SHQIPJA TOTALITARE (XVII)

Dhuna politike, si shpirt i sistemit totalitar, inskenohej simbolikisht edhe nëpërmjet kultit të vdekjes.

Të rënët ose dëshmorët e Luftës Nacional-Çlirimtare ishin kudo të pranishëm: në hagjiografitë zyrtare, në letërsi dhe në arte, në tekste këngësh, në skulptura dhe pllaka përkujtimore publike, në muzeumet, në emërtime rrugësh, lagjesh, shkollash, kinemash, anijesh të flotës tregtare, objektesh industriale dhe kooperativash bujqësore të tipit të lartë.

Për ta thuhej se ishin flijuar (ose sakrifikuar), madje e kishin larë tokën me gjak, që shqiptarët të gëzonin lirinë dhe të mirat e pushtetit popullor, si zotër të fateve të veta. Sikurse në rituale të tjera të sprovuara, sakrifica njerëzore i jepte legjitimim të sotmes ekzistuese, duke ia përligjur teprimet, padrejtësitë dhe kontradiktat.

Varrezat e dëshmorëve ishin pjesë e peizazhit simbologjik socialist, si vende pelegrinazhi, meditimi për të shkuarën, dhe riprodhimi të hierarkive politike qendrore dhe lokale. Vizitat atje shërbenin edhe si pretekst për t’i kujtuar publikut se të rënët e Luftës “e dhanë jetën për ju”; çka ishte edhe një formë veçanërisht virulente e shantazhit nëpërmjet nderimit për vdekjen e atyre mijëra të rinjve dhe të rejave – meqë askush, sado skeptik për qëllimet e vërteta të pushtetit totalitar, nuk ia lejonte vetes të dyshonte se gjaku i derdhur mund të përdorej tani edhe për t’u garantuar pushtetin patriarkëve të Byrosë, persekutuesve dhe lakejve përkatës.

Njëlloj të shenjta konsideroheshin ishin edhe fjalët e fundit, ose amanetet e të rënëve: për lirinë, për komunizmin, për atdheun, për mëmëdheun, për Komandantin.

Toka shqiptare jo vetëm mbante në gji eshtrat e martirëve, por edhe ishte e mbjellë me kockat e armiqve. Lufta, nga e cila mitografia totalitare nuk ndahej dot, vazhdonte njëfarësoj edhe nën dhé. Në fjalimet zyrtare e në kryeartikujt e gazetave, udhëheqësit totalitarë gjithnjë u kujtonin armiqve se, po të guxonin të ndërmerrnin ndonjë aventurë kundër Shqipërisë, do të linin kockat, sikurse i kishin lënë dje (kërcënimi ritual i Shqipërisë si “varr për agresorët”). Në atë masë që historia shtjellohej si një mori betejash midis së mirës dhe së keqes, trualli ku jetonin shqiptarët nuk ishte veçse një varrezë gjigante, ku ruhej e balsamuar e shkuara.

Këtë konflikt primordial eshtrash e shpreh mjeshtërisht romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i Ismail Kadaresë; në të cilin aktualiteti në Shqipërinë socialiste pikturohet si hije e zbehtë ose valle fantazmash të së djeshmes. Në një farë mënyre, romani përçon idenë subversive se një pushtet i dalë nga Lufta, ose nga gryka e pushkës, nuk mundet veçse të ripërjetojë obsesivisht raportet e forcës, dritëhijet, kontrastet dhe dramat që e përftuan atëherë, kapur në kurthin e neurozës së vet post-traumatike.

Kjo alegori masive dheu të larë me gjak, varresh të humbura e të ruajtura, kockash dhe eshtrash të tretura e të patretura, i bënte jehonë, në mënyrën e vet, edhe fillesës së një bujqësie metafizike, ku jetët e njerëzve dhe të komuniteteve ndërronin njëra-tjetrën si kulturat bujqësore, e me mbeturinat e njëra-tjetrës plehëroheshin.

Vdekja nuk ishte vetëm themeli i së sotmes, por edhe i së ardhmes: meqë regjimit totalitar i pëlqente t’i zgjidhte konfliktet me plumbin ballit. Vrasja, si ekspedient i rëndomtë në narrativat politike dhe ideologjike, së bashku me shprehje kinse folklorike të tilla si gjysmën e lekut, plumbin pas qafe, plumbin kokës, litarin e të tjera të ngjashme, të sjellin ndërmend famëkeqen ¡Viva la muerte! të fashistëve të Franco-s – les extrêmes se touchent…

Regjimi totalitar e përjetonte mbijetesën e vet sipas parrullës romantike “ja vdekje ja liri”, e cila tashmë përdorej kryesisht për ta paraqitur vdekjen si alternativë sa të skajshme, aq edhe të vetme ndaj sistemit politik ekzistues. Vetë krerët e regjimit, vend e pa vend, u betoheshin solemnisht masave se ata do t’i mbeteshin besnikë deri në vdekje idealit komunist, sadoqë masat, nga ana e tyre, mbeteshin të bindura, edhe ato deri në vdekje, se për profetë revolucionarë e shqipe malesh të atij kalibri e profili, s’mund të kishte veçse ditëlindje.

Më në fund, kulti i vdekjes brenda kulturës totalitare shqiptare gjente mbështetje dhe në metaforën e njohur, marksiste, të proletariatit si varrmihës të borgjezisë (kapitalizmit).

2 Komente

  1. Do ishte interesante ne kete pjese sikur te thelloheshe me teper mbi gjenealogjine e fjales DESHMOR, e cila kam pershtypjen eshte shfaqur per here te pare gjate periudhes totalitare, ose gjate luftes, si DESHMI, testament apo amanet i gjakut te te reneve.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin