BORË TË BARDHA

Fjalori e quan rrobalarëse, ose makinë larëse, por ne popullorçe i kemi thënë gjithnjë lavatriçe. E emërtuar me term të huazuar ose jo, rrobalarësja nuk është objekt çfarëdo. Së pari, nuk duhet harruar se është elektroshtëpiake, pra një objekt që ndërvepron intensivisht me njeriun dhe mjedisin e tij. Rrobalarësja qëndron në udhëkryq të disa fushave semantike: ajo lidhet me familjen, punën, modernitetin, gruan. Ta shohësh historinë tonë sociale nga dritarja e rrumbullakët e rrobalarëses, e këtij syri konkav shtëpiak, do të ishte përnjëmend interesante.

Sendet flasin. Ne nuk jemi të ndërgjegjshëm, e harrojmë gjithnjë, por sendet flasin. Thonë shumë gjëra për ne; dhe nuk e bëjnë vetëm varëset, enët prej argjile, apo bizhuteritë e tjera të lashtësisë që mbushin muzetë e gjithë botës. Ka sende që, edhe pse bëjnë pjesë në jetën tonë të tanishme, e përshkruajnë shkëlqyeshëm përditshmërinë tonë komplekse.

Nuk mund të flasësh për rrobalarësen në Shqipëri pa kujtuar gratë shqiptare, sepse rrobalarësja zëvendësoi pjesërisht e kryesisht punën femërore. Mirëpo zëvendësimi mekanik i punës fizike rrëfen shumë pak, po të mos merret parasysh konteksti i rrobalarjes. Para se kjo elektroshtëpiake të trokiste në dyert tona, ose më saktë para se të lindte si objekt, larja e rrobave bëhej pranë lumit, kroit, ujit të rrjedhshëm në përgjithësi. Ose në bahçe, para shtëpisë, me ndihmën e govatave dhe enëve të tjera për mbajtjen e ujit. Ishte ndër çastet më domethënëse të shoqërizimit femëror: gratë flisnin për problemet e tyre, të fisit, të fshatit, të qytetit, etj. Zierja e teshave, hedhja e hirit, nderja e çarçafëve, shoqëroheshin me diskutime, shkëmbime mendimesh, thashetheme, çka i bënte gratë pjesëmarrëse në diskursin publik.

Në Shqipëri, ardhja e lavatriçes nuk koincidoi plotësisht me tërheqjen e rrobalarjes si proces brenda katër mureve të shtëpisë. Urbanizimi, ndërtimet e reja, industrializimi i dhjetëvjeçarëve të parë të pasluftës, i kishin syrgjynosur prej kohësh legenët dhe govatat në banjat e ngushta të apartamenteve. Hiri kishte filluar të zëvendësohej nga pluhuri larës, zjarri i drurit nga furnela me vajguri, kopshti nga muret e banjës. Me fjalë të tjera, procesi i “privatizimit” të procesit larjes së rrobave kishte nisur prej kohësh. Lavanderitë publike në Shqipëri kanë mbetur gjithnjë në kuadrin e shërbimeve publike: kopshte fëmijësh, spitale, etj. pa prekur sferën e familjeve. Gjithsesi, teshat e lara të bardha si bora kanë përshenjuar gjithnjë pastërti e prestigj social.

Përhapja e rrobalarëseve në vendin tonë nuk mund të krahasohet me të njëjtin proces që u verifikua në vende të tjera. Kryesisht për faj të sistemit ekonomik të pasluftës, makinat larëse nuk patën përhapje masive, siç ndodhi në ekonomitë e tregut. Rrobalarëset që hynë fillimisht në Shqipëri, prodhoheshin në lindje dhe jepeshin me autorizim, për shkak të numrit të kufizuar. Fakti që këto elektroshtëpiake prodhoheshin jashtë shtetit, por edhe mungesa e një konkurrence tregtare, e penguan përhapjen e gjerë të tyre. Kjo nuk e pengoi megjithatë regjimin ta “shiste” futjen e rrobalarëseve në familjet shqiptare si arritje të pushtetit popullor dhe të emancipimit femëror.

Lavatriçja, çeke apo bullgare, automatike apo gjysmëautomatike, nuk është objekt “i ftohtë” nga pikëpamja sociale. Para së gjithash, bëhet fjalë për një elektroshtëpiake femërore. Ndryshe nga frigoriferi ose televizori, rrobalarësja është perceptuar nga shoqëria si elektroshtëpiake femërore, pak a shumë si mjet pune femërore, madje si përzgjatuese e saj. Në qoftë se rrobalarësja ka ndikuar ndjeshëm mbi marrëdhëniet gjinore në vendet perëndimore, veprimi i saj në këtë drejtim duhet verifikuar me kujdes në realitetin shqiptar. Sepse veprimi potencialisht demokratizues i rrobalarëses, meqë eliminonte pjesërisht lodhjen fizike femërore dhe i jepte kohë të lirë gruas, ka rezultuar i reduktuar në Shqipëri, për shkak se hyrja e lavatriçes nuk u përshoqërua nga lëvizje sociale kolektive nga poshtë si feminizmi.

Përhapja e rrobalarëseve në Shqipëri e kaloi karakterin simbolik vetëm në vitet nëntëdhjetë. Pothuajse të gjitha familjet shqiptare u vërsulën drejt tregut për të plotësuar kuadrin e pajisjeve shtëpiake, së bashku me frigoriferin dhe televizorin. Që ardhja e lavatriçes ndikoi në përditshmërinë e grave shqiptare nuk ka pikë dyshimi. Përgjithësisht femrat e mbajnë mend mirë blerjen e rrobalarëses, çka tregon se kjo ka ndikuar (relativisht) në rehatinë e saj. Mirëpo përhapja jo gjithnjë është sinonim i përdorimit, sidomos në Shqipëri. Rrobalarësja ka një veçanti nga elektroshtëpiaket e tjera: është dyfish e lidhur me shërbimet publike. Ndërsa televizori dhe frigoriferi kanë nevojë vetëm për energji elektrike, rrobalarëses i duhet edhe ujë. Energjia dhe uji: dy elemente me pakicë në universin shqiptar.

Sot rrobalarësja nuk mungon në inventarët e shtëpive shqiptare, kryesisht në qytet. Nuk mund të mohohet kontributi i saj për lirinë e gruas dhe karakterin modern të saj, edhe pse kulturorisht kjo elektroshtëpiake mbetet kryesisht në funksion të femrës, pra me një ndarje thjesht konvencionale, si e tillë absolutisht e diskutueshme. Përballë butonave të rrobalarëses maskilizmi shqiptar ka pak mundësi për të gjetur alibi. Po të mos ishte për fazën e dytë, për nderjen e rrobave në tel, pra përballë njerëzve, shumë macho shqiptarë do ta kishin pranuar si punë. Sepse në thelb numrat e butonave të rrobalarëses nuk është se ndryshojnë nga telekomanda e televizorit.

Prania e rrobalarëses në shtëpitë shqiptare përshenjon si familjet me shumë anëtarë ashtu edhe familjet moderne. Vetë shtëpia e mobiluar nuk mund të kuptohet sot pa rrobalarëse, edhe pse shpeshherë nuk ndizet për shkak të mungesë së dritave dhe ujit të rrjedhshëm. Është çështje kulturore. Në lavanderi shkojnë kategoritë “e përkohshme”, “pa rrënjë”, si ushtarët apo studentët. Në këtë kuptim rrobalarësja ka “privatizuar“ proceset e dikurshme publike, i ka ndarë, veçuar nëpër hapësira personale, grupimet e hershme buzë përroit ose përreth kazanit me ujë të zier. Rrobalarësja si objekt, ndryshon thelbësisht nga televizori; ky i fundit rezulton me kahun nga brenda jashtë, në kuptimin që përdoret për të parë realitetin jashtë mureve shtëpiake (edhe pse pasivisht), kurse lavatriçja e kyç përfundimisht larjen publike të rrobave në mjediset e shtëpisë. Prandaj na duket kaq të çuditshme disa skena filmash amerikane ku në lavanderitë publike, të pajisura së fundi edhe me lidhje interneti, njerëzit njihen, komunikojnë, dashurohen.

Çdo pyetje mund të marrë përgjigje. Rrobalarëset janë përgjithësisht të bardha sepse duhet të përshenjojnë pastërtinë, zbukurohen me centro e dantella sepse duhen shtëpijëzuar, konsiderohen estetikisht e funksionalisht femërore sepse perceptohen të lidhura me veprimtarinë e gruas. Madje edhe pyetja se përse i nënvleftësojmë disa objekte, ose funksionin e tyre social, ose aftësinë e tyre për të na pasqyruar, objekte që i shohim dhe i përdorim përditë, e ka një përgjigje. Madje shumë përgjigje.

1 Koment

  1. Eh Lavatricja.

    E kujtoj si sot ate dite Tetori 1968 kur ne familjen tone hyri makina larese Candy (superautomatic 45). Isha ende femije; i katerti ne shtepine tone prej gjashte vetesh. Po jetonim kohen kur ne shoqerine tone te prapambetur, se bashku me premtimin e rregjimit se do te vinte dita e komunizimit ku te gjithe do punonin sipas mundesive dhe do merin sipas nevojave, ne jeten tone po hynin objekte te pa njohur deri atehere si televizori, frigoriferi dhe se fundi edhe makina larese.

    Kishte dite qe ne familje diskutohej gjate per nje objekt qe vec emrit lavatrice, krej i pa njohur ne fjalorin tone, askush nuk mund te vinte bast per leverdine e shpenzimit te 30 mije lekeve qe ishin nje shume e konsiderueshme edhe per te ardhurat e mira qe kishte shtepia jone. Degjoja te flitej qe pervec autorizimit duhej qe dikush te shkonte e ta gdhinte naten e dites para shperndarjes diku te Rruga e Elbasanit, vendi ku ndodhej edhe dyqani qe do ti shiste, sepse me sa duket ishin shperndare me shume autorizime. Ne fund doli qe te ishte vetem thashethem sepse numri i makinave perkoj me ate te autorizimeve. Objekti “lavatrice” u ngjit ne katin e katert nga dy burra qe kishin djersitur mire kur arriten siper, cka me la te kuptoj qe nuk ishte pune frigoriferi dhe aq me pak televizori, te cilet qe te dy ishin ne inventarin e shtepise.

    Nuk po zgjatem me.

    Hapet me kujdes kutia e kartonit dhe u terhoq jashte manuali i perkthyer ne shqip. E gjithe shtepia permbys mbi te per te kuptuar se c’fare bente ajo. Nje broshure me kapak ngjyre portokalli shume e holle qe te linte te kuptoje qe ajo, makina e bente punen vete. Mund te shkoje edhe ne kinema. Vetem rryme dhe uje. Bukur.

    Mbas sigurimit te nje rubinete tjeter me fileto per marjen e ujit dhe nje tubi per te shkarkuar ujin pas larjes ishin te vetmet kerkesa qe shtepia duhet te plotesonte me qellim qe ti jepej mundsia makines qe te bente magjine.

    Mbyllet dera dhe shkelet butoni jeshil. Filloj marja e ujit dhe me pas rrotullimi i kazanit. Deri ketu ne rregull. Asgje jashte imagjinates. Por ende nuk shikohej se si do te behej ferkimi i teshave. Sipas broshures lexohej edhe fjala centrifuge, edhe kjo e pa njohur ne fjalorin tone, qe do te vinte menjehere te numri 8. Programatori keciti embel ne numrin 8 dhe………. O Zot. C’po ndodhte. Makina filloj qe te hidhej perpjete dhe mori per ne mesin e guzhines qe me siguri do te kishte aritur atje nese nuk do te ishin tubat e marjes dhe nxjerrjes se ujit. Dikush zgjati doren te butoni Stop dhe ajo ndaloj. Menjehere thiret nje teknik qe pasi lexoj manualin me kujdes na tha qe makines nuk i ishin hequr mbajteset e llamarines se kazanit per efekt transporti. Gjaku u shkri edhe pse ishte brenda garancise gjashte mujore. Keshilla e rastit e teknikut ishte qe makina nuk duhej te perdorej shpesh sepse kishin ardhur pa pjese kembimi. Fale perdorimit me kujdes te nenes time dhe mirmbajtjes qe i bera une vete, ajo ariti te jetoj midis nesh deri aty nga mesi i viteve 90′. Gati 25 vjet.

    Kur ne shtepine tone erdhi nje i njohur italjan dhe pa makinen larese Candy ju mbushen syte me lot qe nuk e mora vesh se pse. Kush e di se c’fare kujtimesh te vjetra i ngjalli ajo; ndoshta si shkrimi i Pishakut me ngjalli mua qe te shkruaj keto rrjeshta.

    MB

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin