena/biri?

  5. Lidhja ndërmjet parave të dërguara nga emigrantët dhe detyrimet që shteti ka ndaj tyre është shumë më e fortë dhe e rëndësishme nga sa mund të duket. Nëse në një buxhet, qoftë ky familjar apo shtetëror, ke një zë që është i konsiderueshëm proporcionalisht me totalin, nuk mund ta injorosh.

    Shteti shqiptar ka jashtë kufijëve një pjesë të konsiderueshme nënshtetasish që janë në moshë pune. – papunësia në vend është më e ulët dhe falë këtij mobiliteti njerëzish.

    Dhe unë jam i mendimit se shteti duhet të garantojë të njëjtat të drejta për të gjithë nënshtetasit pa asnjë lloj dallimi. Ky është parimi bazë i çdo demokracie dhe vendi të qytetëruar. Kur flas për radhë njerëzore dhe trajtim dinjitoz nëpër kufij e dogana e kërkoj për të gjithë pa asnjë lloj përjashtimi.

    Do doja që përfaqësitë tona diplomatike jashtë atdheut përshembull të na lehtësonin jetën dhe proçedurat, dhe mos të shndërroheshin në një zyrë burokratike të urryer.

    Përsa I përket të drejtës për votim të emigrantëve unë jam plotësisht dakort se njeriu do ishte mirë që të votonte në vendin ku jeton, atje ku interesat e tij ndërthurren me qeverisjen e vendit.

  6. Po t’i referohesh administrativisht ti (qytetar-bir) nuk ke as nji detyrim ndaj nenes (me perjashtime te vogla), por duke patur parasyshe qe ne (nene-bij-r) ndertojme cdo marrdhenje per mirqenje, ketu ky raport s’bene dallim administrativ apo te preferoj njerin ne kurriz te tjetrit.
    Shteti ka po aq sa ka nje nene ne dore per nji femij, kur ai eshte ne nevoje per ndihm dhe e anasiellta, qe shteti ka mundesi te dihmoj shume per disa nevoja qe nje emigrant ka, kjo s’do zbuluar se del sheshit qofte edhe me sorrollatjen e tij per nje vertetim nga zyrat e shtetit.
    Marrdhenja behet abuzive kur njeri krijone veshtiresi artificiale mbi tjetrin.
    As qytetari i vendit qe s’ka nevoje per shtetin nuk i kerkon ndihme shtetit, si dhe ai qe jetone jasht, por flasim per ata qe kane nevoje per ate ndihme qe shteti nuk reagone edhe pse ka mundesi te reagoj, per kete ka shume per te folur.

    E kuptoj se s’jame ne lartesine administrative te kuptoj se sa s’lidhet (nene-bij-r dhe shtet-qytetar) se shtetin e kane kthyer ne burdello si edhe nenat i mohojne shume qytetar, pa le sa e zgjase une per nje leter te emigrantit qe do dhe te votoj, pale!

  7. Natyrisht, emigrantët shqiptarë nuk mund t’i kërkojnë privilegje shtetit të tyre, por përmbushjen e disa nevojave specifike të kategorisë edhe mund ta lypin. P.sh. të persekutuarit i kërkojnë shtetit përshpejtimin e praktikave të dëmshpërblimeve, sipërmarrësit uljen e taksave dhe heqjen e gjobave për parregullsi të ndryshme. Me të drejtë. Kurse emigrantët, për sa u takon, i kërkojnë shtetit thjeshtimin e praktikave burokratike, eliminimin e korrupsionit, të drejtën e votës, e kështu me radhë. Nuk mund të mohohet fakti se emigrantët kanë më shumë nevojë për dokumente se sa ndonjë kategori tjerër shoqërore. Të paktën për një periudhë të jetës së tyre, derisa ta marrin atë të shkretë shtetësi ose lejeqëndrim të përhershëm.

    Shteti shqiptar duhet të sillet, për mendimin tim, si polici i trafikut. Sipas rastit dhe nevojave, duke respektuar të drejtën e lëvizjes për të gjithë, duhet të japë përparësitë e duhura. P.sh. është në të mirë të shtetit (si përfaqësues i interesave të bashkësisë) që të promovojë shërbime bankare të posaçme për emigrantët. Në fakt, për dërgesat e tyre paguajnë më shumë se ç’duhet. Liberistët alla Adam Smith do të thoshin se për tarifat e dërgimit të parave mendon tregu i bankave. Me fjalë të tjera, bankat do i bëjnë konkurrencë njëra tjetrës, do lindin të tjera, çmimet do zbresin. Mirëpo, siç dihet nga të gjithë, kjo gjë nuk ndodh në realitet (sepse bankat bëhen grup dhe bien në ujdi); dhe atehere kur ndodh, procesi ecën jo me shpejtësinë e duhur. Emigranti thotë: “I dërgova familjes 1000 euro”, në të vërtetë i ka dërguar më pak po të konsiderohet kostoja (absurde) e transferimit të parave.

    A përbën promovimi i shërbimeve të posaçme bankare për emigrantët një farë privilegji? Nuk besoj. Është në të mirë të gjithë bashkësisë. E të shtetit vetë. Ashtu siç është në të mirë të Shqipërisë, që t’u japë vlerë forcave të veta më aktive, ku bëjnë pjesë, pa dyshim, edhe emigrantët. Vlerësimi duhet bërë jo në kurriz të të tjerëve, por për të mirën e të tjerëve.

    Le të marrim radhët në kufi. Sa herë vijnë Krishtlindjet dhe pushimet e verës, në Kakavijë dhe Durrës, dynden telekamerat televizive, për të fiksuar radhët e gjata nën shiun e ftohtë ose diellin përvëlues. Përjashto të drejtat e njeriut, këtu duhen marrë masa të menjëhershme për arsye interesash. Emigrantët janë “edhe” turistë. Në atdhe sjellin valutë të freskët. Përballë trajtimit të keq ndërrojnë destinacionin e pushimeve verore. Humbjet mund t’i saktësojë dhoma e tregtisë ne bashkëpunim me hotelet.

    Me pak fjalë: po s’e bëre për dashuri, gjak e flamur, të paktën bëje për interes…

  8. Jami njemendje me LG-ne, qe emigranti nuk ka te drejten morale te pretendoje per te drejte vote. Une vet nuk do te shkoja per votim edhe sikur te ma jepnin te drejten (ketu jashte). Sa per trajtimin administrativ duhet te them se veprimet zyrtare lene mjaft per te desheruar, duke pershendetur rastin e vecante, mund te themi se kjo eshte nje nga anet me te zymta te pushtetit (akoma edhe sot e kesaj dite per fat te keq).
    E verteta eshte qe levizjet dhe zhvillimet e “ekonomise” dhe politikes ne Shqiperi i ndjejne te pakten 90%e emigranteve shqiptare, pra ne nje fare menyre bashkejetojne(me) me klimen e Shqiperise.
    Per sa i perket trajtimit te problemeve dhe interesave te emigranteve, qeveria(te) as qe kane treguar ndonjehere ndjeshmeri te vecante, mos te themi fare, ato misione fallco qe bejne duke dale per te marre kontakt me “diasporen” jane nje blof i madh sa ia kemi pire lengun.
    Pyes une. Cfare ka arritur qeveria(kushdo) ne fushen e marreveshjeve sociale?
    Mijera emigrante jane perballuar me realitetin e hidhur se kur ti vije mosha e pensionit nuk do te kene “vjetersine” e nevojshme per pension pasi nuk ka marreveshje ndershteterore (por vetem me shtetin Shqiptar se te tjeret i kane).
    Pa permendur emrin e shtetit, do te permend qe u arrit ne parim dhe u pergatit marreveshja (pas shume e shume ngulmimesh nga diaspora) por u be dy vjet se nuk eshte e qarte (ne atdheun tone) se kush do ta nenshkruaje mareveshjen: Ministria e Jashtme, ajo e Puneve Sociale apo e Finances.
    Shteti europian pret tani kur ti hapin drite jeshile burokratet shqiptare.
    Kam nje parandjenje te keqe: qe kurre.

  9. …po aq natyrshem mund edhe te shtrohet pyetja: perse te mos votojne? Nese e kane ende shtetesine shqiptare, atehere e drejta e votes eshte nje e drejte kushtetuese dhe, si e tille ajo nuk duhet te jete teorike dhe iluzive por praktike dhe efektive (sikunder rendom thuhet per te drejtat e kesaj kategorie) e per pasoje shteti ka detyrimin te veproje aktivisht per krijimin e kushteve te pershtatshme qe kjo e drejte te sendertohet realisht.
    Nese ata do te votonin apo jo, ky nuk eshte argument (nderkohe qe mbetet per tu pare…). Shume shqiptare rezidente ne Shqiperi gjithashtu nuk votojne, por askujt nuk i shkon nder mend tu heqe te drejten e votes. Vertet qe edhe shqiptaret jashte atdheut e “gezojne” de jure kete te drejte, por realizimi praktik i saj eshte kaq i veshtire, saqe ne kuptimin qe sot kane te drejtat (dallimi formale-thelbesore) kjo eshte sikur te mos e kishin.
    Votimi i shtetasve jashte nje vendi nuk eshte i panjohur. Perkundrazi. Vetem se fundi, me rastin e zgjedhjeve presidenciale ne Serbi, morem nje tjeter leksion nga nje vend fqinj qe demokracine se ka tiparin e vet dallues:).
    Nuk ndaj te njejtin mendim edhe ne lidhje me njohjen dhe kontaktin qe emigrantet kane me zhvillimet politike ne Shqiperi. Kjo mund te thuhej disa vite me pare, por jo sot ne epoken e internetit, telefonise celulare dhe televizionit satelitor (p.sh. Digitalb pretendon se ka shitur mbi 300.000 karta dhe aparate marres per shqiptaret jashte Shqiperise, ku hyn edhe Kosova).
    Vota e emigrantit – ne arsyetimin tim – eshte me e kualifikuar dhe me sqimtare krahasuar respektivisht me te barasvlefshmit e tij sociale ne Atdhe.

  10. Çështjen e votës së emigrantit unë nuk e preka qëllimisht, sepse ia vlen të ndalemi herë tjetër posaçërisht. Përbën temë pak më të veçuar. Megjithatë, më pëlqeu ndërhyrja e Pseudonimit NgaHalli, sepse e futi problemin në rrugën e së drejtës kushtetore. Kush ka pasaportë të kuqe me shqiponjë dykrenare ka të drejtë të votojë. Kush e pengon këtë të drejtë, është kundër kushtetutës.
    Për cilësinë e votës mund të jemi dakord, por këtu përfundojmë tutje kushtetutës.

    Ajo çka më shqetëson mua në lëmin e votës së emigrantëve, është se këta gjenden paradoksalisht në një limbo të drejtash: në vendet ku jetojnë nuk mund të votojnë, në vendin e tyre gjithashtu. Në rastin e parë, sepse nuk kanë shtetësinë e vendit, në të dytin, sepse nuk i kanë mundësitë praktike. Shumica e vendeve perëndimore nuk e parashikojnë votën e emigrantit rezident. Të drejtën ai e fiton kur merr pasaportën e vendit bujtës. Nga ana tjetër, ligji shqiptar nuk parashikon zona elektorale ose qendra votimi jashtë shtetit. Përfundimi? Për shumë vite me radhë, kemi qindra mijëra shqiptarë që nuk ushtrojnë të drejtën themeltare të votës. Nuk më duket normale.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin