SHQIPJA TOTALITARE (XXI)

Ndër metaforat e shumëllojshme që shtinte në punë ligjërimi totalitar për t’i gjallëruar kumtet ideologjike, metafora bimore zinte kryet e vendit, duke u shtjelluar në trajta të një sistemi mbishenjimesh që niste me farën e mbjellë, e vazhdonte më tej me filizin, pemën që çelte lule e bënte kokrra, e më në fund me lisat e gjatë që i bënin ballë suferinës.

Për nga vlera e përdorimit, kjo kryemetaforë i kapërcen kufijtë e ideologjisë totalitare, meqë bashkëtingëllon drejtpërdrejt me kulturën e një populli bujqësor, të lidhur pas tokës e sidomos të njëjtësuar me ciklet e natyrës e të gjelbërimit. Një ligjërim i pasur me metafora që i referoheshin drejtpërdrejt prodhimit bujqësor, punës në arë, ugarit, kopshtit, pemëve frutore, pyllit dhe peizazhit i përshtatej mirë përbërjes shoqërore të publikut në Shqipërinë totalitare.

Kryemetafora, si vetë shenjuesi i saj, e kish pikënisjen te dheu, ose simboli universal i kombëtarizmit. Duke e identifikuar procesin historik të ndërtimit të socializmit me etapat në jetën ose rritjen ose zhvillimin e një bime krijesë të dheut, ideologjia totalitare njëfarësoj i mëshonte edhe karakterit në thelb patriotik të regjimit komunist në Shqipëri. Që këtej edhe një nga thëniet më emblematike të atyre kohëve: liria i ka rrënjët në gjak, e cila vendosej mirë në kontekstin e “kësaj toke” të vaditur me gjak dëshmorësh e ku preheshin eshtrat e të rënëve.

Mbarë shoqëria shqiptare mund të përfytyrohej në trajta në thelb vegjetale: me farën e ideve komuniste mbjellë në mendjet e njerëzve, shkollat si fidanishte ku seliteshin fidanët e filizat e së ardhmes, për të arritur pastaj te frytet e begata të përpjekjes ndërtimtare, e më në fund te imazhi i Partisë rrap madhështor mbirë ndanë udhës ku shkojnë shtrëngatat.

Metafora e rrënjëve lidhet drejtpërdrejt me metaforën e themeleve dhe sakramentin e themelimit (sikurse lidhet metafora e rrënjëve në gjak drejtpërdrejt me ritualin e sakrificës njerëzore në themelet e një vepre); por edhe me idenë tjetër kapitale të origjinës, e cila kish peshë të madhe brenda një ideologjie me natyrë historike të shekullit XIX si marksizmi. Detyrë e ideologut ishte, zakonisht, t’u kërkonte rrënjët dukurive, e sipas rastit edhe të kujdesej t’ua priste, nëse përbënin ndonjëfarë kërcënimi për rendin e sendeve; ose t’i shkulte ato dukuri nga rrënjët, siç u përpoq komunizmi të bënte me traditat në zonat e thella të vendit, gjatë viteve të çuditshme 1960, kur u ndërmorr edhe fushata famëkeqe për çrrënjosjen e zakoneve prapanike. Përkundrazi, efekti i dëshiruar madje i detyruar i punës edukuese të Partisë me popullin mbetej rrënjosja e ideologjisë revolucionare në mendjet e njerëzve.

Imazhi i pemës, në trajtën e vet primordiale, i përshtatej edhe një vizioni të shoqërisë ku regjimi vetë do të përfaqësonte trungun, ndërsa format e ndryshme e të shumëllojshme të jetës sociale degët. Kjo i vinte mbi baza natyrore hierarkitë shtetërore, politike dhe ideologjike të imponuara nga diktatura.

Një tjetër metaforë, disi e ndryshme nga e para, e shihte indoktrinimin e masave punonjësve si punë të ngjashme me atë të kopshtarit, të cilit i duhej ta pastronte e ta qëronte kopshtin përditë nga barërat e këqia e ta ruante nga fara e keqe; ose të bujkut të mirë, që duhej të bënte kujdes për të ndarë grurin nga egjri, e të krasiste pemët për t’u dhënë më shumë shëndet; e të bënte kujdes me produktet e punës së vet, sepse një mollë e kalbur e prish gjithë shportën, ose sheh rrushi rrushin dhe piqet.

Për Shqipërinë e atyre viteve thuhej gjithnjë se lulëzonte; dhe imazhi i kopshtit të lulëzuar do të thirrej rregullisht në ndihmë për të bashkuar në një metaforë të vetme rezultatin e punës ndërtimtare dhe bukurinë e rezultateve.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin