PARADOKSI I TOLERANCËS

Pas 1990-ës, të gjithë e kemi zëvendësuar besimin me tolerancën, aq më tepër ne shqiptarët që e kemi edhe në traditë: trifetarizmi, etj.

Po çfarë është toleranca pikërisht?

Nëse ti je ateist, ndërsa unë i falem një hardhuce jeshile, i bindur se aty mishërohet shpirti i përjetshëm i fisit tim, atëherë kush është toleruesi: ti që më lë mua t’i falem hardhucës, apo unë që të lë ty të mos i falesh?

Apo të dy bashkë, në më të mirën e botëve?

Toleranca mbahet për vlerë moderne, por është në të vërtetë post-moderne. Toleranti e ka njërën motër murgeshë, tjetrën prostitutë, por i mban marrëdhëniet të shkëlqyera me të dyja.

Një tjetër pyetje: kur të vijë dita, sipas Biblës, që ujku dhe qingji të ulen pranë e pranë në lëndinë, cili prej tyre do ta tolerojë tjetrin, ujku qingjin, apo qingji ujkun?

Ka nga ata që thonë se toleranca nuk ka ndonjë kuptim, pa u shoqëruar nga mundësia, të paktën virtuale, për ta censuruar, heshtuar ose shfarosur Tjetrin. Bie fjala, mund të thuhet se në Romë sot tolerohet Islami, jo Krishtërimi; edhe pse në atë qytet jetojnë plot myslimanë, të cilët i “tolerojnë” të krishterët.

Toleranca nënkupton kështu një farë ndjenje superioriteti, ose bindjeje se qëndrimi yt është më i drejtë se i atij tjetrit që ti po e toleron; por megjithatë ti je kaq shpirtmadh dhe liberal, saqë nuk mund t’ia lejosh vetes t’i imponohesh kujt.

Ka disa që këtë do ta quanin hipokrizi. Nëse ti je vërtet i bindur se fqinji yt, duke mos qenë i krishterë, rrezikohet të mos i shohë kurrë dyert e Parajsës, si mund të rrish pa ndërhyrë?

Mirëpo historia ka treguar se përpjekjet e të gjithë të drejtëve për të sjellë edhe të tjerët në rrugë të mbarë kanë çuar në dhunë, vuajtje dhe përndjekje absurde.

Që këtej, live and let live, siç thotë populli vëlla anglez.

Ti je mysliman, por je martuar me një grua të krishterë. Prindët e gruas sate kërkojnë me ngulm që fëmija yt të pagëzohet në kishë. Problemi: do t’ua tolerosh këtë dëshirë?

Nëse jo, pse vallë ia toleron kryqin që i varet gruas sate në qafë?

Ne shqiptarët e djeshëm kemi jetuar nën një regjim – totalitarizmi – që ishte veçanërisht intolerant. Ndoshta për këtë arsye, tolerancën e konsiderojmë si vlerë që e kemi fituar me mund, ose me djersën e shpirtit; dhe nuk na pëlqen kur na e vënë në diskutim.

Është për t’u përshëndetur, bie fjala, që kultura shqiptare toleron botimin e librave të tillë si “THOT fliste shqip”, edhe pse tezat në ato libra janë krejt në kundërshtim me dijen e sotme historike, gjuhësore dhe arkeologjike.

Në fushë të artit, prej kohësh na kanë stërvitur të themi se qyqari që u bie daulleve plastike në metro është muzikalisht ekuivalent me Schubert-in; edhe pse ky farë relativizmi e ka futur kulturën perëndimore në qorrsokak.

Nga ana tjetër, në rrafshin politik gjithnjë duan ftilluar marrëdhëniet e tolerancës me pluralizmin. Pluralizmi është i themeluar mbi idenë e barazisë midis palëve, toleranca jo.

Madje mund të shkohet deri atje sa të pohohet që toleranca e parakupton pabarazinë, njëlloj sikurse pluralizmi barazinë.

Vijmë kështu te liria e fjalës dhe e mendimit në një shoqëri të hapur. Shumë prej nesh janë të mendimit se kreacionistëve nuk u duhet mohuar e drejta për ta mbrojtur dhe përhapur doktrinën e tyre në publik, edhe pse kreacionizmi është haptazi në kundërshtim me shkencën e sotme. Mirëpo t’ua njohësh kreacionistëve këtë të drejtë është një gjë, ta pranosh kreacionizmin si “të barabartë” me evolucionizmin një tjetër.

Një nga çështjet më të mprehta të lirisë së fjalës ka të bëjë me grupet raciste dhe neonaziste: a duhet toleruar prania e tyre në ligjërimin publik, edhe pse doktrinat e tyre në të kaluarën kanë çuar në diktatura të përgjakshme dhe krime të rënda ndaj njerëzimit deri në genocid?

Në disa vende të Europës konsiderohet krim të vësh në diskutim krimin nazist të Holokaustit; dhe disa historianë, të ashtuquajtur “revizionistë”, kanë përfunduar burgjeve për artikuj që kanë shkruar ose fjalime që kanë mbajtur.

Tani së voni kjo intolerancë është shtrirë edhe ndaj “mohuesve” të genocidit armen nën Perandorinë Otomane, teksa shumë shtete të BE, duke filluar nga Franca, kanë miratuar ligjet përkatëse. Çfarë e ka radhën nesër?

Në bazë të cilave kritere duhet t’ia lejojë vetes shteti demokratik intolerancën?

Disa të dijshëm thonë se e vetmja rrethanë që e bën të pranueshme intolerancën, është kur institucionet demokratike ballafaqohen me grupe ose pikëpamje intolerante e fanatike, ose me doktrina që mbështeten në intolerancën, fanatizmin e fundamentalizmin.

Komunizmi, bie fjala, mbështetet në intolerancën ndaj pronës private ose pluralizmit politik. Nazizmi e kish bërë të vetën intolerancën ndaj hebrenjve. Partitë komuniste ose neonaziste, brenda sistemeve pluraliste, predikojnë doktrina të tilla që, po të realizoheshin, do të çonin në shpërbërjen e atyre sistemeve, për t’u zëvendësuar me sisteme diktatoriale moniste. Ergo, tolerantët nuk mund as duhet ta tolerojnë intolerancën.

Pak a shumë këtë e thotë edhe Karl Popper-i.

Megjithatë, të tjerë të dijshëm kanë vënë re një kontradiktë, ose më mirë një paradoks në këtë pohim. Paradoksi lidhet me bindjen e patundur të tolerantit që në një shoqëri tolerante ideale, edhe të tjerët do të tregohen tolerantë ndaj tij.

Mirëpo nëse një tolerant s’e ka për gjë të deklarohet intolerant ndaj intolerancës, atëherë a nuk u ka dhënë vetvetiu të tjerëve të drejtën për të mos e toleruar?

Për të mos e toleruar, thjesht ngaqë ai vetë e pohon që është intolerant, pavarësisht nga përmbajtja e intolerancës së tij!

John Rawls vëren se intolerantët gjithnjë duhen toleruar, përveçse kur shndërrohen në rrezik për vetë ekzistencën e shoqërive tolerante.

Në këtë rast, toleranca i bashkëlidhet përfundimisht forcës, ose ujkut. Qingjit i shfaqet, përkundrazi, si një formë e hirit të Perëndisë.

13 Komente

  1. Për mua tolerancë duhet të arrijë deri atje sa nga liria e fjalës kalon tek liria e veprimit kundrejt të tjerëve. P.sh. grupet neonaziste duhet të lejohen të bëjnë llap-llap sa të duan ama s’duhet të lejohen të rrahin apo vrasin të tjerë. Kufiri është tek kërcënimet të cilat gjithashtu s’duhen lejuar. Janë fjalë, por ama janë fjalë që paralajmërojnë një veprim, p.sh. do të varim filanin nesër.

  2. Nuk eshte aspak e thjeshte si teme , megjithate them qe ktu luhet shume ne kufirin e tolerances me lirine (te nenkuptuar si “liria jote mbaron atje ku fillon liria ose e drejta ose jeta e tjetrit”). Tolerance nuk mund te shkele kufijte e lirise dhe te drejtes (pa hyre ne dikutime filozofike mbi te drejetn) dhe nese i shkel nuk behet me fjale per tolerance ose intolerance.

  3. Xhaxhai:
    “Nga ana tjetër, në rrafshin politik gjithnjë duan ftilluar marrëdhëniet e tolerancës me pluralizmin. Pluralizmi është i themeluar mbi idenë e barazisë midis palëve, toleranca jo.

    Madje mund të shkohet deri atje sa të pohohet që toleranca e parakupton pabarazinë, njëlloj sikurse pluralizmi barazinë.”

    Ne (njerezit) nuk jemi te barabarte (fatmiresisht).
    Te tolerosh te keqen (po e pergjithesoj, packa se veshtire…) cfare dmth? Ta shperfillesh? Pra, lerini te flasin (me nder muhabetit “ha m… me goje, por mos guxo te prekesh me dore!”) se s’na prish pune.
    Po a eshte “shperfillja” baraz me tolerancen?
    Te jesh tolerant do te thote ta konsiderosh mendimin kundra, dhe me “ta konsiderosh” une dua te them ta mendosh mire idene e tjetrit, dhe, ne eventualitetin e te gjeturit te mencur, efektive, praktike, te perfitosh prej saj, madje ta adoptosh ate.
    Perndryshe nuk jemi perpara tolerances, por perpara injorimit.

    Po kush toleron? E thote sakte Xhaxhai: ujku, se qengji toleron vec barin (e le te rritet:) ).

    Po ne shoqerine e sotme moderne kush eshte ujku (alias “me i forti”)?
    A eshte me i forti “me i mencuri”, “me i miri”?

    Nese po, pse duhet te toleroje dhe te konsumoje qofte edhe sadopak energji ne funksion te te “keqit” (injorantit, etj)?

    Nese jo, si i behet?

    Dhe se fundi, a eshte e mire toleranca totale?

  4. Toleranca nuk merr kuptim vecse nese ai qe “toleron” eshte ne pozite dominuese politikisht dhe i afte te ushtroje intolerancen e vet. Por nje pyetje eshte jetike ne kete mesele, ajo qe kur ka dale “toleranca” si koncept dhe karakteristike e cila shoqerive eshte?

    Por nga ana tjeter toleranca eshte karakteristike e shoqerive qe karakterizohen nga bindje apo nga vlera, izma fe apo te ngjashme me to por gjithesesi bindje. Keshtu qe eshte paksa problem ta aplikosh kete koncept ne nje teren i cili nuk konsideron vlera te pandryshueshme por sic thone jane shume “open minded” deri ne absurd.

    Xhaxhai shikon drejt kur thote se toleranca eshte produkt post-modern dhe kjo ne vetvete eshte nje nga problemet, sepse ne mundohemi te aplikojme nje koncept, i cili eshte prodhim i nje ambjenti specifik, ne nje ambjent i cili minimalisht nuk e kupton ne te njejten menyre.

    Teme shume interesante.

  5. Per hire te debatit, do te thoja se, rrjedh mendimi i argumentit tend ne nje shtrat pothuajse te stisur.

    Ujku dhe qingji, thoni ju, per tolerance te pozitave jo te barabarta, dhe te jep pershtypjen se qingji eshte tolerant nga e keqja, ose me deshiren e ujkut. Une do te thoja se as njeri as tjetri s’tolerojne ne vijim te llojit qe ti do ti referohesh. Sepse qingji ka raport tjeter krahasuar me ujkun ne jet. Eshte njelloj si te thuash; qengji toleron shiun te bire se s’ka c’ti beje, kur mendon pafuqesine ( pamundesine) e tij te bej ndryshe. Ujku nuk toleron qingjin, se s’eshte bari ushqimi i tij (ujkut). Dhe qengji s’toleron ujkun se ai e kercenon, por se ai se kupton se qengji do te haje vetem barin, dhe jo te behet ushqim per ujkun.

  6. Vëmendje, kam frikë se as unë nuk po të marr vesh mirë.
    Kur dikush bën një krahasim, e bën me vetëdijen se krahasimi asnjëherë nuk është i përsosur. Ujku dhe qingji janë sjellë në shkrim si metafora për një marrëdhënie asimetrike, ku njëra palë është e dobët ndërsa tjetra e fortë.
    Megjithatë, po të sjell një krahasim tjetër, me një incident që ka ndodhur vërtet vitin e shkuar, kur një studente në Universitetin e Durrësit nuk u lejua të hynte në klasë, sepse e kishte kokën të mbuluar me shami, sipas adetit musliman (në krye, mediat folën për perçe, jo për shami; edhe pse dallimi mes perçes dhe shamisë nuk është thjesht material, por tepër simbolik – meqë shamia e nxjerr në pah fytyrën, ndërsa perçja e mbulon krejt).
    U tha se rektori i universitetit, duke e penguar studenten të ndiqte mësimin për shkak të një zakoni që ajo ndiqte në veshje, ishte treguar intolerant. Të tjerë e mbrojtën vendimin e rektorit, duke shpjeguar se adeti musliman, po t’i lihet fushë e lirë veprimi, priret drejt një intolerance ku e ku më të shprehur se shoqëria laike.
    Incidente të tilla kanë ndodhur edhe në vende të tjera, për të gjetur zgjidhje të ndryshme. Çështja është se, sot për sot, myslimanët në Shqipëri janë të detyruar ta tolerojnë etikën laike të sjelljes publike, ndërsa institucionet publike nuk janë të detyruara t’i tolerojnë zakonet myslimane. Prandaj raporti është përsëri asimetrik.
    Me atë rast, u përmend edhe toleranca e njohur fetare e shqiptarëve, me të cilën mburremi të gjithë – edhe pse, historikisht, kjo është shprehur si tolerancë e shumicës myslimane ndaj pakicave të krishtera; meqë këto të fundit nuk kanë pasur ndonjë mundësi ta shprehin tolerancën e tyre.
    Kjo don të thotë edhe që komuniteti musliman në Shqipëri vërtet historikisht ka qenë tolerant ndaj pakicave jomuslimane, por në ballafaqimin e tanishëm me institucionet laike pikturohet e ndoshta edhe vërtet përfytyrohet prej kundërshtarëve si intolerant. Unë s’po marr ndonjë pozicion në këto kundërvënie, sepse nuk e njoh mirë problemin siç shtjellohet sot e kësaj dite atje; por kontradiktat jam në gjendje t’i dalloj.
    A janë intolerantë muslimanët shqiptarë? Them se jo, meqë tradita flet ndryshe. A përfaqësojnë ndonjë rrezik ndaj të krishterëve në Shqipëri? Përsëri jo. A ka të krishterë që konvertohen, individualisht ose në masë, në fenë islame? Nuk më rezulton, madje e kundërta po ndodh çdo ditë, shpesh për arsye triviale.
    Shprehjet më brutale të fundamentalizmit dhe të fanatizmit fetar mes shqiptarëve i kam vënë re në armiqtë dhe në detraktorët e fesë islame në Shqipëri, të cilët shprehen herë si patriotë e herë si Perëndimorë, por në të vërtetë vetëm duan të ngrenë lart flamujt mesjetarë të katundeve të tyre.
    Në shkrimin më lart, thashë se toleranca i bashkëlidhet forcës; këtu më duhet të shtoj se intoleranca i bashkëlidhet subversionit. E para ndoshta pjell pareshtur hipokrizi, por e dyta pjell pështjellim dhe përmbysje të rendit të sendeve, në emër të pastërtisë (raciale, fetare, etnike).
    Për t’u kthyer te shamia në kokë të vajzës myslimane: a themi dot vallë se ajo vajzë i toleron shoqet e veta kokëzbuluar? Ndihet superiore, apo inferiore ndaj tyre? Mirë do të ishte të pyetej ajo vetë, sidomos në qoftë se shaminë atje nuk ia kanë vënë të tjerët.

  7. Xha Xhai, une te mora veshe metaforen, dhe u ndala ne njeren, qe me krijoje mundesine e nji riperifrazimi. Une s’beje gje tjeter por ve ne sken personazhet (kafshe) me gjykim si te jene nga lloji yne (njerz). Ngarkesa e temes me argument te shumte e vet ezauron qellimin.

    Prap per te cytur tinz ne debat. Sa mendon ti, tolerone vajza ne mendimiet e saj, rreth mos mbajtjes se asaj shamie! Pa marre parasyshe se c’bejne te tjeret, se mbajtja e shamise se saje e vetme nuk me bind qe toleron thjeshte se s’ankohet se si bejne te shumtit.
    Artistikisht perceptimi yt hedh drit ne copeza erresirash me ngjarje.

  8. “Në shkrimin më lart, thashë se toleranca i bashkëlidhet forcës; këtu më duhet të shtoj se intoleranca i bashkëlidhet subversionit.”

    Xha Xha, kjo qe the te ben te mendosh apo ti rikthehesh atij debatit te demokracise qe eshte bere ketu dikur ne lidhje me multikulturalizmin. Nese multikulturalizmi mund te jete ashtu sic eshte thene atehere, pra nje produkt i ekonomise globale, dhe jo nevoje e demokracise, duhet shtuar megjithate qe eshte edhe dukuri e atyre shoqerive qe e kane promovuar tolerancen nepermjet ligjit (kujto ligjet antidiskriminim, apo per mbrojtjen e pakicave). A jane keto lloj ligjesh demokratike? A ruajne ato stus quone apo rendin e sendeve, ne dem te demokracise? Ne fakt Alexis de Tocqueville mendon se suksesi i demokracise Amerikane eshte pikerisht mbrojtja qe ajo u ben pakicave. Pyetja shtrohet; a eshte ky suksesi i demokracise amerikane apo suksesi i tregut amerikan, apo i te dyjave?

  9. Mbaj mend që kur dhashë provimin e materializmit dialektik dhe historik, në vitin 1981, profesori im, Fatri Sinani, më bëri këtë pyetje: një peshk në akuarium, a është në kontradiktë me një peshkaqen në det? Unë iu përgjigja se ishte. Nga shprehja që i mori fytyra, m’u duk sikur isha përgjigjur gabim, prandaj shtova: “në nocion, jo në realitet.” Edhe sot e kësaj dite s’e kam marrë vesh se ç’përgjigje i duhej dhënë asaj pyetjeje.
    Tani që flasim për tolerancën, ndoshta duhet të shtoj se toleranca vjen në vështrim vetëm atëherë kur ka kontakt të mirëfilltë midis gjërash të papajtueshme. Nuk ka shumë kuptim të rri e të vras mendjen nëse duhet ta toleroj që në disa zona në veri të Vietnamit, mishi i maces konsiderohet delikatesë ushqimore. Nga ana tjetër, kam të drejtë të diskutoj për praninë e të pastrehëve në trenat dhe në stacionat e metrosë, si kushdo tjetër që ka qëlluar të ndajë vagonin me ndonjë qyqar që nuk është larë që kur ra muri i Berlinit.
    Jo rrallë qëndrimet dhe këshillat për tolerancë vijnë nga njerëz që, për rrethanat ku gjenden, nuk kanë kurrë kontakt me dukuritë përkatëse – për shembull, një damë bamirëse në NYC do të dridhet, tërbohet e përlotet sa herë që dikush propozon kontroll më të madh ndaj të pastrehëve në hapësirat publike, pëllumbave në parqe, ose predikuesve të Biblës në trena.
    Nuk është për t’u habitur, pastaj, që shprehjet më të çiltra të intolerancës i gjen pikërisht në ato shtresa që vijnë në kontakt të përditshëm me të Tjerët – të huajit, të pastrehët, ata të fesë tjetër, të droguarit, të marrët; meqë intoleranca është produkt i kontaktit, jo karakteristikë e ngulitur e shtresës vetë.

  10. Toleranca ne perandorine osmane kishte takse. Mund te ishe c’te doje, mjafton qe te paguaje taksen per mbrojtje nga sulltani. Mund te kishe cfaredo biznesi qe te deshiroje, mjafton qe te paguje taksen. Ishte pikerisht kjo lloj tolerance qe e bente perandorine osmane aq te deshirueshme nga tregtare, artiste, shkencetare, etj. Edhe Amerika nuk eshte larg kesaj praktike. Mjafton qe te paguash taksen ndaj shtetit dhe mund te kesh cfaredo biznesi qe te duash. Entiteti shtet, duke te ofruar liri veprimi perkunder nje takse te caktuar, ne pergjithesi policore, behet i tolerueshem. Kjo eshte nje nga arsyet qe Amerika eshte kaq e deshirueshme, sic ishte dikur perandoria osmane.

    Tolerancen, xhaxha, do t’a shihja nga raporti i pushtetit me subjektet e pushtetit. Sa i tolerueshem eshte pushteti? Cfare pasojash ka filozofia e tolerances ne Shqiperi, ne raportin midis popullates dhe pushtetit? Cfare pasojash, me tej, ka e njejta filozofi, ne tejzgjatjen e pavaresise se Kosoves?

    Sa per “Thoti fliste shqip”, apo me shembuj te ngjashem, kam pershtypjen nuk ka te beje shume toleranca se sa mungesa e nje dijeje sistematike.

    Kur vjen puna ke percet, shteti nuk eshte tolerant, pasi eshte kushtetuta qe nuk eshte tolerante. Shteti eshte laik, dhe kjo perfshin institucionet e tij. Ajo vajza me te vertete mund te kete pasur shami, dhe jo perce, por kam pershtypjen se zhurma u be per buje me shume se sa per te krijuar nje debat te shendetshem.

  11. “Nuk është për t’u habitur, pastaj, që shprehjet më të çiltra të intolerancës i gjen pikërisht në ato shtresa që vijnë në kontakt të përditshëm me të Tjerët – të huajit, të pastrehët, ata të fesë tjetër, të droguarit, të marrët; meqë intoleranca është produkt i kontaktit, jo karakteristikë e ngulitur e shtresës vetë.”

    hehehehe fantastike…. hehehhe

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin