SHQIPJA TOTALITARE (XX)

Uji fle hasmi s’fle, thotë fjala e urtë popullore; dhe për kulturën paranoide që kish arritur të impononte regjimi totalitar në Shqipëri, fjalë më të mençur se kjo nuk kishte. Regjimi i kishte shpallur luftë gjumit, duke e mitologjizuar si lëshim ndaj nevojave trupore, periudhë relaksimi dhe zbutjeje të vigjilencës revolucionare, tërheqjeje nga konteksti i ngjeshur social, ose edhe shkëputjeje absolute nga realiteti i manipulimit masiv.

Për këtë arsye, në ligjëratën publike do të theksohej me këmbëngulje roli, mundimi, ose sakrifica e atyre që e bënin natën ditë dhe rrinin pa gjumë për të na mbrojtur lirinë, sigurinë dhe paqen e familjeve tona, në dhoma të gjumit dhe gjetiu. Të parët ndër të pagjumët ishin pa dyshim kufitarët sypafjetur, që ruanin e mbronin kufijtë e atdheut; gjithnjë me syrin pishë, për të pikasur e diktuar shkelësit e diversantët me mjekra e theks të rëndë gegërisht, tamam siç i portretizonin filmat e Kinostudios.

Veç kufitarëve e qenve të tyre të pakursyer, gjumin na e mbronin edhe heronjtë e heshtur, ose punonjësit sypatremburArmës së Sigurimit të Shtetit, gjithnjë në vijë të parë të përleshjes dhëmb për dhëmb me armikun e klasës, i cili përveçse t’u prishte gjumin vdekëtarëve, kish edhe synime të tjera djallëzore. E mbronin edhe dezhurnët e panumërt në institucionet, me kodet e alarmit luftarak gati për t’i aktivizuar; një rol i përkohshëm, por që na e jepte të gjithëve shansin të përjetonim, qoftë edhe për një natë të vetme, domethënien e sakrificës së atyre të cilëve Atdheu u kishte besuar Natën. Edhe në zyrat e Komiteteve të Partisë, pa përmendur pastaj selitë ku jetonte dhe punonte Udhëheqja syhapur, dritat rrinin ndezur deri në mëngjes; sepse edhe Partia e gdhinte, vetëm e vetëm që njerëzit tanë të flinin të qetë; pa llogaritur të gjithë ata që nuk i zinte gjumi nga hallet e popullit që mbanin në kurriz.

Të flesh apo të mos flesh, kjo ishte dilema e Hamletit totalitar shqiptar. Fitoret duheshin ruajtur, materialet e Partisë duheshin studiuar, planet pesëvjeçare duheshin plotësuar, madje shpesh para afatit. Gjumi ishte, në thelb, kohë që i zbritej zotimit revolucionar, punës shoqërisht të dobishme, ndërtimit të socializmit në një vend të vetëm. Nga ana tjetër, nëse askush nuk do të flinte përveç indiferentëve, të sëmurëve mendorë dhe apolitikëve, atëherë nuk kuptohej se gjumin e kujt do të ruanin Jurkanët, operativët e lagjeve dhe pilotët syshqiponjë të aviacionit tonë luftarak.

Jo vetëm kaq: gjumi ishte edhe truall i ëndrrës, të cilën Partia nuk e kontrollonte dot. Tek e fundit, ëndrra e popullit ishte bërë tashmë realitet, dhe ëndrra të tjera nuk duheshin më, as natën e sidomos as nga ato lloje që shiheshin me sytë hapur, sidomos kur njerëzit rrinin pa punë e koteshin hijeve.

Në ligjërimin totalitar publik, ëndrra individuale ose kolektive e ruante kështu vlerën vetëm kur vendosej në të shkuarën: ëndrra e popullit për liri, ëndrra e punëtorit për t’u bërë pronar i mjeteve të prodhimit, ëndrra e fshatarit për t’u bërë zot i tokës që punonte, ëndrra e të shtypurit për hakmarrje ndaj shtypësve e barazi shoqërore

Përkundrazi, tani që masat punonjëse anembanë vendit i ishin përveshur punës për t’i bërë realitet ëndrrat e djeshme, nga njeriu i ri i epokës së socializmit kërkohej vigjilencë revolucionare, sepse armiku, i brendshëm dhe i jashtëm, nuk priste veçse momentin që të na gjente në gjumë për të na goditur.

Vetë edukimi komunist i masave punonjëse paraqitej rregullisht si një lloj zgjimi, në frymën e simbolikës së trashëguar nga iluminizmi, e duke hequr një paralele edhe me zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, të ndërmarrë nga Rilindja Kombëtare. Mitologjia e zgjimit, në këtë kontekst, e merrte edhe një përmasë okulte, sa kohë që shpëtimi kërkohej duke zgjuar jo ata që flinin, por ata që kujtonin se ishin zgjuar.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin