SHQIPJA TOTALITARE (IX)

Në një analizë të shqipes totalitare, nuk lihet dot pa përmendur ligjërimi subversiv, i cili edhe pse nuk është pjesë e ligjërimit totalitar, trupëzohet duke iu kundërvënë dhe duke e sfiduar.

Me ligjërim subversiv kam parasysh atë lloj ligjërimi që synonte të fuste në krizë ligjërimin totalitar, duke marrë në pyetje totalitarizmin vetë (ose të paktën perceptohej si i tillë), e që konsiderohej krim prandaj edhe autorët i ndiqeshin penalisht për agjitacion dhe propagandë kundër “pushtetit popullor”.

Shqipëria totalitare praktikisht nuk e njohu dukurinë e disidencës, siç e njohën përkundrazi vende të tjera të bllokut lindor: Hungaria e vitit 1956, Çekosllovakia e “Pranverës së Pragës” të vitit 1968, Bashkimi Sovjetik gjatë viteve 70-80 (Solzhenjicin, Sakharov, Sharanski), Polonia e Solidarnost-it.

Në të gjitha këto vende, disidenca manifestohej në trajta të ligjërimit me tone të forta kritike ndaj realitetit ekzistues, dhe shpesh të përcjellë nga mediat perëndimore.

Meqë një Sakharov, një Lec Walesa, ose një Havel në Shqipëri ishin të papërfytyrueshëm, atëherë ligjërimit subversiv i duan kërkuar forma të tjera, më pak publike – për shembull në familjet, ose në rrethe të ngushta shoqërore, ku njerëzit mund të “flisnin kundra” ose “t’i jepnin gojës” pa pasur frikë se mund të përfundonin në qeli të burgut.

Aq e vërtetë është kjo sa mundësia për ligjërim subversiv mund të shërbejë si kriter për të dalluar sferën private nga sfera publike e ligjërimit; dhe vetë ligjërimi subversiv si ritual i forcimit të miqësisë ose të lidhjeve familjare, nëpërmjet instaurimit të një sekreti të përbashkët midis biseduesve.

Përkundrazi, ligjërimi subversiv në publik ishte tabu; dhe jo thjesht për shkak të rrezikut të arrestimit. Nëse dikush, në një situatë publike, do të fillonte të shante regjimin, ose të përgojonte “udhëheqjen”, ose të lavdëronte Amerikën, kjo do të konsiderohej si thyerje e rëndë e normave elementare të komunikimit, meqë do t’i vinte të gjithë të pranishmit në pozitë delikate.

Më kanë treguar se si një herë një miku ynë, krejtësisht i dehur në Pazar të Ri të Tiranës në mes të ditës, u pat ndalur përballë një gomari çfarëdo dhe pati filluar të bërtiste: “Shoku Enver! Si je shoku Enver! Ne të dinim të sëmurë, por ti qenke shëndoshë e mirë!” Kjo vazhdoi për një copë herë, teksa i zoti i kafshës, një fshatar i përvuajtur tiranas, ishte bërë dyllë i verdhë dhe priste nga momenti në moment që t’ia behnin hafijet për ta arrestuar. Edhe më kuptimplotë ishte reagimi i njerëzve në rrugë, të cilët shpejtonin hapat, për t’u zhdukur në rrugicat ose për t’u larguar sa më shpejt nga skena e incidentit. Askush nuk donte të figuronte si dëshmitar i kësaj anomalie kaq flagrante në paqen publike totalitare; të gjithë kthenin kokën nga ana tjetër. Ligjërimi subversiv e asgjësonte publikun vetvetiu.

Si duhej vepruar, pra, kur dikush, në pije e sipër ose edhe esëll, thoshte diçka “kundra” publikisht? Vallë nuk i vinte kjo në rrezik të gjithë të pranishmit? Po sikur të ishte provokim i Sigurimit? A duhej denoncuar folësi apo jo?

Ja një rast i jetuar, që e shembëllzon këtë efekt më së miri: Në një repart ushtarak, tre oficerë – le t’i quajmë A, B dhe C – e kalojnë natën duke pirë raki e duke bërë muhabet. Në muhabet e sipër, oficeri A thotë: “Kot e dënuan Beqir Ballukun.” Kaq. Asnjë koment nga dy të tjerët, të cilët tremben dhe nguten të ndërrojnë temën. Të nesërmen në mëngjes, oficerit B i kujtohet biseda e një nate më parë dhe i hyn frika se mos C shkon të denoncojë ngjarjen, duke implikuar tërthorazi edhe B, i cili ishte i pranishëm në bisedë. Përkundrazi, oficeri C, të cilit njëlloj i del pija të nesërmen, mendon se B mund të shkojë të denoncojë A për biseda anti-parti, duke implikuar tërthorazi edhe C. Përfundimi është i pashmangshëm: edhe B, edhe C, bëjnë denoncimin. Këtë histori ma ka treguar, gjithnjë në pije e sipër, B-ja, i cili më tha edhe si, para se të shkonte në “organet”, e kish takuar A dhe ia kish shpjeguar pse po vepronte ashtu. Situatë tipike për teorinë matematike të lojërave, meqë as B, as C, nuk dëshironin t’i bënin keq A, por u detyruan të vepronin ashtu nga mosbesimi për njëri-tjetrin. Nuk përjashtohet që në rrjedhën e ngjarjeve të ketë luajtur rol edhe frika se mos A-ja vetë, i penduar, shkonte të vetëdenoncohej, duke komprometuar njëkohësisht edhe B-në edhe C-në.

Deri edhe në burgjet ligjërimi subversiv publik shihej shtrembër; sepse dënimi mund të pasohej nga ridënimi; burgimi nga riburgimi. Shumë të burgosur, po të gjykosh nga kujtimet që kanë botuar pas 1990-ës, fjalën subversive të një të panjohuri e dyshonin vetvetiu si provokim.

Ligjëruesi subversiv tolerohej pak a shumë lirisht vetëm atëherë kur njihej si skizofren kronik. I tillë ka qenë në Tiranë i mirënjohuri Dh.T., vizitor i përhershëm e i pashterrshëm i kafeneve kryesore të kryeqytetit; i cili, ndër të tjera, gjakftohtë pretendonte se e kish parashikuar tradhtinë e Mehmet Shehut, publikisht, që në fillim të viteve 1970; së bashku me tradhti të tjera që ndoshta nuk janë zbardhur akoma. Dh.T. i kishte monologjet të mbushura paq me agjentura, spiunë, provokime, radiondërlidhje, arrestime të fshehta, deshifrime, armë të fshehura, tunele, arratisje, kundërarratisje, denoncime anonime, marrje në pyetje, mjekime të detyrueshme, parashutistë, përgjime, dokumente sekrete, helmime, anglo-amerikanë e të tjera elemente narrative të paranojës politike; pas maskës dihatëse e aq rraskapitëse të skizofrenisë i fshihej, megjithatë, një vuajtje e parrëfyer, të cilën pakkush ia dinte.

Që vetëm ligjërimi subversiv skizofrenik mund të bashkëjetonte lirisht me ligjërimin totalitar, kjo vetëm sa konfirmonte natyrën totalitare të pushtetit të regjimit mbi ligjërimin publik. Tensioni midis ligjërimit totalitar homogjenizues dhe prirjes së natyrshme për ligjërim subversiv prodhonte, ndër të tjera, shtim të patologjive të psikozave skizoide, paranoide; meqë spitali psikiatrik ishte një nga ato pak mjedise ku mund të flitej “kundër” pa rrezikuar ndonjë raprezalje politike, të paktën ndaj familiarëve.

Përndryshe, rastet kur dikush ngrihej me vetëdije për të denoncuar, haptazi dhe publikisht, krimet e regjimit, ishin jashtëzakonisht të rralla. Njerëzit kishin frikë nga rrokullima dhe burgu, për vete dhe për të afërmit e tyre; por edhe e pranonin kotësinë e një vetëflijimi të tillë dëshpërimtar, në rrethanat kur regjimit nuk do t’i vinte fundi nga muhabetet e gjynahqarëve.

Në këto rrethana, Neni 55 i realizonte objektivat e arrestim-dënimeve nëpërmjet një mekanizmi tjetër: i cili qëllimin subversiv të ligjëruesit e zëvendësonte me etiketimin e ligjërimit të dikujt si subversiv nga ana e një autoriteti politik ose policor.

Një pensionist që ankohej në rradhë te dyqani i zarzavateve se nuk kishte patate në treg nuk kish për qëllim të minonte themelet e pushtetit popullor, as të villte vrer kundër socializmit në Shqipëri. Megjithatë, mund të arrestohej e të dënohej për agjitacion e propagandë, në rast se dikush e denonconte në organet përkatëse dhe këto organe e gjenin fajtor për atë krim.

Me fjalë të tjera, ligjërim subversiv ishte, në të shumtën e rasteve, ai lloj ligjërimi që gjykohej dhe shpallej si subversiv nga ana e autoriteteve policore.

Kjo do ta zgjeronte artificialisht sferën e ligjërimit subversiv, duke përfshirë në të gjithfarë kritikash për mangësi të rëndomta të tregut, ose për kufizime të lirisë individuale; karakterizime të pahijshme për udhëheqësit dhe të tjera akte kësisoj. Në mënyrë të veçantë do të ndëshkohej si subversiv çdo lloj ligjërimi i natyrës fetare, p.sh. mesha ose pagëzime të kryera fshehurazi autoriteteve; lutje dhe rituale të tjera; edhe kur nuk kishin fare të bënin me politikat sociale ose veprimtaritë publike.

Nga ana tjetër, ligjërimi subversiv, për t’u mbrojtur nga shtypja policore, detyrohej të merrte trajta alegorike, ose t’i drejtohej ironisë e përgjithësisht humorit.

Alegoria gjente shprehje sublime në veprat më të suksesshme të artit bashkëkohor, si në shumë romane e proza të tjera të Ismail Kadaresë; kjo lloj alegorie, e perceptuar nga një publik tanimë i stërvitur për ta perceptuar, shërbente si katalizator i një shoqërie civile, sado rudimentare. Është thënë, më pas, se krejt universi fiksional pseudo-osman në prozën e Kadaresë do interpretuar si hiper-metaforë për totalitarizmin shqiptar – tezë e diskutueshme, por legjitime.

Përndryshe kush nuk është entuziazmuar, në vitet 1980, nga interpretimi i fuqishëm i Mirush Kabashit në monologun dramatik “Apologjia e vërtetë e Sokratit”, ku të gjithë dëgjuan akuzën joekuivoke ndaj regjimit policor të Tiranës?

Publiku e priste, njëfarësoj, ligjërimin subversiv nga arti; të maskuar pas metaforës e njëlloj të padënueshme; edhe pse shkrimtarët dhe artistët burgoseshin rregullisht, për motive politike; veprat u dërgoheshin për karton; familjarët u internoheshin.

Në raste të tjera, ishte vetëm teksti që dënohej duke u hequr nga qarkullimi, jo autori; për shembull, romani “Tuneli” i Dhimitër Xhuvanit, ose romani tjetër “Një emër në katër rrugë” i Petro Markos, i cili u ndalua pa u botuar ende, por megjithatë qarkulloi njëfarësoj në Tiranë, ngaqë punëtorët arritën të nxjerrin një numër të madh kopjesh, pa kopertinë, nga shtypshkronja “Mihal Duri”. Historia e letërsisë që qarkullonte nën dorë meriton të shkruhet më vete – sepse kishte ndër ato libra romane të verdha të kohës së Zogut, romane italiane gjithfarësh, libra subversivë që njëfarësoj ishin futur në Shqipëri pas 1944-ës, përkthime të daktilografuara veprash të Kamysë, letërsi e ashtuquajtur “dekadente” që vinte nga Kosova, e cila lexohej me vështirësi, për shkak të modeleve të ndryshme kulturore-gjuhësore, revista sportive të ilustruara, revista kinemaje, e ndonjëherë edhe ndonjë katalog mode i kohës së fashizmit, i ruajtur nga nuk di ç’rrobaqepëse grash trefish e deklasuar.

Nga të gjitha këto vepra të nëndheshme, më kuriozet po më duken tani materialet e përgatitura për përdorim të brendshëm të kuadrove të Sigurimit të Shtetit, zakonisht romane spiunazhi të përkthyera nga rusishtja, prej të cilave më kujtohet sot një titull i vetëm: “Shtatëmbëdhjetë vegimet e pranverës”. Përsëri paradoks: qarkullimi i materialeve të tilla mund të të shpinte në hetuesi, sikurse mund të ishte shenjë e padiskutueshme se ti ishe pranuar tashmë në klubin ekskluziv të “të brendshmve” të regjimit, të cilëve u lejoheshin veprimtari të tilla që, kryer nga njerëzit e tjerë, të rrugës, do të etiketoheshin vetvetiu si subversive.

Në një nivel më folklorik, ligjërimi subversiv gjente shprehje në barcaletat; veçanërisht në institucionin e barcaletës shkodrane. Edhe pse autorët fillestarë të barcaletave shpesh nuk identifikoheshin dot, regjimi ndonjëherë dënonte edhe riprodhuesit, ose ata që i tregonin; më rrallë edhe ata që qeshnin.

Vetë barcaleta nuk kishte aq rëndësi, përballë kontekstit ku riprodhohej; sepse regjimi dënonte guximin e folësve për ta sfiduar, jo mjetin e përdorur për sfidë.

Meqë tekste të tilla folklorike, anonime, si barcaletat, nuk kanë autor të mirëfilltë, atëherë roli dhe ndonjëherë përgjegjësia e autorit i kalonin rrëfimtarit, sidomos në mjedise haptazi publike. Përndryshe, rrëfimtari që dëshironte të mbetej anonim, kujdesej të përmendte emrin e personit që e kish bërë i pari barcaletën publike; i cili rrëfimtar zero, si të thuash, duhej të ishte vetë person publik, zakonisht humorist i njohur, ose aktor estrade – si humoristët e njohur të estradës së Shkodrës ose të Fierit, por edhe ndonjë hero i publikut tiranas, si Skënder Sallaku. Këto figura me autoritet jozyrtar përjashtoheshin nga rreziku për t’u ndëshkuar politikisht dhe u lejohej të ishin subversivë, edhe pse një formë vetëm e vetëm karnevaleske. Nuk është për t’u habitur që, po këta, shpesh shtrëngoheshin të luanin rolin e bufonëve ose të lolove, në oborret private të kuadrove gjysmë të larta, ose shefave partiakë sidomos të provincës, ku informaliteti interpretohej si licensë për t’i shkelur rregullat e vrazhda të komunikimit pubik totalitar e për t’i qortuar zakonet duke qeshur. Sado paradoksale të tingëllojë kjo sot, vetëm njerëzit e besuar të regjimit lejoheshin të rrëfenin publikisht barcaleta subversive; sepse brenda sferës totalitare të komunikimit, qëllimi i folësit merrte përparësi ndaj efekteve objektive të ligjëratës. Kush ruante gjithnjë epërsi ndaj çfarë, në kuptimin që interpretimi politik i ligjërimit tënd varej gjithnjë nga pozita jote brenda hierarkive totalitare; edhe pse, në rast katastrofe, ose nëse të deklaronin armik dhe antiparti, ligjërimi yt do të vlerësohej menjëherë në mënyrë retroaktive, dhe pafajësitë e djeshme do të shndërroheshin, me një të ngrysur të vetullave të udhëheqësit, në fajësi të sotme.

Ligjërimi publik totalitar, në atë masë që ishte domethënës dhe jo përsëritje performative klishesh dhe ligjërimesh të mëparshme, e mbarte gjithnjë me vete katastrofën e ligjëruesit.

Përtej alegorisë, barcaletave, monologjeve të skizofrenëve, pëshpërimave familiare ose midis shokësh të afërt, ose bisedave “pa dëshmitar”, ligjërimi subversiv mbetej vetvetiu i përjashtuar nga sfera publike.

Megjithatë, shembuj tekstesh të prodhuara në atë kohë, që përmbajnë kritika të rrepta dhe sistematike ndaj regjimit totalitar nuk mungojnë: ditare, shënime private, vepra letrare dhe studime të mbetura sirtareve, ose të mbajtura fshehur e të groposura e të murosura.

Akte të tilla, të cilat nuk e kapërcyen dot hapësirën midis ligjëruesit dhe të tjerëve, më mirë të konsiderohen si paraligjërimore; ose mesazhe të mbyllura në shishe e të flakura në oqean të kohës.

Të tjerë shembuj mund të sillen nga dokumentacioni i grupeve subversive të vërteta, ose të sajuara, të cilat ishin zbuluar nga policia sekrete e regjimit. Mbaj mend që, në Muzeumin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kam parë faksimile të një manifesti ose promemorieje të hartuar nga një grup i tillë agjenturor, ndoshta i kontrolluar nga sovjetikët. Natyrisht nuk jam në gjendje të vërtetoj autenticitetin e këtyre dokumenteve, që mund të kenë qenë edhe të fabrikuara për konsum edukativ; por më ka bërë përshtypje që gjuha e përdorur atje nuk dallonte shumë nga gjuha totalitare – njëlloj e drunjtë, njëlloj pedante, njëlloj e orientuar ndaj së vërtetës “objektive”.

Shoqëria shqiptare, nga ana e vet, veçanërisht në qytetet ku ligjërimi ishte më i shtresëzuar, i kundërvihej totalitarizmit me mënyra më të tërthorta; dhe kurrsesi duke ia përsëritur strukturat ligjërimore ose teknikat e komunikimit. Alegoria, barcaletat, dhe ndarja prerazi e sferës publike nga sfera private ishin vetëm disa nga këto mënyra; por shembuj mënyrash të tjera nuk mungojnë, nga të cilat do të përmend vetëm përdorimin e përemrit “këta”, si eufemizëm ndaj klikës në pushtet.

Këta” ishte tregues se folësi nuk e mendonte veten si pjesë të pushtetit; as donte të kishte të bënte me krimin totalitar; prandaj ajo fjalëz shndërrohej njëkohësisht në ftesë për solidaritet dhe në aktakuzë; në shkelje syri bashkëfajtore dhe në sondim të integritetit njerëzor të bashkëfolësit.

Kundërvënia ndaj regjimit totalitar mori trajta groteske gjatë viteve tetëdhjetë, deri në atë shkallë sa të shërbejë si kriter unik për përkufizimin e sferës private për atë periudhë, pavarësisht nga roli publik i aktantëve – deri edhe një ministër nuk i shmangej dot ligjërimit subversiv, në tryezën e bukës, me familjen e vet.

Por ato ishin vite kur kufomës totalitare vetëm sa i rriteshin qimet dhe thonjtë; kuadrot u gëzoheshin privilegjeve, por nuk e gjenin dot më në vetvete vendosmërinë për ta vazhduar krimin.

3 Komente

  1. Nuk di te them me saktesi c’vit mund te ishte, por di me siguri (si deduksion logjik i bisedes qe do te riprodhoj) se E.Hoxha kishte vdekur dhe sapo ishte vendosur ne qender te Tiranes shtatorja gjigande e bronxte…
    Ne shtepine tone ne province do te rrinte per darke kusheriri X (vinte me sherbim) – nje nder themeluesit e ardhshem te PD…
    Pak gjera kujtoj me hollesi nga episode te asaj kohe, por biseda e asaj mbremjeje do te mbetet e paharrueshme per mua. Duhet te isha diku tek 12 a 13 vjec…

    Kujtoj sakte si nisi. Ai tregoi nje barcalete, te cilen pikerisht pse e tha me ze te ulet, automatikisht me beri mua te shkeput vemendjen (por jo syte) nga TV dhe te mpreh veshet. Ajo cfare kapa ishte disi e manget, por e mjaftueshme per te me impresionuar pa mase ne nje kuptim qe nuk mund ta quaj asesi pozitiv apo negativ, thjesht me beri nje pershtypje te jashtezakonshme, gati shokuese; si cfare u tha, ashtu edhe cfare nuk u tha. Prisja qe prinderit e mi (babi ishte komunist) te thoshin dicka patjeter…
    “Edhe i vdekur nuk pushoi se vjedhuri” – ishte mesazhi i barcaletes, duke komentuar vendosjen e shtatores me kurriz nga Banka e Shqiperise me doren prapa, te mbledhur grusht, sikur sapo rrembyer para prej saj.
    Ishte vec fillimi i nje rrefenje per florinj te grabitur prej komunisteve tregtareve dhe pasanikeve te tjere pas luftes (IIB) dhe te mbajtura ne kasaforta personale e tanime te depozituara ne Bankat e Zvicres neper llogari personale ne emer te femijeve, ne menyre qe cfaredo qe te ndodhte(cfare mund te ndodhte??!!), ata te ishin te siguruar!!!
    Sa me siper i degjova te tera, prinderit e mij flisnin fare pak, ndoshta aspak (nuk kujtoj asgje nga ata, vec fjalet e kusheririt nga Tirana…).
    Mua me nisen te fle nga dhoma e tyre, packa se kuzhina ishte “dhoma” ime (ne kishin 1 dhome e kuzhine) dhe une nuk mora vesh cu be me tej.
    Te nesermen doja ta pyesja babin, por nuk guxova dhe keshtu u mbyll ky episod, deri para ca kohesh, ku ne nje dreke familjare, ndersa risilleshin ne kujtese histori diktature, krejt natyrshem me erdhi nder mend, dhe e tregova, me deshiren qe te merrja tani, ndonje feedback qe sarrita ta kem atekohe. Eshte interesante te rrefej qe asnjeri prej te dyve nuk e mbante mend biseden, ndersa kujtonin qe po, ka qene kusheriri X disa here ne shtepine tone, pasi vinte shpesh me sherbim aty. Ndoshta mosha ka bere te veten, por une kam nje shpjegim qe me pelqen me shume: ata flisnin gjithsesi me tone kritike per ate periudhe te fundme te regjimit, ndaj ajo nate nuk kishte pse te dallonte nga te tjerat.
    Apo dallonte kaq shume sa automatikisht, si nje instikt vetmbrojtes, kujtesa e tyre kishte bere “delete” qe ne krye te heres?!

  2. Në vartësi të objektit të vet, ligjërimi subversiv shfaqej në dy trajta. I pari kur i drejtohej regjimit in toto, pra duke e kundërshtuar si sistem. Konteksti ku verifikohej ky lloj ligjërimi nuk kishte rëndësi: në radhë të qumështit apo në mëngjesore, në shtëpi apo në kinema, në fushë apo në fabrikë. Shpeshherë karakteri publik i ligjërimit subversiv realizohej pas ose gjatë dënimit. Prandaj edhe shumë prej nesh habiteshin kur merrnin vesh më pas se dikujt “i kishin hedhur hekurat”, sepse “i kishte dhënë gojës pak si tepër”, “kishte folur”, e kështu me radhë. Ligjërimi subversiv antisistemik, pra kundër sistemit totalitar, dënohej ashpër dhe pa asnjë shpresë shëlbimi.

    Ndryshe paraqitej ligjërimi subversiv që i drejtohej një personi ose një grupi individësh. Është e tepërt të kujtoj se çdo “demaskim” i grupeve armiqësore shoqërohej me një veprim redentues (shëlbues) për ata që ishin dënuar më parë dhe “pa të drejtë” nga “armiqtë e popullit” të porsazbuluar. Kështu p.sh. dënimi i puçistëve ose i grupit të Mehmet Shehut nxirrte automatikisht nga burgjet një sërë individësh të dënuar se kishin “sharë” këtë apo atë figurë politike. Madje shumë syresh dilnin në pozita rivendikative, meqë kishin nuhatur në kohë veprimtaritë përkatëse armiqësore. Pavarësisht se rrallëherë u jepej shansi të ngriheshin atje ku kishin qenë më parë.

    Në rastin e dytë ligjërimi subversiv dukej i përkohshëm vetëm në perspektivën e së ardhmes fatlume. Përndryshe, mund të kalbeshe tërë jetën në pritje të një çjerrjeje maske, që ndoshta nuk do të mbërrinte kurrë. Them se sistemit totalitar i lipsej një farë limbo për ligjërimin subversiv, nga ku mund ta nxirrte eventualisht sipas nevojave të kohës, sepse në këtë mënyrë ushqente edhe besimin se e drejta ekzistonte, edhe kur vinte me vonesë. Por rëndësi kishte që të dihej se atë e sillte “Partia”.

  3. Shembulli i tre oficereve shpreh me se miri ate pjese te ligjerimit subversiv gje qe e beri edhe me te eger diktaturen pasi e ktheu popullsine ne spiune te pa vullnetshem duke kundervene shpesh here njerez brenda fisit dhe familjes. Rreziku se ndoshta provokacioni i folesit neser mund te kthehej ne zhurme “Saureli” te dera e shtepise, e linte degjuesin gjithe naten pa gjume dhe gjeja e pare qe bente ne mengjez ishte te rrefehej te i “Plotfuqishmi i Lagjes”.

    Ishte e pa mundur qe te tregoje ne nje grup me tre vete nje barcalete me nentekst politik, antirregjim nese ajo nuk ishte shume e kamufluar dhe humori i saj teper i holle per ta futur ne “kallepe te tjera”. Perndryshe duhet te terhiqje shokun e ngushte ne oborr te shkolles per ti thene “te forten e fundit”, patate te nxehte te porsa ardhur nga Shkodra. Eshte e vertete qe shkodranet kane mbajtur nje peshe te madhe te ligjerimit subversiv duke patur parasysh qe rregjimi ishte teper vigjelent ne ate qytet pasi ishte i ndergjegjshem per disidencen e popullsise atje. Doza e revoltes ne humorin e tyre ishte teper e madhe dhe kerkonte kuraje te vecante qe te tregohej publikisht sidomos perpara vdekjes se E. Hoxhes.

    Ligjerimi subversiv erdhi gjithnje e ne rritje sidomos ne dhjetevjecarin e fundit te jetes se diktatures kur “grupet armiqesore” po beheshin shume me pak te rrezikshem krahasuar me mungesen deri edhe te bukes se perditesheme.

    Personalisht ligjerimit subversiv i jap nje vend te vecante nder ligjerimet e tjera te diktatures pasi ka qene nje perberese e jetes tone se perditeshme dhe na perkiste neve. Te shpreheshe kunder diktatures, me humor ose pa humor, ishte nje fare ngushellimi dhe nje shfryrjeje ne kundervenje te situates qe keqesohej cdo dite.

    MB

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin