EUROTRASH

Shpresoj të mos jem i vetmi që të jem bërë kurioz për kuptimin e mirëfilltë të fjalës amerikanishte Eurotrash, nëse vërtet ky kuptim ekziston dhe mund të veçohet ose të izolohet nga moria e përdorimeve në kaleidoskopin e ligjërimit urban.

Eurotrash është një etiketë zakonisht përçmuese, që i vihet Tjetrit; meqë përdorimi vetë-referencial i fjalës nuk besoj se bëhet veçse ironikisht. Për nga regjistri, u përket zhargoneve urbane, të cilat kanë një pasuri të pashtershme shprehjesh që ndihmojnë për identifikimin e individëve sipas grupeve të cilave u përkasin.

Megjithatë, e veçanta e etiketës Eurotrash ka të bëjë me natyrën e saj transoqeanike, ose me faktin që përdoret prej amerikanëve për të karakterizuar pikë së pari një specie të caktuar të rinjsh që ndeshet në Europë, pastaj po këta të rinj kur vizitojnë e shëtitin Amerikën e më në fund ata të rinj vendas (amerikanë) që kërkojnë të duken si europianët, duke u përpjekur t’u imitojnë mënyrën e qenies e t’ua gjejnë sekretin e klasit.

Natyrisht, mua nuk më interesojnë aq hollësitë e stilit Eurotrash, sesa pasqyrimi, në kuptimet dhe ngjyrimet e fjalës, i fërkimeve, kontradiktave, tensioneve dhe mërive midis dy anëve të Atlantikut. Kjo dukuri nuk prek thjesht sferën e modës, ose të jetuarit në sipërfaqe të flluskës mondane; meqë historia e shekullit XXI do të përcaktohet, deri diku, edhe nga mënyra se si të rinjtë e sotëm do t’i administrojnë marrëdhëniet midis këtyre dy brigjeve.

Eurotrash është fjalë e anglishtes amerikane dhe, si koncept, i përket kulturës së rinisë amerikane; prandaj në përdorimet e saj do të pasqyrojë kryesisht perceptimet dhe paragjykimet amerikane karshi Europës: si model, si objekt të dëshirës, si rival, si armik dhe si enigmë.

Kuptimet e ndryshme të fjalës i kam nxjerrë nga “The Urban Dictionary”, një faqe Interneti ku gjithkush mund të futë përkufizimin e vet për termat tipikë të zhargonit urban të anglishtes. Çuditërisht përkufizimet që gjeta atje kanë një pasuri të madhe detaji, edhe pse shpesh u mungon drejtpeshimi, ose objektiviteti. Megjithatë, siç ndodh zakonisht në virtualitet, e tëra është më e madhe se shuma e pjesëve.

Eurotrash cilësohet rëndom si një stil të jetuari “post-modern”; edhe pse kuptimin e fjalës post-modern nuk e di kush, ose të paktën sekush e koncepton në mënyrën e vet individuale (çka është në vetvete postmoderne, tha).

Sipas përkufizimeve të dhëna, ky stil përmbledh në vetvete: (1) pasionin për të udhëtuar nëpër botë pareshtur, jo si break shplodhës midis punëve ose studimit; (2) pasionin për të ndjekur një modë të rafinuar, me veshje dhe aksesorë të shtrenjta, shpesh të firmuara; (3) preferencën për të pirë verë, sidomos gjatë ditës; si dhe për t’i blerë ushqimet në dyqane gourmet; (4) interesin, zakonisht të sforcuar, për artin avant-garde, galeritë erotike, autorët obskurë shpesh vetëvrasës ose ndonjëherë edhe vrasës, filmat nga prodhues të pavarur ose nga vende të botës së tretë ose filma S/M porn japonezë; (5) padijen totale për artin dhe kulturën pop (që duhet dalluar nga refuzimi i zhurmshëm i dukurive pop prej snobëve të kudogjendur); (6) të qenit të artikuluar, artistikë dhe përgjithësisht të qytetëruar; (6) frekuentimin frenetik të restoranteve të modës dhe kafeve “kulturore”; (7) një lloj jete bohemiane gjysmë-aventuroze, e cila i bashkëlidhet përtacisë dhe qëndrimit super-ironik ndaj jetës.

Në përgjithësi, të gjithë e pranojnë se gjysma e dytë e etiketës (“–trash”) ka të bëjë, në masë të madhe, me pamjen disi të shkujdesur e shpupurisur të këtyre të rinjve, sidomos pas javësh e muajsh të kaluar me çantë shpine në kurriz, e duke u hedhur sa nga një avion në tjetrin e sa nga një autobus në tjetrin, e duke fjetur në youth hostels të mbytur në tym duhani të dredhur organik, garza, sharje në skandinavisht zhgarravitur në sirtaret e komodinave, myk dushesh pikuese, insekte të plogëta ekzotike dhe fantazma veteranësh amerikanë të Vietnamit – si në filmin “The Beach”.

Të tjerë përkufizues, më kapriciozë e të vëmendshëm ndaj hollësive pikante, vënë në dukje prirjen e të rinjve Eurotrash për t’i veshur këpucët pa çorape, teksa nuk mbathin këpucë atletike përveçse kur janë duke u marrë me sport, as veshin ndonjëherë rrobe me logo të stampuara mbi to, madje as tuta, përveçse në fushë të sportit; faktin që kur këta takohen në rrugë e përshëndetin njëri-tjetrin me puthje ajrore (“air kisses”); që meshkujt rrinë gjithnjë e qëllimisht pak të parruar, i ngrenë lart jakat e bluzave që kanë blerë në H&M e nuk buzëqeshin kurrë; ose që i përdorin drogat me tepri, sidomos hashashin; higjienën e keqe individuale, flokët e palara dhe parfumin që hedhin për të mbuluar kutërbimin që u vjen nga mungesa e mirëmbajtjes trupore; faktin që këta janë me origjinë shoqërore të pasur, prandaj jetojnë me paratë e prindërve dhe nuk u duhet të punojnë për të nxjerrin bukën; më në fund, që hiqen dhe ndoshta janë intelektualë e të interesuar për çështje “të holla”, duke mbetur indiferentë ndaj preokupimeve amerikane me baseball-in, football-in, birrën, automobilat, wrestling, barbecue-n, armët e zjarrit, historitë melodramatike të gangsterëve italo-amerikanë dhe qentë.

Një kategorie vëzhguesish u bën përshtypje që të rinjtë Eurotrash janë veçanërisht të hollë e me fytyra të zbehta, madje vajzat shpesh duken “anoreksike”, ndërsa djemtë zgjedhin këmisha që u rrinë ngjeshur pas trupit e jeans-e njëlloj të ngushta; ose që këta shpesh udhëtojnë si çifte jo në grupe dhe e kalojnë natën përjashta, zakonisht klubeve të shtrenjta. Femrat e species janë të dhëna shumë pas të dashurve e tyre, edhe pse këta të fundit praktikisht sillen e duken si metroseksualë.

Në këto përcaktime të fundit të bie në sy menjëherë si amerikanët anojnë të shohin te të rinjtë Eurotrash një imazh të kundërt me atë që kanë për veten – si të shëndetshëm madje të shëndoshë, sportivë deri edhe në shtrat, punëtorë të palodhur, atletikë duke filluar që nga sneakers, me rrobe të gjera e të bollshme, të mbuluara me gjithfarë logosh; pa përmendur pastaj meshkujt të obsesionuar me dallimet mes sekseve e për t’u dukur sa më mashkullorë (hetero ose gorilla), e në përgjithësi krenarinë shoviniste që nis të ndiejë amerikani ndaj identitetit redneck (madje duke guxuar edhe një rivlerësim me nota pozitive të white trash, etiketë që vetvetiu fton për krahasim me Eurotrash), të cilin përndryshe do ta kishin denoncuar si të përbuzshëm; e që shpjegohet drejtpërdrejt me frikën, sado instinktive, se mos Tjetri e merr për të tillë…

Kur amerikanët përballen sot me europianë, qoftë këtej qoftë andej Atlantikut, tensioni i detyrohet nga njëra anë iluzionit madhështor amerikan të të qenit “të parët në botë”, e nga ana tjetër përçmimit pseudo-aristokratik të europianëve për amerikanët si kopje të tyre arrogante, të pakulturë e njëdimensionalë deri në mërzi. Secila palë ndihet më e mirë se tjetra dhe kërkon konfirmimin përkatës në perceptim. Fiksimi neurotik në disa tipare dytësore, si metroseksualiteti i supozuar i europianëve ose obeziteti i amerikanëve është një mënyrë për ta devijuar disi tensionin në kanale anësore, më të pranueshme. Një vajzë amerikane, e munduar nga kilet e tepërta, do të lehtësohet pak në peshë sapo ta etiketojë shemrën e vet europiane si “anoreksike”, në emër të rivendosjes së një ekuilibri të nevojshëm. Në të vërtetë, janë të shumta përkufizimet e Eurotrash që mbështeten në perceptimin e europianëve si të dobët, me rrobe të ngushta, e këmisha puthitur pas brinjëve; çka do të ishte, në thelb, edhe ideali fizik i amerikanëve vetë, i cili prandaj edhe përçmohet kur gjykohet si i realizueshëm, por tek Tjetri.

Amerikanëve të rrugës, në kontakt me europianët, nuk u shpëton as ftohja në marrëdhëniet e Europës me Amerikën gjatë viteve të presidencës të George W. Bush, i cili nuk ka treguar kurrfarë interesi ndaj Europës, as respekti e reverence ndaj vlerave kulturore dhe trashëgimore të Botës së Vjetër. Për këtë arsye, jo rrallë specia Eurotrash identifikohet në bazë të prirjes pak a shumë intelektualizante për të denoncuar politikat imperiale të SHBA, dëshirën prej superfuqie për t’i zgjidhur konfliktet me forcë dhe shpërfilljen ndaj ligjit ndërkombëtar, cilësinë e keqe të gazetave amerikane, televizionit e sidomos shërbimeve publike; politikat reaksionare amerikane ndaj drogës, alkoolit, zbatimit të dënimit me vdekje; naivitetin amerikan në punë të fesë. Në të vërtetë, cilësia e jetesës në Europën Perëndimore është mjaft më e lartë se në Amerikë, por kjo i detyrohet në masë të madhe rolit të SHBA dhe të NATO-s gjatë gjysmë-shekullit të Luftës së Ftohtë, çka e lejoi Europën të shndërrohet në një hapësirë model të lirive të individit, lëvrimit të traditës dhe kulturës urbane, lulëzimit të shoqërisë civile dhe, në përgjithësi, selitjes e zbukurimit të njeriut, në rrafshin fizik dhe shpirtëror.

Disa amerikanë universitarë, më kritikë në interpretimet e tyre, e shohin specien Eurotrash si produkt, sado të sofistikuar, të amerikanizimit të Europës Perëndimore gjatë shekullit XX; meqë rafinimi i asaj specieje lidhet gjithnjë edhe me refuzimin, gjithnjë referencial, të pop-kulturës amerikane, restoranteve fast food, qendrave komerciale të tipit shopping malls, parqeve tematike të tipit Disney World ose kulturës së dëfrimit à la Las Vegas, filmave të Hollywood-it.

Megjithatë, nuk është faji i europianëve urbanë që rinia e sotme amerikane, po të përjashtosh një elitë numerikisht të papërfillshme, rritet në një limbo të zhveshur nga çdo traditë intelektuale, e ku përvetësimi i narrativave të mëdha të kulturës europiane është zëvendësuar nga idiotizmi noterik i filmave blockbuster dhe eksperiencat interaktive të lojërave video-games; as është faji i amerikanëve që rinia e sotme nga Europa Perëndimore e Qendrore përjeton kombinimin fatlum të një stili jetese i cili ndoshta është në apogjeun e vet, meqë zor se do të mund ta ruajë për shumë kohë superioritetin filozofik dhe shpirtëror përballë kërcënimit ekzistencial që i vjen Europës urbane nga periferitë armiqësore të imigrantëve dhe mizëria nëntokësore e të çrrënjosurve të botës mbarë.

 

8 Komente

  1. Doja te beja edhe nje tjeter dallim. Kur jetoja ne Angli, ishte nje emision i titulluar Eurotrash, i cili prezantohej naten vone nga dikush me nje theks pseudofrancez. Skenat apo dukurite qe kapeshin i perkisnin ne pergjithesi figurave apo aktiviteteve popullore evropiane, qe nga Vanesa Paradise deri tek festivali i birres ne Gjermani. Dallimi ketu qendron se pavaresisht nese amerikancja mund t’a fusi edhe Angline ne Eurotrash, anglishtja nuk e ben kete. Ne kete aspekt, ndarja nuk eshte Atlantike, por anglofone dhe jo anglofone.

  2. Natyrisht, etiketa Eurotrash u vihet dukurive nga më të ndryshmet; siç ma vërtetojnë edhe komentet nga Lulian Kodra, dhe tani nga PM. Një tjetër kolege më thoshte dje që e kish dëgjuar këtë fjalë të përdorej shpesh, nga amerikanët në NYC, për të përshkruar stilin e veshjes dhe sjelljes të grave ruse të emigruara në SHBA. Duket sikur askush nuk e ka shumë të qartë se çfarë është Eurotrash pikërisht, përveçse që ka të bëjë me diçka të ndryshme, ose Tjetër nga identiteti kulturor i përdoruesit. Shto këtu edhe që amerikanët, janë mësuar që dallesat kulturore shpesh t’i shohin të filtruara nëpërmjet racës, model ky që nuk funksionon mirë në rastin e një ballafaqimi me europianët. Nga ana tjetër, papritur ky pështjellim më kujtoi një fragment nga deponimi i Kadri Hazbiut përballë nuk di ç’inkuizicioni totalitar, ku përshkruhej skandali i paraqitjes së djalit të dytë të Mehmet Shehut në Festivalin e Gjirokastrës – pas gjase i pirë, i veshur mirë dhe në shoqëri të ëmbël. Të pranishmit, që nuk e kishin njohur mysafirin, paskëshin pyetur rreth e rrotull “ç’është ky kosovar?”.

  3. Edhe une doja te nenvizoja qe ne shumicen e rasteve e kam hasur eurotrash si reference ndaj nje dukurie kulturore/muzikore europiane (namely techno), dhe me pak apo vetem terthortaz per te dalluar nje person te caktuar, apo grup.

  4. Xha Xha, eshte e vertet qe ne NYC perdoret termi ashtu sic thoni ju ne lidhje me perkatesine etnike, por jo ne menyra aq te padiferencuar. Ne rastin e grave ruse ne fakt ai i drejtohet nje prototipi apo stereotipi me te gjere grash/goldigers nga europa kryesisht lindore sesa drejt nje etniciteti te caktuar. Dhe ne kete prototip sigurisht grate ruse shquajne me shume me pretendimet e tyre ne diete – ushqehen vetem me kaviar, frekuentojne vetem balet dhe opera (mundesisht Aida) dhe e fundit fare pranojne te hipin vetem ne Mercedes Benz.
    Nje rast tjeter qe me ka rene ne sy ne NYC eshte nje perceptim kundrejt francezeve i ndryshem nga pjesa tjeter e amerikes. Ndersa per pjesen tjeter ceshtja duket me shume nje zgjedhje midis “french fries” dhe “freedom fries” ne NYC njerzit kane vertet cfare te thone per ta. Eshte domethense qe ne nje qytet emigrantesh si NYC francezet shihen me shume si turiste. Edhe kur nuk tentojne te jene te tille me shume projektojne Parisin ne NYC sesa pershtaten. Kjo u ngre nervat me shume njyjorkezve qe edhe ashtu skizofrenine e kane menyre jetese. If nothing comes down to business you are just another eurotrash lazy f***er.

  5. Mediapursuit, përdorimi i Eurotrash për të kategorizuar një tip shtaze urbane është tashmë standard; Wikipedia vërtet që ka një artikull për Eurotrash si zhanër të muzikës pop, por ka edhe një artikull tjetër për të njëjtin term, të përdorur për të kategorizuar një lloj të rinjsh sipas një bashkësie tiparesh. Nuk jam në gjendje të them se cili përdorim ka ardhur para tjetrit, as më intereson nga pikëvështrimi që kam zgjedhur. Di vetëm se, brenda zhargonit urban, është e zakonshme që grupet të emërtohen sipas muzikës që parapëlqejnë: Metalheads, Goth, Punk janë vetëm tri specie që më kujtohen tani, por do të ketë edhe të tjera. Natyrisht ka një muzikë Goth, sikurse ka edhe një stil të jetuari Goth, i cili përmbledh edhe shijet artistike, zakonet seksuale dhe modën në veshje; por këto jo gjithnjë duhet të bashkëpërkojnë.

  6. Xha-xha te falenderoj per kete teme shume interesante.Me thene te drejten si koncept e dija , por nuk e kisha rastisur me pare kete term.
    Per vete pranoj me mire te futem ne rangun e Eurotrash-erve sesa te zhytem ne llumin e blockbusterve, jo per prestigj jo , por sepse eshte vertete shume siperfaqesor.
    Shresoj vetem qe dhe Eurotrash te mos degjenerohet , por te pasurohen anet pozitive te saj.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin