MUZIKA KA FTOHTË

Gjëra të shëmtuara u tha se ndodhën me përzgjedhjen e këngës fituese të Festivalit të 46-të të RTSH; gjëra edhe më të shëmtuara u përsiatën më pas në shtyp. Thelbi i teorive të komplotit ishte se dy anëtarë të jurisë, me anë të votës së manipuluar, nuk lejuan që një këngë nga Kosova të paraqitej në skenë të Eurofestivalit.

Nuk jap dot gjykim për votat e jurisë, as për meritat e këngës dhe të këngëtares fituese, përballë konkurrencës; sepse festivalin nuk e kam parë. Lexova më pas që cilësia e këngës shqiptare në këtë festival ishte shumë e ulët në çdo pikëpamje, çka nuk më habiti.

Më bëri përshtypje, megjithatë, rëndësia relativisht e madhe që iu dha Eurofestivalit, thuase Festivali i Tiranës ishte diçka si ndeshje para-eliminatore, ose nga ato bateritë e vrapimeve në olimpiadë, që bëhen për të reduktuar numrin e pjesëmarrësve; me fjalë të tjera, një rutinë e nevojshme por edhe e bezdisshme.

Unë kujtoja, përkundrazi, se nga pikëpamja e publikut dhe e kulturës shqiptare, Festivali i RTSH duhej të ishte gjithçka, ndërsa Eurofestivali asgjë – sepse Eurofestivali nuk i jep asgjë kulturës, as në Evropë as gjetiu, është një panair mallrash të zhvleftësuara, ose një version muzikor i “giochi senza frontiere”, që shihnim dikur në RAI.

Kujt i bëhet vonë për Eurofestivalin? Disave iu bëka, për fat të keq. Mediat kanë ditë që fitoren e Oltës e trumbetuan vetëm si të ishte trampolina që do ta çonte këtë në Beograd. Të tjerë, që as për art as për muzikë nuk duan t’ia dinë, i mëshuan “rëndësisë politike” që do të kishte përfaqësimi i Shqipërisë në Beograd me një këngë nga Kosova. Këta kanë kohë që e shkatërrojnë kulturën kombëtare, por këtu më interesojnë vetëm margjinalisht.

Por muzika shqiptare më intereson. Kam bindjen se tradita muzikore folkloristike ndër ne është e tillë, që mund t’i japë botës kryevepra – sidomos në jazz, në chamber jazz, në world music, e në forma të tjera të rafinuara. Kam edhe bindjen se Shqipëria në shekullin që shkoi ka pasur muzikantë të kalibrit shumë të lartë, të cilët i konsideronin Festivalet e RTSH si kurorëzim të krijimtarisë muzikore në fushën e muzikës së lehtë në Shqipëri, jo si kualifikime për të marrë pjesë në pazare rrobash të përdorura.

Muzikën, tha, e bëjmë që të na pëlqejë neve; jo për t’i lançuar këngët e këngëtarët drejt aktivitetesh të dala boje, as për t’ia dhënë shuplakën shkjaut në Belgrad. Gjithnjë do të ketë fanatikë të gatshëm për t’i mbrehur të gjithë në karrocë: kuaj, qen, mace, pula, hardhuca, tigra, gjarpërinj, pallonj e trumcakë, vetëm e vetëm që karroca të ecë në drejtimin që ata duan.

Këta deri edhe kuajt e shahut do të donin t’i shalonin.

Por këtu dua të flas për muzikën shqiptare. Dikur për Festivalet kompozonin autorë me emër si kompozitorë, edhe të muzikës serioze; njerëz që edhe kishin diçka për t’i thënë muzikalisht publikut, edhe i zotëronin mjetet e shprehjes dhe teknikat e nevojshme për t’i shprehur ato që donin. Këngës së Limos Dizdarit vërtet mund t’i shoqërohej një tekst për shkollën që ndiqte Nexhmije Hoxha në të ri, por muzika ngacmonte të tjerë tela, që s’kishin lidhje me politikën. Për Festivalet kompozonin Prenk Jakova, Pjetër Gaci, Tish Daija, Agim Krajka, Feim Ibrahimi, Agim Prodani, Simon Gjoni, Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Thoma Gaqi, Kujtim Laro, Aleksandër Peçi; muzikantë të mirëfilltë, njohës të thellë të muzikës klasike, por edhe të muzikës folklorike shqiptare, e të traditave muzikore kombëtare.

Këta njerëz nuk kompozonin për t’i çuar këngët në Eurofestival.

Muzika e lehtë shqiptare e kishte Olimpin atje ku duhej ta kishte: në Tiranë. Kjo i jepte muzikës dinjitet, në mes të censurës, politizimit, përndjekjes politike dhe intrigës.

Të gjithë e ëndërronin hapjen kulturore ndaj botës, të Shqipërisë pas 1990-ës, edhe në muzikë si kudo gjetiu në kulturë. Por askush, me përjashtim të pak xhambazëve, nuk e ka uruar që kultura shqiptare të shndërrohej në një provincë mjerane të folkut europian, në një vetrinë për prostituim hiresh femërore, ose në një armë për betejat kombëtariste imagjinare.

Më thonë që pop-i shqiptar i sotëm është vërtet i dobët. Me aq pak sa kam dëgjuar, u jap të drejtë; muzikën e lehtë shqiptare e kanë mbuluar ujërat e zeza, nuk përfaqëson absolutisht asgjë artistikisht, përveçse emëruesin e përbashkët të përdhosjes së shijes kombëtare.

Është për të ardhur keq, që kjo ndodh në një vend aq të pasur me tradita muzikore, dhe muzikantë të shkëlqyer. Aq më tepër, cilësia e ulët e produktit muzikor e varfëron edhe publikun vetë, duke lënë atje vetëm ata që e konsiderojnë muzikën pop thjesht si një lloj kolone zanore për të kërcyer, për të bërë seks, ose për të kryer ushtrime gjimnastikore.

Në këtë kontekst, dua të kujtoj edhe fiaskon e premierës së operetës “Die Fledermaus” të Johann Strauss-it në Tiranë; ku siç lexoja në një artikull të Floriana Paskalit në “Shekulli”, në sallë bënte aq ftohtë sa muzikantët nuk u binin dot veglave; orkestra, për shkak se mungojnë shumë artistë, nuk u sistemua dot në gropë, por në një cep të skenës të rrethuar me kompensatë; në skenë u vendosën gjithashtu pesë soba të vogla elektrike, për të ngrohur këngëtarët; shfaqja u tkurr nga 3 orë e 30 minuta në 2 orë; valltarët i veshën me kostume të marra nga “Traviata” e Verdit dhe “Toska” e Puccini-t, ndërsa korin me fustane të marra nga “Geraldina Sposa”.

Mjerë Shqipëria, në duar të kujt ka mbetur.

10 Komente

  1. Ashtu si edhe ne shume aspekte te tjera te jetes dhe veprimtarise shoqerore ne vendin tone, e rendesishme eshte se c’fare mendon bota per ne. Pra neve nuk mendojme se duke ritur cilesine e aktiviteteve kulturore e sportive nepermjet nje pune serioze e kembengulese me largapamesi duke filluar me femijet mund te arihen rezultate te kenaqeshme. Neve duam menjehere qe te dalim neper finale ne skena, arena dhe stadiume pa qene te ndergjegjshem se vertet mund te konkurohet me dinjitet ne keto aktivitete. Mundesisht, kjo e shoqeruar edhe me nje numer sa me te madh flamujsh qe te duket qarte prania shqiptare ne aktivitet.

    Krahasimit per nga rendesia midis Festivalit te Kenges ne RTV dhe Eurofestivalit qe Xhaxhai sjell me siper eshte i njejte me Kampionatin Kombetar ne futboll perballe aktiviteteve nderkombetare. Pra ka fare pak rendesi se ne c’fare derexheje eshte katandisur Kampionati ku treshja gjykuese zhdepet ne hu nga nje tufe njembedjeteshe rrugacesh. Ne rremuje e siper ha ndonje te mire edhe polici qe po perpiqet ti ndaje. E rendesishme eshte qe te bejme kalkulimet se si mund te marim nje pike atje nje ketu dhe ta shohim Kombetaren ne Bernabeu ose ne Olimpico te Romes; dhe me me shume fat ne finale. Sa per flamujt e dime vete dhe nuk duam fat fare. Rinia e ka vete merak qe i gjithe stadiumi duhet te skuq.

    Nuk jam aspak nostalgjik i rregjimit te kaluar por per ato gjera qe rregjimi i kushtonte i vemendje (per qellimet e veta) te them te drejten me ka mare malli. Ne hollin e TOB-it ishte edhe nje garderobe qe te mos shkoje ne salle me pallto’. Salla ishte gjithmone e mbushur plot dhe shpesh ishte e ftohte. Por muzika dhe arti i interpretuar mjeshterisht brenda pak minutash e ngrohnin ambientin. Kishte shume me teper seriozitet.

    Edhe atehere kishte Eurofestival por neve nuk mernim pjese. Me mire apo me keq? Kete nuk jam i zoti te ndaj.

    MB

  2. Kam ikur nga Shqipëria në moshën 14 vjeç pa e ditur fort mirë se çfarë mund të ishte Eurofesti. Gjatë këtyre viteve kam asistuar dhe në Itali në një farë dekadence të festivalit italian të këngës (Sanremo, shumë i njohur dhe në Shqipëri), një ulje niveli për shumë opinione ose një ndryshim tendencash kulturore për disa të tjerë. Herën e parë që kam dëgjuar për festivalin evropian të këngës ka qenë para 3 vitesh në një kurs formimi në Strasburg; diskutonin një vajzë ruse, një djalë rumun dhe një vajzë tjetër polake. Të tre po debatonin me më shumë zell sesa merrnin pjesë në aktivitete e kursit. Disa evropiano/perëndimor që ishin aty as nuk e dinin se çfarë ishte ky festival dhe nuk ishin në gjendje të thonin nëse vendet e tyre merrnin pjesë apo jo. Lindorët (më lejoni termin) e merrnin shumë seriozisht, thua se projektonin aty një tip kompeticioni në një arenë pothuajse pa minimumin e rëndësisë. Unë di që të triumfosh në këto lloj aktivitetesh mediatike nuk është aspak sinonim vlere artistike; shpesh bëhet fjalë vetëm për pak ushqin mediatik për njerëz që duket se duan të fitojnë primatin në fushën e “muzikës”. Unë jam shumë i vogël për të pasur një kujtesë të mirë të viteve që shkuan, dhe e kam kufizuar njohjen time te të lexuarit dhe të dëgjuarit kur mundësia ma ka lejuar. Sidoqoftë mundësive, rregjimit totalitar, izolimit nga pjesa tjetër e botës, mund të themi se kapacitete muzikore ishin shumë më të avancuar se tani. Nuk dua ti heq asnjë qindarkë vlerës së muzikës së globalizuar që ka pushtuar gjithe artopalantet e tokës mëmë dhe gjetkë nëpër botë, por mendoj se është vetëm një nga format e shprehjes artistike që duhet të jetë; jo forma dominuese e panoramës muzikore. Duket thuajse se këngëtarët druhen nga përdorimi i shqipes në krijime, thuajse kanë turp të përdorin e të përpunojnë melodi në gjuhën mëmë; ose ndoshta unë nuk arrij ti kuptoj motivet. Ndodh dhe në Itali për shëmbull që të ketë shumë këngëtarë të rinj dhe rryma alternative, por sapo Mina, Celentano, e të tjerë të kalibrit të tyre, nxjerrin një disk, janë gjithnjë në majat e shitjeve. Tek ne mbizotërojne 2 die 4, rritmi i rrugës, rruga e rritmit e emra të tjerë pak a shumë të ngjashëm dhe tmerësisht anonim. Në muzikë, por jo vetëm aty, Shqipëria la shumë nevojë për „njohje“ nga „faktori ndërkombëtar“. Një shëmbull tjetër është zgjedhja e Edi Ramës si kryebashkiaku më i mirë i vitit, nga një revistë…Qëkur revistat, eurofestivalet e improvizuar, ekspertët e „jashtëm“ mund të vendosin mbi cilësinë vetëm në bazë të parametrave mediatik?
    Thua vallë të jetë një sëmundje që do na shoqërojë akoma dhe për shumë? Thua se „faktori ndërkombëtar” tout court është në gjendje të na bëjë moral dhe të thotë se si duhet të jemi?

  3. Jo vetem muzika ka “ftohte”ne Shqiperi.Cdo gje kaftohte.Dhe c’eshte me e keqja,kjo”ftohte”nuk do futur ne thonjeza.Artikulli juaj jo vetem i ve pikat mbi i,por ka vlera cilesore.Por a duan te dine ata qe merren posacerisht me keto pune?Apo dhe me tej?Duke e mbyllur,nuk me mbetet qe Juve t’ju uroj Gezuar vitin e ri 2008.

  4. Tamam nje vit me pare shkova te shoh shfaqjen e fundvitit ne TOB. Shfaqja ishte perceptuar me pjese koreografike dhe operistike, dhe pavaresisht emertimit te saj “Gran` Gala,” cilesia e performances ishte pertoke e te krijonte nje siklet te percudshem qe s`dije si ta shperfillje ashtu, perzier me te ftohtet.
    Une kam qene shpeshhere ne ambjentet e TOB-se, qysh femije e me vone me shkollen Jordan Misja; i njoh mire gjithe skutat, hyrjet e daljet, por merzitia qe cytej gjithnje e me fort te kthehej ne neveri s`mu nda asnje cast. Kur zbrita poshte per ke banjot, vinte nje ere e forte urine, ca pankarta e butafori skenografike ishin hedhur kapice ne nje qosh, ne hollin e pritjes kishin vene nja 5 a 6 furnella te medhaja klingoniane e te gjitha keto, s`kishin sesi mos te te benin te ndiheshe i tradhetuar. Institucion kombetar… Kendo, o Muze, mbreterine e mungeses.

  5. Së pari, Xha Xhai le të më lejojë të përmend emrat e Ferdinand Dedës, Aleksandër Lalos, Spartak Tilit dhe Eno Koços. Jo për ta shformuar shkrimin e tij drejt një fillese të enciklopedisë së festivalit, por thjesht për faktin që jeta e këtyre të katërve ka qenë, në një pjesë shumë të madhe, e lidhur me muzikën dhe me festivalin. (Ndoshta shumë më tepër se, të themi, Prenk Jakova. Sidoqoftë aritmetika këtu nuk është fort e përshtatshme për të ndihmuar gjykimin.)

    Sa për mjerimin e muzikës, ai nuk mund të shihet i shkëputur nga mjerimi i përgjithshëm i shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Lidhja është e dukshme lehtësisht: festivali është një institucion kulturor që, gabim qofsha, është nën administrim nga shteti. Një shtet ndryshe do të përkthehej sigurisht në një festival ndryshe. Shembuj? Festivalet tona të dikurshme, San Remo-ja, Bayreuth-i, etj.

    Dihet se sa pak fuqi kanë artistët dhe artëdashësit të përmirësojnë shtete dhe shoqërira: patronazhi ka funksionuar në pjesën më të madhe të rasteve në kahun Sundimtar => Artist dhe jo në kahun e kundërt. Kështu që të presësh diçka nga shteti, në rastin më të mirë do të të hajë shumë kohë nga koha e çmuar e artistit.
    Pra një zgjidhje, në mos rrënjësore, të paktën një lehtësim i gjendjes tejet kritike të sotme, do të ishte marrja e fateve të muzikës (artit në përgjithësi) në dorë nga vetë artistët, aq sa kjo është e mundur. Vërtet që kjo nuk është e lehtë në rastin e vënies në skenë të një opere apo të një sezoni simfonik. Por mjetet për ta bërë krijimin të arrijë te dëgjuesi sot janë më të shumta se kurrë. Te dëgjuesi ama, jo te ata që dëgjojnë vetëm se nuk kanë një çelës që do tu mbyllte (fikte) veshët kur të donin.
    Se çfarë pjese zë dëgjuesi i kultivuar te vulgu shqiptar unë nuk di ta them. Por besoj se është aq sa për tu marrë në konsideratë. Dhe çfarë i ofrohet këtij sot për sot? Për një përgjigje të mundshme, kërkova për disa nga emrat e përmendur më sipër, e për disa të tjerë që nuk përmenden, me një motor kërkimi të quajtur A9, i cili mbulon degët e ndryshme rajonale të Amazon.com-it (amazon.com, amazon.co.uk, amazon.fr, amazon.de, etj. )

    Asnjë përfundim për emrat:

    Limos Dizdari
    Ferdinand Deda
    Tish Daia
    Avni Mula
    Spartak Tili
    Agim Krajka
    Feim Ibrahimi
    Çesk Zadeja
    Aleksandër Lalo
    Vaçe Zela

    Produkte u gjetën për sa vijon:

    Aleksandër Peçi, CD që nuk e kanë më stok, shkarkime mp3 kundrejt pagesës.

    Inva Mula, CD ku figuron edhe emri i saj si interpretuese. Asgjë që lidhet në radhë të parë me emrin e saj.

    Tedi Papavrami, 2 CD tërësisht me muzikë të luajtur prej tij, pra për të pasur mundësi të quhen CD të T. Papavramit. 1 CD ku ai është një nga pjesëmarrësit.

    Renato Ripo, 1 CD ku violonçelisti merr pjesë me lojën e tij.

    Laver Bariu 1 CD dhe rasti më kureshtar në tërë kërkimet, pasi CD-ja titullohet në Anglisht, Songs From the City of Roses, përshkrimi nga Louis Gibson në emër të Amazon.com-it, ( http://www.amazon.com/Songs-City-Roses-Laver-Bariu/dp/B0000013AR/ref=sr_1_2?ie=UTF8&s=music&qid=1199008951&sr=8-2 ), përmend treçerekun e Mesdheut, por jo Shqipërinë:

    …the instrumental music, which has echoes of the Balkans, Greece, southern Italy, and the Middle East. This is the music of clarinetist Laver Bariu and his ensemble of accordion, reeds, and percussion.

    që në shqip bën:
    …muzikë instrumentale, me jehona prej Ballkanit, Greqisë, Italisë së Jugut, dhe Lindjes së Mesme. Kjo është muzika e klarinetistit Laver Bariu dhe grupit të tij me fizarmonikë, saze dhe dajre.

    Eno Koço 1 libër me CD mbi muzikën lirike qytetare shqiptare të viteve ´30.

    2 CD nga pianisti Kirsten Johnson me muzikë pianistike kompozitorësh shqiptarë.

    Ideja që shqiptarët janë të varfër dhe nuk kanë për të blerë muzikë mund të diskutohet gjatë. Por a ka mënyrë tjetër për shëndoshjen e muzikës, veç shtetit dhe tregut? Pra a ka përgjigje tjetër për pyetjen “Kush do t’i paguajë paratë për krijime cilësore?” Shteti i tanishëm nuk mundet, muzikantët nuk kanë, prej dëgjuesve nuk mbledhim… Ky është qerthulli që e mban peng muzikën, për mendimin tim. Pesha më e rëndë u bie më të interesuarve drejtpërdrejt, muzikantëve dhe dëgjuesve.

  6. Në të vërtetë, Bujk, e kisha harruar Ferdinand Dedën – të cilin edhe e kam njohur pak; së bashku me të tjerët muzikantë që përmend ti; por edhe Avni Mulën, e nga më të vjetrit Kristo Konon, Baki Kongolin, Koço Uçin, Pjetër Dungun e kushedi sa më. Festivalet e Këngës në Radio e më pas në RTSH ua ekspozonin emrat ndaj publikut; por vlerën e artit të tyre unë do ta gjeja më shumë në një zhanër që mbeti gjithnjë në zgrip të vëmendjes së njerëzve: muzika e filmave. Këtu shtrëngesat liroheshin pak dhe krijimtaria sikur merrte krahë e vizitonte troje të pashkelura.
    Sa për fatet e muzikës në Shqipëri, këto u vulosën qëkur iu lanë në dorë ekonomisë së tregut – krim kulturor, që për nga përmasat nuk mbetet prapa atyre të totalitarizmit. Tregu në Shqipëri nuk e ka as madhësinë numerike, as forcën monetare, as gatishmërinë e blerësve për ta mbajtur të gjallë muzikën kombëtare cilësore; sikurse nuk i ka për letërsinë, artet figurative, baletin klasik dhe modern, filmin, teatrin e të tjera forma që po vijnë duke perënduar e kapitulluar. Po të ndjekësh logjikën e tregut, kultura kombëtare është thjesht një pengesë, një bezdi, një anomali që duhet të përfundojë në kosh të plehrave.
    Rezultatet i njohim të gjithë: nga njëra anë rënia e nivelit artistik të produktit dhe mbushja e tregut kulturor me bëzhdile; nga ana tjetër, edhe atyre pak nismave për të ofruar produkte disi më të rafinuara u mungon frymëzimi i organizatorëve dhe përkrahja e publikut. Dalëngadalë, Shqipërisë po i humbet vetë arsyeja për të ekzistuar; meqë paraja vetë nuk ka atdhe. Ky shkatërrim e shfytyron edhe vetë atdhetarizmin shqiptar, i cili në vend që të jetë pjesëmarrje në krijimin dhe riprodhimin e vlerave kulturore kombëtare, reduktohet në marrje pozash e deklarata herë bombastike e herë kërcënuese të njerëzve që e kanë humbur kontaktin me identitetin e tyre.

  7. Xha xha,

    ti, sipas meje, ke pjesërisht të drejtë. Por pak e zorshme të pranohet një armiqësi asgjësuese midis tregut dhe kulturës kombëtare – muzikës kombëtare, për të vazhduar shembullin e fillimit të diskutimit. Si ka mundësi që në pjesë të tjera të botës kjo marrëdhënie nuk është e tillë? Pse të mos shihet si përkohësisht e shformuar në kontekstin shqiptar?

    Ndoshta vetë klima e përgjithshme në Shqipëri pllakos edhe shqyrtimin e problemeve të tilla. Dhe, sapo dilet jashtë Shqipërisë, gjërat fillojnë e funksionojnë ndryshe. Shembujt vijues mund të jenë edhe qesharakë për nga cilësia por punën e bëjnë: verën e 2006-s gjithë shtyllat dhe muret bosh të ishullit grek ku rroj u mbushën me afishe shqip për një koncert të zonjushës Qerreti. Këtë verë, mesa duket ngaqë koncerti i Qerretit arriti atë çfarë donte, afishe të ngjashme ofronin Bujar Qamilin.
    Tani, ku qëndron vështirësia teknike që Agim Krajka tu kthehet partiturave të rinisë së tij, për të hedhur në qarkullim një apo dhjetë albume muzike instrumentale, që ti edhe unë do të mund t’i blinim online? Ku qëndron vështirësia teknike që Aleksandër Peçi të përmbledhë muzikën e kompozuar për filma në një apo dy CD? Nuk besoj se njerëz që u shijon muzika do rrudhnin buzët përpara një CD-je me muzikën më të mirë të filmave shqiptarë, apo me gjërat më të bukura që Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore krijoi dhe interpretoi. E çfarë janë 10 apo 15 euro për kënaqësinë që muzikë e tillë riofron sa herë që luhet?
    Nuk do shumë mend e kalem që një bllok banesash në Tiranë apo një hotel në bregdet, hëpërhë, është më fitimprurës se sa një auditorium jazz-i. Por deri atëherë kur gjërat të ndryshojnë, konsumatorët e muzikës mund të shërbehen me forma të tjera. Mjafton të provohet në mënyrë cilësore. E kjo provë, të paktën për veprat që e kanë treguar veten, them se e ka të garantuar suksesin.

  8. Xha- xha !
    Me bukur se kaq zor se do te mund te behej autopsia e problematikes se kenges se sotme shqiptare dhe rrokopitjes se saj neper festivale apo eurosong-e.
    Do te desha te shtoja dhe kompozitore te shquar mjeshtra te vertete te kenges shqiptare qe dikur kane zbukuruar jeten tona ne terri e diktatures.
    Ku jane mjeshtrat e kenges qe nuk flitet kurre per to por kane bere pjesen me te bukur te historikut te kenges se lehte shqiptare si :
    Josif Minga, Gazmend Mullahi, Alfonc Ballici, Naim Gjoshi, Aleksander Lalo, Vladimir Kotani, Hajg Zaharian e te tjere qe per momentin nuk po me kujtohen te gjithe por jemi mesuar syresh te degjojme vitet e fundit te njejtet emra te cilet kane vite qe nuk kane sjelle asgje madje mbajne mediokritetin qe i ndjek sa ne njerin vit ne tjetrin. Drejtuesit e institucionit duhet sjellin ne vemendje se drejtimi muzikor nuk behet kurre nga njerez te simpatizuar nga qarqe te caktuara politike pa horizontin minimal kulturor dhe bindje e taktike komerciale sharlataniste.

  9. Xha xha,
    tolero dhimbjen prej autoreve, se t’a bejne tash sa mot te tut parrugedalje ne vatan. Ne fund te fundit eshte ftohte per t’i kenduar ketij realiteti.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin