SHQIPJA TOTALITARE (XIII)

Imazhi i armikut zinte vend qendror në ideologjinë dhe mitologjinë totalitare – në pajtim me manikeizmin monist, armiku përfaqësonte burimin absolut të së keqes, pengesave, dështimeve, entropisë së sistemit; por edhe skajin negativ të kontradiktës që e shtynte vetë sistemin përpara. Shqipja, në atë kohë, kishte privilegjin e rrallë që ta përdorte fjalën armik të pashoqëruar me ndonjë atribut; meqë fjala vetë e nënkuptonte përdorimin. Që këtej, mjaftonte t’i thoje dikujt: “Armik!”, për ta diskredituar vetvetiu, meqë implikimet atributive ishin gjithnjë serioze: armik i popullit, armik i Partisë, armik i masave punonjëse, armik i socializmit, armik i përparimit, armik i komunizmit, armik i klasës (punëtore), armik i pushtetit (popullor), armik i revolucionit

Meqë identifikimi i armikut ishte një nga motivet themelore të veprimtarisë politike dhe të organeve të rendit, paraqitja e kësaj figure në ligjërim do të merrte trajta të shumëllojshme; edhe pse struktura arketipale e ballafaqimit do të mbështetej gjithnjë në modelin e armikut individ kundër masës së organizuar; madje edhe atëherë kur armiqësia i atribuohej një entiteti kolektiv – për shembull një shteti, ose një grupi.

Vetë përmendja e armikut në ligjërim duhej shoqëruar, si rregull, me ngarkesë të fortë emocionale negative: meqë armiku ishte gjithnjë i egër, i betuar, i pamëshirshëm, gjakpirës, gjakatar, mizor, vdekjeprurës. Mbiemra të tillë nuk kishin ndonjë kuptim përtej ngjyrimit emocional – meqë shprehje të tilla si armik i butë, ose armik i mëshirshëm konsideroheshin vetvetiu si absurde. Prirja ishte që ngjyrimi emocional, ose shprehja sado konvencionale e urrejtjes, denoncimit, pështymës në fytyrë dhe dënimit t’ia zëvendësonte krejt kuptimin denotativ fjalës.

Kjo duket qartë në përdorimin e etiketave ideologjike që u viheshin kundërshtarëve politikë, brenda dhe jashtë vendit: idealisht, një trockist duhej të lidhej, sado pak, me idetë politike dhe filozofike të Trockit ose Internacionalen e Katërt ose grupet e majta trockiste që vepronin në Perëndim; por në shqipen totalitare trockist ishte thjesht etiketë me të cilën shenjohej dikush për eliminim. Fjalimet e Enver Hoxhës janë të mbushura me etiketa të tilla: revizionist, disfatist, likuidator, titist, buharinist, oportunist, militarist, kolaboracionist, hrushovian, neofashist, fraksionist, bonapartist, revanshist, kapitullant, djathtist, dogmatik, frazeolog, doktrinar, grupash, pacifist, sektar, kapitullacionist, kundërrevolucionar, reaksionar, menshevik, deviacionist etj., të cilat pastaj që andej gjenin rrugën për të depërtuar në ligjërimin publik në “bazë”, së bashku me -izmat përkatëse: djathtizëm, dogmatizëm, doktrinarizëm, militarizëm, bonapartizëm, majtizëm, centrizëm, oportunizëm, sektarizëm, pacifizëm, revanshizëm, revizionizëm, titizëm, eurokomunizëm, baudlerizëm, që i referoheshin jetës së Partisë, ose zyrtarizëm, burokratizëm, teknokratizëm, menefregizëm, fushatizëm, prakticizëm i ngushtë, subjektivizëm, objektivizëm, dembelizëm, që lidheshin më tepër me stilin dhe metodën në punë, së bashku me vese e praktika të tilla si miopi politike, teorizime, mefshtësi, shkëputje nga realiteti, nxirje e realitetit, thashetheme, zvarritje, pritmëri.

Kjo kategori do dalluar nga kategoria tjetër, e fjalëve që e shenjojnë armikun në rrugë denotative, sipas ndonjë karakteristike pak a shumë objektive, ose gjithsesi jo retorike. Armiq të tillë mund të paraqiteshin si antagonistë: diversant, desant, sabotator, i arratisur politik, kulak, i deklasuar, armik i klasës, element reaksionar (antiparti, antipopullor), eksponent i Ballit (i reaksionit), shkelës kufiri, kundërrevolucionar, agjent i paguar, njerëz me qëndrim të keq, ose si njerëz me ndikime të huaja e viktima të propagandës reaksionare, por që ende mund të silleshin në rrugë të drejtë, me punë sqaruese ose me metodën e bindjes ose të shtrëngimit: të paformuar, të pakënaqur, të papartishëm, anadollakë, turkoshakë, të prapambetur, miopë politikë, konservatorë, liberalë, njerëz me boshllëqe, njerëz me lakra në kokë, të përkëdhelur, të gënjyer.

Edhe më i shpeshtë ishte identifikimi i armikut si tradhtar, çka njëfarësoj i referohej edhe virtytit legjendar të nderit, të besës, të fjalës së dhënë e të tjera gjepurave propagandistike me të cilat elitat totalitare kërkonin të hiqeshin si vazhduese të traditave patriotike e kombëtare. Nga ana tjetër, historia e lëvizjeve komuniste anembanë ishte gjithnjë e pasur me tradhtarë, ose agjentë të paguar, të cilët natyrisht kërkonin të zbutnin luftën e klasave, të bënin lëshime e t’i dorëzoheshin (të ngrinin duart para) presionit të jashtëm e t’i binin në gjunjë imperializmit, social-imperializmit, borgjezisë ndërkombëtare, kapitalit të madh, reaksionit, neokolonialistëve e ashtu me radhë. Se çfarë tradhtohej pikërisht, nuk ishte gjithnjë e qartë: dikush mund të demaskohej (t’i çirrej maska) e të vihej me shpatulla pas murit si tradhtar i popullit, tradhtar i idealit, tradhtar i parimeve të shenjta, tradhtar i amanetit të të rënëve… për t’u nxjerrë pastaj para gjyqit të popullit, e më në fund për t’u likuiduar.

Tradhtarët, siç mund të pritej, vepronin gjithnjë në prapaskenë e në errësirë, ishin dinakë e tinzarë e të pabesë, hiqeshin si parimorë e maskoheshin si njerëzit tanë; por në të vërtetë ishin agjentë (të Londrës, të Vatikanit, të Moskës, të Beogradit), të shitur (për tridhjetë aspra), kukulla, marioneta, vegla të verbra, gurë shahu, kameleonë, apologjetë (avokatë) të borgjezisë (imperializmit), zëdhënës (tellallë) të reaksionit ndërkombëtar, kuaj Troje, shërbëtorë të fuqive të huaja, njerëz të Titos, prishës të unitetit, përhapës të panikut, disfatistë, kolonë e pestë, laro, jago, bukëshkalë, dezertorë, të paguar nga shefat e zotërinjtë e tyre, të vënë në shërbim të agjenturave të huaja, spiunë, hafije, provokatorë, konspiratorë, sabotatorë e diversantë, komplotues e puçistë, gjithnjë të fshehur skutave e rrëzave, duke pritur momentin për t’u hedhur në veprim

Forca mitologjike e konceptit mishërohej në metaforat e shumta nga fauna, të cilat e mbyllnin armikun në një zoopark leksikor, ku mund të kontrollohej e të përbuzej më mirë.

Metafora e qenit ishte nga më të preferuarat; e përdorur në vetvete: ky qen, ose me epitete të ndryshme: qen besnik i imperializmit, ose qen i tërbuar, qen bir qeni etj. Ngarkesa negative e fjalës qen ndoshta lidhet drejtpërdrejt me gatishmërinë e qenit për t’iu nënshtruar të zotit, ose me disa sjellje të tjera të qenit (tregon dhëmbët, me bisht në shalë, si qen pa zot) të cilat tradicionalisht shihen si negative.

Përkundrazi, ujk, në dallim me qen, gëzonte respekt të vetvetishëm dhe përdorej kryesisht për të shenjuar armikun e deklaruar, në shprehje të tilla si ujk i vjetër, ose ujku mjegull do; ose për të shenjuar agresionin: ujqërit imperialistë, ujqërit e pamëshirshëm; në kontekste ku mund të dëgjoje edhe çakejtë e ndonjëherë hijenat. Bushtra dhe ulkonja do të rezervoheshin për gratë në poste të larta partiake, të cilat kishin “tradhtuar” kauzën (ose, edhe më shpesh, ua kishin tradhtuar burrat).

Sipas traditës folklorike, dhelpra mbetej mishërim i dinakërisë dhe i mashtrimit; sidomos kur ishte dhelpër e vjetër (p.sh. Anglia); në përdorime të tilla do të ndesheshin edhe skile e ngjalë.

Minjtë, ose ishin minj gjirizesh, ose në kërkim të vrimave. Urithi rrëmonte nën dhé, por pa i shpëtuar dot vigjilencës revolucionare.

Derri zakonisht lidhej me kapitalistin e majmur (derri i kënaqun i Migjenit); ose me borgjezinë ndërkombëtare që jetonte e nginjej në kurriz të proletariatit; që këtej derrat imperialistë, ose derri e dosa, që nuk mund të lejoheshin të hynin në Shqipëri; i madh e i fuqishëm, ose tepër grykës, ky lloj armiku do të paraqitej ndonjëherë edhe si peshkaqen.

Nën ndikimin e imazherisë politike kineze, do të përdorej ndonjëherë edhe metafora e tigrit, gjithnjë për imperializmin amerikan, e gjithnjë në shprehjen klishe tigër prej letre.

Sorrat zakonisht metaforizonin mediat e huaja (radiot), e në përgjithësi propagandën imperialisto-revizioniste; së bashku me papagallin dhe majmunin, që përsërisnin verbërisht fjalët ose veprimet e të tjerëve (padronëve).

Një metaforë më e përgjithshme, por jo më pak e ngarkuar emocionalisht, ishte ajo e këlyshit – e cila përdorej si e ndërkëmbyeshme me veglën (e verbër, e bindur), shërbëtorin, qehajain, lakeun, mashën e të tjera metafora të bindjes së verbër ndaj një padroni; por ndryshe nga simotrat, shoqërohej edhe nga një mbishenjim i dobësisë, i mungesës së personalitetit e të karakterit, çka ngjallte edhe përbuzje përveç urrejtjes: këlysh i imperializmit, këlysh i Titos, këlysh i amerikanëve (në kontekste të ngjashme, edhe bir bastard).

Tradhtari do të shenjohej rregullisht si gjarpër (ose nepërkë); të cilit i duhej këputur ose shtypur koka.

Bota e kandrrave dhe e gjallesave të tjera të vogla do të ofronte, sipas rastit, një mori alternativash: grerëzat (të cilave u duhej shkatërruar detyrimisht foleja), akrepët, vemjet, shushunjat, krimbat e këpushat (kapitaliste gjakpirëse).

Më në fund, parazitët nuk ishin doemos armiq, edhe pse duke qëndruar me vetëdije jashtë e larg ndërtimit të socializmit e duke jetuar në kurriz të popullit punonjës, shndërroheshin vetvetiu në kontingjent të armikut.

Kudoprania e armikut bashkëlidhej me konceptimin e çdo veprimtarie politike si luftë kundër. Për shembull, një politikë liberale ose liberalizuese, do të thirrej, pëlqimisht, lufta kundër konservatorizmit, çka vetvetiu do të përkthehej në një gjueti të konservatorëve shkaktarë të fenomenit të perceptuar si pengues, dhe asgjësimin ose neutralizimin e tyre; shtysa për laicizimin e jetës publike do të thirrej lufta kundër obskurantizmit (fetar); fushata për ta bërë më perëndimor stilin e punës ose veprimtarinë publike të institucioneve do të thirrej lufta kundër mendësisë anadollake; iniciativa për të modernizuar jetën në zonat rurale do të thirrej lufta kundër zakoneve prapanike; orvatja për t’i përshpejtuar praktikat e shkresave e të autorizimeve do të thirrej lufta kundër zvarritjeve; përpjekja për t’i bërë nëpunësit shtetërorë më kërkues në punën e tyre do të thirrej lufta kundër të kënaqurit me pak; ndërmarrja për t’u mësuar njerëzve shkrim e këndim do të thirrej lufta kundër analfabetizmit. Kryemetafora e veprimtarisë politike si betejë kërkonte identifikimin e qartë e të qëndrueshëm të armikut kundër të cilit zhvillohej kjo betejë. Në këtë kuptim, armiku luante rol qëndror edhe si kategori konceptuale edhe si aktant themelor i skemave të thëniezimit totalitar; meqë krejt ligjërimi politik ishte, njëfarësoj, pjesë e kësaj lufte kundër. Kësisoj, lufta kundër burokratizmit do të kërkonte burokratët; lufta kundër trockizmittrockistët; lufta kundër intelektualizmit intelektualët; lufta kundër liberalizmitliberalët; lufta kundër sektarizmitsektarët; lufta kundër pikëpamjeve mikroborgjezemikroborgjezët; lufta kundër thashethemeve – thashethemexhinjtë e kështu me radhë. Deri edhe buburreci i patates u nderua me një luftë të vetën kundër!

Ky nyjëtim ligjërimor krejtësisht artificial synonte t’i paraqiste gjitha pengesat, vështirësitë, vonesat, dështimet dhe katastrofat si pasoja jo aq të inercisë, të rezistencës së natyrshme, të gabimeve në parashikime e në vlerësime, të voluntarizmit e të paaftësisë së udhëheqjes, sesa të veprimtarisë armiqësore, ose përpjekjeve të vetëdijshme të armikut për të na penguar; prandaj edhe zgjidhja e situatave kritike të krijuara si pasojë e atyre pengesave e dështimeve do të vinte duke i identifikuar dhe eliminuar këta armiq, ose nëpërmjet ashpërsimit të luftës së klasave. Ligjërimi totalitar shndërrohej kështu në instrument të drejtpërdrejtë të terrorit policor.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin