SHQIPJA TOTALITARE (VIII)

Ligjërimi publik në Shqipërinë totalitare u ushqye nga dy burime kryesore: zhargoni gjuhësor-kulturor i rusishtes, i përpunuar nga ideologët dhe aparatçikët sovjetikë; dhe retorika kombëtariste e Rilindjes Kombëtare. Kombinimi i këtyre dy burimeve krijoi diçka të re dhe të shëmtuar: shqipen totalitare, e cila s’ishte veçse ajo formë e ligjërimit publik në shqipe e cila synonte riprodhimin e pushtetit totalitar dhe indoktrinimin e shqipfolësve të përfshirë në ligjërimin publik me ideologjinë totalitare.

Nga ana tjetër, sistemet konceptuale brenda një kulture themelohen gjithnjë mbi kryemetafora; prandaj identifikimi dhe përshkrimi i këtyre kryemetaforave ndihmon për ta kuptuar më mirë funksionimin e asaj kulture. Aq më e vërtetë është kjo kur është fjala për kulturën totalitare, e cila me përkufizim shtjellohet nën mbikëqyrjen e rreptë të autoritetit jo vetëm kulturor, por edhe e sidomos ideologjik.

Një kryemetaforë elementare, por e rëndësishme për të kuptuar marrëdhëniet midis ligjërimit totalitar dhe jetës publike në Shqipërinë e atyre kohëve ka të bëjë me veprimtarinë e të ndërtuarit dhe mund të kristalizohet e tëra në thënien:

Ndërtojmë socializmin.

Dhe në variantet e saj të shumta (ndërtimi i socializmit, ndërtojmë të ardhmen, ndërtojmë jetën e re).

Brenda kësaj kryemetafore, socializmi përfytyrohet si ndërtesë, ose diçka që është në ndërtim e sipër ose duke u ndërtuar, çka e projekton eksperiencën e së përditshmes gjithnjë drejt së ardhmes.

Duket pak e habitshme që një sistem politik që e përkufizonte veten si diktaturë e proletariatit ta shprehte idenë e punës prodhuese nëpërmjet metaforës së ndërtimit – meqë të ndërtuarit, njëfarësoj e ndryshe nga prodhimi i mallrave nëpërmjet punës, prodhon thjesht vetveten derisa ndërtesa të jetë përfunduar dhe të fitojë vlerë përdorimi.

Nga ana tjetër, të thuash se je duke ndërtuar socializmin është sikur të thuash se momenti i tanishëm është gjithnjë kalimtar, prandaj mangësitë e sotme duan interpretuar si premtime të mirëqenies së nesërme.

Që këtej: ndërtojmë të ardhmen me duart tona.

Si veprimtari njerëzore, ndërtimi është një proces që shtjellohet zakonisht nga poshtë lart, ose duke sfiduar diktatin e forcës së rëndesës; prandaj kryemetafora e të ndërtuarit lidhet ngushtë me kryemetaforën tjetër, sipas së cilës “më lart është më mirë”, ose “ngjitja është progres”, edhe pse kjo e fundit ndeshet praktikisht në të gjitha kulturat.

Megjithatë, kyçi për të kuptuar funksionimin e të ndërtuarit si metaforë për veprimtarinë publike duhet kërkuar në raportin midis dy fazave të procesit ndërtimor: planëzimit dhe zbatimit.

Ka një pasazh të “Kapitalit”, ku Marksi vëren se, sidoqë bleta i ndërton hojet më mirë se arkitektët, çka e dallon arkitektin më të keq nga bleta më e mirë është se arkitekti i ndërton hojet në mendje para se t’i realizojë në dyllë; dhe se në fund të çdo procesi pune arrihet një rezultat i cili ishte konceptuar nga punëtori më parë, duke pasur kështu një ekzistencë ideale para se të vinte në jetë edhe materialisht; prandaj njeriu si punonjës ose homo faber jo vetëm ia ndërron formën materies natyrore, por edhe realizon qëllimin e vet në materialet e prodhuara.

Kjo duket veçanërisht qartë në procesin ndërtimor, ku objekti i ndërtuar ekziston paraprakisht në projektin, ose në planin e hartuar nga arkitekti.

E përkthyer në rrafshin metaforik, kjo don të thotë që jeta publike nën totalitarizëm është realizimi i një projekti të qendërzuar ose i një plani të ideuar nga autoriteti suprem ose kryearkitekti – sipas rastit Partia ose Udhëheqësi.

Shembulli më elokuent i forcës së këtij koncepti gjendet në hapësirën dhe rëndësinë që i jepej, brenda ligjërimit publik totalitar, planeve pesëvjeçare dhe veprave që do të ndërtoheshin, që po ndërtoheshin, ose që ishin ndërtuar: hidrocentraleve, fabrikave, kombinateve, kanaleve vaditëse, pallateve të reja, hekurudhave, tuneleve, shkollave

(Të gjitha këto i ndërtonin masat punonjëse ose ndërtuesit duarartë, por në thelb ishin “dhurata të Partisë” për popullin.)

Edhe proceseve të tjera, të transformimit të natyrës, u imponohej forcërisht një natyrë ndërtimore: hapjes së tarracave, hapjes së tokave të reja, shpyllëzimit, tharjes së kënetave. Ndërtimi shndërrohej kështu në një proces nëpërmjet të cilit totalitarizmi e krijonte vetë realitetin e vet, duke u mbyllur në të si krimbi i mëndafshit në pupëz.

Natyrisht, të flasësh për ndërtime dhe plane pesëvjeçare është një gjë, dhe të përdorësh metaforën e të ndërtuarit për të riprodhuar pushtetin totalitar një gjë tjetër. Mirëpo prania masive e temës së ndërtimit në ligjërim e bënte më të lehtë të pranohej kryemetafora e të ndërtuarit, si model i jetës së përditshme të masave punonjëse.

Nga ana tjetër, nëse ndërtimi bëhet në bazë të një projekti, dhe nëse gjithçka në jetën publike totalitare i shërben ndërtimit të socializmit, atëherë planëzimi, si veprimtari politike e udhëheqjes totalitare, përfshinte çdo aspekt të jetës së përditshme.

Vetë ndërtimi i një “vepre” kalonte nëpër disa faza qartësisht të dallueshme, nga të cilat ato faza që u përgjigjeshin dy skajeve pikëzore të procesit – fillimit dhe fundit – merrnin rëndësi të vetvetishme: themelimi dhe përurimi (inaugurimi).

Në ligjërimin totalitar, themelimi si akt kishte zëvendësuar krijimin; sepse krijimi i referohet kryemetaforës tradicionale fetare, ndërsa themelimi rridhte natyrshëm nga vetë kryekoncepti i të ndërtuarit.

Prandaj edhe flitej për themelim të institucioneve, të organizatave, të shoqatave; sikurse flitej për themeluesin… ose atë që vendoste gurin e parë në themelet, ndonjëherë edhe në mënyrë rituale, ose duke e literalizuar metaforën ndërtimore.

Antropologëve nuk do t’u shpëtojë aspekti ritualistik, ose gjithnjë pak magjik i themelimit; madje edhe fakti që ndonjëherë themelimi kërkonte sakrificë – dhe jo vetëm në legjendat popullore, ose në romanet e Kadaresë.

Tek e fundit, a nuk kishte vallë pushteti popullor gjak në themelet?

E kundërta e themelimit ishte përurimi, ose rituali njëlloj solemn dhe pagan nëpërmjet të cilit procesi i të ndërtuarit deklarohej i përfunduar, zakonisht duke sjellë ndonjë pushtetar të lartë “të priste shiritin” e veprës.

Konceptualisht, ka gjithnjë një paralelizëm midis planëzimit dhe themelimit nga njëra anë, ndërtimit dhe përurimit nga ana tjetër. Po ashtu, nëse themelimi ose hapja e themeleve është momenti i kalimit nga ideja në materje, për të nisur ndërtimin e objektit real ose metaforik, përurimi – si komunion i pushtetit totalitar me punën – ia kthen veprën materiale botës së simboleve, sa kohë që vepra e përfunduar shndërrohet në fitore dhe nis të funksionojë si instrument ligjërimor propagandistik.

Në një kuptim, krejt procesi ndërtimor shfaqet kështu si realizim i parimit dialektik hegelian të mohimit të mohimit: nga arsyeja/planëzimi në realitet material/ndërtim e që andej në simbol/përurim.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin