EKONOMIA E TË IKURVE

Zakonisht prurjet nga emigracioni shihen si faktor pozitiv në ekonominë shqiptare – qoftë dërgesat në para familjeve, qoftë eurot dhe dollarët që shpenzojnë emigrantët kur kthehen me pushime në atdhe.

Po a është vërtet kështu?

A i ka të qëndrueshme bazat miti për emigrantët që po e shpëtojnë Shqipërinë?

Unë nuk jam ekonomist, por besoj se mund t’i sjell dy-tri argumente për të provuar të kundërtën.

Emigracioni gjatë viteve 1990 largoi prej Shqipërisë ndoshta pjesën më produktive të popullsisë – dhe jo vetëm në sferën intelektuale, ose të punës mendore. Shumë prej atyre që e ndienin veten të zotët për të punuar, ikën të punojnë gjetiu, pse ishin të bindur se puna në Shqipëri nuk do t’ua shpërblente dot mundimin.

Ndër ata që mbetën, po të përjashtoj atdhetarët ose të tjerë që kishin arsye objektive për të mos u larguar, kishte edhe një numër të madh lojëtarësh, ose njerëzish që nuk e kishin mendjen aq te puna, sesa te marifeti.

Ikja e trurit, ose i ashtuquajturi brain drain vazhdon edhe sot, dhe nuk ka shenja të ndalet; meqë një popull i vogël si shqiptarët i ka biologjikisht të kufizuara shanset për të prodhuar individë shumë të zotët e të talentuar, kjo nuk premton mirë për të ardhmen.

Më e ndërlikuar është çështja e dërgesave në para të emigrantëve. Nuk ka diskutim që këto dërgesa kanë vlerë të paçmuar për familjet që i marrin, por a kanë vlerë edhe për ekonominë? Këtë mund ta shpjegonte më mirë ndonjë ekonomist, por mua më duket se dërgesat janë një nga arsyet që në tregun shqiptar deri edhe mollët, qepët dhe biskotat importohen.

Mallrat importohen vetëm në qoftë se importuesit janë të bindur se do t’u shiten; dhe kjo bindje e ka bazën në sasinë e parave që qarkullojnë në duar të shqiptarëve blerës e që nuk i përgjigjet asaj çka ekonomia kombëtare prodhon në të vërtetë; meqë blerësve një pjesë e mirë e parave nuk u vijnë nga rrogat e nga djersa e tyre, por nga rrogat e të afërmve të tyre në mërgim.

Mua më duket edhe se kjo ndikon negativisht, kur është fjala për të thithur investime të huaja. Në Kinë, e cila po zhvillohet ekonomikisht në mënyrë të pabesueshme, rroga minimale është diçka si $60 në muaj; në Vietnam $40-$50. Në Shqipëri sot duhet t’i ketë kaluar $140 në muaj.

Natyrisht, në Vietnam nuk i importojnë bananet nga Ekuadori, as portokallet nga Portugalia. Kaurdisen me dhjamin e tyre, do të thoshte populli. Përkundrazi, në Shqipëri dërgesat e emigrantëve ishin një faktor që e mbajtën të paralizuar tregun e brendshëm, sidomos të produkteve bujqësore.

Nga ana tjetër, Vietnami dhe Kina tërheqin investime të huaja me shumicë dhe së shpejti do të kapin nivelin ekonomik të Koresë së Jugut; ndërsa në Shqipëri deri edhe Presidenti për Vit të Ri u dhuron pleqve të azilit një gjenerator.

Thelbi këtu ka të bëjë me përdorimin që u bëhet dërgesave të emigrantëve: konsum apo investime? Përshtypja ime është se, në Shqipëri, konsumi ka përparësi ndaj investimit; por mund ta kem gabim. E di edhe që investimet private, kur bëhen, përqendrohen në sektorin e ndërtimit rezidencial, por sa produktive është kjo për vendin? Çka ka munguar deri tani – më duket mua – janë shoqëritë aksionare.

Nga ana tjetër, nëse marrësit e dërgesave të emigrantëve priren t’i përdorin këto para për të blerë mallra konsumi, atëherë vetvetiu do të nxitin tregtinë e importeve, si rrugë e lehtë për të fituar para. Nëpërmjet blerjes së mallrave të importuara, paratë e dërguara prej emigrantëve kthehen, teorikisht, në vendet ku ishin fituar; me një përqindje që u mbetet importuesve vetë. Ekonomistët mund të më thonë nëse kjo hipertrofi në thelb artificiale e tregtisë dhe e shërbimeve, përkundrejt prodhimit të mirëfilltë, mund të konsiderohet apo jo normale.

Po të ardhurat nga shpenzimet e emigrantëve që vizitojnë vendin e tyre në periudha festash e pushimesh – a e ndihmojnë këto ekonominë shqiptare? Logjika ta do që një pjesë e mirë e vizitorëve t’i lënë paratë në hotele, restorante dhe zbavitje të tjera në zonat turistike. Nuk ka dyshim që shteti nxjerr pjesën e vet nëpërmjet taksave, por përndryshe të ardhurat i mbeten industrisë së shërbimeve. Pyetja ime: a është vërtet në interes të vendit që të specializohet në këtë sektor të industrisë? Kohët e fundit një propozim i tillë ka ardhur me forcë edhe nga ambientalistët në Shqipëri, të cilët nuk i pranojnë orvatjet për zgjerim të infrastrukturës nëpërmjet termocentraleve dhe investimeve të tjera të mëdha industriale në bregdet.

Më në fund, nëse ekonomia shqiptare specializohet si ekonomi shërbimesh dhe turistike, atëherë nuk ka dyshim se “brain drain” do të vazhdojë, madje do të intensifikohet; siç tregon edhe përvoja e vendeve të tilla si ishujt e Karaibeve, të cilat i janë përkushtuar tashmë turizmit.

9 Komente

  1. Per te kuptuar ekonomine shqiptare nuk eshte detyrimisht e nevojshme qe te jesh ekonomist. Nuk e ke hic gabim Xhaxha kur thua qe konsumi i paraprin investimeve. Po te shkosh ne nje dyqan shitje me shumice dhe te hedhesh nje sy ne artikujt qe shiten do te vesh re nje numer jo te vogel qe shqiptaret ne te kaluaren kane bere edhe pa to. Por me i trishtuar ndjehesh kur shikon qe nder bleresat e ketyre artikujve shikon qe ka edhe pensioniste. Ne ate vend, me nderrimin e sistemeve, njerzit e nenkuptuan rritjen e mirqenies si nje fenomen qe edhe nese nuk do ta doje ti, do te donte mirqenia te hynte ne shtepine e tyre me force.

    Aspekt tjeter i konsumizmit shqiptar jane edhe udhetimet jashte shtetit. Cuditerisht ai popull ka nje deshire te pa kuptueshme per te “pare nje cike bote me sy”. Dhe shume prej tyre e kane realizuar ate enderr por pa asnje deshire per te pare qofte edhe nje grimce te pasteritise dhe realiteti te asaj bote ne shtepite, rruget dhe komunitetin qe jetojne. Pra udhetimet eshte nje forme tjeter e rrjedhjes se remitancave ne drejtim te vendeve ku me shume mund e djerse jane nxjerre.

    Nuk do me hiqet kurre nga mendja kur gati 18 vjet me pare nje shoku im qe studionte ne Itali me tha qe disa miq te tij qe banonin ne Ostia, pothuaj lagje e Romes, nuk kishin qene asnjehere ne Rome.

    Persa i perket rrjedhjes se trurit dhe krahut te punes jashte vendit, ajo do te vazhdoje per sa kohe nuk do te kete investime serioze ne industri dhe riaktivizim te bujqesise. Keto jane dy krahet e ekonomise qe bejne thithjen e fuqise puntore masive. Sa per sherbimet qe per Shqiperine kane drejtimin kryesisht drejt turizmit jo vetem qe nuk krijon shume vende pune sa per te eliminuar papunesine por eshte edhe sezonal.

    Megjithate, dergesat jane dicka pak me te medhja se shpenzimet ekstravagante te shqiptareve per te zjerre ate rritje GDP perj 6% qe kryesisht i atribuohet dergesave. Shifer e fryre e INSTAT-it me porosi te Kryeministrit.

    Dhe se fundi, Presidenti shqiptar ne, vend te gjeneratorit, pleqeve te azilit te Krujes duhet tu kishte dhuruar borsa per te ngrohur barkun ne shtrat, libra per te lexuar dhe nje kuti me qirinj per gjithe vitin pa racionim. Veprim i pa pergjegjshem dhe aspak bamires.

    MB

  2. Nje studim i FMN i botuar ne 2006 per prurjet e emigranteve ne Shqiperi dhe si perdoren ato ka arritur ne kete rezultat:

    The survey showed that remittances have become a critical source of income for households, reaching 33 percent of disposable income of an average family recipient and almost 40 percent in rural areas. The recipients of remittances are from all social groups, including middle income class (60 percent) as well as the low income class (27 percent). Our estimates show that the level and severity of poverty are significantly reduced among those households
    receiving remittances, with greater influence on severity rather than the level of poverty. Remittances are mostly used for imported consumer goods,services, and for the purchase or construction of houses. A very small share is saved or invested in businesses, mainly in agricultural sector.

  3. Literatura për pasojat negative të emigracionit është mjaft e pasur. Gjeografikisht, pasojat negative mund të ndahen në dy kategori: ato që shkaktohen në vendet nga ku emigrohet dhe ato që verifikohen në vendet pritëse, pra ku emigrantët mbërrijnë. Në diskutimin që hapi Xha Xhai na intereson kategoria e parë, d.m.th. pasojat negative të emigracionit në Shqipëri, dhe më ngushtësisht na interesojnë efektet e dërgesave.

    Përgjithësisht, dëmet kryesore që rreshtohen kur flitet për dërgesat e emigrantëve ndaj vendlindjes së tyre janë këto:

    – favorizojnë konsumin dhe jo investimet; kjo bën që prodhimi të bjerë dhe të rritet importi, çka dëmton bilancin tregtar të vendit;
    – rrisin inflacionin;
    – dobësojnë strukturën e krahut të punës;
    – krijojnë vartësi tek familjarët që marrin dërgesat dhe rrisin përtacinë e tyre;
    – pengojnë planifikimin e ekonomisë sepse dërgesat nuk janë prurje fikse në ekonomi;

    Studimet nuk është se kanë gjetur ndonjë lidhje automatike të pakontestueshme midis dërgesave dhe pasojave negative të mësipërme. Kjo vjen edhe ngaqë në lojë ka shumë ndryshore: politike, ekonomike, psikologjike, sociale, etj.

    Vetë problemi i dërgesave nuk duhet ngatërruar me atë të brain drain-it. Sepse në bilancin e dërgesave paratë që sjell truri shqiptar në botë është i papërfillshëm, e gjithsesi duhet menduar se edhe vende evropiane të zhvilluara e kanë ende sot problemin e ikjes së trurit më të specializuar. Gjithashtu, kur flasim për “prurje”, duhet të nënkuptojmë se ka disa lloj prurjesh nga emigracioni, nga i cili vijnë jo vetëm dollarë e euro. Personalisht, ikjen e trurit do ta veçoja në një trajtim tjetër.

    Dërgesat rrisin importin sepse nxisin konsumin e artikujve të importit? Nuk është e thënë. Në qoftë se unë i dërgoj familjes 100 €uro, nëna ime midis domateve “zemër kau”, pra vendi, dhe atyre të Maqedonisë, si prej plastike, do të zgjedhë të parat. Së pari sepse si rregull duhet të kushtojnë më pak (prodhim vendi), së dyti sepse edhe zakonet ushqimore e kanë rëndësinë e vet. Mirëpo domate nga fshatrat e Tiranës vijnë pak ose aspak. Arsyet le t’ua lëmë ekspertëve të Ministrisë së Bujqësisë dhe të Ekonomisë. Megjithatë, ka nga ata që thonë se çmimi i domates vendase nuk është se del shumë më i vogël se ai i importit. Për arsye të infrastrukturës, të tokës, të llojit të prodhimit, etj. Ka nga ata që flasin për lobin e tregtarëve monopolistë, që nuk duan rritjen e prodhimit të vendit. Me fjalë të tjera, janë probleme më të mëdha se emigrantët.

    Në qoftë se studimet nuk kanë gjetur midis dërgesave dhe zhvillimit ekonomik ndonjë veprim të tipit shkak-pasojë, atëherë mund të thuhet se dërgesat nuk i rrisin investimet. Ndoshta. Për faktin se kursimet e emigrantëve, në krahasim me të ardhurat vendase dhe koston e jetesës në vendet perëndimore, nuk janë aq të fuqishme. A mund të ndërtojë emigranti një fabrikë me kursimet e veta? Absolutisht jo. Ka nevojë për ndihmë. Por a funksionon sistemi i kreditit në Shqipëri? Prapë, absolutisht jo. Shikoni çështjen e shtëpisë. Një metër katror në Tiranë po kushton aktualisht pak a shumë sa në një qytet evropian. Për emigrantin që nuk ka ndër mend të kthehet përbën investim të papërballueshëm. Me rrogën që merr mund të lajë një kredi (për shtëpinë që ble në vendin ku jeton) por jo dy. Natyrisht e kam fjalën për paratë e pastra, ato që merren me djersën e ballit.

    Për inflacionin nuk di ç’të them, por nuk më duket se dërgesat e kanë rritur. Përkundrazi. Por ndoshta gabohem. Di që paratë “informale” kanë ndikuar negativisht. Di që ka tipa në Shqipëri të cilëve nuk u dridhet syri të blejnë pallate e vila si të ishin paketa cigaresh. Kurse mjaft veprimtari ekonomike janë thjesht koperturë e aktiviteteteve të tjera. Lumenj parash që çekuilibrojnë ekonominë.

    Për dobësimin e krahut të punës mund të nënvizoj se ekonomia shqiptare nuk po arrin t’u japë punë atyre që janë atje. Papunësia është ende në shifra rekord. Nuk jemi në gjendjen e Rumanisë e cila nuk po përballon dot boom-in ekonomik dhe sot është në kërkim të punëtorëve të specializuar.

    Lidhur me idenë se dërgesat rrisin përtacinë dhe pasivitetin mund të thuhet shumë. Këtë vit pata mundësinë të shikoja zonën e Ishmit. Pjesa më e madhe e fshatrave jetonte me shitjen e tokave. Me paratë e marra blinin makina Benz ose e kthenin shtëpinë në vilë (vilë në shkretëtirë). Megjithatë, tek tuk kishte nga ata që kishin ndërtuar një punishte apo një serrë. Të tjerë e kishin mendjen tek viza. Emigrantët kishin pjesën e tyre, por jo edhe aq shumë. Sepse këtu kemi të bëjmë me një mendësi shekullore, ose dhjetëravjeçare, por gjithsesi jo të kultivuar në pesëmbëdhjetë vitet e emigracionit. Unë vetë fjeta në një hotel të ndërtuar nga një ish emigrant në Itali. Paratë e kursyera, plus borxhet e kreditë, e kishin çuar atje ku ishte: pronar i një hoteli relativisht të kërkuar.

    Për mendimin tim, shteti shqiptar, në vend që të dhurojë gjeneratorë, duhet të kuptojë se dërgesat janë një faktor mbijetese jo i përhershëm. Mekanizmi prej amortizatori social që ato vënë zakonisht në lëvizje, së shpejti do ta ulë rendimentin e vet, sepse emigrantët kanë familjet dhe hallet e tyre. Nuk mund të mendojnë gjithnjë për vëllain që ha e pi gjithë ditën tek bari i mëhallës. Pastaj është edhe çështje kostoje. Kësaj vere, Birra Tirana nuk kushtonte shumë më pak se birra e importit. Ishin afër si çmim. (Këtu p.sh. habitem se si një produkt elementar si birra, përbërësit e së cilës mund të prodhohen në Shqipëri, të kushtojë kaq shtrenjtë. Çuditem dyfish kur birrën e gjej më të lirë këtu në Itali. Madje të cilësisë më të mirë).

    Xha Xhai me të drejtë pyet: “Po të ardhurat nga shpenzimet e emigrantëve që vizitojnë vendin e tyre në periudha festash e pushimesh – a e ndihmojnë këto ekonominë shqiptare?” Dhe më pas jep përgjigjen e saktë duke bërë një tjetër pyetje: A është vërtet në interes të vendit që të specializohet në sektorin e turizmit? Edhe unë kam mendim negativ për specializimin turistik të vendit tonë. Duhet të jetë një nga fushat ekonomike të zhvilluara, por jo sektori bazë. Arsyet janë të shumta, midis të tjerash edhe faktori gjeografik. Jemi të rrethuar me vende që ofrojnë shërbime turistike të ngjashme me të tonat, më të lira e më cilësore. Por këtë temë duhet ta trajtojmë herën tjetër.

    Si përfundim: jam dakord me të gjitha shqetësimet e ngritura nga Xha Xhai (e të tjerë), por them se shumë gjëra varen nga mendësia shqiptare, jo nga mjetet konjukturale që i alternohen ciklikisht. Dërgesat janë thjesht një mjet. Përdorimi i tyre është diçka tjetër. Madje, mund të shtoj se peshë të madhe kanë edhe politikat publike në favor të investimeve. Këto varen nga klasa politike, që më duket se po parapëlqen të sillet më shumë si gjinkallë se sa si milingonë. Gjithë këto vite dërgesash, gjithë këto vite amortizatorësh me kosto zero, duhet ta kishin ndihmuar qeverinë të përgatiste politika zhvillimi afatgjatë. Nuk e ka bërë. Midis gjeneratorit dhe termocentralit ka zgjedhur të parin.

    Së fundi, duke rilexuar rrëfimin e shkëlqyer “Sharra” të Xha Xhait, më vajti në mendje diçka: po sikur dhuratat me vegla të vogla zdrukthtarie t’ia kishin lenë t’i përdorte në punishte? A nuk do të kishte qene më mirë për shtëpinë?

    Me fjalë të tjera, mjetet varen edhe nga konteksti ku përdoren.

  4. Kohët e fundit ka gjithnjë e më shumë studime që mundohen të kuptojnë se si dërgesat e emigrantëve mund të bëhen pjesë e zhvillimit të vendit ku shkojnë. Në rastin e Shqipërisë çfarë ka thënë xha xhai dhe pishaku më lart janë një fotografi tejet e qartë e realitetit. Në vëndin tonë mbretëron një ekonomi informale që deformon realitetin dhe treguesit mikro e makro ekonomikë. Me një sistem elementar mund të tregohet fare mirë se bumi i ndërtimeve, jo vetëm që është ushqyer nga lekët e pista, por arrin të rritet pikërisht nga burime financiare që nuk dihet se nga vijnë. Ndryshe nga emigrantë të kombësive të tjera, sot shqiptari që ndodhet jashtë atdheut nuk ka më fuqi blerëse në atdhe; nuk mund të pretendojë të blejë shtëpi në një qytet të madh shqiptar, ku çmimet janë marramendëse nëse i raportojmë me nivelin e jetesës. Në këto kushte shumica e të ardhurave që nisen në Shqipëri janë kapital i vdekur në më të mirën e rasteve. Kanalet me të cilat këto lekë nisen janë një tjetër faktor jo indiferent. Thuhet se dërgesat informale (lekët dorazi dikujt që shkon në atdhe) jane pothuajse në të njëjtat sasi me ato zyrtare (banka, western uniono etj). Kanalizimi i të ardhurave nëpërmjet kanalesh zyrtarë trasparent dhe të leverdisshëm do të shërbente si një faktor zhvillimi. Për të bërë të mundur këtë gjë duhet që të gjithe faktorët (qeveria, bankat, biznesi, njerëzit e thjeshtë) të influecojnë proçesin dhe të favorizojnë, nëpërmjet lëshimit të kredive, zhvillimin e aktiviteteve prodhuese. Është e vërtetë që globalizimi ka kapur dhe Shqipërinë, por nuk më bind asnjë që nëse ka prodhim të kënaqshëm domatesh në Shqipëri ato ngelen të pashitura sepse konsumatori kërkon maqedonset. Nganjëherë më duket sikur koha e firmave piramidë nuk ka mbaruar, thjesht janë reduktuar të ardhurat dhe mentaliteti ka ngel po i njëjtë.

  5. Pishak dhe Ismail, të dy ju thoni se, po të vijë fjala për të zgjedhur midis domates vendëse dhe asaj të importuar nga Maqedonia, konsumatori shqiptar pa dyshim do të preferonte të parën.
    Jam dakord me ju; por në ekuacion keni harruar fshatarin prodhues të domates, i cili ka edhe ai djemtë ose vëllezërit në emigracion; dhe nuk ka nevojë të lodhet për të prodhuar domate ose speca, meqë i leverdis më shumë të spekulojë me toka, ose të ndërtojë restorante dhe lavazhe makinash.
    Pishak, ti gjithashtu shkruan:

    Në qoftë se studimet nuk kanë gjetur midis dërgesave dhe zhvillimit ekonomik ndonjë veprim të tipit shkak-pasojë, atëherë mund të thuhet se dërgesat nuk i rrisin investimet. Ndoshta. Për faktin se kursimet e emigrantëve, në krahasim me të ardhurat vendase dhe koston e jetesës në vendet perëndimore, nuk janë aq të fuqishme. A mund të ndërtojë emigranti një fabrikë me kursimet e veta? Absolutisht jo. Ka nevojë për ndihmë. Por a funksionon sistemi i kreditit në Shqipëri?

    Emigranti natyrisht nuk ndërton dot fabrikë me kursimet e veta. Por 1000 emigrantë mund të krijojnë një shoqëri aksionare, dhe ta ndërtojnë fabrikën. Rruga e kreditit për sipërmarrës individualë nuk jep dot rezultate spektakulare, ndërsa shoqëritë aksionare mund të realizojnë investime të mëdha, pa pjesëmarrjen financiare të institucioneve bankare ose të kreditit.
    Pyetja ime është: pse nuk ka ndodhur kështu? Një arsye do të ishte mungesa e besimit që kanë shqiptarët ndaj njëri-tjetrit, e cila i ka rrënjët edhe në krizën financiare të piramidave. Megjithatë, të paktën në provinca ku popullsia vendase është ende kompakte, ekzistojnë ende mundësitë për shoqëri aksionare.

  6. Xha Xha, edhe unë jam i mendimit se mungesa e besimit është një nga arsyet që e kanë penguar zhvillimin ekonomik. Edhe sot e kësaj dite shqiptarët nuk bëjnë dot një kooperativë (për çka evokon është baras me gogol), pra nuk janë të aftë të kooperojnë ekonomikisht midis tyre. 1997-ta i dha goditjen përfundimtare edhe atij pak besimi që kishte mbetur. Megjithatë, më thanë se disa kooperativa janë ngritur. Por kur pyeta se ku, nuk ditën të më përgjigjeshin.

  7. Dërgesat e rregullta që arrijnë nga emigrantët natyrisht e shtyjnë fshatarin që mos të prodhojë domate dhe speca dhe të merret me gjëra më fitimprurëse. Zakonisht investohen disa të ardhura, shumë energji,punë, djersë dhe priten frutet që në më të shumtet e rasteve arrijnë. Në rastin shqiptar investimi konsiderohet si i suksesshëm në momentin që personi që investon mund të mos punojë dhe të merret me drejtimin e biznesit. Vetë koncepti i kohës dhe punës është tejet i deformuar në shoqërinë shqiptare. Fakti i të qenit 50 vjet nën një regjim totalitar ku puna ishte më tepër e vështruar si rol dhe jo si aktivitet parësor për jetën, ndoshta ka ndikuar disi në formimin e këtij mentaliteti.
    Gjatë viteve të begata të ekonomisë piramidale ky mentalitet erdhi e u shtua akoma më shumë. Fitimi i lekut pa djersë, me minimumin e lodhjes, mundësisht duke mashtruar dikë tjetër ose thjesht duke mashtruar kolektivitetin në të cilin bën pjesë, u shndërrua në sport kombëtar.
    Parajsa mbaroi dhe investimi më i sigurtë për të pasur një farë nivel jetese ishte emigracioni i dikujt apo i një pjese familjeje jashtë vendit, duke i garantuar kështu të ardhura të mjaftueshme pjesës së mbetur në atdhe.
    Fillimisht emigranti që kthehej në atdhe, nuk tregonte në shumicën e rasteve vështirsitë e hasura gjatë proçesit migrator, shpeshherë një gënjeshtër pa “dëm” e ëmbëlson më shumë tregimin dhe e shndërron emigracionin në një histori suksesi. Sa herë ne, apo dikush që njohim kemi dëgjuar fraza të tipit : “pronari vdes për mua”, “ më kanë si djalin e tyre” etj etj.
    Rezultati ka qenë një autorizim automatik i pjesës së mbetur në Shqipëri për të ndarë pak nga parajsa e rrëfyer nëpër tregime dhe me ta. Një autorizim i detyrimit të emigrantit për të dërguar lekë në atdhe, lekë që do shërbenin thjesht për të garantuar një nivel jetese dinjitoze atyre që ngeleshin.
    Një rol të rëndësishëm e ka luajtur shoqëria në përgjithësi dhe klasa politike në veçanti. Nuk dua të zbres në viktimizëm por shëmbujt dhe modelet që parqiten sot absolutisht jo vetëm që nuk nxisin sipërrmarjen e ndershme apo investimet inteligjente të dërgesave. Emigrantët ndoshta nganjëherë dhe më shumë se ata që banojnë gjatë gjithë vitit në atdhe, influencohen akoma më shumë nga këto modele dhe ndihen me të vërtetë në një farë mënyre “të dështuar”.
    Ja dhe ku arrijmë tek niveli që Margariti më lart përmblidhte shumë qartë me frazën “Nuk do me hiqet kurre nga mendja kur gati 18 vjet me pare nje shoku im qe studionte ne Itali me tha qe disa miq te tij qe banonin ne Ostia, pothuaj lagje e Romes, nuk kishin qene asnjehere ne Rome.”
    Modeli është: pallat në shqipëri (ose varianti i vilës në shkretëtirë), ndoshta një dyqan diku në një rrugë kryesore, ndoshta një lokal lluksoz ku kafja kushton 1000 lekë, ndoshta një hotel, ndoshta një makinë të bukur dhe ca orendi floriri në stilin më pa shije turk që mund të ekzistojë…Këtu qëndron dhe problemi.
    Nuk mjafton ti tregosh dikujt anët pozitive të një investimi që i jep frutet në një periudhë afatmesme. Për punë më ka rastisur të kem qenë i pranishëm gjatë themelimit të një kooperative bletarësh. Gjithë proçesin e administroi OJQ-ja për të cilën punoj. Rezultati është një kooperativë prodhuesish mjalti që ka shtatëfishuar të ardhurat falë kooperativës dhe prodhon një mjalt të vlerësuar në nivel evropian. Thua vallë të kemi gjithnjë nevojë për ndonjë ndërkombëtar të na thotë se si është më mirë?
    Unë besoj se është e mundur të ketë një ndryshim, dhe jam i bindur se ky besim nuk varet vetëm nga fakti i të qënit i ri. Duhet një sforco e përgjithshme pikësëpari për ti ofruar shoqërisë modele të reja që mos të kenë si virtyt bazë kontrabandën dhe lekun e thjeshtë.

  8. Per bujqesine ne Shqiperi dua te bej nje nderhyrje pasi edhe pa patur asnje “background” ne agronomi kam punuar ne Tirane me nje projekt zhvillimi te huaj ne kete fushe.

    E para dhe kryesorja: me perjashtim te zones se Korce-Pogradecit asnje pjese tjeter e vendit nuk ka tradite bujqesore dhe blegtorale. Mos me thote njeri qe blegtore jemi se nuk dime te bejme gje tjeter vec gjizes. Dhe jo rastesisht ajo krahine edhe sot qe flasim vazhdon te perdhembet me konkurencen e prodhimeve me cmime me te ulta nga rajoni. Ne vitin 1996 kam pare me syte e mij burre e grua te brehur ne parmende ne fushen menjehere pasi del siper ne Qafe Plloce. I huaji ndaloj makinen. Nuk e kishte pare ndonjehere ate skene ne pervojen e tij te gjate ne ate lem.

    E dyta. Pervec mungeses se tradites, shqiptari nuk e perballon dot konkurencen, ne rastin tone te domates, pasi vjen shume me lire nga Turqia. Dihet qe Turqia ka temperatura me te larta se ne dhe periudha e vetme qe importi i domates ndalon eshte behari. Prodhimi ne sera del shume i larte dhe me cmime gati njelloj me ate te importit. Ne kohen qe une isha atje ne zbatuam tre projekte ne Durres dhe Lushnje. Ne e dime se me sa mundim dhe vuajtje po punonin ata djem familjarisht per te prodhuar jashte sezonit. Rrakua, njeri nga ta, flinte familjarisht ne sere. Kur flas per domaten e njejta gje mund te thuhet per te gjitha perimet e tjera. Po te fillojme dhe flasim per drithrat as qe behet fjale fare se cmimi i mjellit mbi kamion ne portin e Durresit eshte me i lire se cmimi i grurit menjehere pas mbjelljes ne Nentor. Nuk po flas per misrin se ai do hysmet dhe uje. Qe te dyja shqipoja nuk i ka. Ai do ti rrish mbi koke jo te flesh gjume.

    Sa per drufrutoret dhe vreshtarine ka vite qe sipermarja private ka bere hapa dhe kam pare qe po dalin rezultatet pasi ato tani pothuaj kane hyre ne prodhim. Ky sektor eshte investim afatgjate dhe me shpenzime vetem ne fazen fillestare. Me pas do vetem sherbime dhe fat me motin.

    Nuk mund te flas per blegtorine pasi nuk ishte fushe qe e mbulonim ne por qe edhe ai sektor do investime fillestare te medha si dhe prodhimin e koncentrateve. Ne akoma edhe sot nuk jemi ne gjendje te bejme blegtori ne shkalle te gjere. Pularia dhe veza vazhdojne luften me konkurencen si pasoje e cmimit te koncentratit.

    Te gjitha lendet e para: plehrat kimike, farerat, mjetet, pesticidet, fidanet e te tjera ne i importojme dhe pa asnje subvencion nderkohe qe vende te tjera perreth i gezojne mbase jo te gjitha keto por qe pakten kane disa sa per te na nxjerre ne jo qellimisht jashte loje.

    Dergesat e remitancave te femijeve me familje ne zonat rurale eshte nje faktor negativ per demotivimin e fshatarit tone per te punuar token dhe bere blegtori. Te gjithe kur kthehen bien me vete te holla per prinderit dhe automjete. Asnje nuk bie nje minitraktor. Po ta bente ndonjeri ate brockull me siguri te nesermen te gjithe do ta zinin me stekat e guret e bilardos se fshatit.

    MB

  9. Në përgjithësi edhe unë do mendoja ashtu, por duhet të kemi parasyshë edhe disa gjëra tjera. Nuk mund të flas me përgjegjësi për ekonominë e Shqipërisë, sepse nuk e njoh mirë, por në Maqedoni rreth 75% e të ardhurave të buxhetit të shtetit janë mbi bazë të tatimeve indirekte (TVSH, akciza, dogana). Dhe kjo tregon qartë se sa ndikojnë transeferet private në këtë buxhet. Gjithashtu edhe lojra të tjera që ndodhin sidomos kur mërgimtarët kthehen në vendlinje, si fryerje të çmimeve, etj.
    Gjithsesi edhe unë pajtohem me mendimin tuaj, se mungon një strategji e qartë dhe e suksesshme që ky infuzion të ndikojë shumë pozitivisht. Si në rastin e Kubës psh. Për momentin pjesa më e madhe e remitancave është e fokusuar në konsum.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin