TREGTARËT E QEJFIT

Ka një pyetje që më mundon, sa herë bie fjala për muzikën e romëve: po në festat e tyre, në dasmat e në gëzimet e tyre, ashtu këndojnë e kërcejnë romët?

Në Ballkan, kjo muzikë është një nga kolonat e unitetit kulturor të gadishullit, së bashku me mungesën e paskajores dhe specat e mbushura; por i përket në të vërtetë një kulture transversale, që nuk ka shumë të bëjë me rrënjët etnike të popujve të atjeshëm, me përjashtim të zhurmave e kundërmimeve mbetur nga shqiptime e gatime të vjetra.

Gjetiu në Europë, muzika e ciganëve e kapërceu me lehtësi hendekun midis kulturës së lartë të salloneve dhe kulturës së mejhaneve, aq sa kompozitorë romantikë të shekullit XIX e morën ndonjëherë si shprehje të kulluar të frymës popullore: që këtej edhe “Vallet hungareze” të Brahms-it, ose “Rapsoditë hungareze” të Liszt-it; edhe të parat edhe të dytat të rrënjosura në muzikën cigane, si surrogato të mrekullueshme të folkut europianoqendror.

Çdo vend ka romët e vet, të cilët është mësuar t’i përçmojë e t’i adhurojë prej shekujsh. Rituali i ahengut ballkanas nuk mund të mendohet pa muzikantin magjyp; sikurse nuk mund të mendohet Spanja pa flamenco-n. Megjithatë, nuk e gjen dot të përbashkëtën midis jazz-it të Django Reinhardt-it dhe fanfarave vrapuese së Goran Bregoviç-it, përveç ndjesisë, së pagabueshme, se të dyja janë, njëfarësoj, muzikë gabelësh

Po çfarë pikërisht?

Të shkulur prej kohësh nga India, romët janë shpërngulur drejt Perëndimit, duke zaptuar disa hapësira sociale jokonvencionale, përndryshe të zbrazëta e të pabanuara e të pabanueshme. Të lëvizshëm dhe të drojtur, të përulur deri në poshtërim dhe megjithatë krenarë si askush tjetër, të nënshtruar dhe të panënshtrueshëm, urbanë por të paurbanizuar, të papunë por të palodhur në ndërmarrjet e tyre, gjithnjë kanë ditur e arritur t’i hapin vend vetes brenda strukturave madhore të qytetërimit dhe të kulturës perëndimore.

Duke u zhvendosur me lehtësi midis kufijve ndarës, pa prona e katandi të tyret por lehtësisht të familiarizueshëm me pronat e të tjerëve; sa të dallueshëm për nga ngjyra e errët e lëkurës aq edhe të padukshëm për nga zakonet nokturne dhe popullimi i djerrinave sociale, ciganët me kohë bartën e transportuan poshtë e lart gjithfarë elementesh e trajtash të kulturave me të cilat kishin rënë në kontakt, duke ndihmuar, me mënyrën e tyre, në krijimin e disa tipareve të përbashkëta që sot ndonjëherë na duken primordiale.

Ashtu do të ketë ndodhur edhe me muzikën… Këngët e jevgjve, pa të cilat nuk bëjmë dot në Shqipëri e gjetiu në Ballkan e deri tutje në Anadoll, nuk janë këngë të jevgjve; sepse ajo muzikë u drejtohet të tjerëve, gaxhojve të gatshëm për të paguar qejfin. Është muzikë e detyruar për t’u pëlqyer; distilat i përsosur efektesh joshëse të menjëhershme; gjuhë universale emocionesh dhe shqisash.

Kultura e romëve do marrë, në një kuptim, si nënprodukt i kulturave pritëse – duke përfshirë këtu edhe specializimin e tyre si muzikantë virtuozë, këngëtarë e valltarë, fallxhorë e prestidigjatorë cirku, zbutësh arinjsh, akrobatë e kujdestarë kuajsh, trafikantë çikërrimash e kasnecë midis së mirës dhe së keqes, të ligjshmes dhe të paligjshmes, të bardhës dhe të zezës; ose artistë në kuptimin inferior, mesjetar të fjalës; shërbëtorë të dëfrimit, vegla për të kënaqur pasionet materiale të një publiku vulgar.

Prandaj nëpërmjet një melodie tipike të tallavës shqiptare, dëgjuesit do t’i fanitet edhe dëshpërimi oriental i Anadollit e i shkretëtirës arabe, së bashku me ritmet e folkut shqiptar dhe shkallët e muzikës kishtare bizantine; sepse muzikanti rom nuk i jep publikut të vet veçse një pasqyrë për të parë veten, ose një kondensat të mirëfilltë të dëfrimit; arti, tradicionalisht, ka qenë për të një armë mbijetese, jo ndonjë mënyrë sublime për t’iu afruar Perëndisë, ose vetvetes, ose Tjetrit.

Edhe vetë përshoqërimi, sot gjithnjë e më obsesiv, i muzikës popullore urbane me dëfrimin, nuk mund veçse t’i ndihë suksesit komercial të kësaj muzike; sepse ky është pikërisht funksioni i saj, kjo është shkuesia e saj: të sjellë kënaqësi e ta mbajë zjarrin e qejfit të ndezur deri në fund të ritualit.

Muzikantët romë mbeten tregtarë të thekur të qejfit kolektiv.

Natyrisht, kur raportet e muzikës me qejfin vijnë e bëhen ekskluzive, do të ketë njerëz që të ndihen keq, sikurse të tjerë do të ndihen të fyer; dhe nuk e kam fjalën këtu për ata që janë në gjendje të dallojnë një valle hungareze të Brahms-it nga një valle, njëlloj hungareze, e Bartokut.

E kam fjalën që një shoqëri nuk mund të mjaftohet duke e konsumuar muzikën pasivisht, as duke e përgjithësuar një situatën shumë specifike të ahengut, e duke e transpozuar, bie fjala, në kabinë të veturës ose në iPod.

Kujtoj funksionet e folk-ut të mirëfilltë, etnik e tradicional, i cili ka ditur gjithnjë të bashkëjetojë me jolitë e jevgjve; madje duke i dhënë trajtë kulturës vetë, nëpërmjet kësaj bashkëjetese. Për shembull, kënga polifonike e Jugut, e cila pavarësisht nga konteksti ku konsumohej nuk ka pasur shumë të bëjë me qejfin, si të tillë; madje edhe e kënduar në dasma e raste të tjera të gëzuara.

Ka qenë një mënyrë sakrale për të riprodhuar grupin; njëkohësisht teatër dhe meditim transhendental – ose një mënyrë e sprovuar për të perceptuar përbashkësinë.

Mirëpo folklori, si në muzikë si gjetiu, s’e përballon dot modernizimin; komercializohet, përfundon i konfeksionuar për turistët, balsamoset në arkivat e akademive, nuk shijohet më, por vetëm disektohet në tryezat mizore të studiuesve.

Përkundrazi, muzika rome i kacavaret nga prapa me shkathtësi të madhe trenit të progresit teknologjik; sepse i përket një tipologjie të ndryshme nga folku i mirëfilltë: ushqehet nga dëshira lakuriqe e publikut, jo nga ndonjë nevojë sakrale, prandaj nuk mbetet kurrë pa frymë.

Pa qenë mirëfilli etnike, arrin ta mbajë në këmbë iluzionin e etnikes. Burra të sertë e mustaqelli, që betohen ditë e natë për flamur, përloten e përjargen e përqafohen me njëri-tjetrin, duke iu dorëzuar sharmit të një gërnete, ose një vajtimi sentimental glissando.

Pa qenë folklorike, e shpreh esencën e folklorikes më mirë se Festivali i Gjirokastrës; sepse i ka të gjitha ato tipare të cilat ne, urbanët, i presim prej folklorit: komunikimin, trullosjen, pandërmjetësinë, premtimin për autenticitet.

Çka i ndodhi para 150 vjetësh Brahms-it e Liszt-it, po i ndodh sot publikut në masë; ndoshta edhe për shkak të pështjellimit që e ka përfshirë Ballkanin pas 1990-ës, ose ciganizimit social, zhvendosjeve masive të popullsisë drejt periferive urbane, anomisë, thjeshtimit të eksperiencave.

Si edhe herë të tjera, romët janë treguar më të shkathëtit për t’i mbijetuar, me mënyrat dhe modestitë e tyre, kaosit total.

Në pamundësi për të përhapur genet e tyre, po përhapin të paktën memet; ose ato njësi virale informacioni, që gjallojnë e riprodhohen tashmë pa u ndërmjetësuar prej romëve vetë. Si dje me flamenco-n spanjolle, bolero-të e violinat klezmer të hebrenjve të Europës lindore, sot muzika rom mbijeton e përcjellë edhe nga muzikantë joromë; duke u larguar edhe më tepër nga një autenticitet që ndoshta nuk e kish pasur kurrë.

Po a ka vërtet një muzikë rom, përtej stilizimit absolut, kullimit të frazës muzikore, homogjenizimit dhe themelimit të krejt konceptit interpretativ mbi idenë e joshjes së publikut?

Intuita të thotë po, sepse cili vesh do të gabonte, qoftë edhe për një çast, për të dalluar një kitarë flamenco, ose një trumpetë nga ato të ciganëve të Kusturicës?

Mirëpo muzikologu që nis të qëmtojë influencat në muzikën rome, të themi, në Shqipëri e që zbulon, bie fjala, jo vetëm nënshtresat e muzikës turke-arabe, ose elementet shqiptare e greke; por deri edhe shartime të vona nga filmat indianë musical, si Raj Kapuri, ka të drejtë të turbullohet e ndoshta të mbetet pa gjumë.

Muzika rome si sintaksë influencash heterogjene, ose saldim i përkryer huazimesh, ose jetëshkrim sintetik i vetë nomadizmit rom e i gatishmërisë së tyre për t’iu ofruar popujve të tjerë jo si popull, por si profesion?

Ose, më mirë akoma, si kremtim sado ironik i një mënyre të qeni, ose stili të kulluar ekzistence?

Si popull, romët u kanë rezistuar persekutimeve, nëpërkëmbjeve, varfërisë, dëbimeve, shfarosjeve; sikurse u kanë rezistuar epidemive, motit të ashpër, përmbytjeve… Njëkohësisht primordialë dhe të sofistikuar, kanë ditur ta përcjellin brez pas brezi, edhe pse të mbajtur të fshehtë, sekretin e mbijetesës. Nëse në këtë proces kanë përfunduar në një mozaik marramendës të kulturave me të cilat janë ushqyer, kjo nuk ua zvogëlon aspak lavdinë e të mbijetuarit, as të drejtën e autorit mbi stilin cigan të të jetuarit – ose këtë metaforë universale të të qenit artist.

Megjithatë, pyetjes në krye, nëse romët këndojnë e kërcejnë evgjitërisht në festat dhe ceremonitë e tyre, nuk i përgjigjem dot.

4 Komente

  1. wow..xhaxha shume bukur e ke shkruar.e lexova me nje fryme them dhe nuk e egzagjeroj aspak.une jam simpatizante e kultures se tyre dhe muzikes ne pergjithesi dhe kisha kohe qe doja te shkruaja diçka..ky shkrimi ketu eshte tamam si sinteze e tere kerkimeve te mia..me kenaqe vertet..te falenderoj shume.
    une pikerisht per kete mbijetese i vleresoj shume romet.po ashtu dhe pak rendesi kane arsyet pse kane arritur ne fazen ku jane , une çdo grimce te kultures dhe artit te tyre e gjej shume te veçante dhe interesante..

  2. Jam shume dakord. Madje ne nje fare menyre mund te thuhet qe karakteri nomad i kultures rome dhe i kultures cifute, eshte prezantimi me elokuent i nje tregu global, me gjithe karakteristikat e ketij ketij tregu, ku kontradiktat me te fuqishme te tij arrihen midis nje toke absolutisht te premtuar dhe mungeses absolute te shtepise.

  3. E lexova me kureshtje këtë shkrim aq elegant.
    Këto ditë në Itali po merren masa që t’i zbojnë nga barakat që atë ndërtojnë, ndoshta i ke lexuar kronikat e fundit dhe ngjarjen në Romë, ku një grua gjeti vdekjen. Askush nuk i do edhe pse Brukseli para disa vitesh i vëndosi kushte Rumanisë që t’i trajtonte me të njëjtat të drejta si qytetarët e tjerë, me qëllim që ajo të hynte në Europën e civilizuar. Dhe kur lexon dekretet e fundit në Itali për të “shporrur” romët, nuk di se çfarë të mendoj.
    Sidoqoftë bravo për analizën.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin