LILIPUTË ME DINJITET

Bipolarizmi i trashëguar nga Lufta e Ftohtë u rrëzua bashkë me murin e Berlinit. Vitet nëntëdhjetë u përshenjuan nga njëpolarizmi, i mishëruar nga superfuqia e vetme e mbetur në planet: Shtetet e Bashkuara. Mirëpo vitet dymijë nënvizuan protagonizma të reja në arenën ndërkombëtare. Nga një anë Kina dhe India, nga ana tjetër Rusia që dalëngadalë filloi të kërkonte një rol më domethënës në botë. Gjithsesi, bipolarizmi i dikurshëm nuk u rishfaq më dhe, sipas gjasës, nuk do t’i imponohet dot planetit në të ardhmen e afërt, pavarësisht deklaratave të fundit për riarmatimin e Rusisë.

Rënia e bipolarizmit la “jetime” një sërë vendesh, të cilat ishin dikur satelitë të njërës apo tjetrës superfuqi, ndonëse si bosht i marrëdhënieve ndërkombëtare vazhduan të mbeten pushtetet e forta. Globalizimi erdhi dhe e thelloi ndjeshëm veprimin e vet, çka nuk solli mënjanimin e superfuqive, shumëkombësheve, institucionet gjigante financiare… Përkundrazi. Nga ana tjetër konfliktet u shtuan gjithnjë e më shumë, madje u bënë të pakontrollueshme. Përplasjeve lokale iu shtua edhe ajo globale, midis qytetërimeve, e shoqëruar natyrisht me ideologjizmat përkatës.

Por si (vetë)vendoset Shqipëria në një kuadër të tillë të trazuar? Politika e jashtme e Shqipërisë mund të citohet nga çdo manual hipotetik për satelitizmin e vendeve të vogla në arenën ndërkombëtare. Në fakt, nga një perspektivë historike, kjo politikë mund të reduktohet në pak etapa, që shënojnë kalimin nga një “sqetull” në tjetrën: Jugosllavia, Bashkimi Sovietik, Kina… Ende sot, politika shqiptare duket sikur nuk del dot nga konceptimi kopernikan i marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërkohë që një pjesë e opinionit publik nuk shkon dot përtej vizionit bipolar të politikës së jashtme: amerikanët nga një anë, rusët nga ana tjetër.

Formula justifikuese që shpjegon këtë situatë jepet në çdo bar të Shqipërisë e më tej: “Ligjin e bën i fuqishmi, ne të vegjlit dëgjojmë dhe bindemi”. Shumëkush shikon thellë-thellë shpirtin bizantin ose vetë mendësinë e llojit “dum babën”.

Mirëpo bota multipolare e viteve të fundit u ka dhënë një farë hapësire edhe vendeve të vogla. Aktualisht, vetë Shqipëria, që nuk është aq e vogël sa e percepton veten, mund të jetë në qendër të vëmendjes, pra mund të ketë një rol domethënës. Liliputët janë picirrukë, por jo gjithnjë të pafuqishëm. Sidomos kur bashkojnë zërin e tyre, për të mos thënë “forcat” se tingëllon paksa ushtarake. Mirëpo, që zëri të dëgjohet në këtë botë të zhurmshme duhet që të bazohet në parime dhe vlera demokratike, meqë nuk ke as tanke, as armë bërthamore.

Këto të fundit Shqipërisë do t’i mungojnë për një kohë të gjatë, për të mos thënë përgjithmonë; si rrjedhojë, e vetmja rrugë është ndërtimi i një politike te jashtme që shkon përtej karakterit konvencional e tradicional, jashtë skemave të satelitizmit të vjetër. Kjo nuk do të thotë ndërrim kampi, sepse Shqipëria edhe kulturorisht e gjen veten në strukturat euroatlantike. Por çështja është se si do të hyjë dhe si do ta gjejë vendin kur të ulet në tryezën e familjes së saj historike. Tek e fundit edhe karrigia që po na pret, që është vetëm karrige, brenda saj dëshiron dikë që t’i japë dinjitet.

2 Komente

  1. Cudi si pak nga ne shpenzojme kohe per te kuptuar cilin rol domethenes mund te kete Shqiperia ne kete gjeopolitike multipolare. Nderkohe qe degjojme se Shqiptaret jane rreziku kryesor ndaj sigurise ne Evrope duke pasur parasysh Kosoven dhe mafijen. Pak analize i eshte bere arsenalit militar te konsiderueshem te magazinuar neper tunele ne Shqiperi, shkaterrimi i te cilit kushton milarda dollare, por mund te sjelle miliona dollare fitim nqs shitet.

    Mjafton te permendim qe vete ‘Shkelqesia Gri’ Fatos Nano iu fut asaj dallavereje(sipas pergjimit te bere nga kryepolici Sokol Kociu), dhe se Ushtria e Jugosllavise mendon se te pakten 300,000 AK-47 u ‘importuan’ ne Kosove nga Shqiperia.

  2. Eshte e vertete se Shqiperia gjeografikisht eshte vend relativisht me permasa te vogla por jo edhe aq sa te mos kete nje politike te jashtme te pavarur dhe individuale si vende te tjera rrotull ne rajon. Mirepo problemi i Shqiperise qendron krejt ndryshe krahasuar me f.v. Maqedonine, Malin e Zi dhe te leme menjane Kroacine dhe Sllovenine.

    Elitat politike ne Shqiperi, ndryshe nga vendet e siperpermendura, vazhdojne te drejtojne me mendesine e rregjimit te kaluar dhe cilido grupim qe eshte ne pushtet perpiqet me cdo kusht qa ta perjetesoje ate. Pare nga ky kendveshtrim dhe ne pamundesi qe te kete politika dhe strategji afat gjata ata nuk e vrasin mendjen se c’fare ndodh me ekonomine, politiken e jashtme, arsimin, shendetesine etj,. E rendesishme per ta eshte se c’fare thote Amerika dhe Europa dhe nese do te mbeshtet financiarisht nga ndihma e permuajshme.

    Pastaj, persa i perket popullit, politikanet ne qarkullim e kane shume te lehte ta manipulojne ku ne vend qe te numerojne ditet e fateve te premitimeve per dritat, vendet e reja te punes dhe sherbimin shendetesor numerojne muajt dhe vitet pse jo edhe centimetrat e afrimit me NATO-n dhe Europen.

    Per sa kohe qe ne do te mbajme syte nga “Turqia” nuk do te kemi mundesi qe te bejme nje politike te jashtme te pavarur pasi nje gje e tille do te lipse te sfidosh shume kerkesa dhe vendime qe te vijne nga “lart”. Shembulli me tipik i kesaj eshte rasti i Sllovenise ne kohen kur SHBA po ndertonte koalicionin per tu nisur ne Irak. Ne vrrullin e ethshem te atyre diteve duhet qe te listoheshin sa me teper vende, te vogla dhe lilipute, per te bere te besueshme luften pa mandat. Gabimisht u fut ne liste edhe Sllovenia e cila me force te nesermen mohoj pjesmarjen ne koalicion. Po ate dite “koalicioni” e hoqi Sllovenine nga lista.

    Ne nuk i kemi nje pale gjunje te tille dhe si e thote edhe Pishaku zor se syte tone do shohin nje pale te tille sa te jemi gjalle.

    MB

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin