SHQIPJA TOTALITARE (XI)

Komunistët e kanë pasur gjithnjë një histori dashurie me dritën, duke u paraqitur në skenë të historisë si vazhdues të natyrshëm të iluminizmit dhe zbatues të bindur të diktatit të Arsyes.

Punë-punë natë e ditë, që të shohim pakëz dritë, këndonte Naimi ynë i Rilindjes, siç na e kujtonte me këmbëngulje mekanike edhe çdo kapak i brishtë fletoreje shkollash, poshtë tabelës së shumëzimit. Ishte po ky Naim që e kish përfytyruar veten si qiririn burim të një drite sa delikate aq edhe njerëzore.

Një humnerë vitesh e përfytyrimesh do ta ndante qiririn naimian me Shqipërinë fanar ndriçues në brigjet e Adriatikut: si në një rast, ashtu edhe në tjetrin drita ishte kryemetaforë e diturisë, ose tejçuese e ndriçimit të mendjeve; por flaka e Naimit i ngrohte shpirtrat nga brenda, ndërsa flaka e farit totalitar ëndërronte, delirante, që t’ia kallte zjarrin planetit mbarë.

Socializmi, thoshte Lenini, është elektrifikim plus pushteti sovjetik. Elektrifikimi i vendit, nga regjimi komunist, mbahet e përmendet edhe sot e kësaj dite si një nga sukseset thelbësore të politikave ekonomike të Hoxhës & Co.

Në komunikimin publik elektrifikimi do të manifestohej si ndriçim: në shtëpi të lopçarit, në shkollë të vocërrakëve në majë të malit, në bulevardin elegant natën vonë, poshtë pllakatit proletar në qendër, në një fshat të ripërtëritur anës kufirit me Jugosllavinë. Më pas, edhe hidrocentrali i Fierzës do të pagëzohej “Drita e Partisë”, meqë ideologjia komuniste dhe mësimet e shokut Enver i ndriçokëshin mendjet e njerëzve njëlloj si elektriciteti Shqipërinë materiale (edhe hidrocentrale të tjera mbanin emra “klasikësh” të marksizëm-leninizmit: Lenin, Stalin, Marks, Engels, Mao Ce Dun e, më në fund, Enver Hoxha; këta ishin ndriçimtarët e epokës totalitare, e këtyre ishte drita).

Ashtu, me radhë, njerëzve do t’u shndriste fytyra për fitoret, qytetet do të shndrisnin për festë, e masat punonjëse, nën udhëheqjen e Partisë, do ta bënin natën ditë për të vënë në jetë vendimet historike të këtij apo atij kongresi.

Brenda më pak se një shekull, Shqipëria kish kaluar kështu nga qirinjtë romantikë të Rilindjes në pishtarët e epopeve të luftës, zjarret partizane, fitoret e ndritura e të njëpasnjëshme në luftën e klasave e më në fund, në fanarin ndriçues të rruzullimit.

Dialektikisht drita ishte në luftë me errësirën: dhe pikërisht errësirën e botës së vjetër e të Mesjetës, obskurantizmin fetar, terrin e zakoneve prapanike. Regjimet e vjetra, na thuhej, e kishin lënë popullin në errësirë.

Drita e Partisë ishte instrument i indoktrinimit nëpërmjet edukimit; në krye nëpërmjet shkronjave në letër nën flakën e pishtarëve, më pas në librat e lexuara e të studiuara e të nënvizuara natën vonë, për të kaluar pastaj te zëri i udhëheqësit nga radioja e më në fund tek televizioni, ose kryeagjenti i homogjenizimit ideologjik të Shqipërisë.

Televizioni, ky proksenet i imazhit, ishte pikërisht magjistari që i lypej regjimit për ta shndërruar dritën drejtpërdrejt në propagandë indoktrinuese. Totalitarizmi tashmë do t’i mësynte shqiptarët në dhomat e tyre të ndenjjes, shaluar në kuaj fotonesh.

Edhe në artet dritëhija u kthye në përcjellës, ndonjëherë trashanik, të kundërtive ideologjike: në kompozimet e realizmit socialist, sikurse në pikturat kishtare të Mesjetës, të ligjtë lihen në errësirë, ose të përlyer me tone të hirta e të gjelbra; teksa të mirët paraqiten të larë në dritë, vezullimtarë, pothuajse verbues në virtytin e tyre tokësor.

Përkundrazi, ata artistë që nuk arrinin ta pasqyronin realitetin socialist me optimizmin e duhur, akuzoheshin se e shihnin botën me syze të errëta. Jo më kot një nga veprat më të dënuara për nxirje të realitetit, shkruar nga Dhimitër Xhuvani, mbante titullin elokuent Tuneli.

Në vëmendjen pothuajse obsesive të totalitarizmit ndaj dritës kishte diçka ezoterike, në mos okulte; ndoshta njëlloj frike se mos arsyeja iluministe nuk arrinte ta mbulonte dot krejt me shpjegime enigmën e reales; që ndoshta ishte edhe thjesht frikë nga e përtejmja, ose vrima e zezë e së nesërmes.

Është ironike, në mos e trishtuar, që të flas për metaforizimin e dritës nga ligjërimi totalitar në Shqipërinë e djeshme pikërisht tani, kur e sotmja shqiptare vuan për dritë reale si kurrë ndonjëherë. Megjithë protestat dhe zhurmën në mediat, më duket sikur shqiptarët po mësohen me errësirën, teksa turbinat e hidrocentraleve vijnë e ngadalësohen, mamuthë të ngecur në lyshtrat e lavdisë së tyre të dikurshme; dhe mbrëmjeve të vjeshtës hijet e të heshturve dridhen në muret anembanë, nën dritën e qirinjve të Naimit.

Të thuash që diku po gatiten sërish pishtarët? Apo që drita këtë herë do t’i kthehet Shqipërisë më parë nga brenda?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin