NJERËZIT ATJE

Të thonë: njerëzit atje janë shumë larg këtyre gjërave që të shqetësojnë ty. Nuk kanë drita as ujë, janë të sëmurë e nuk gjejnë dot spital ku të vdesin as parcelë në varreza ku të treten, kanë frikë për fëmijët që po u dalin duarsh, e mbajnë të ndezur ëndrrën për të ikur, jetojnë me sot me nesër, mësohen me varfërinë, urrejnë fqinjin.

Të thonë: njerëzit atje veç duan të fitojnë para e të mburren me njëri-tjetrin për veturat, dashnoret, kravatat, orët e dorës, vilat-kështjella, syzet e diellit, racat e qenve që u kanë dhuruar grave, hotelet në Dubai ku i kalojnë pushimet, kazinotë ku humbin paratë, kazinotë e tjera ku i fitojnë, miqtë e fuqishëm, llogaritë rrjedhëse në bankat e Zurich-ut e të ishujve Caiman.

Të thonë: njerëzit atje e kanë mendjen te Çiljeta dhe Bleona, tek automobilizmi, tek telenovelat, te futbolli spanjoll dhe rap-i prishtinali, dasmat dhe ziafetet, seksi në ndonjë hotel të heshtur, night club-et e diskot, kërpi pas darke, çizmet në vetrinën e dyqanit, një kuturisje qejfi në Turqi ose në Dubrovnik.

Të thonë: njerëzit atje spekulojnë me shtëpitë që blejnë e që shesin, korruptojnë doganierë e ministra, merren me trafiqe, u del gjumi natën për maunet që u kanë mbetur rrugës, nuk lexojnë as libra as gazeta, e kalojnë kohën kafeneve, e vrasin kohën kafeneve, merren me Salën e me Edin, kërkojnë e qëmtojnë pronat, studiojnë tapitë e vjetra e të reja…

Ndoshta vërtet ashtu, por unë e kisha fjalën për qytetarët: specie e rrallë, e kërcënuar me zhdukje, e pafavorizuar nga rrethanat; që mbijeton më mirë në parqet zoologjike imagjinare të mass mediave e të shoqërisë civile, qoftë edhe thjesht si kukull animatronike, figurë karnevaleske, ose shifër e ftohtë analize erudite në gazetë ose traktati sociologjik botuar me fonde fondacionesh fondamentale.

Ose më mirë, e kisha fjalën për atë pakicë e cila ende luan rol aktiv në fatet e Shqipërisë, për mirë ose për keq; meqë pavarësisht nga shijet dhe bëmat dhe mitet dhe kredot e njerëzve atje, është gjithnjë një pakicë që mbetet në kontroll të sendeve e që e sheh rrezikun te pakica tjetër, derisa u vjen radha të ndërrojnë vendet me ose pa dhunë, sipas vendit dhe kuvendit.

Ose edhe më mirë akoma: e kisha fjalën për atë pakicë në të cilën bashkëjetojnë idealizmi dhe maskarallëku total; meqë pushteti, ose shërbimi publik, është një nga ato llampa që tërheq gjithfarë mizash e fluturash – shfrytëzues dinakë, murgj, prostituta, vizionarë, vampirë, hakmarrës, sociopatë, entuziastë, njerëz që duan të shpëtojnë shpirtin, njerëz që duan të shpëtojnë të tjerët, njerëz që i thërret detyra, njerëz që mendojnë për të djeshmen, njerëz që mendojnë për të nesërmen.

Duam apo nuk duam ne që bëjmë sehir nga majët e pemëve, këta janë elita që vendos – teksa të tjerët, njerëzit atje, pa e prishur terezinë vazhdojnë me picat, cicat, çengitë, pantoflat, lavazhet e veturave dhe vizitat e paralajmëruara në floktore.

Këtu vjen në vështrim edhe shqetësimi im për keqpërdorjen e atdhetarizmit ose deformimin ose edhe karikaturizimin e patriotizmit në kitsch patriotik, duke u kushtuar vëmendje të shpërpjesëtuar mënyrës si na shohin të huajt. Unë shqetësohem sepse njerëzit që flasin sot për nevojën e një rilindjeje kombëtare e që, shpesh, marrin pozita mbrojtëse në debatet për kitsch-in patriotik, janë në të vërtetë pakica më qytetare mes pakicave, ose elita më qytetare mes elitave.

S’më bëhet vonë për derrat e kënaqun; as dua e kam ngé të hyj në debat me spekulatorët e pallateve, arkitektët e vilave, grosistët e gjeneratorëve, xhambazët e votave, tregtarët e xhamave të dritareve, bosët e hotelerisë e të motelerisë, kryedoganierët, biografët e mafiozëve, rrobaqepëset e miss-eve dhe teknikët e aparaturave të përgjimit.

Atij takëmi njerëzish nuk u mbërrin sinjali im; as ka pse t’u mbërrijë.

Por dua dhe përpiqem ta mbaj një kanal të hapur me të tjerët, që u ka ngecur lundra midis Skilës së konsumerizmit global dhe Kharibdit të idiotizmit provincial e të segmentimit krahinor e fetar; ose të gjithë ata që ende kanë shpresë te qytetaria shqiptare.

Sa për njerëzit atje

 

20 Komente

  1. Point taken Xhaxha, por:

    -njerëzit atje qenkan të gjithë meshkuj (me dashnore dhe gra), me përjashtim të miseve dhe rrobaqepseve të tyre (vetem ketyre te fundit ua beje shumesin me ‘e’ e jo me ‘ë’ ne gjithe ate fjali – duhet te kesh pasur arsye te forte);

    -ndërsa te pakica qytetare elitare, për te cilët t’i shkruan, vura re femra kryesisht te kategoria e prostitutave.

  2. Ne rastin e postimit autoerotizem patriotik, me duket se rezistenca ishte ne lidhje me faktin qe shkrimtari ne fjale; shqiptarin e trajtonte si nje njeri me probleme njerezish dhe jo si Homo albanicus. Sic e kuptova Tenen; ne nje figure te tille shqiptari si ai i librit zor se mund te ndertosh nje kitch patriotik. Ne nje figure te tille, ndoshta ne vertet shohim veten tone te demistifikuar dhe, ne se eshte keshtu, ndoshta do te duhet te perkthejme me shume libra te tilla per te kuptuar qe ne problemet dhe krizat tona jemi si te tjeret.

    Ne se eshte keshtu sic e kuptova Tenen, atehere perkthimi i noveles, ne menyren e vet, eshte kunder kitchit patriotik. Dhe, si i tille, plotesues i perpjekjeve te tua.

  3. I drejte dhe i pikasur vezhgimi.Pikturim realist i shoqerise ne Shqiperi.Vetem se mendoj se shumica e mainstream , mbase nuk ka kushtet e favorshme ose mundesite , ose mbase dhe nerva me.. Ndaj i jepen ethshem çdo gjeje qe mund t’jua zbukuroje jeten sadopak , apo mbase çdo gjeje qe i trullos nga andrallat e perhershme..E hidhur kjo, por e pashmangshme..

  4. se mos harroj : sigurisht qe banaliteti eshte i shmangshem..per te arritur kete mendoj se dhe mediat duhet te luajne rolin e tyre.duke filluar se pari te rrisin cilesine e lajmeve dhe artikujve qe publikojne..po ashtu dhe televizionet..e mira e te mirave do qe te krijohej nje komision kontrollues i mediave televizive qe do tu terhiqte atyre veshin ne raste degradimesh apo se paku do te bente me te vetedijshem spektatorin per programin ne fjale.

  5. Keqkuptimet, keqinterpretimet nisin nga fakti qe kemi nje sy te specializuar per gjerat. Sepse, sinqerisht, te njejtin tekst qe lexoi tropizma lexova edhe une por … s’di c’te them. Une u mundova te lexoj shqetesimin plotesisht te drejte te autorit, shqetesim qe e ndajne, ne te vertete, te gjithe pjesemarresit ne kete diskutim specifik. Tentoj te besoj, se kjo eshte edhe rruga me e mire. Sepse: me gjithe deshiren e mire te autorit, me gjithe deshiren e mire te cdo autori; do te ishte e pamundur te qemtohej cdo fjale e fjali per te mos prishur qejfe e ruajtur perqindje ekuilibrash. Dhe jo vetem kaq, por qemtimi i cdo fjale do te shtronte ne tryeze konfrontimin per fjalen dhe jo per idene, (spekullime per njeriun mbrapa autorit), armiqesine; do te asfiksonte komunikimin. Destruktim ne vend te konstruktim.

    Xhaxha,

    njerezit atje … thone te njejten gje per ne njerezit ketej: njerezit atje. Atje apo ketu, ketu apo atje; hendeku duket se eshte gjithmone ai qe na ndan (apo na bashkon).

  6. Njerëzit këtu përfshihen në kategoritë që ke përmendur. Dhe i ke karakterizuar mjaft saktë. Po ka edhe një kategori, ku dyshueshëm e ndjej veten pjesëmarrës: ajo e të dëshpëruarve, e të frustruarve për nga mënyra se si këtu sa herë që bëhet një gjë, prishen 5 gjëra. Për mënyrën se si kjo shoqëri qenka krejt e paaftë të vetërregullohet dhe akoma më keq, elementët që vijnë nga njerëzit atje për të ndrequr ndonjë gjë, ose edhe thjeshtë për tu kthyer, e mësojnë vallen e këtushme me një shpejtësi të habitshme dhe barabiten automatikisht me njerëzit këtu. Se kjo kategoria që them unë, përpiqet të mbjellë ndonjë gjë këtu, po idhtarët e mjegullës, çakejtë, në çorganizimin e tyre, janë të organizuar në perfeksion kur vjen puna për të mbytur të tilla inisiativa, për të veçuar të tillë elementë. E kur kjo shoqëri nuk është e aftë që të vetërregullohet (duke parë sistemin e vlerave në fuqi) dhe kur edhe nga jashtë sistemit inputet tjetërsohen në vend që të tjetërsojnë sistemin, frustrimi rritet…dhe përpjestimisht rritet edhe dëshira për tu bërë pjestar i njerëzve atje.

    Përshëndetje!

  7. njerëzit atje…
    une beja pjese ne njerzit atje dhe jam ketu tashti, pra jo atje. Kur kalon nga faza ajtje dhe ketu, sigurisht nuk ke shume kohe te mendosh per atje. Adaptohesh ketu, flet gjuhen ketu, njeh njerzit ketu, dalngadale pozicionon veten ketu dhe per tu integruar, mundohesh te heqesh nje nga nje te gjitha ato komplekset me te cilat vijme nga atje. Kur e ndjen veten ketu fillon dhe mendon per atje. Nostalgjia per rruget, bisedat, kafete, goten, miqte atje. Dhe kur kthehesh vertet, ajo qe ndjen eshte qe nuk je me atje ose vendi yt atje nuk eshte me. Mundohesh te tregosh/shpjegosh/ankohesh/pershkruash jeten ketu veç atje veshet jane te zene ose me sakte, idete jane te percaktuara/perfunduara/kyçura mbi ketu. Dhe ata qe jane atje mundohen te vijne ketu dhe ne ketu, mundohemi te permirsojme atje se ketu shpesh zemra na ther me ate “atje te vdekur” per ne ketu.

    Per mua jeta e Shqiperise dhe e shqiptareve sot eshte ky udhetim kohor dhe fizik atje/ketu me nje atje qe largohet gjithmone e me shume prej nesh ne mosndryshimin tragjik te situates dhe ketu-ne e pakthyeshme.

    Atehere per te komunikuar me atje, per te treguar ketu-ne, keto bisedat e hapura mu duken nje mjet shume i mire dhe me vjen mire qe ne harkun kohore te nje viti, blloqet shqiptare jane 5 apo 10 fishuar – veç, Veç ketu nuk jemi vetem, ka dhe te tjere qe mbase kane te njejtat probleme si ne me raportin atje/ketu apo ketu/ketu. Pra le te perdorim te gjitha mjetet per te komunikuar ajte/ketu them une (me ze te larte veç ngelet mendimi im) per te njetin shqetesim intelektual si tu xhaxha.

  8. Une jam nje nga “njerezit atje”.

    Dua vetem te them se kjo mania per te kategorizuar me duket thjesht e shemtuar.

    “Une nuk bej pjese ne kategorine e shqiptareve hajdute, as ne ate te shqiptareve te palare, as ne ate te shqiptareve fshatare” e keshtu me radhe. Madje, ju njerezit i shihni atje dhe ketu, por mua me duket se nuk beni gje tjeter vecse hidhni ne leter nje kompleks te jashtezakonshem inferioriteti qe po behet i pashmangshem mes shqiptareve, ndoshta si nje reagim ndaj menyres se si na kategorizojne te huaj. Dhe per te dalluar vetveten, ne kategorizohemi ndermejt nesh dhe, natyrisht, bejme pjese tek ajo kategori qe nuk mund te ngarkohet me asnje faj.

    E verteta eshte se ju “atje” dhe ne “ketu” kemi njelloj pergjegjesi per ate qe kemi ose nuk kemi arritur keto 17 vjet. Mos me thoni qe nuk eshte vertete, sepse ndryshe nuk do te kishin qene duke e bere kete bisede.

  9. Lavender, per kompleksin e inferioritetit te kujt e ke fjalen? Mua nuk me duket se ka lidhje me asnje kompleks. Nese do flasim per nje kategorizim, kjo lidhet me gjendjen e faktit. Realiteti ne Shqiperi eshte ai qe dime te gjithe, ashtu sic e pershkruan Xhaxhai. Perjashtimet, si puna juaj apo atyre qe ne postim quhen pakica elitare, vetem sa provojne rregullin.

    Besoj se mund te biem dakord qe te paret e gjerave nga komoditeti i mosmungesave elementare, ta zgjeron kendveshtrimin. Te jep mundesine te merresh edhe me ide, edhe me projekte, fundja edhe me utopira, te cilat jane te pamundura kur ke per te zgjidhur nevoja imediate. Kjo distance te jep mundesine te shohesh nje pamje me te zgjeruar, me perfshirese, pa u qorrollisur neper detaje te perditeshme. Edhe botkuptimi ndryshon kur jeton atje, prioritet ndryshojne….te gjitha ndryshojne.

    Ja te te pyes, sa vete qe njeh ti kane qene te shqetesuar se fundi per ndryshimet qe po behen ne institutet albanologjike te akademise se shkencave? Per gjendjen e arsimit te larte? Sa nga ata qe njeh ti kur shohin nje vajze ulur ne kafene ne mes te dites, mendimin e pare ne koke nuk e kane “sa e mire kjo,” por pse s’eshte ne shkolle a ne pune ne kete ore? Sa veta e shohin Portokalline dhe gajasen me banalitet? Apo ato video-klipet demek te muzikes bashkekohore? (Po bej pyetje konkrete, se po te them “sa jeni te shqetesuar per bjerrjen intelektuale dhe morale?” e di qe do me pergjigjesh “Qamet shume.”)

  10. LG pyet: per gjendjen e arsimit te larte?

    Mund te te flas pa mbarim deri sa te mos kesh me stomak. Ketu mjerimi i pedagogeve eshte i paonepsshem.
    Studentet marrjen e provimeve me lek e quajne nje mundesi me shume per tu diplomuar.
    Cfaredo potencial qe shfaqet prej studenteve shikohet si rrezik potencial. Thua e kane trashegimni vendin e punes.
    Me pushtat prej pedagogeve mund tu vesh llagapin kurvar pa me te voglin ngurim dhe keta nuk jane pak.
    Poshtersia dhe imoraliteti eshte pa hile, e ke safi, te pa rrafinuar fare.
    Kurveria eshte ngritur ne art.
    Nese ben vaki te thuash ndonjegje serioze ndihesh i huaj.

    Jane bere te gjithe zombi dhe e vetmja gje qe te vjen ndermend eshte te shpetosh shpirtin tend duke u zhdukur nga syte kembet edhe per nje arsye tjeter, ambjenti ketu eshte vrases i gjithe qellimeve te mira dhe impenjimi me gjera te vlefshme eshte bere tashme nje liber me perralla i cili konsiderohet i dale mode, vendin e te cilit e ka zene ai emisioni me pulle te kuqe (edhe pse portokalli) ne cep te ekranit.

  11. por unë e kisha fjalën për qytetarët: specie e rrallë

    Qytetari mekohet me edukim klasik (Aristoteli) e jo me ‘edukaten morale’ qe na meson se duhet te kalojme rrugen mbi vijat e bardha por jo pse-ne.

    Me eshte mbushur mendja qe Shqiptari kthehet qytetar vetem po te dale jashte gjirizit ku lindi.

  12. Sa për dokumentarin e TG 2, shpresoj se qëllimi i autorit të ketë qenë i kontrolluar nga situata që po kalon Shqipëria dhe raportet e Italisë me ne. Mendoj, duke parë imazhet ne të gjitha cepat e Shqipërisë, se syri i shikuesve shkon në ato skuta ku vatani vuan më shumë, dhe kjo quhet një kritikë e shtypit italian e njomur me pak melankoli, siç edhe italianët janë mjeshtër. Ku qëndron interesi të përfshihen vendet turistike, gjakmarrjet, mrekullitë e alpeve të veriut dhe papunësia, pedofilia, prostitucioni, lyerja e hartës me të kuqe për të përmendur të kaluarën? Disa mund ta kritikojnë, disa mund të thonë që s’paska ndryshuar shumë që nga fluturimi i kameras së Gianni Amelios, edhe pse gazetari na bënte të besonte se zhvillimi dhe ndryshimi qëndrojnë si të vërteta pavarësisht tendencave provokuese të tij.
    Sidoqoftë, mirë që një gazetar italian merr kameran dhe zhduk injorancën e italianëve që i shohin shqiptarët si ujqër, lugetër apo ikona të një vendi të pazhvilluar. Me gjithë varfërinë, ajo është Shqipëria dhe na takon. Përmirësimi do të jetë i ngadalshëm në një rajon aq të nxehtë ku nuk ka shumë paisje demokratike në xhepat e kryetarëve.

  13. Salvatori shkruan:

    Me gjithë varfërinë, ajo është Shqipëria dhe na takon. Përmirësimi do të jetë i ngadalshëm në një rajon aq të nxehtë ku nuk ka shumë paisje demokratike në xhepat e kryetarëve.

    Salvator, kam frikë se çka i duhet Shqipërisë në këto kohëra nuk është demokracia, por qytetaria. Një pjesë e mirë e problemeve të sotme mund të ishin shmangur, sikur forcat politike (partitokracia) të mos ishin fiksuar në aspektet demokratike të jetës publike.
    Demokracia pa qytetari sjell populizëm dhe maskarallëk.

  14. Une kam turp sa here qe flas per njerezit atje. Te qenit ketu dhe tregimi me gisht i mosberjes se gjerave atje me ben te ndjehem hipokrit. Ne ketu shohim mungesat atje dhe na duken ata njerez atje te paafte. Flasim per rilindjen kulturore qe duhet te bejne njerezit atje, nderkohe qe vete nuk na vjen mire t’a lagim sumen dhe te kthehemi, te perpiqemi t’a nisim atje rilindjen, jo ketu. Ajo qe me vjen keq mua eshte se rilindja kombetare eshte nje nga format me klasike te kistch-it. Njerezit atje jane anemike, te zverdhur nga mungesa e ujit dhe e dritave, ne ketu i akuzojme pse i jane qepur kistch-it patriotik.

  15. Eshtë e vërtetë që në Shqipëri ka një masë të madhe njerëzish që sillen keq, ndoshta ngaqë nuk dinë apo dhe nga luhatjet shpirtërore që sistemi politik i la jetime, pa asnjë shpresë për të ardhmen. Qytetërimi fitohet me shumë mënyra, por rregulli, edukata dhe vlerësimi i atyre njohurive që morëm dikur, nuk besoj se duhen hedhur poshtë. Me ato imazhe që pashë në video, dhe me imazhet që kam parë me sytë e mi, qytetaria nuk funksion, ajo nuk kuptohet. Njerëzit vrapojnë drejt së panjohurës, drejt maskarallëkut sepse aq dinë. Në televizionet shqiptare mungon qytetërimi, aty serviren vetëm idiotësira, pornografi dhe lajme që të zgurdullojnë sytë.
    Flas për demokraci sepse është një portë e mirë ku njeriu hyn duke respektuar tjetrin, edhe pse ligji qëndron i fuqishëm, por vetëm kështu mund të pajisemi me më shumë kulturë dhe vlera qytetare. Ambjenti në Shqipëri është i tillë, i mbyllur, njerëz të ngujuar, fëmijë që nuk kalojnë pragun e derës, familje që i besojnë akoma kanunit të Lekës, mushka që detyrohen të punojnë tokën, vajza që veshin bluza dhe pantallona elegantë, kafene të mbushura plot, dhe politikanë që nga zyra irritohen për shembujt e paraqitur.
    Si mund të jetë një shoqëri e qyteteruar që respekton ligjin, do vendin e tij, flet me pasion mbi origjinën dhe mbron dinjitetin, kur në atë vend janë të huajt që vëndosin për ne.

  16. Në atë mënyrën e vet, atje bëhen gjërat, njerëzit po t’i pyesësh rrojnë më mirë se ti që paguan çdo taksë deri në qindarkën më të fundit dhe duhet të vraposh për të kapur metronë e fundit se përndryshe çmimi i taksisë të fundos.
    Hipokrizi ka gjithandej. Të zgjedhësh të jetosh jashtë vatanit, nuk do të thotë që je dhe do bëhesh më mirë sikur të kishe qëndruar në vatan. Edhe pak dhe lundrimet europiane do e “pushtojnë” paqësisht Shqipërinë, ku të gjithë do bëhemi njësoj dhe do përgjigjemi përpara komisionerëve arrogantë, ksenofobë dhe superiorë.
    Jetesa në Shqipëri është një vështirësi sepse atje mungojnë disa kushte që këtu nuk i gjen, por kënaqësia e të ndenjurit në një vend ku akoma ka pak bujari dhe rehati shpirtërore, ku njerëzit të flasin, të ofrojnë cigare, kafe dhe dreka, i anashkalon dhe rikthimi i disa studentëve që po përpiqen të gjejnë një punë nuk është një lajm negativ për ta, por vetëm një privilegj që pak nga ne e provojmë.
    Dje po shfletoja një revistë kinemaje, më e rëndësishmja në Francë dhe në një numër të 2004, lexova një artikull për një artist shqiptar. Një eveniment, po të kesh parasysh se nuk përmendemi aspak në shtyp dhe njerëzit harrojnë se ekzistojmë. Pra një shqiptar bën sado pak edhe me presencën e tij.

  17. Tropizma shkruan:

    -njerëzit atje qenkan të gjithë meshkuj (me dashnore dhe gra), me përjashtim të miseve dhe rrobaqepseve të tyre (vetem ketyre te fundit ua beje shumesin me ‘e’ e jo me ‘ë’ ne gjithe ate fjali – duhet te kesh pasur arsye te forte);-ndërsa te pakica qytetare elitare, për te cilët t’i shkruan, vura re femra kryesisht te kategoria e prostitutave.

    Në fakt, unë kam bindjen që objektifikimi brutal i femrës është pjesë e pandashme e logjikës së pushtetit atje, sikurse është shndërrimi i femrës-pronë në vetrinë të luksit privat; po përndryshe nuk kisha ndërmend ta eksploroja temën e gjinisë, sepse meriton trajtim të veçantë.

    Lavender shkruan:

    Dua vetem te them se kjo mania per te kategorizuar me duket thjesht e shemtuar.

    Është një përpjekje që ndihmon për të kuptuar, Lavender. Edhe ti, duke shkruar në këtë blog, bëhesh pjesë e kategorisë së atyre që interesohen për këto gjëra; të cilën e ndan me mua dhe shumë të tjerë.

    Kreshnik Bejko shkruan:

    Qytetari mekohet me edukim klasik (Aristoteli) e jo me ‘edukaten morale’ qe na meson se duhet te kalojme rrugen mbi vijat e bardha por jo pse-ne.
    Me eshte mbushur mendja qe Shqiptari kthehet qytetar vetem po te dale jashte gjirizit ku lindi.

    Rrugë mbretërore drejt qytetarisë nuk ka; por në Shqipëri s’kanë pasur durim, deri tani, të merren me imponimin e shtetit ligjor as të kultivojnë prestigjin e përkushtimit publik, duke preferuar të luajnë me votat dhe demokracinë, ose të bëjnë sehir kumarin partitokratik.

    Lulian Kodra shkruan:

    Flasim per rilindjen kulturore qe duhet te bejne njerezit atje, nderkohe qe vete nuk na vjen mire t’a lagim sumen dhe te kthehemi, te perpiqemi t’a nisim atje rilindjen, jo ketu. Ajo qe me vjen keq mua eshte se rilindja kombetare eshte nje nga format me klasike te kitsch-it. Njerezit atje jane anemike, te zverdhur nga mungesa e ujit dhe e dritave, ne ketu i akuzojme pse i jane qepur kitsch-it patriotik.

    Lulian, secili bën çka mundet. Për fat të keq, ne këtu shumë pak mund të bëjmë për ujin dhe dritat, pa çka se Shqipëria megjithatë na dhimbset. Dëmet e kitsch-it patriotik, nga ana tjetër, nuk janë aq dytësore sa ç’mund të duken; sepse gatishmëria e njerëzve për shërbim publik dhe për respekt absolut të ligjit varen nga vetëdija qytetare individuale, e cila formohet në lidhje të ngushtë me atdhetarizmin. Kitsch-i patriotik, për mendimin tim, e shndërron atdhetarizmin në hobby, duke ia neutralizuar fuqinë pozitive, transformuese të shoqërisë.

  18. Sa po lexoja apologjine e Sokratit, drejtuar qytetareve Athinas. Aty Platoni me zerin e Sokratit perpiqet te godasi kistch-in patriotik te Meletusit, i cili e akuzon Sokratin se ka korruptuar te rinjte athinas, se i ka shtyre ata drejt nje rruge te lige shpirterore. Nje nga implikimet e Sokratit gjate mbrojtjes se tij eshte se nuk mund te kete nje transformim te tille shpirteror ne qofte se ne rradhe te pare mungon fertiliteti shpirteror ku transformimi mund te ndodhi. Dhe ne fakt eshte e vertete per sa i perket rastit te Sokratit. Njihet vetem nje rast, edhe ky nuk eshte Sokrati, por Platoni, kur Sokrati eshte perpjekur te mbjelle faren e tij te lartesuar te dijes mbi shpirtin e nje skllavi. Zakonisht ai e aplikonte metoden e tij te dijes ne aristokracine athinase, te gatshem per te degjuar, per te mesuar, per t’u transformuar shpirterisht, per te mposhtur kistch-in patriotik. Sikur Sokrati t’i drejtohej popullit anemik ne rrethinat e Athines, nuk do me bente shume cudi t’a zinin me gure.

    Ajo qe dua te them eshte se kur trupi vuan, lartesimi shpirteror vjen ne dore te dyte. Kur njerezit vuajne nga mungesa e nevojave elementare trupore, te flasesh per shpirtin eshte high minded bullshit. Kur njerezit nuk kane as kushtet me minimale qe te dallojne nga kafshet, nuk mund te flasesh per qytetari.

    E vetmja gje per te cilen mund te flasesh ne kushte te tilla jane turmat anemike te cilat do mund te perplasnin me dhune cdo njeri qe trashet ne kurriz te tyre, do digjnin vila e do benin cdo shkaterrim te mundshem deri sa kur dikush te premtonte t’a maste mire bythen.

    Por anemiket nuk mund t’a bejne kete. Kete mund t’a beje vetem nje klase pak me e mesme. Ishte pikerisht gjendja e dyshimte dhe e pastabilizuar e kesaj klase ne 97-en qe diti te shkaterronte, por jo te drejtonte.

    Mirepo kjo klase po formohet avash avash mes njerezve atje. Por para se t’a gjykojme kete kistch-in patriotik qe nga lartesite e olimpit perendimor, sa te sigurt jemi qe nuk eshte pikerisht ky nje nga faktoret kryesore qe shkon drejt formimit te kesaj klase te mesme, e vetmja ne gjendje te sjelli transformimin aq te deshiruar te shoqerise?

  19. Kam punuar ne ‘seksionin e lartesimit te shpirtit’ qe 16 vjec. Deri para disa kohesh isha dakord me ty, por ja qe pashe nje dicka interesante ne Discovery Channel:

    nje fis aborigjen amazonas krejt i paprekur nga civilizimi, krejt ne meshire te fatit ne gjueti, krejt lakuriq; ky fis pra KURRE nuk i linte pas dore shpirtin edhe sikur barkun e thate te kishte:PSE? E thoshte nje plak teksa po ngjyroste tochin e njerit qe sapo i kishte hyre pubertetit:

    po ta lyej koken e po te vizatoj figura ne trup sepse po nuk e beme kete, si do te dallohemi nga kafshet e tjera?

    Mishi tretet kocka mbetet tha!

    Kur njerezit vuajne nga mungesa e nevojave elementare trupore, te flasesh per shpirtin eshte high minded bullshit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin