GJARPRI I DIZINFORMIMIT

Më tërhoqi vëmendjen para disa ditësh një lajm i gazetës izraelite Haaretz, për fluturimin e parë komercial Shqipëri-Izrael.

Në lajm thuhet, mes të tjerash:

The first commercial flight from Albania to Israel, operated by Israir, will land at Ben-Gurion International Airport on Thursday. The flight from Albania’s capital, Tirana, will carry 175 passengers, mainly business and communications people from the Muslim state.

This is the first time Albania has allowed an Israeli airline to operate a commercial flight from its limits. […]

Albania in the last year has become a strategic tourist destination for Israel, as the two states work to strengthen their ties. The southeastern European state has some 3.5 million residents, 70 percent of them Sunni Muslims and 30 percent Christians.

Natyrisht, nuk është e saktë që Shqipëria të quhet shtet mysliman, jo sepse është turp të jesh i tillë, por sepse ky cilësim nuk i përgjigjet realitetit.

As është e saktë të thuhet se 70% e shqiptarëve janë myslimanë Sunni; së pari sepse nuk dihet as edhe nëse 70 përqind e shqiptarëve janë myslimanë apo jo, dhe së dyti sepse një pjesë e mirë e atyre që praktikojnë Islamin në Shqipëri nuk e mbajnë veten për sunitë. Sa për qind? Askush nuk e di. Qeveritë shqiptare, që e kanë mendjen te ceremonitë kur nuk e kanë te ofiqet, refuzojnë të bëjnë një regjistrim të rregullt të popullsisë, sikurse refuzojnë t’u vënë emra rrugëve e t’u japin njerëzve letër-njoftimi ose shtëpive adresa.

Më në fund, nuk e kuptova atë shprehjen sipas së cilës “Kjo është hera e parë që Shqipëria lejon një linjë ajrore izraelite të operojë një fluturim komercial…”. Lejon? Po kur i paska refuzuar ndonjë gjë Shqipëria e sotme ndonjë shteti? Ndoshta më e saktë do të ishte që për herë të parë një linjë ajrore izraelite i ka kërkuar Shqipërisë leje për të operuar brenda kufijve të saj.

Dua të them që morali i këtij lajmi – që Shqipëria, kinse vend mysliman sunit, lejon më në fund linja ajrore izraelite të operojnë brenda kufijve të saj – është krejtësisht i gënjeshtërt, madje toksik.

Lajmin e përcjell edhe Balkan Travelers, por të zhveshur nga pasaktësitë e mësipërme, ndërsa World News dhe një numër faqesh të tjera Interneti përsëritin verbatim lajmin e Haaretz, e para edhe duke e vënë krah për krah me përkujtimin e SHOAH-ut në Tiranë.

Nga ana e vet, The Front Page Magazine menjëherë e shfrytëzon tekstin e papërgjegjshëm të Haaretz për të bërë komentin e mëposhtëm:

Marking International Holocaust Remembrance Day on Sunday, the UN put on display an exhibit paying tribute to the Righteous of Albania who risked all to save Jewish lives during the Holocaust. The exhibit arrived at the UN from Yad Vashem, where it was on display for two months. While the Righteous of any nation indeed should be acknowledged and commemorated, the problem with the exhibit is its underlying agenda. Jews, along with the Albanian Righteous of WWII, are being used by the Albanians of today to advance a racially supremacist end game in the Balkans, where world wars start—and cost principally Jewish and Serbian lives.

Përkthej për ata që nuk lexojnë anglishten: “Edhe pse Të Drejtët e çdo kombi duhet të nderohen dhe të përkujtohen, problemi me ekspozitën (e OKB-së për ndihmën që u dhanë shqiptarët hebrenjve gjatë luftës) është axhenda e saj e nëndheshme. Hebrenjtë, së bashku me Të Drejtët shqiptarë të Luftës II Botërore, po përdoren prej shqiptarëve të sotëm për të çuar përpara një skemë racialisht supremaciste në Ballkan, atje ku fillojnë luftrat botërore, të cilat marrin kryesisht jetë hebrenjsh dhe serbësh.”

Artikulli, i shkruar nga Julia Gorin dhe i përshkuar tej e ndanë nga një antipati e hapur ndaj çështjes shqiptare në Ballkan, përfundon me përbuzje se hebrenjtë “historikisht të cekët” të Perëndimit u rreshtuan kundër Serbisë përkrah shqiptarëve në rastin e konfliktit për Kosovën, edhe pse Shqipëria “deri javën që shkoi nuk u lejonte linjave ajrore izraelite të kryenin fluturime komerciale brenda kufijve të saj.”

E njëjta autore komenton në blogun e vet Republican Riot:

The FIRST time Albania has ALLOWED an Israeli airline to operate a commercial flight from its limits. Hmm, I wonder why this is the first time. Could it be that, after all, Albania isn’t all that different from those non-secular Muslim states? Sure sounds like it. One also wonders what’s so special about now. Could it be Albania’s striving toward EU membership (the quieter way for Islam to more deeply penetrate Europe, since that other Muslim state Turkey is having such a hard time)? Could the timing also relate to Albania’s need for support for an independent Kosovo?

Përkthej: “E PARA herë që Shqipëria ka LEJUAR një linjë ajrore israelite të operojë një fluturim komercial brenda kufijve të vet… Hmmm, pyes veten pse vallë hera e parë. Mos vallë ngaqë, në fund të fundit, Shqipëria nuk është edhe aq e ndryshme sesa shtetet e tjera myslimane jo-shekullare? Kështu sikur kuptohet. Pyes veten edhe pse pikërisht tani. Vallë ngaqë Shqipëria po synon anëtarësim në BE (si një mënyrë më e qetë për Islamin të depërtojë thellë në Europë, sidomos qëkur Turqia nuk po arrin dot)? Të lidhet kjo edhe me nevojën që ka Shqipëria për mbështetje për Kosovën e Pavarur?”

Një frazë e vetme, në dukje e pafajshme, në një lajm gazete bëhet shkas për një përrua spekulimesh dhe intrigash. Të jetë vallë krejt rastësore kjo përrallë e re për intolerancën shqiptare? Për 70% sunitët në Shqipëri? Për një simotër të Arabisë Saudite që po futet tinëz në Europë? Mua po më duket më tepër si disinformacion i paguar prej një pale të tretë.

20 Komente

  1. Pyetja që duhet bërë: cui prodest? Kujt i intereson që Shqipëria të pikturohet si vend mysliman sunit?
    Në kontekstin e lajmit më sipër, edhe Israelit, për të treguar se ja, e kemi një vend mysliman që na do e na pranon.
    Po insinuata që Shqipëria deri dje nuk ia hapte qiejt avionëve hebrenj kujt i hyn në punë?
    Jo Israelit natyrisht. Është një insinuatë që fut pyka në miqësinë shqiptaro-israelite. Atëherë kujt?
    Ndoshta po atyre që e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës me argumentin se s’ka ç’na duhet një shtet sunit në Europë?
    Ndoshta. Këta janë serbët dhe miqtë e tyre: grekët, rusët, madje edhe të tmerrshmit greko-qipriotë, që ku shkelin nuk mbin më bari.
    Po pse në një lajm për linjat e avionëve israelitë?
    Sepse duan të trazojnë përkrahjen që i bën pavarësisë së Kosovës lobi hebre në USA.
    Më në fund, pse në “Haaretz”? Sepse kjo gazetë është pak si e majtë dhe e afërt me Partinë Demokratike në USA.
    Lajmi kërkon të kilikosë hebrenjtë e majtë në USA, ata që janë kundër Bushit, që nuk e durojnë dot miqësinë amerikane me Arabinë Saudite, ata që thonë se lufta në Irak u bë për naftën.
    Vetëm ashtu kuptohet rrena për 70% të Shqipërisë sunite, që as në Konferencën Islamike s’e ka parë kush në ëndërr.
    Kohë për të pasur kujdes.

  2. Statistika e lodhur e 70% muslimaneve ne RSH do vazhdoje te mbetet e te perdoret e te na merzise dhe bezdise edhe per shume kohe ne vijim. Ne perceptimin tim, mendoj se vec problemeve strukturore dhe infrastrukurore qe lidhen me nje regjistrim te cfaredolloj te popullsise, kutiza me pyetjen “perkatesia fetare” komplikohet jashtezakonisht shume nga skenari hipotetik (deri diku i vertetuar) se nje nr shume i madh shqiptaresh (kryesisht te jugut, por jo vetem) do te veteshpallen ortodokse, me arsyetimin makut e mjeran per te perfituar ndonje krodhe buke helene.
    Nga ana tjeter, vras mendjen dhe them me vete qe se pari, ky far proselitizmi mund te ndodhe (realisht ka ndodhur dhe po ndodh edhe sot e gjithe diten) edhe pa shtysen e nje regjistrimi shteteror (ndonese nuk mund te mohohet nxitja e forte e ketij te fundit). Nje rritje ne kufijte e 2-3 fishimit te “vorioepiroteve”:) ne Shqiperi do te jete nje moment dhe shkak i mire per qarqet shoviniste greke ne Greqi dhe mbare boten, te cilat do te shtojne presionin e tyre ndaj qeverise shqiptare per tu dhene gjithfarelloj te drejtash “minoritetit prej qindramijera individesh”, deri edhe statusin e minoritetit shtetformues, greqishtja gjuhe zyrtare ne te gjithe vendin (mund te dalin “minoritare” edhe ne Tropoje e Kukes!!!) e keshtu me radhe (ndoshta po ekzagjeroj pak, po asnjehere si dihet me greket).
    Nga ana tjeter (se dyti), ne dilemen mes genjeshtres se 70% muslimaneve dhe 40-50% ortodokseve, me oportunizem zgjedh kete te dyten (me dallimin e trishte se kjo nuk do te jete me genjeshter, por nr “i sakte” i nje regjistrimi “te sakte” nga nje shtet “i sakte”, qe gjithsesi, mund te remediohet ne nje kohe te dyte).

    Sec kam nje lloj bindjeje qe ne rast te nje regjistrimi te ngjashem, ajo meseleja e shtetit musliman do te permbyset paq …

    A thua kjo nuk do na beje me “special” per miqte tane USA?

  3. Nga e dime ne qe Israeli s’ka kerkuar me pare te kete fluturime ne Tirane dhe nuk eshte lejuar? Sigurisht, une nuk besoj se nuk eshte lejuar per motive fetare, por mund te kete patur probleme teknike, kontraktore etj. qe e kane bere te pamundur realizimin e fluturimeve deri tani.

    Po sikur artikullshkruesit te kishin thene “Shqiperia, vend me shumice myslimane, anetare e Konferences Islamike” pa u ngaterruar me perqindjet dhe etiketimet “shtet mysliman” “myslimane sunite” etj., a do qendronin argumentet e tyre? Cfare detyrimi na kane qe te jene perkrahes te ceshtjes shqiptare ne Ballkan dhe Europe? Apo ne jemi thjesht te shqetesuar per etiken gazetareske te tyre?

  4. LG, kur vjen puna te përkrahja për çështjen e Kosovës, nuk është fjala për përkrahjen e Izraelit, sepse Izraeli nuk ngre peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Fjala është për qëndrimin e lobit hebraik në SHBA, i cili është i fuqishëm, i pasur dhe me ndikim të madh në Washington DC e në politikën e jashtme amerikane. Deri më sot ky lob e ka simpatizuar shumë çështjen e Kosovës. Arsyet për këtë janë të shumta, vështirë të reduktohen në një ose dy: identifikimi me shqiptarët si popull i nëpërkëmbur, ndjenja e drejtësisë, neveria ndaj politikave serbe të spastrimit etnik, të cilat njëfarësoj u referohen politikave naziste të shfarosjes racore. Natyrisht, nuk duhen shpërfillur as arsyet pragmatike – ose përpjekjet e këtij lobi për të kundërshtuar politikat e tanishme imperiale të Rusisë së Putinit në Ballkan dhe kudo tjetër. Kjo analizë do të na çonte larg dhe, gjithsesi, nuk ka shumë lidhje me problemin tonë si shqiptarë. Një gjë është e qartë: që kur ka ardhur puna për çështjen e Kosovës, Bushi e ka pasur mbështetjen bipartizane, d.m.th. edhe nga krahu i demokratëve, ku ndikimi i lobit hebraik është më i fortë e më kapilar. Që këtej, objektiv i një fushate serbe hipotetike për ta sabotuar përkrahjen amerikane ndaj pavarësisë së Kosovës nuk mund të mos jetë pikërisht krahu i majtë e ndonjëherë pacifist i lobit hebraik në SHBA, i cili është tashmë në kundërshtim të hapur me Bushin dhe republikanët për shumë çështje të tjera. Blogu i Julia Gorin më vërteton pikërisht që pretekstet për një përmbysje të qëndrimeve amerikane nuk është se mungojnë, sidomos në rast se demokratët i fitojnë zgjedhjet presidenciale të këtij viti.

  5. Premisa e diskutimit ishte qe lobi pro-serb po dizinformon per te realizuar qellimet e veta antishqiptare-kosovare. Perderisa kur flitet zyrtarisht per Shqiperine (siti i CIA-s), referimi eshte gjithnje 70% myslimane (sipas Britannicas edhe me nen-ndarjet perkatese me shumice sunite dhe me pakice bektashije), pyetja mbetet: per cfare po dizinformohet?

    Jam dakord qe ky nuk eshte realiteti shqiptar sot dhe qe duhej te ishte bere nje regjistrim i popullsise, por nuk na e kane fajin pro-serbet per kete. Jam dakord edhe qe gazetaret zgjedhin te vene ne dukje ato “te verteta” qe i sherbejne argumentit te tyre. Mund te jem gabim, por nuk me duket se ka diziniformim.

  6. L., ka dizinformim të padiskutueshëm kur popullsia e Shqipërisë deklarohet 70% sunite – meqë kjo është haptazi e gënjeshtërt, ndryshe nga të dhënat për myslimanët atje, të cilat edhe mund të falen. Nuk ma merr mendja që CIA, në faqen e vet, ta ketë ashtu. Unë mbetem i bindur se edhe insinuimi që Shqipëria, deri dje, ia kish mohuar linjave ajrore izraelite të drejtën për të përdorur hapësirën e vet ajrore është i gënjeshtërt, por këtë nuk ta vërtetoj dot.

  7. Une lashe koment tek faqja e Haarez dhe doja te lija koment dhe tek front page magazine. Per kete fillova te lexoj artikullin qe e citon ketu dhe xhaxhai. Ne fund te leximit me ishte hapur goja nga habia pa e kuptuar vete. Aq tendencioz ishte shkrimi. Thashe po e le per neser te jem pak me i qete kur te shkruaj. Ju keshilloj dhe ju qe sipas kohes te shkruani komente sa me te argumentuara tek front page magazine.

  8. eshte pjese e strategjise te Serbeve qe Shqiptaret (te pakten ne shtypin e Anglosferes) ti pershkruaje si kandidate ideale per fondamentaliste islamike, dhe kontigjente te Al-Qaidas.

    Tema e mos-regjistrimit te perkatesise fetare nga shteti i shqiperise eshte dicka tjeter. Statistika 70% i perket viteve 30, sidoqofte pavaresisht nga shekullariteti, shqiptari po te pyetet do te thote ‘mysliman se ashtu e kam prejardhjen, por jo sepse besoj’.

    Shqiptaret kane perkufizim tjeter fetar nga ai anglosferik.

    Jam dakord qe ky nuk eshte realiteti shqiptar sot dhe qe duhej te ishte bere nje regjistrim i popullsise, por nuk na e kane fajin pro-serbet per kete. Jam dakord edhe qe gazetaret zgjedhin te vene ne dukje ato “te verteta” qe i sherbejne argumentit te tyre. Mund te jem gabim, por nuk me duket se ka diziniformim

  9. Natyrisht që shërbimet sekrete serbe kanë fonde dhe njerëz të specializuar për të dëmtuar imazhin e Kosovës në Perëndim. Dizinformimi është një nga mënyrat si mund të realizohet dëmtimi dhe pikërisht:
    – Duke e paraqitur popullsinë në Kosovë si fundamentaliste islamike, me klerikë të infiltruar nga elementë të dyshimtë prej Arabisë Saudite, të cilët rekrutojnë jo vetëm besimtarë vahabitë por edhe terroristë për xhihadin islamik kundër Europës, NATO-s dhe Amerikës.
    – Duke e paraqitur territorin e Kosovës si potencialisht bazë të terrorizmit islamik ndërkombëtar.
    – Duke e paraqitur territorin e Kosovës si qendër të braktisur në duar të trafikantëve të drogës, të armëve, të njerëzve dhe të kriminelëve të tjerë, të spastruesve të parave të pista e sidomos të të tmerrshmes “mafie shqiptare” që tashmë sundon kriminalitetin e organizuar në Europë.
    – Duke e paraqitur udhëheqjen e UÇK-së si njerëz që vijnë nga bota e krimit dhe që e kanë çarë rrugën në krye nëpërmjet veprimtarisë kriminale.
    – Duke e paraqitur madje edhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë si të nxitur edhe nga përpjekja e CIA-s për të krijuar një El Dorado të drogës në atë territor.
    Ky informacion viral ka arritur të depërtojë në një pjesë të madhe të forumeve “alternative” në Internet, ku diskutimet politike pleksen me diskutime teorish të komplotit dhe të tjera problematika të errëta. Diskreditimi i arsyeve amerikane për Luftën në Irak ka ndikuar edhe në dobësimin e përligjjes morale për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë; shumë njerëz që nuk pajtohen me politikën e jashtme të administratës Bush në Lindjen e Mesme besojnë se edhe ndërhyrja në Kosovë ka qenë e të njëjtit lloj. Kuptohet që në rrafshin strategjik, Kosova për SHBA dhe NATO-n s’mund të jetë veçse mjet, jo qëllim; Dhe në rrethanat e tanishme ky mjet u ka mbetur në dorë republikanëve e veçanërisht Bush-it. Meqë politika në SHBA pas 2008-ës nuk mund të jetë veçse distancim i ngutshëm nga gjithçka që i referohet presidentit të tanishëm amerikan, edhe Kosova rrezikon të sakrifikohet, në emër të “ndryshimit”; serbët, të cilët e dinë këtë, janë përpjekur që çështjen e pavarësisë ta shtyjnë, me çdo kusht, deri sa të vijë një qeraxhi i ri në Shtëpinë e Bardhë…

  10. Meqë politika në SHBA pas 2008-ës nuk mund të jetë veçse distancim i ngutshëm nga gjithçka që i referohet presidentit të tanishëm amerikan, edhe Kosova rrezikon të sakrifikohet, në emër të “ndryshimit”

    Vetem nqs fiton Obama (partizan i divorcimit te Mitrovices nga Kosova) mund te behet ndonje gje e tille. Perndryshe si McCain si Clinton jane mbeshtetes te njohur te nderhyrjes te NATOs ne Kosove.

  11. Kreshnik Bejko:
    “Vetem nqs fiton Obama (partizan i divorcimit te Mitrovices nga Kosova) mund te behet ndonje gje e tille.”

    Njehere kam takuar nje gjyqtar teper te njohur amerikan…
    Ne nje bisede te lire, e pyeta me kureshtje lidhur me qendrimin qe do te mbante Bush (atekohe i sapo ardhur ne Shtepine e Bardhe) ndaj Kosoves, me shqetesimin nese politika e re republikane do te ndryshonte krahasuar me ate te adoptuar nga Klinton dhe demokratet.
    Pergjigja e tij ishte:
    “ShBA nuk ka memorie individuale, por institucionale, vecanerisht ne politiken e jashtme”

  12. Nje shenim i vogel per perkthimin, fjala e anglishtes ”secular” nuk perkthehet ne shqip si ”shekullar” por me fjalen ”laik”, te pakten ne mungese te nje fjale me te pershtatshme. Se ”shekullar” eshte direkt nga anglishtja, jo thjesht nje neologjizem, pa le qe mund te ngaterrohet me ”shekullor”.

    Gjithsesi, me shqetesimet jam dakord.

  13. Tannhauser, të falënderoj për këshillën gjuhësore, por megjithatë “shekullar” është po aq fjalë shqipe sa edhe “laik”, të paktën sipas Fjalorit të Shqipes së Sotme (botim i vitit 1984). Nuk më duket të jetë marrë “direkt” nga anglishtja sikurse thua; përkundrazi, duket si e italishtes mesjetare. Ndonjë filolog me siguri do të gjejë përdorime të saj në shqipen e autorëve të vjetër.

  14. Mexhid YVEJSI, Gjakovë

    REPUBLIKA E KOSOVËS –

    ”SHTETI KOSOVAR” –

    SHTET LAIK APO SHEKULLAR?

    ” Lufta midis mosbesimit dhe besimit është tema më kryesore në historinë botërore.”

    – Goethe

    Republika e Kosovës, deri më sot, shteti më i ri në botë, ka një kushtetutë, kushtetutë e cila është e ”smutë”, prej të cilës të vlojnë trutë…

    Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila hyri në fuqi me 15 Qershor 2008, ka 14 kapituj dhe 162 nene, ku shumçka është shtjelluar, përcaktuar, por me shumë gabime e mbuluar…

    Për Kushtetutën e Republikës së Kosovës shumçka është shkruar…Është shkruar si është hartuar, si është miratuar, por për një nen nuk është shkruar, i cili jetën Kosovës ka me ja ngatërruar…

    Kushtetuta është ligji më i lartë i një shteti. Po ky shtet, Republika e Kosovës, sipas Kushtetutës, çfarë shteti është ?

    Çfarë është ”shteti kosovar”-

    shtet laik apo shekular?

    Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Kapitulli I,

    Dispozitat Themelore, nën nenin 8 – shkruan:

    Neni 8 (Shtet Laik)

    Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështjet fetare.

    Kështu është përcaktuar Kosova… Kështu, pra, Kosova kreshnike, në gjuhën shqipe, sipas Kushtetutës, është laike…

    Kurse në versionin anglisht shkruan:

    Article 8 ( Secular State )

    The Republic of Kosovo is a secular and neutral in matters of religious beliefs.

    (Republika e Kosovës është shtet shekullar dhe në çështjet e besimeve fetare është asnjënëse.)

    Kështu është përcaktuar Kosova… Kosovo, pra, në gjuhën angleze, në Kushtetuten “kosovare” është shekullare…

    Ky dallim, ky ndryshim, ky ngatërrim a është bërë me qëllim apo është ndonjë lëshim…?

    Për këtë çështje, një një ditë, një mik, njeri me mend-punon në Kuvend, i cili është është jurist, deri dje ishte enverist, tani evropian, por që e kam jaran, më tha: ”…more Mexhid, sido që të jetë, Kosova është shtet, shtet i pavarur dhe sovran, a po më kupton, more jaran…! ?

    Ç’ është laicizmi ?

    Termi laicizëm rrjedhë nga greqishtja, nga fjala laie, që do të thotë: njeri i kësaj bote, i rëndomët, mesatar, jo i ditur…

    Shumë gjuhë evropiane termin laicizëm e kanë huazuar nga gjuha latine, nga fjala laicius, që do të thotë: ai që nuk është fetar, nuk është i lidhur për fe, nuk është antar i klerit…Kështu e shpjegojnë fjalorët e ndryshëm të gjuhës angleze…

    Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, Prishtinë, 1981, faqe: 937, termin Laik e shpjegon kështu:

    Laik: Që nuk është fetar e kishtar, që nuk ka përmbajtje fetare, që nuk merret me fenë, që nuk i përket fesë dhe klerit…

    Kurse Fjalori i Shqipes së Sotme, që ka rreth 35.000 fjalë, hartuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Botim i dytë i ripunuar, Botoi: Toena, Tiranë, 2002, në faqën 1231, për termin Laik, përveç atyre shpjegimeve të lartshënuara, shkruan se laik do të thotë: kundër fetar…

    Duket qartë se tek Fjalorët e Gjuhës Shqipe, si nën diktaturën komuniste-ateiste dhe pas saj, në shpjegimin e termit Laik mbisundon fryma komuniste-ateiste…

    Në të vërtetë, Laicizmi është një koncept francez për një shoqëri shekullare, që do të thotë: mungesa, largimi, mënjanimi, mosndërhyrja e çështjes fetare në çështjet qeveritare apo çështjet qeveritare në çështjet fetare…Pra, Laicizmi ka për themel lirinë e mendimit, lirinë e besimit. Kështu e shpjegojnë leksikografët evropian…

    Por, gjatë shekullit njëzet, Laicizmi merr një kuptim të ri: që do të thotë: Barazi ndaj të gjitha feve… Por, me gjithë këte, viteve të fundit, për shkaqe politike, shpjegimi, interpretimi i termit Laicizëm po tkurret…

    Kjo tkurrje e termit Laicizëm e detyroi edhe kreun e Vatikanit, Papën, Gjon Pali i Dytë, të ndërhyjë, ndër të tjera, me këto fjalë:

    “Shekularizmi nuk duhet të ngatërrohet me Laicizmin. Laicizmi është kur shteti pretendon të injoron dimensionin shpirtëror të individit ose të shoqërisë…” Fjala e Papës, Gjon Pali i Dytë, para ipeshkëve francez, Vatikan, 27 shkurt 2004…

    Gjatë vizitës së Papës Benedikti XVI-të në Francë, me 12 Tetor 2008, Papa, ndër të tjera, tha:

    ”Është koha të rishikohen marëdhënjet ndërmjet kishës dhe shtetit, duke shtuar edhe këto fjalë, “duhet një formë e shëndetshme e laicizmit…”

    Në ceremonin e pasditës në Pallatin Elysie, me 12 Tetor 2008, para kryetari të Francës, Nicolas Sarkozy, Papa Benedikti XVI-të, ndër të tjera, tha:

    ” Jam plotësisht i bindur se tani është e nevojshme që laicizmi të ketë një kuptim të ri…”

    Lind pyetja: Pse i tha Papa Gjon Pali i Dytë këto fjalë, rreth Laicizmit dhe Shekullarizmit, para ipeshkëve francezë, me 27 Shkurt 2004?

    Pse i tha Papa Benedikti i XVI-të këto fjalë në Francë, me 12 Tetor 2008, para hundëve të Kryetarit të Francës, Nicolas Sarkozy, në Pallatin Elysie?

    I kanë thënë këto fjalë të nevoshme, të domosdoshme, krerët e Vatikanit, Papa Gjon Pali i Dytë dhe Papa Bededikti i XVI-të sepse ishte Franca, e para në Evropë, pikërisht ajo, e cila e miratoi ligjin për Laicizëm, shtet laik, që në vitin 1905…

    Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kushtetutën amerikane, nuk përdoret termi Laik apo Laicizëm, por përdoret termi Sekular apo Sekularizëm…

    Ç’është Sekularizmi?

    Në gjuhë shqipe, sipas Fjalorëve të Gjuhës Shqipe apo Fjalorit të Shqipes së Sotme, Tiranë, 2002, nuk përdoret termi Sekular apo Sekularizëm por shënohet fjala: Shekullar, që do të thotë:

    ”Klerik katolik që nuk bën pjesë në ndonjë urdhër e nuk jeton në kuvend…” , (Faqe: 1231.)

    Ky është jo vetëm një shpjegim i gabuar, por ka edhe një qëllim, një qëllim të caktuar, të paragjykuar,:

    Në vend se të ndriçon, të errëson…

    Këtu jo vetëm që mbulohet e vërteta, por del në sipërfaqe gënjeshtra…

    Këtu fyhet Kisha Katolike apo Katolicizmi, kurse injorohet, përjashtohet, feja Islame apo Islamizmi…

    Kur ndodhi kjo në kohën e diktaturës komuniste-ateiste kishte një arsye të pa arsyeshme, por ky Fjalor i Shqipes së Sotme, botuar në Tiranë, 2002, dëshmon se komunizmi-ateizmi vdiq, por në kokat e akademikëve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të gjuhëtarëve të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, që hartuan këtë Fjalor, ky Fjalor dëshmon se komunizmi-ateizmi ende jeton…

    Sipas fjalorëve të ndryshëm amerikan, termi Shekular apo Shekullarizëm ka disa kuptime, por këtu po i veçojmë, po i shënojmë vetëm disa:

    Shekullarizëm do të thotë: me qenë i lirë nga cilësitë fetare ose shpirtërore…

    Këshillohet që besimi ose mosbesimi të injorohet nga administrata shtetërore. Kjo nuk do të thotë përjashtim apo mohim i fesë…

    Shekullarizmi ngulmon në lirinë fetare, dhe lirinë nga feja.

    Shekullarizmi në çështje shtetërore është asnjënës në çështje fetare dhe nuk privilegje apo nënçmim ndaj feve…

    Në shkollat shtetërore nuk duhet të mësohet për fenë, por as për ideologji ateiste…

    Shkurt, Shekullarizëm nuk do të thotë anti-fetarizëm…

    Në përfundim – një krahasim

    Ndër dy të këqija duhet të zgjidhet e keqja më e vogël…

    Kosova, me Kushtetutë, është shtet laik, pra e ka zgjedhur të keqen më të madhe, ndonëse, sikur e shënuam më lartë, në versionin anglisht të Kushtetutës shkruan se Kosova është Shekullare…

    Me Kushtetuten e Kosovës injorohet, diskriminohet shumica, besimet e shqiptarëve, që i takojnë Fesë Islame dhe Kishës Katolike, kurse priviligjohet, favorizohet pakica serbe dhe Kisha Orthodokse…, por, për këtë kemi shkruar disa herë…

    Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, shtet laik, nuk përmendet askund fjala Zot…

    Në të gjitha kushtetutat e 50-të shteteve të Amerikës, që përbëjnë Shtetet e Bashkuara, (USA), përmendet Zoti, madje Ai falënderohet, lavdërohet, madhërohet me cilësitë, atributet më të bukura…

    Në Kushtetutën e shtetit Arkansas, për shembull, në nenin 19, shkruan:

    ”Asnjë person i cili e mohon Zotin nuk duhet të mbajë asnjë post në departamente civile të këtij shteti, as të jetë kompetent të dëshmojë në çfardo gjykate…”

    Qeveritarët dhe kuvendarët e Kosovë nuk e përfaqësojnë shumicën e shqiptarëve, sepse në zgjedhjet e fundit, me 17 Nëntor 2007, votuan më pak se 40 % …

    Kuvendarët dhe qeveritarët e Kosovës në vazhdimësi e përsërisin një fjali: Jemi në miqësi të përherëshme me Amerikën…

    Amerika, qe pra, është shekulare… E di fort mirë Amerika që ka punë me laika… Kur nuk besoni, si t’ju besohet?

    Në politikë, more laikë, me trashëgimi titiste dhe enveriste, nuk ka miqësi, simpati, dashuri, por ka interesa kombëtare, shtetërore, njerëzore…

    Kosova laike vetveten e bëri armike…! Kosova me këtë kushtetutë veç po duket se është e smutë…

    Është koha, sikur thanë dy papat, Papa Gjon Pali i Dytë dhe Papa Benekikti i XVI-të, të rishikohet laicizmi, të ketë një formë të shëndetëshme, një kuptim të ri….

    Kjo është jo vetëm e nevojshme, por e domosdoshme…

    Është koha, që për hirë të interesit njerëzor, shtetëror e kombëtar, Kosova të jetë jo shtet laik, por shekullar…

    Përndryshe, kështu qysh jemi, pa fe, pa besim në të madhin Zot – çdo gjë shkon kot…! Kosova bëhët me e kja me lot… !

    Mos o i Madhi Zot…!

    (Autori është studiues i religjioneve)

  15. Mexhid YVEJSI, Gjakovë

    Në përkujtim:
    Në përvjetorin e 80-të – në jetën e vërtetë.

    SHEJH I MELAMIVE –
    PRINC I BEJTEXHIVE

    Shejh Mala
    (1865-1928)

    Viti 2008 ishte viti i përkujtimeve, viti i shënimeve…U përkujtuan, u shënuan ngjarje të rëndësishme, personalitete të ndritëshme…
    U përkujtue, u shënue 130 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, (1878-1881), për shqiptarët vit’ i zgjimit, vit’ i vetëdijesimit…
    U përkujtue, u shënue 100 vjetori i Kongresit të Manastirit, (1908), ku qe vendosur, përcaktuar, ABC-ja apo alfabeti i gjuhës shqipe, kur ende ishte Turqia, kur kishte shqiptarë, por s’ishte Shqipnia…
    U përkujtue, u shënue, 100 vjetori i lindjes së prof. Eqrem Qabejt, (1908-1980) albanologut, gjuhëtarit, dijetarit të shquar, i cili një jetë të tërë gjuhës shqipe ia kishte përkushtuar…
    U përkujtue, u shënue 100 vjetori i lindjes së diktatorit Enver Hoxha, (1908-1985), të cilin disa e madhëruan, kurse disa e mallëkuan…
    Sot po e përkujtojmë, po e shënojmë, Shejh Malën, (1865-1928) në përvjetorin e 80-të, që kaloi në jetën e vërtetë.

    Kush ishte Shejh Mala?

    Shejh Mala ishte një veprimtar i shquar, një veprimtar i dalluar, për Fe e Atdhe…Ishte dijetar, fetar, atdhetar; ishte poet, përkthyes, shkrimtar. Ishte hoxhë, myfti, shejh i tarikatit melami… Emri i tij i plotë është: Abdyl Malik Hilmi Hoxha, por në popull njihet me një emër të shkurtër, përkdhelës: Sheh Mala.
    Shejh Mala, djali i Fejzullah Hoxhës, lindi në Rahavec me 1865, ku i kreu mësimet fillestare. Mësimet e larta i filloi dhe i përfundoi në Prizren, në Medresenë e njohur “Mehmed Pasha”, pranë myderrizit të respektuar Aziz Fendiut.
    Shejh Mala u ndriçue me dritën e sufizmit nga myderriz, Shejh Rexheb Hulusiu, i cili i dha porosi që ta themelojë Teqen Melami…
    Në vitin 1887, kur ishte 22 vjeç, Shejh Mala e themeloi në Rahavec ”Teqen e Melamive”, një teqe e vogël, por me një zemët të madhe, e cila ishte jo vetëm teqe, por edhe xhami, ishte edhe mësojtore, strehimore, vend tubimi, adhurimi, përkujtimi, frymëzimi; vend pastrimi, pendimi, edukimi, pajtimi, lartësimi…

    Kush janë Melamitë ?

    Melamitë janë sufijë, vëllezëri islame, një prej rrugëve, drejtimeve, apo tarikateve, që merren me dimensionin shpirtërorë të Islamit…
    Termi melami është i hershëm, madje më i hershëm se edhe vetë termi sufi…Në në këtë rast nuk do të merremi me hollësi, por do t’i përshkruej kalimthi…
    Historianët i përmendin tri periudha të këtij tarikati…
    Periudha e parë lidhet me emrin e dijetarit Ebu Salih Hamdun b. Ammar el-Kassar, nga Nishapuri, Persi. Pasuesit e tij quheshin: Kassari – Melami…
    Periudha e dytë fillon nga Anadolli, lidhet me emrin e dijetarit Haxhi Bajram Veli. Ndjekësit e tij njihen me emrin: Bajrami- Melami…
    Periudha e tretë lidhet me emrin e dijetarit nga Egjypti, Sejjid Muhammed Nur el-Arabi (1813-1887), i cili e përhapi në Ballkan…Ndjekësit e tij quhen Nuri Melami apo Melami…
    Tarikat Melami u përhapë edhe nëpër trojet shqiptare, në veçanti në Kosovë, ku u themeluan disa teqe, në të cilat shërbyen shejhlerë të ditur, të arsimuar, të edukuar, atdhetarë e shkrimtarë…
    Vlen të përmenden me respekt: Hafiz Sylejman Baba nga Gjakova, Myderriz, Shejh Rexheb Hulusiu nga Prizreni, Myderriz, haxhi, Shejh Ymer Lutfi Paçarrizi nga Prizreni, Shejh Jonuzi nga Suhadolli i Mitrovicës, Hoxhë, Shejh Sylejman Efendi Kollari nga Rahoveci etj…
    Termi melami ka disa kuptime, por dy më kryesoret janë: Pastërti dhe vetëkritik apo autokritik…
    Për melamitë, Shejh Mala në vargje thotë:

    ”Neve na thonë melami
    Pluhnin zemrës kemi fshi…”

    Princ i Bejtexhive

    Shejh Mala në Rahovec ishte Shejh i Melamive, por Shejh Mala në Kosovë është ”Princ i Bejtexhive”…
    Letërsia e bejtexhive, duan apo s’duan disa sot, është pjesë e krijimtarisë, e kulturës dhe e letërsisë shqipe.
    Bejtexhijtë jo vetëm që nuk mund të asgjësohen, të përjashtohen, nga trashëgimia e jonë kulturore, por ata duhet të studiohen, të përkujtohen…
    Poeti i madh i kombit, Naim H. Frashëri, (1846-1900) i cilësonte bejtexhijtë si ”Mbretër të vjershërimit”… Ata që i përbuzin këta ”Mbretër të vjershërimit” le të turpërohen përpara Naimit…!

    Si dhe kur filloi letërsia e bejtexhive tek shqiptarët?

    Mes shekullit XVI-XVII, kur u krye procesi i islamizimit të shumicës së popullsisë shqiptare, me themelimin e institucioneve arsimore-kulturore, siç janë mejtepet, medresetë, xhamitë, teqetë…, me krijimin e një inteligjencie shqiptare islame, filluan të shfaqen bejtexhinjtë shqiptarë, në veçanti në qytetet kryesore: Shkodër, Berat, Elbasan, Tetovë, Gjakovë, Vushtri, Prizren, Rahovec etj….
    Në Rahovec shfaqet Shejh Mala (1865-1928), një krijues në kohëra tejet të vështira, por duke na dhuruar lulet më të mira…
    Ka shkruar mbi 15 trajtesa (Risale), disa prej të cilave janë:
    ”Lulishtja e Hilmisë qoftë makbuli i Perëndisë”
    ”Sofra e hazreti Alisë”
    ”Minderllëku i nuseve të hakkikatit”
    ”Dashni për të dashnin”
    ”Lutnja e zemrës”
    ”Loçka e zemrës” etj.

    Të gjitha trajtesat (Risalet) e Shejh Malës kanë përmbajtje mistike-filozofike, të gjitha trajtesat kanë për synim: Udhëzimin, përndritjen apo ndriçimin…
    Shejh Mala – Melami, ka edhe ”Divanin” e tij, në të cilin janë të përmbledhura rreth 100 poezi…Për këto poezi janë interesuar disa studiues, shkrimtarë, të huaj e shqiptarë, si Robert Elsie, Dr. Idriz Ajeti, Dr. Mark Krasniqi, Dr. Muhamet Pirraku, Mr. Hajdar Salihu, Idriz Vuçitërna etj.
    Të gjitha poezitë e Shejh Malës, disa prej tyre këndohen edhe si Ilahi, kanë përmbajte, kanë porosi… Burim frymëzimi janë mësimet kur’anore, tradita profetike dhe fryma mistike…
    Brehti, në një poezi të shkruar në kohën e shkallëzimit të fashizmit në Evropë, në veçanti në Gjermani e Itali, thoshte se do të vijë një kohë kur njerëzit nuk do të thonë: ”Ishin kohë të errëta”, por do të pyesin: ”Përse kanë heshtur poetët e tyre?”
    Në tetor të vitit 1912, kur Sërbija e pushtoi Kosovën dhe trojet tjera shqiptare, Shejh Mala, poeti fetar dhe atdhetar, nuk heshti, por tha:

    ”Dert nuk kemi mjerët na
    Terr në zemër na ka ra
    Dro prej Zotit kurkush s’ka
    Erdh kolera Serbija…

    Në bibliotekën e Kapuçinëve është ky mbishkrim:
    ”Këtu flasin memecët dhe jetojnë të vdekurit”

    Këtu, në Kosovë, flasin memecët, sikur në bibliotekën e Kapuçinëve dhe jetojnë të vdekurit, ndër të tjerë , flet ende dhe jeton edhe Shejh Mala…!

    (Autori është studiues i religjioneve)

  16. Mexhid YVEJSI, Gjakovë

    DITA E FLAMURIT,

    DITA E PAVARËSISË,

    DITA E PËRGJEGJËSISË…

    (28 Nëntor 1912 – 28 Nëntor 2008)

    “Ky komb nuk mësohet e nuk kulturohet nëpërmjet lavdit, por

    nëpërmjet kritikës” – Faik Konica

    28 Nëntori-Dita e Flamurit, është një nga ditët më të rëndësishme, në mos më e rëndësishmja, e historisë sonë kombëtare…

    Dita e Flamurit është dita më e gëzueshme, është dita më e vajtueshme për shqiptarët, sepse kjo ditë është Dita e Pavarësisë së Nënës Shqipëri, por pa Kosovë, pa Çamëri…

    Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë, duhet të jetë edhe Dita e Përgjegjësisë, për çdo shqiptar…

    Pse?

    Sepse, në Ditën e Flamurit, në Ditën e Pavarësisë, përveç gëzimit, përveç vajtimit, secili duhet të bëjë edhe llogari, me përgjegjësi, t’a pyesë veten: ç’bëri gjatë një viti për Kosovën, Çamërinë, për Shqipërinë…?

    Me 28 Nëntor 1912, u ngrit në qytetin e Vlorës, nga dora Ismail Qemalit, Flamuri Kombëtar…

    Flamuri Kombëtar u ngrit mbas katërqind e sa vjetësh…

    Flamuri Kuq e Zi është flamuri më i vjetër në Ballkan, ndër më të vjetrit n’Evropë…

    Flamuri Kombëtar është flamuri i Skenderbeut, por pas vdekjes së tij “vdiq” edhe flamuri, sepse u harrua…

    Pas një harrese prej katërqind vjetësh, e zbuloi një student shqiptar. Studenti shqiptar ishte Faik Konica…

    Faik Konica, zbuluesi i flamurit kombëtar, themeluesi i kritikës shqiptare, atdhetari i devotshëm, ambasadori i Shqipërisë në Uashington (1926-1939), kur vdiq, me 1942, u harrua…Jo vetëm që u harrua, por edhe iu mohua, iu ndalua të varroset në Shqipëri deri sa vdiq komunizmi…, edhe pse kishte paguar edhe vendin, edhe pse ia kishte kushtuar jetën Shqipërisë…

    Mjerisht, kjo nuk i ndodhi vetëm Faik Konicës. Kjo tragjedi u ndodhi edhe atdhetarëve më të njohur, më të mëdhenj të kombit, siç ishin: Mid’hat Frashëri, Mustafa Kruja, Dhimitër Berati, të cilët ishin edhe nënshkrues të Dokumentit të Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, krahas Ismail Qemalit, Vehbi Efendi Dibrës. Luigj Gurakuqit…

    Kjo u ndodhi edhe shumë atdhetarëve të tjerë, deri në ditët tona…

    Prandaj, Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë duhet të jetë edhe Dita e Përgjegjësisë…!

    Në Ditën e Flamurit, nga ballkoni i shtëpisë së Xhemil Beut, Ismail Qemali mbajti një fjalim të shkurtër para popullit të Vlorës dhe rretheve të tjera, ku ndër të tjera, dy herë e përmendi Zotin, e tha:

    “Deshi Zoti, që me punën tonë, trimërinë dhe guximin e pashoq të shqiptarëve, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut tonë, sepse këtu e tutje, jemi të lirë, të pavarur dhe më vete, prandaj, qeshni dhe gëzohuni!”.

    Ismail Qemali, duke e përfunduar fjalimin e Ditës së Flamurit, tha:

    “Ja, pra, ky është flamuri ynë! I kuq e me shqiponjë dykrenare në mes. Dhe tani të gjithë bashkohuni si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për ta përparuar e për ta qytetëruar, si i ka hije Atdheut tonë të lirë. Duke përfunduar, nuk më mbetet tjetër gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Math për bekimet e Tij…”.

    Mjerisht, mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut tonë nuk përfunduan me Shpalljen e Pavarësisë, por ato u shtuan mbrenda e jashtë Shqipërisë…!

    Shqiptarët nuk arritën të bashkohen, si një trup i tërë dhe i pandarë, nuk punuan sa duhet për ta përparuar e për ta qytetëruar Atdheun…

    Tragjedia më e madhe e kombit ishte sundimi komunist-ateist gjysmëshekullor…Të ishe atdhetar, fetar, i ditur, i ndershëm, ishte rrezik…Shumica e shqiptarëve nisi të jetonte jashtë vetes…

    Heminguej tha: “Kur nis të jetosh jashtë vetes, gjithçka është e rrezikshme”.

    U bënë gabime të mëdha, përjetuam fatkeqësi të vazhdueshme…Gjithë fatkeqësitë e gabimet, sipas Sokratit, vinin ngaqë njerëzit nuk zotëronin dije të mjaftueshme…

    Dije e mjaftueshme është Dija Hyjnore…Sipas Lesingut, qëllimi i fundit i diturisë është e vërteta. E Vërteta është Zoti. Zoti është e Vërteta Absolute…Ai, qoftë lavdëruar, e ka shpallur të Vërtetën me argumente…

    Në Kur’an shkruan: “Ata të cilët nuk besojnë në argumentet e All-llahut, All-llahu nuk do t’i drejtojë në rrugë të drejtë; ata i pret vuajtje e padurueshme.” (Kur’ani, 16:104)

    Kujt i besuam ne?! Pse vuajtëm? Pse po vuajmë ? Pse me ne po luajnë? Prandaj kështu jemi dhe kemi ashtu qysh jemi…!

    Vlera e njeriut, thoshte Renani, është sa mëson dhe sa dashuron. Mësimet rreth Zotit, dashuria për Zotin është çelësi hyjnor për jetë të lumtur e të suksesshme!

    28 Nëntori, Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë së Nënës Shqipëri, por pa Kosovë e Çamëri…!Por, me besim në Zotin, me përpjekje të vazhdueshme, çdo gjë është e mundshme…! Siç ishte e mundshme dalja publike më 28 Nëntor 1997 e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Llaushë, në ditën e varrimit të mësuesit dëshmor, Halit Gecit, vrarë nga policia serbe…Siç ishte e mundshme që komandanti i UÇK-së, Adem Jashari, të lindet më 28 Nëntor …!

    Për mendjen e kufizuar njerëzore është rastësi që komandanti Adem Jashari u lind në Ditën e Flamurit, në Ditën e Pavarësisë, më 28 Nëntor 1955, por nuk është rastësi për Zotin, Krijues, Planifikues e Zhvillues i çdo krijese, që jeta e tij, vepra e tij dhe rënia e tij të bëhet, shembull trimërie, burrnije, qëndrese, shprese, rreze lirie, simbol pavarësie!

    Kryetari i Çekisë, Haveli, thoshte: “Shteti është krijim i njeriut, ndërsa njeriu është krijesë e Zotit”. Zoti nuk krijon asgjë rastësisht…Ai i fali Shaban Jasharit, në Ditën e Flamurit, në Ditën e Pavarësisë, Ademin, më 28 nëntor 1955, shembullin ringjallës të shqiptarisë…

    28 Nëntori – Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë, ditëlindja e Adem Jasharit, krenaria e shqiptarit, shembulli i qëndresës, simboli i shpresës …

    Me hajr, për hajr ditëlindja e 53-të, o Adem Jashari! Për hajr edhe Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë…! Ti e pate ndjenjën e përgjegjësisë, ti e pate guximin dhe besimin për të njohur vetveten, për të njohur Kosovën, për të njohur Zotin…

    Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë le të jetë edhe Dita e Përgjegjësisë, për të njohur vetveten, që është hapi i parë për të njohur Zotin, i cili na fali edhe një argument, në Ditën e Flamurit, na fali Adem Jasharin, që me Jasharët t’i falin Kosovës një Diell…

    Një Diell, që me besim në All-llahun, Zotin, Perëndinë, ka për të ndriçuar ardhmërinë, duke e bashkuar Shqipërinë…

    Kjo është Përgjegjësia, kjo është Pavarësia…

    Amin! Ashtu u bëftë!

  17. Mexhid YVEJSI, Gjakovë

    PREJARDHJA E ALFABETIT LATIN

    ”Ndonëse ne e quejmë Alfabeti Latin, kurse alfabeti e ka emrin grek, ndërsa alfabeti ka një prejardhje tjetër, shumë më të vjetër”

    – Allen Butler

    Për nder të ”Kongresit të Manastirit”, me rastin e 100 vjetorit (1908-2008), ku u vendos, u përcaktue, Alfabeti Latin për gjuhën shqipe, u organizuan manifestime, kremtime, tryeza, tribuna, konferenca shkencore, tyrlifare, në të gjitha trojet shqiptare…

    Organizimet më të veçanta ishin në Tiranë, Shkup dhe Prishtinë, ku shumë, referues, disa politikuaj të lartë, thanë se:

    “Shqiptarët u përcaktuan për Alfabetin Latin sepse ky alfabet është evropian…”

    Për Alfabetin Latin ata thanë gjithçka… Gjithçka

    është asgjë…! Asgjëja s’është e vërtet – për këtë alfabet…Pse? Sepse:

    ALFABETI LATIN – EURO – PERËNDIMOR,

    ËSHTË ALFABET AZIATIK – LINDOR…!

    Prejardhja e fjalës alfabet

    Fjala alfabet rrjedh nga greqishtja. Ajo vjen nga dy shkronjat e para të alfabetit të tyre, të cilat janë: Alfa dhe Beta. Pra, nga dy shkronjat e para të alfabetit të gjuhës greke është formuar fjala alfabet…

    Por, me gjithë këte, fjala alfabet nuk është fjalë burimore greke. Pse? Sepse dy shkronjat e para të alfabetit grek, Alfa dhe Beta, janë dy shkronjat e para të Alfabetit Fenikas, të përvetësuara nga Alfabeti i Semitëve të Egjyptit të lashtë, që përdoret edhe sot në gjuhët e popujve semitë, siç janë: arabishtja, hebraishtja dhe aramishtja, të cilat i ka përvetësuar greqishtja…

    Në gjuhën arabe shkronja e parë quhet: Elif, kurse në gjuhën hebreje: Alef,; shkronja e dytë quhet: Be, në arabisht, kurse Beth në hebraisht, kështu shkruhen edhe në aramisht, gjuha amtare e Jezu Krishtit ose e Hazreti Isait, paqja e Zotit qoftë mbi te…

    Prejardhja e alfabetit latin

    Alfabeti Latin ka prejardhje greke, është përvetësuar nga Alfabeti Grek në shekullit e shtatë para Krishtit, (Hazreti Isait, a.s.), nga vendbanimi Cumae , një koloni greke, në Italinë Jugore.

    Etruskët ishin ata që e përvetësuan Alfabetin Grek, të cilin e plotësuan me disa shkronja, prej të cilëve e përvetësuan Latinët, të cilët e adaptuan si alfabet të vetë me 21 shkronja, i cili u quejt Alfabeti Latin…

    Pra, Alfabeti Latin vjen prej Etruskëve, të cilët e përvetësuen nga grekët, por që e adaptuen Latinët dhe e përhapën tek Romakët…

    Romakët krijuen Perandori, Perandori me afër 1000 vjet histori, e cila në kulmin e fuqisë shtrihej nga Spanja në Mesopotami, nga Afrika në Angli. Me shtrirjen, zgjerimin e Perandorisë Romake, u përhapë edhe alfabeti latin dhe gjuha latine, e cila ishte gjuhë zyrtare e Perandorisë…

    Prejardhja e Alfabetit Grek

    Alfabeti Grek, me të cilin shkruhet gjuha greke, është përvetësuar nga Alfabeti i Fenikasëve, para 2800 vjetëve…

    Në fillim, në shekujt e parë, Alfabeti Grek shkruhej nga e djathta në të majtë, siç shkruhen edhe sot e kësaj dite në gjuhët semitike: siç janë hebraishtja, aramishtja dhe arabishtja, gjuhë në të

    cilat janë shpallur Librat Hyjnor, Bibla dhe Kur’ani…

    Me kalim kohe, alfabeti grek ka pësuar ndryshime dhe bëhët si një “nënë në vete”, prej kësaj “nëne në vete” lindin këto alfabete: Alfabeti Latin, Glagolik, Gotik, Cirilik, Koptik…

    Alfabeti Fenikas

    Të gjitha alfabetet e lartëpërmendura rrjedhin nga Alfabeti Fenikas. Kurse, vetë Alfabeti Fenikas rrjedh, u formue, u zhvillue nga Alfabeti Proto-Kaanaitë, rreth 3500 vite më parë…

    Në fillim, fenikasit shkruani me sistemin kuniform… Kuniform është një shprehje latine që do të: ” Pykë “. Ky ishte shkrimi i parë, me anë të pykës, që e shpikën Sumerët në Mesopotami…

    Alfabeti Fenikas kishte 21 shkronja, në forma të ndryshme. Të gjitha shkronjat e Alfabetit Fenikas ishin bashkëtingllore, të cilat ishin përvetësuar nga Hiroglifet e Semitëve të Egjyptit të Lashtë…

    Gjuha e fenikasëve ishte gjuhë semite, e cila ishte përhapur për rreth Mesdheut, që nga Libani, Siria, Palestina, Izraeli, Tunizia, deri në Maltë…Kjo gjuhë, prej së cilës rrjedhin alfabetet e përmendura, flitej deri në shekullin e parë…

    Egjypti dhe Sumeria –

    Dy djepa të civilizimit,

    Ku lindi historia e shkrimit…

    Egjypti i Lashtë është një nga dy djepat e civilizimit ku lindi Historia e Shkrimit…

    Historia e Shkrimit fillon në Egjyptin e Lashtë, para 4700 vjetësh…Semitët, banorët e atëhershëm në Egjypt, ishin ata që e shpikën shkrimin. Shkrimi i tyre, prej të cilit rrjedhin të gjitha alfabetet e lartëpërmendura, nuk kishte shkronja të alfabetit, por Hiroglife…

    Hiroglifet ishin shenja, të cilat përfaqësonin shkronjat, që ishin gjithsejt 22, të gjitha bashkëtingllore, që shkruheshin nga e djathta në të majtë…

    Sumeria ose Mesopotamia-

    Djepi ku lindi dituria…

    Sumeria është atdheu i Sumerëve, një popull i lashtë që jetonin në Mesopotami, ndërmjet dy lumejve, Tigër dhe Eufrat, në mes të Irakut të sotëm, në Lindjen e Mesme…

    Sumerët janë ata që e shpikën formën e parë të shkrimit, që e njeh historia e njerëzimit, para 5200 vjetësh.

    Shkrimi i Sumerëve nuk kishte shkronja, por shenja, të cilat i përfaqësonin shkronjat, që ishin 550 shenja….

    Ky “alfabet” me 550 “shkronja” njihet si forma e parë e shkrimit në historinë e njerëzimit, në historinë e civilizimit…

    Ky system i shkrimit në Perëndim njihet me termin “Kuniform”, që vjen nga gjuha latine, që do të thotë: “Pykë”. Pyka ishte “pena” “lapsi” sot në gjuhë kompjuteri i bie tasteri, ku “shtypëshin” “shkronjat” në rrasa argjili ose bote të pjekura…

    Nga ky lloj sistemi, shkrimi, filloj “alfabeti” me 550 shkronja, i cili u përhapë në tërë Lindjen e Mesme, duke u përdorë me mijëra vite, prej të cilit u formuan të gjitha alfebetet e lartëpërmendura…

    Përveç shpikjes së shkrimit, Sumerët e shpikën, e zhvilluan edhe sistemin e numrave, e shpikën kalendarin, ditët e javës, orën, të cilën e ndan në 60 minuta, e shpikën rrethin që e ndan në 360 gradë dhe shumë shpikje të tjera, që për themel kanë shkrimin, i cili e çoj përpara njerëzimin…

    Pra, si përfundim, siç e kanë thënë dijetarët në Perëndim, se Alfabeti Latin – Euro-Perëndimor- është Alfabet Aziatik-Lindor…

    (Autori është studiues i religjioneve)

    Burimet kryesore:

    1. The Worlds Writings Sistems, Peter Daniel, William

    Bright, Oxford University Press, 1996

    2. Mysteries of the Alphabet: The Origins of Writings, Barry Powell, Abevile Press, 1991

    3. Civilzation Before Greece and Rome , David Sacks, Cambridge Press, 2004

    4. The Writing Sistems of the World, Florian Coulmas, Balackwell Publishers, 1969

    5. The History of the Alphabet, David Diringer, New York , 1997

    6. Early History of the Alphabet, Joseph Navel, Jerusalem ,1981

  18. z. Yvejsi,
    materiali juaj, edhe pse me shumë interes, nuk e ka vendin në këtë temë dhe në këto diskutime.
    Jeni gjithnjë i mirëpritur të shprehni mendimet tuaja për gjithçka diskutohet në këtë blog, por ju lutem të mos i përdorni hapësirat e tij si gazetë muri, për të afishuar gjithfarë materialesh.

  19. Julia Gorin eshte nje cifute pro-serbe e njohur ne qarqet serbe. Merr pjese aktive ne blogjet dhe faqet e internetit qe ngrijne lart kauzen serbe ne Ballkan. Personalisht nuk do ti kushtoja shume rendesi nje laraske filoserbe te tille. Julia ben pjese ne klubin e njerezve qe s’kane gje ne dore.

  20. Dizinformacioni nese Shqiperia eshte nje shtet me shumice muslimane apo jo – eshte nje shqetesim qe vjen ne radhet e shqiptareve te epokes se realizmit socialist, te cilet, sic bejne edhe ne kete blog, kerkojne te monopolizojne te gjithe mendimin e shqiptareve; dhe tu heqin te drejten edhe fshatareve te fushave dhe maleve te Shqiperise qe nuk jane prekur nga realizmi socialist dhe ndjehen akoma muslimane.

    ne komentet me larte kemi te bejme me nje totalitarizem intelektual te bezdisur.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin