KAPENI SKIZOFRENIN!

Krimi i rëndë i kryer këto ditë në Peshkopi, ku një i sëmurë mendor, Shpëtim Ziza, vrau një fëmijë 10-vjeçar, u dha edhë një herë mundësinë mediave të Tiranës ta ngasin biçikletën pa duar.

Alarmi, 6 mijë skizofrenë të lirë: me këtë titull hapet sot Gazeta “Shekulli”, duke ia ngritur monumentin padijes, madje idiotizmit kolektiv në leximin e raporteve midis sëmundjes mendore, krimit dhe lirisë individuale.

Ideja e këtij titulli të shëmtuar është se skizofrenëve iu dashka privuar liria, në emër të mbrojtjes së popullatës nga krimi; ide që bashkëtingëllon bukur me klimën e histerisë kolektive të krijuar në turmat, pas zhurmës që po bëhet, nga të katër anët, për “skizofreninë” e Shpëtim Zizës.

Pas kësaj ideje fshihet edhe një ide tjetër: se skizofrenët njëfarësoj janë të predispozuar për të kryer krime.

Shkruan Eglantina Bardhi:

I sëmuri me precedentë, Shpëtim Ziza, vrasësi i djalit 10-vjeçar nga Peshkopia duhej të mbahej i izoluar. Ky është mendimi i mjekëve psikiatër të Tiranës, të cilët theksojnë se persona të tillë janë shumë të rrezikshëm ndaj shoqërisë, ndaj dhe nuk duhen neglizhuar.

Dhe më poshtë:

“Sigurisht që mbi të sëmurët mendorë nuk mund të realizohet një kontroll absolut, por depistimi i popullatës do të ishte me efekte të dobishme për shëndetësinë”, pohojnë mjekët psikiatër. Ndërkohë ata shpjegojnë se skizofrenët në shumë raste janë të dhunshëm dhe kërkojnë trajtim special nga staf i kualifikuar, pasi ata mund të jenë protagonistë të ngjarjeve makabre.

Mirëpo pohimi se skizofrenët në shumë raste janë të dhunshëm nuk ka asnjë kuptim: ç’do të thotë “në shumë raste”? Lexuesi i zakonshëm do të gjejë në këtë pohim sugjerimin, sado të fshehtë, se skizofrenia dhe krimi janë bashkudhëtarë, ose që përqindja e skizofrenëve që kryejnë krime është më e lartë se ajo e popullatës në përgjithësi.

A është e vërtetë kjo?

Edhe pse psikatrit nuk kanë ende një mendim unanim për këtë çështje, duket se skizofrenët vërtet janë disi më të dhunshëm sesa mesatarja e popullatës. Megjithatë, dallimi statistikor është i tillë që nuk mund ta përligjë stigmën që u vë skizofrenëve “Shekulli”! Aq më tepër që sot skizofrenët mund të mjekohen dhe të qetësohen, pa qenë nevoja të institucionalizohen në mënyrë kronike, ose të hiqen nga qarkullimi.

Skizofrenia është sëmundje e rëndë; por më shumë për skizofrenin vetë, meqë e bën relativisht të paaftë për të funksionuar në shoqëri; sikurse është e rëndë për familiarët e skizofrenëve, të cilët e përjetojnë sëmundjen ndonjëherë edhe më dramatikisht se të sëmurët vetë.

Në Shqipëri ka gjashtë mijë skizofrenë, thotë “Shekulli”; por duke harruar të specifikojë se nga këta gjashtë mijë qyqarë, vetëm një përqindje jashtëzakonisht e ulët është e predispozuar për agresivitet, dhunë dhe sjellje kriminale ndaj të tjerëve. Shto këtu edhe që publiku, në përgjithësi, e përdor termin skizofreni si etiketë të përgjithshme për t’ua ngjitur në ballë të gjithë atyre që “nuk janë në rregull”, për të kuptuar se ky lloj reagimi do t’ua rëndojë gjendjen të sëmurëve mendorë në Shqipëri, dhe jo vetëm atyre që janë diagnostikuar mirëfilli si skizofrenë.

Shto këtu edhe që diagnostikimi i skizofrenisë, në vetvete, është i vështirë; në një kohë që mjekimi ambulator i çrregullimeve mendore të asaj natyre pak a shumë është standardizuar; barnat janë të sigurta, funksionojnë mirë dhe arrijnë t’i kufizojnë me sukses çrregullimet kryesore të skizofrenëve: halucinacionet auditive dhe vizive, interpretimet obsesive, paranojën dhe shpërfilljen ndaj normave sociale (pastërtia, mirësjellja, seksualiteti).

Shpjegon “Shekulli”:

Këta të sëmurë qarkullojnë lirshëm në komunitet duke u bërë shpesh burim ngjarjesh makabre.

Shpesh? Përsëri pyes: me ç’përgjegjësi lëshohen dokrra të tilla të qarkullojnë lirshëm? Vallë do t’u faturohet skizofrenëve e të sëmurëve mendorë në përgjithësi rritja e kriminalitetit në Shqipëri?

Në të vërtetë, edhe ky lloj reagimi është skizofrenik në vetvete, sepse mbështetet në një lexim të gabuar të realitetit. Krimi i skizofrenit shqetëson veçanërisht sepse arsyet që e çojnë skizofrenin në krim zakonisht nuk mund të kuptohen; opinioni publik e ka më të lehtë të pranojë një vrasje për xhelozi, ose për kanun, ose për sadizëm seksual, ose për të zhdukur një dëshmitar, ose për të larë hesape mafiozësh, madje edhe për një fyerje ose fjalë goje; sesa shpjegimin që mund të japë skizofreni: “e vrava sepse më kontrollonte mendimet në distancë”, ose “e vrava sepse ai kishte një bombë atomike në xhep.”

Kjo pamundësi për të kuptuar shndërrohet në pafuqi për të kontrolluar, duke na bërë të gjithëve të ndihemi vulnerabël. Nëse demi sulmon pëlhurën e kuqe, mund të vishemi me të zeza; nëse një maniak sulmon gratë në metro, burrat mund të ndihen të qetë; nëse në një rrugë të sulmojnë natën, mund të kalosh në një rrugë tjetër…

Po si mund të reagojë shoqëria ndaj një skizofreni që njihej si i dhunshëm, si Ziza?

Citoj nga “Shekulli”:

Gjykata e ka liruar 3 herë rresht vrasësin Shpëtim Ziza, pas arrestimeve të tij nga policia”, ka qenë reagimi i Nishanit për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Peshkopi. Sipas ministrit të Brendshëm, vrasja është tregues i korruptimit të segmenteve në sistemin e drejtësisë, që pavarësisht faktit se autori i masakrës ishte arrestuar 3 herë që nga viti 2004, për vepra të ndryshme penale, ai gjithsesi ka rifituar lirinë, falë raporteve mjekësore.

Tani, krimi përbën shkak për ndjekje penale njëlloj sikurse sëmundja përbën shkak për mjekim; nëse Ziza ishte skizofren, atëherë përgjegjësia mund t’u vihet strukturave që ishin përgjegjëse për mjekimin e tij të detyruar, ose rehabilitimin e tij sado të pjesshëm.

Përkundrazi, të shfrytëzosh historinë personale të Zizës për të bërë thirrje që skizofrenët të institucionalizohen do të thotë të krijosh probleme të rënda për shumicën e të sëmurëve mendorë që nuk janë aspak të predispozuar për krim; familjarët e tyre; dhe vetë institucionet e shëndetit mendor në Shqipëri.

Eksperienca botërore tregon se krimet e të sëmurëve mendorë nuk mund të parashikohen; sikurse tregon që mjekimi jep rezultate edhe në parandalimin e tyre. Për këtë arsye, është mirë që çështje të tilla të trajtohen në mënyrë individuale, jo duke përplasur statistika në faqe të parë të gazetës…

 

10 Komente

  1. Rose e bardhe, edhe nje tjeter rose e bardhe, tha, edhe nje tjeter, tre rosa te bardha, rrjedhimisht, te gjitha rosat jane te bardha. Edhe njehere, kjo shkon drejt nevojes imediate te shkences per nje diskurs me metodik, me induktiv, me Baconian. Fatkeqesisht, gjeneralizimet absolute te medias ne kete mes nuk bejne vecse ate qe krijojne panik. E paniku blehet, nuk kane faj.

  2. Rreziku i këtyre fushatave mediatike është se i fryjnë zjarrit të diskriminimit. Pasi publiku fryhet me pilula urrejtjeje dhe frike, si zor t’i kuptojë dallimet e shumta të sëmundjeve mendore. Turma nuk ka kohë të humbasë në arsyetime. Turma është aktive, e djegur për veprim, mundësisht shkatërrimtar. Kjo çon gjithashtu edhe në rrezikun e një reagimi instiktiv nga institucionet, të njëjtat që nuk ia varën skizofrenit Shpëtim Ziza, përsa i përket terapive të duhura që duheshin ndërmarrë në kohë. Për fat të keq, çmendinat tona kanë qenë dëshmitare të shumë gabimeve në këtë fushë. Pavarësisht se flasim për një kohë tjetër, kur politika e përdorte 17-tën edhe për arsye jashtë-shëndetësore.

    Personalisht jam larg qëndrimeve tejet-liberale, që duan t’i eliminojnë spitalet psikike nga faqja e dheut. Duke i konsideruar si çnjerëzore. Në qoftë se ka pasur të tilla, mund të rregulloheshin duke krijuar kushte normale, si në çdo spital me specifikat e veta, dhe duke përditësuar kuadrin juridik. Tek e fundit të sëmurët psikikë ekzistojnë, dhe si të tillë, ata kanë të drejtë të kurohen.

    Mirëpo nuk mund të rri pa folur përballë një kulture në thelb diskriminuese që ndoshta ka ekzistuar gjithnjë në Shqipëri. Unë vetë, kur isha i vogël, kam marrë pjesë sporadikisht në koret sharëse ndaj ndonjë të sëmuri psikik që sillej në mëhallë. Silleshim si kundrejt gjelave të detit: u fishkëllenim ose bërtisnim për të parë reagimet e tyre. Atëherë argëtoheshim, sot skuqem nga turpi. Porse më kujtohet se konteksti social i atëhershëm nuk është se na izolonte neve që na dukej vetja më inteligjentë, as na bënte të ndiheshim me faj, edhe pse personalisht e kuptoja se po bëja diçka të pistë. Sistemi social i asaj kohe parapëlqente t’i izolonte të sëmurët psikikë. Praktikisht pozicioni i përkundërt i atyre që sot nuk duan t’i pranojnë çmendinat.

    Kam përshtypjen se leva për të ngritur peshë opinionin publik ndaj krimeve të skizofrenëve mbështetet edhe në kulturën “puriste” që fryn jo rrallë nga anët tona. Nuk po e teproj, pavarësisht se do shpresoja të ishte ashtu.

  3. Xhaxhai me siper shkruan:

    “Skizofrenia është sëmundje e rëndë; por më shumë për skizofrenin vetë, meqë e bën relativisht të paaftë për të funksionuar në shoqëri; sikurse është e rëndë për familiarët e skizofrenëve, të cilët e përjetojnë sëmundjen ndonjëherë edhe më dramatikisht se të sëmurët vetë”.

    Kjo eshte me se vertete sepse ne pallatin ku kam jetuar kishim nje familje shume te mire qe kishin nje djale skizofren dhe qe jo rralle here kthehej teper violent duke rrahur te gjithe ata se bashku dhe me pas thyente te gjitha xhamat e apartamentit. Famlija te nesermen e sherrit nuk dinte se ku ta fuste koken. Kjo ndodhte jo shpesh por qe per ta ai ishte nje i vdekur qe merte frymen te gjithe antareve te tjere te shtepise. E shtronin dhe me pas e nxirrnin te damllakosur ne Haloperidol qe e qetesonte disi’.

    Mendoj se ashtu si ne shume aspekte te tjera te jetes tone ne vend, kjo eshte pjese vemendjes se shoqerise dhe detyre e mjeksise qe te identifikoje dhe diagnostikoje si duhet kete kategori dhe jo ta lere ne meshire te gjyqesorit dhe familjes qe pa dyshim djalin e tyre te semure nuk do ta shohe pas kangjellave te burgut.

  4. “Zhdukja” e familjes Ziza nga Peshkopia me kujton fatin e hidhur te semureve mendore ne SHBA pas normativave qe u frymezuan nga mendimet ‘liberaliste’ qe permendi Pishaku. Rezultati ne pergjithesi ishte nje shperngulje masive nga spitali ne rruget e qoshet e metropoleve; sa sot, te semuret mendore perbejne 1/3 e popullsise te te pastreheve, c’ka e ben te pamundur mjekimin dhe kujdesjen per ta. Çinstitucionalizimi eshte shendrruar ne transinstitucionalizim ku te semuret perfundojne here ne burg, ne spital, ne strehe te përkohshme publike dhe rrugeve ose metrove.
    Nuk jam ne dijeni sa e ngjashme eshte situata ne Shqiperi ku lidhjet familjare jane akoma te forta, por shperngulje te tilla nuk jane nje shenje e mire as per te semurin e as per familjen. Gjendja e mjerueshme e sherbimeve ne Shqiperi dhe neglizhenca ndaj te semureve mendore mund te shnderrohet ne katastrofe nese skizofrenia eshte vertete ne rritje sic sugjeron artikulli te “Shekulli”. Shpresoj qe ky rast t’u sherbeje organeve perkatese si nje shans per t’i kushtuar vemendje situates pertej lojerave mediatike dhe vizitave ngushelluese te politikaneve.
    Do doja te di reagimin e OJQ-ve deri tani, nese dikush ka patur mundesine ta ndjeke nga afer kete ngjarje.

  5. Më thanë sot, nga Shqipëria, se mjeku që e kish vizituar Zizën kish dalë në TV për të shpjeguar se ky nuk ishte skizofren, por një qyqar me prapambetje mendore, që vuante edhe nga kriza konvulsive. Nuk është se kjo do t’i sjellë ndonjë lehtësim familjarëve të viktimës, as do t’i qetësojë të gjithë ata që po bëheshin gati të marshonin kundër skizofrenisë shqiptare; por gjithsesi të bën të mendosh se çfarë roli të pahijshëm po luajnë mediat, në përpjekjet e tyre për të trembur njerëzit me budallallëqe. Të sëmurët me prapambetje mendore nuk mund të dënohen, sepse janë ligjërisht të papërgjegjshëm e nuk e kuptojnë as vetë konceptin e krimit; por kanë nevojë për vëmendje e kujdes të vazhdueshëm nga ana e institucioneve. Parrulla e shpjegoi mirë se politikat kinse liberale dhe antipsikiatrike vetëm sa çojnë në zhvendosje të përgjegjësive; meqë disa invalidëve shoqëria gjithnjë do të duhet t’u shërbejë (me përjashtim të rasteve kur vendos t’i shfarosë); çështja është se kujt do t’i faturohet kostoja njerëzore dhe financiare e kujdesit. Tradicionalisht, për “budallanë e fshatit” kujdesej gjithë fshati si komunitet; por në një mjedis qytetar edhe kujdesi specializohet dhe profesionalizohet – çka nuk do të thotë, megjithatë, se dikush duhet të pasurohet nga kjo veprimtari, në emër të privatizimit dhe të ekonomisë së tregut, përndryshe “nuk bëhet”. Prapambetja mendore vërtet nuk mund të shërohet, por agresiviteti i këtyre të sëmurëve mund të mbahet në kontroll, qoftë me barna qoftë me terapi të tjera (punë, lojëra, shëtitje, vizatim); çka nuk është as përgjegjësi vetëm e mjekëve, as përgjegjësi e organeve të rendit, por e një institucioni të ndërmjetëm. Nuk i kërkojmë dot mjekësisë të kurojë problemet sociale, edhe pse shumë sëmundje e kanë të fortë impaktin social, përveç vuajtjeve që u shkaktojnë të sëmurëve vetë. Sëmundjet mendore i përkasin kësaj kategorie. Nëse një i sëmurë me prapambetje mendore, për më tepër i zhvilluar mirë fizikisht, bëhet agresiv dhe nis të kërcënojë të tjerët, atë nuk mund ta pengojnë as familjarët, as forcat e rendit; të parët sepse nuk munden, të dytët sepse personi në fjalë është i papërgjegjshëm dhe gjykatësi, me të drejtë, do t’ia heqë menjëherë masën e arrestit, edhe sikur të ketë rrahur njeri ose dëmtuar prona publike e private. Shoqëritë moderne sot nuk i institucionalizojnë më këta të sëmurë përveç rasteve më të skajshme, sepse munden t’i mbajnë në kontroll me mënyra më njerëzore e ndoshta më efikase e më pak të dhimbshme për të gjithë; në kuptimin që gjetiu zbrazja e çmendinave dhe e azileve psikiatrike është shoqëruar si rregull me një forcim kompensues të strukturave të ndihmës ambulatore dhe formave të tjera të ndërhyrjeve social-terapeutike. Përkundrazi, Ziza dhe të tjerë si Ziza në Shqipëri janë lënë në mëshirë të fatit nga institucionet, dhe kostoja njerëzore e kontrollit ndaj tyre i është kaluar, tinëzisht, publikut. Për fat të keq, kujtohemi për këto gjëra vetëm atëherë kur si rezultat i këtyre transaksioneve vjen vdekja e ndonjë të pafajshmi.

  6. “Budallai i fshatit” është kategori interesante. E kush nuk e ka pasur një të tillë në lagje apo në fshat? Mirëpo brenda kësaj kategorie ekzistonin nënkategori të tjera, që vareshin nga i sëmuri vetë. Ata me sëmundje mendore të lehta, ose me thjesht me handikape të lindura, trajtoheshin me mirëkuptim nga mëhalla, fisi ose fshati vetë. Madje grupet e ndryshme, shokët e mëhallës p.sh., shpeshherë merrnin qëndrime paternaliste ndaj tyre. Ndonjëherë i linin në portë si portierë dhe kur hanin ndonjë gol kot së koti nuk i qortonin, përkundrazi u shpupurisnin flokët me dashamirësi.

    Të sëmurë të tjerë mendorë, kryesisht ata që njiheshin si të dhunshëm, trajtoheshin me frikë dhe izoloheshin nga të gjithë. Ndonjëherë këta edhe cyteshin pa të drejtë.

    Fakti është se sot familja shqiptare që ka probleme të tilla është zhytur në vetmi. Shteti nuk i ndihmon të përballojnë hallin e madh që u ka rënë, fisi bën sikur nuk shikon se ka problemet e veta, mëhalla nuk interesohet më sepse nuk ekziston: është mbytur në ujërat e individualizmit.

  7. Përndjeshmimi i opinionit publik nga emisione televizive të tilla si “Top Story” po jep menjëherë rezultatet e duhura. Siç njofton sot hareshëm gazeta “Albania”, me një titull që të kujton heroiken “Zëri i Popullit” të viteve 1970:
    Shendetsia dhe Drejtesia, aksion per mbledhjen e te çmendurve

    Drejtesia me ne fund vendosi te dergoje ne qendrat e specializuara mjekesore te semuret mendore qe perbejne rrezik per shoqerine.

    Thotë artikulli në hapje, thuajse këto qendra mjekësore të specializuara për trajtimin e të sëmurëve mendorë që përbëjnë rrezik për shoqërinë përnjimend ekzistojnë!
    Megjithatë, duke lexuar aty-këtu nëpër tekst, krijojmë një ide se kush ua ndez fitilin këtyre minave shëtitëse të rendit publik:

    Drita Mishtaku, e kartelizuar si e semure mendore prej vitesh, tri dite me pare tentoi te vriste nje femije ne fshatin Daullas te Komunes se Libofshes per shkak te ofendimeve dhe venies ne loje qe i kishte bere 10-vjeçari. Teksa po tentonte te mbyste te miturin, ka nderhyre nje punonjes policie. Por efektivi i policise ka rene viktime e saj, pasi eshte qelluar me mjete te forta ne koke. Polici eshte plagosur rende.

    Një dhjetë-vjeçar (moshë delikate) ofendon dhe vë në lojë një grua të sëmurë mendore – ndoshta drejtësia me të drejtë po e largon të mjerën grua nga një mjedis kaq armiqësor! Ndërkaq…

    Prej kohesh, psikiatret kane dhene alarmin per numrin ne rritje te personave me probleme mendore. Sipas studimeve te bera dhe te publikuara vitin e kaluar, rreth 25 per qind e shqiptareve vuajne nga çrregullimet mendore apo sjelljet depresive, te cilat po shtohen me ritme mjaft te larta ne Shqiperi.

    Edhe pse shprehja “sjelljet depresive” nuk ka kurrfarë kuptimi, përsëri kuota 25% më duket pak e lartë; sikurse nuk më besohet që “çrregullimet mendore të shtohen me ritme mjaft të larta në Shqipëri”…

    Te dhenat e Ministrise se Shendetesise tregojne se 25 per qind e pacienteve qe shkojne te mjeku i familjes shfaqin probleme mendore.

    Tani, ky 25%, besoj unë, nuk ka shumë lidhje me të parin – sepse jo të gjithë shqiptarët shkojnë te mjeku i familjes. Po cilat të jenë, gjithsesi, shkaqet e shtimit të çrregullimeve mendore?

    Stresi, ankthi, pasiguria per jeten, pesimizmi, mungesa e kontrollit, mungesa e organizimit te jetes, meditimi i tepruar, si dhe problemet ekonomiko-sociale jane disa prej problemeve me kryesore qe po shkaterrojne trurin e shqiptareve.

    Meditimi i tepruar?

    Ne rang vendi, sipas te dhenave nga raportet shendetesore, nje ne kater familje ka nje person me probleme mendore ne shtepi.

    Ja edhe një tjetër manifestim i 25%-shit fatal – i treti në artikull.
    Po qendrat e specializuara mjekësore ç’bëjnë në këtë situatë? Pse nuk angazhohen edhe ato në aksion me shokët?

    Para pak kohesh, gazeta “Albania” percolli shqetesimin e mjekeve te Spitalit Nr. 5 te cilet ankohen se jane te kercenuar nga pacientet e tyre.

    Bir Selman i nënës, tha.

  8. Sot gjej në “Shekulli”, brenda një lajmi të kronikës së zezë që bën fjalë për një “tjetër” incident me një të sëmurë mendor në një fshat të Beratit, pohimin e mëposhtëm:

    Sipas policisë, kohët e fundit janë shtuar shumë rastet e dhunës nga të sëmurët mendorë, që për shkak të kartelës mjekësore nuk mbahen dot në komisariat. “I dërgojmë në spital, por pas disa ditësh ata kthehen sërish në shtëpitë e tyre” – thonë burimet policore. Sipas tyre, në harkun kohor të dy vjetëve janë shënuar 2 viktima nga të sëmurët psikikë. Një vit më parë, në fshatin Dushnik një i sëmurë psikik vrau vëllanë e tij, 63-vjeç; një tjetër i sëmurë masakroi babanë e tij, duke i sjellë disa fraktura, si dhe tre të sëmurë mendorë gjatë këtij viti kanë djegur banesat e tyre dhe të vëllezërve.

    Lajme si ky më konfirmojnë se tashmë mediat janë molepsur nga virusi memetik i mëposhtëm:
    1. Të sëmurët mendorë janë vetvetiu të dhunshëm, kur lihen në kontakt me popullatën.
    2. Të sëmurët mendorë duhen izoluar, por organet e drejtësisë janë të korruptuara, prandaj i lirojnë menjëherë me pretekstin se janë të papërgjegjshëm.
    3. Edhe në ato raste kur dërgohen në spital, të sëmurët lihen të lirë pas pak kohësh, sepse edhe organet e shëndetësisë janë të korruptuara.
    4. Po të mos vihet nën kontroll, dhuna prej këtyre të marrëve, në shtim të pakontrolluar, do ta paralizojë shoqërinë shqiptare.
    5. Shteti dhe qeveria të marrin masat përkatëse.
    Po a ka ndonjë bazë pohimi se “rastet e dhunës” prej të sëmurëve mendorë janë shtuar shumë? Megjithë ekzagjerimin në perceptim, për shkak të zallahisë në mediat, shtimi i incidenteve të dhunshme nga të sëmurët, nëse ka ndodhur vërtet, është shenjë e trishtuar e një shoqërie në shthurje e sipër, ku njerëzit vijnë duke i humbur lidhjet horizontale me njerëz të tjerë, dhe komuniteteve vjen duke iu shterruar kapitali social. Të sëmurët mendorë janë simptomë e shthurjes sociale jo shkak i saj; dhe të shpresosh që problemet do të zgjidhen me mbylljen e tyre në hekura spitalesh të detyruara është njëlloj si të shpresosh se kanceri mund të kurohet me aspirina.

  9. Duke iu kthyer edhe një herë shqetësimit për shtim të veprave shoqërisht të rrezikshme prej të sëmurëve mendorë, që i bashkëlidhet konstatimit për shtim të sëmundjeve mendore ndër shqiptarët, kam përshtypjen që ky shqetësim, edhe pse i amplifikuar nga mediat dhe sidomos nga manipulimi i publikut prej mediave – në kuptimin që fryma e lajmeve, ose dëshira për të vënë një farë rregulli në kaos, e shtyjnë publikun, madje e stërvitin për të vënë re si të reja disa gjëra të cilat në të vërtetë ekzistonin edhe më parë – e ka edhe një bazë sociologjike, e cila meriton vëmendje. E kam fjalën që sjelljet e dhunshme prej të sëmurëve mendorë, skizofrenëve e psikotikëve, ose të tjerëve me prapambetje mendore e dëmtime organike të trurit, janë një simptomë e diçkaje që nuk shkon me shoqërinë shqiptare, e që më lart e pata identifikuar si ulje, ose shterrim të kapitalit social. Normalisht, brenda një komuniteti, i marri është pjesë përbërëse e tablosë së sendeve, dhe nuk mund të dalë jashtë kontrolli, as të gjendet në rrethana të tilla ku të tundohet për të ushtruar dhunë të zakonshme ose seksuale, për shkak të mbikqyrjes prej të tjerëve. Përsëri normalisht, një i marrë që do t’i afrohej një vajze në fshat për ta ngacmuar do të pikasej menjëherë nga të tjerët rretherrotull, të cilët do ta dëbonin pa ceremoni. Kush i kujton mëhallat ku jemi ritur, do ta ketë parasysh për çfarë e kam fjalën; dhe pikërisht për monitorimin e pandërprerë të jetës publike nga të pranishmit, ose nga komuniteti – në kuptimin që i jep Jane Jacobs këtij koncepti. Në mëhallën time askush nuk do të guxonte t’i ngacmonte gocat e vogla që luanin me peta në trotuar; sepse menjëherë do të vinin kujën plakat nga dritaret, pastaj do të dilnin në rrugë burrat që nga hijet e oborreve ku luanin me letra ose pinin, ose furrxhiu nga furra ku piqeshin tavat e drekës, ose këpucari nga dyqani i vet i rrëgjuar. Edhe të marrët më të pashpresë e të papërgjegjshëm, njëlloj si qentë e rrugëve ose korbat ose maçokët hajdutë, i kishin të qarta kufijtë që u vendoste komuniteti, dhe nuk guxonin t’i shkelnin, sepse edhe ata, njëfarësoj, e ndjenin veten mirë në mjedisin e kontrolluar të mëhallës. Sot, përkundrazi, këto struktura janë shkoqur, prej lëvizjeve të popullsisë dhe sidomos për shkak të emigrimit drejt qyteteve ose jashtë Shqipërisë, i cili ka prekur kryesisht djemtë dhe burrat, ose “ruajtësit e rendit” në këto komunitete. Janë të panumërt fshatrat që kanë mbetur me fare pak burra, çka sjell një zhbalancim serioz në strukturat sociale; sepse vetëm pleqtë dhe fëmijët nuk mjaftojnë për ta mbajtur kapitalin social funksionues. Nga ana tjetër, lufta dëshpërimtare për t’u pasuruar, ose alternativisht për të mbijetuar, i ka izoluar familjet dhe individët, sidomos në rrethanat kur në shumë mëhalla të reja njerëzit nuk e njohin njëri-tjetrin, sepse sapo janë vendosur aty. Njerëzit edhe atje po mësohen ta monitorojnë mjedisin rrethues tërthorazi, nëpërmjet televizionit; asgjë që ndodh nuk regjistrohet si reale, pa u përpunuar më parë në ekran.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin