SHQIPJA TOTALITARE (VII)

Shteti totalitar i fliste publikut nëpërmjet një sistemi ligjërimesh ideologjike që përfshinte organet e shtypit të përditshëm (“Zëri i Popullit”, “Bashkimi”), mjetet elektronike të komunikimit (radiotelevizioni), të ashtuquajtura “dokumente të Partisë” (fjalimet dhe veprat e Enver Hoxhës, dokumente të tjera programatike) dhe materiale të tjera më të specializuara (revista “Rruga e Partisë”). Synimi i këtyre mesazheve nuk ishte vetëm të edukonin njeriun e ri duke i ofruar modele të të menduarit dhe të vetëdijes publike, por edhe t’i jepnin këtij njeriu të ri modele të gatshme ligjërimore, për ta mësuar si të fliste në publik. Ideja ishte, në thelb, që individi të shndërrohej në instrument amplifikues të ligjërimit burimor, ose të fjalës që vinte “nga lart”.

Njeriu ka aftësi të madhe për t’u përshtatur; i ndodhur përballë një ligjërimi aq formulaik dhe përsëritës sa ai i shqipes totalitare dhe i detyruar, për të mbijetuar, që ta bëjë të vetin atë ligjërim jo aq në mendim sesa në praktikë, do të përshtatej duke ia shpërfillur përmbajtjen; meqë në mjediset ku praktikohej ligjërimi publik totalitar (mbledhje të Partisë, mbledhje të kolektivit, mbledhje të lagjes) përmbajtja e fjalës së njërit apo të tjetrit nuk përcillte ndonjë informacion të panjohur; dhe vetë ushtrimi i të drejtës për të folur kishte për synim t’i jepte legjitimitet pushtetit duke ia përcjellë dhe amplifikuar ligjërimin. Informacioni i shkëmbyer nuk kishte aq të bënte me çfarë thuhej, sesa me kë e merrte fjalën dhe me ç’patos e përcillte paketën ligjërimore që kishte mbërritur e gatshme.

Megjithë këtë indiferencë ndaj përmbajtjes së ligjërimit publik (me përjashtim të ndonjë idioti noterik, askush nuk motivohej, në punën e vet, nga entuziazmi “për të zbatuar vendimet e Kongresit VI të PPSH”), ligjërimi i prodhuar në oficinat propagandistike të KQ – në sekretariatin e KQ, në Institutin e Studimeve M-L, në Shkollën e Partisë – vepronte tërthorazi në kompetencën gjuhësore të publikut, duke e stërvitur, përditë e me doza të vogla, me mënyra të caktuara të shprehjes, të cilat jo vetëm i referoheshin një mënyre të menduari totalitare, por edhe ndihmonin për ta induktuar këtë mënyrë, qoftë edhe në forma subliminale, në vetëdijen e individit. Për ta shembëllzuar si vepronte një teknikë e tillë e manipulimit psikologjik dhe e kushtëzimit të ligjërimit publik, do të shtjelloj, këtu e në vijim, dominimin e ligjërimit totalitar nga kryemetafora “jeta është luftë”.

Rolin e metaforave në gjuhë e sidomos në mënyrën si e organizojmë eksperiencën e kanë studiuar mjeshtërisht Lakoff & Johnson; dhe, duke iu referuar librit të tyre dhe studimeve të mëtejshme, dua të sqaroj se kryemetafora “jeta është luftë” nuk është doemos totalitare, as lidhet vetvetiu me ndonjë mekanizëm të manipulimit totalitar të publikut; përkundrazi, çka e bën qendrore për këtë shtjellim të shqipes totalitare, është mbizotërimi i saj në raport me kryemetaforat e tjera që ndihmojnë për të organizuar eksperiencat sociale dhe ligjërimore të shoqërive njerëzore.

Me metaforë, në kontekstin e kësaj eseje, kam parasysh përdorimin e një koncepti në vend të një koncepti tjetër, për ta ndriçuar në bazë të një ngjashmërie çfarëdo. Fjalia e mëposhtme:

Partia e ka udhëhequr popullin nga fitorja në fitore.

Përmban të paktën një metaforë – meqë koncepti i fitores lidhet drejtpërdrejt me një betejë ose një lojë, ndërsa i përdorur për të shenjuar përfundimin me sukses të një nisme ose plani shndërrohet në metaforë (“jeta është luftë”). Përkundrazi, fjala “fitore” e përdorur në kontekstin e përshkrimit të një beteje, nuk është metaforë. Këtu e më tutje do t’u referohem vetëm përdorimeve metaforike të fjalëve dhe të shprehjeve.

Më lart e quajta shprehjen “jeta është luftë” kryemetaforë; këtë, për të theksuar se përfytyrimi i eksperiencës kolektive, sociale ose politike, si një formë e konfliktit në fushë të betejës, themelon një sistem jashtëzakonisht të shtrirë e të pasur metaforash, të cilin e gjejmë kudo në ligjërimin ideologjik totalitar.

Shembujt e mëposhtëm do të mjaftojnë, shpresoj, për ta ilustruar këtë koncept (metaforat militariste i kam kundërshenjuar me shkronja të zeza):

Korr fitore

Nga fitorja në fitore

Përpara për fitore të reja

Partia është pararojë e klasës punëtore

Partia është maja e shpatës e klasës punëtore

Lufta kundër shfaqjeve të huaja

Nuk ka kala që s’e marrin komunistët

Armiku na ka në grykë të pushkës, por edhe ne e kemi në grykë të topit

Kjo tokë është e larë me gjakun e dëshmorëve

Klasa punëtore të zbrezë në shesh të betejës (të luftës, të mejdanit)

Fitoret tona do t’i mbrojmë me gjak

Armikun e klasës e kemi në shënjestër

Pushteti buron nga gryka e pushkës

Duhet të kalojmë në ofensivë (mësymje)

Shqipëria, kështjellë në brigjet e Adriatikut

Jetojmë e punojmë si në rrethim

Rrethimi imperialisto-revizionist

Jemi të gjithë ushtarë të Partisë

Marshojmë përpara drejt fitoresh të reja

Shtrëngojmë radhët reth Partisë

Politika e kanonierave

Grusht bashkuar rreth Partisë

Sup më sup si malet

Nuk dorëzohemi edhe sikur të hamë bar

Aksion me goditje të përqendruar

Betohemi para flamurit

Llogoret (barrikadat) e revolucionit

Së bashku me një varg fjalësh e termash që, në përdorimet e tyre literale, u referohen situatave ushtarake ose luftarake: betejë, përleshje, pritë, detashment, brigadë sulmuese, fushatë, triumf, vringëllimë armësh, ngadhënjim, njëshkolonë, urdhër dite, mobilizim, alarm, marshim, komandanti, fronti i brendshëm, kolonë e pestë, spiun, sabotator, tradhtar, agjent, fronti i jashtëm, si një trup i vetëm, terror i bardhë, lufta e klasave, me zjarr e me hekur, plumbin ballit, disfatë, strategji, strateg, shtab, komandë, kushtrim, vigjilencë, rikonjicion, etj.

Kryemetafora luftarake në shqipen totalitare e ka zanafillën në shtypin e kohës së Luftës Na-Çl, kur ishte e natyrshme që marrëdhëniet sociale dhe dinamikat politike të konkretizoheshin duke u përqasur me mekanizmat e luftës; aq më tepër që konflikti i armatosur është një nga eksperiencat më themelore e më primordiale të shoqërive njerëzore.

Nga ana tjetër, marrja e pushtetit me dhunë dhe vendosja e diktaturës së proletariatit ka qenë gjithnjë objektiv themelor i lëvizjeve komuniste leniniste; objektiv që, në për Shqipërinë u mundësua si pasojë e trazirave të mëdha që shoqëruan pushtimin e vendit nga Italia e Mussolinit më parë, e nga Gjermania e Hitlerit më pas.

Komunistët shqiptarë, sado të maskuar pas Frontit Nacional-Çlirimtar dhe Këshillave përkatëse, nuk e mbajtën kurrë të fshehtë që pjesëmarrja e tyre në luftë, së bashku me sakrificat e mëdha dhe të rënët në përleshje me pushtuesin, do t’i jepnin legjitimitet absolut pushtetit të tyre në të ardhmen, siç edhe ndodhi.

Në të vërtetë, autoriteti i klikës që e udhëhoqi Shqipërinë për gati gjysmë shekulli buronte, në analizë të fundit, nga e vërteta historike që këta njerëz kishin fituar Luftën (nuk është rastësi që regjimi erdhi duke u zbythur e duke u shpërbërë, sapo brezi i fitimtarëve të Luftës II erdhi duke dalë nga skena, për arsye të moshës).

Nëse e pranojmë këtë, atëherë do të pranojmë edhe që ideologët manipulues të ligjërimit ideologjik totalitar do t’i jepnin kryemetaforës së Luftës vend qendror në këtë ligjërim; meqë çdo përdorim i kësaj metafore, sado mekanik ose për sy e faqe, do të legjitimonte diktaturën a posteriori, e cila vetë ishte produkt i asaj Lufte.

Fitorja reale e çlirimit të Shqipërisë në fund të vitit 1944 do të shërbente si bazë legjitimuese për të gjitha fitoret e tjera, reale ose të imagjinuara, të pushtetit totalitar në përpjekjet për të përqendruar dhe konsoliduar kontrollin mbi shoqërinë shqiptare.

Nga ana tjetër, komunizmi në Shqipëri nuk e përfundoi luftën me marrjen e pushtetit; meqë krejt historia e totalitarizmit shqiptar mund edhe të shkruhet si histori e persekutimit të shqiptarëve nga klika e pushtetarëve që morën vendin në kontroll në fund të Luftës II; dhe e ashtuquajtura luftë klasash, e cila në të vërtetë nuk ishte veçse persekutim i një pjese të shoqërisë shqiptare nga pjesa tjetër, gjithashtu i përshtatej kryemetaforës luftarake për bukuri.

Kontrolli total ndaj shoqërisë shqiptare, që kërkonte të arrinte regjimi i Hoxhës, mund të arrihej më lehtë sikur kjo shoqëri të organizohej jo si bashkësi individësh të lirë dhe të përgjegjshëm, por sipas precepteve të organizimit ushtarak – në njësi kompakte dhe të mobilizueshme, që zbatonin urdhrat dhe ishin gati për të marshuar ku t’i urdhëronte “Komandanti”. Brigadat sulmuese, të cilat u bënë aq popullore në vitet e aksioneve të rinisë, janë vetëm një shembull i kësaj teknike organizative; por në përgjithësi udhëheqjes i pëlqente veçanërisht koncepti, gjithnjë metaforik, i “popullit ushtar”, sa kohë që ushtari nuk është veçse zgjatim mekanik i vullnetit të komandës.

Pas daljes nga Traktati i Varshavës, këtij fjalëkyçi të “popullit ushtar” iu shtua edhe metafora tjetër madhore e “rrethimit imperialisto-revizionist”, e cila hyri në ligjërimin publik e shoqëruar nga satelitët e vet të “hamë edhe bar por nuk dorëzohemi”, “kështjellë në brigjet e Adriatikut”, “e mbajmë barutin thatë”, “armiku do të kafshojë dheun,” “nuk kanë lindur ende ata burra që të frikësojnë shqiptarët”, e plot të tjera, të cilat dhanë ndihmesën e tyre për ta militarizuar edhe më tej ligjërimin.

Metafora e “rrethimit” i jepte legjitimitet të mëtejshëm dhunës totalitare që erdhi duke u intensifikuar gjatë viteve 1973-1983; meqë Partisë i duhej të përballej në një luftë “për jetë a vdekje” me armikun, i cili përpiqej, me mënyrat e veta, për ta “shtënë në dorë” Shqipërinë; çka përligjte situatën prej shtetrrethimi praktikisht të përhershëm; shkeljet fragrante të të drejtave më elementare të njeriut, në emër të “sigurisë publike”; centralizmin, ose nevojën për bindje verbërisht ndaj urdhrave dhe direktivave “nga lart”.

Më në fund, një atmosferë prej lufte permanente dhe ballafaqimi kapilar me armikun në çdo fushë të jetës i apelohej edhe mendësisë patriarkale, autoritare që ende sundonte, tradicionalisht, në shoqërinë shqiptare; duke krijuar një vartësi të thellë psikologjike të qytetarëve çfarëdo ndaj burimit të vetëm të autoritetit publik (çka shpjegon edhe rishkrimin e Historisë së Shqipërisë si histori ekskluzivisht luftrash e betejash).

Modelimi i ligjërimit publik sipas metaforës “jeta është luftë” luajti rolin e vet në konsolidimin e regjimit totalitar, kryesisht duke ia legjitimuar metodat dhe duke ia përligjur hierarkitë. Këto efekte, edhe pse në rrethana krejt të tjera, shqipja publike vijon t’i prodhojë edhe sot, sidomos në mjediset politike të kontrolluara të ligjërimit partiak ose kombëtarist, ku ende mbizotëron vizioni i konfliktit politik antagonist, ndërsa kompromisi shihet si gjunjëzim ose “dorëzim” ndaj kundërshtarit.

3 Komente

  1. Kontaktin e parë me shqipen totalitare detyrimisht e kam pasur më përpara se të mbushja gjashtë vjeç. E megjithatë në kujtesën time është ngulitur klasa e parë e shkollës fillore, e pikërisht kur drejtoresha na tha se “dhjetat tona ishin plumb për armikun”. Shumë më vonë tallesha me veten kur merrja ndonjë dhjetë. Përfytyroja shndërrimin e saj në plumb dhe armikun nga ana tjetër e llogores që binte përtokë me dhimbje. Për lojë natyrisht. Kurse në fillore e pata menduar një herë, seriozisht, se sa dhjeta duhet të merrja për të mbushur karikatorin e kallashit.
    Me këto kujtime desha të shtoja se kryemetafora “jeta është luftë”, siç e quan Xha Xhai, ishte konceptuar edhe didaktikisht. Pra për shkollën, në të gjitha nivelet e saj. Në mënyrë që të fëmijët të rriteshin me “frymën e kohës”, ose më mirë frymën ushtarake. Ushqimi i kësaj fryme e bënte edhe më të lehtë veprimin e kryemetaforave, rreth të cilave vërtitej ligjërata publike. Sepse njerëzit e përbrendësonin që në vegjëli mendësinë e luftës, ndaj edhe zboret e gjata – natyrisht më shumë edukative se sa ushtarake – nuk dukeshin aq të padurueshme saç na duken nga lartësitë e së sotmes.

  2. Pishak, mos harro “komandantin e çetes”! Une kam qene komandant çete vete, anipse s’kam dhene asnje komande!

  3. Kur Xha Xhai shkruan se regjimi synonte për ta mësuar shqiptarin “si të fliste në publik”, kjo u arrit shumë në Shqipëri. Ne të gjithë jemi subjekte, në mos viktima të asaj ideologjie. Kujtoni fjalën “me/pa partishmëri”, e cila kam vërë re se ende iu vjen ndër dhëmbë a gishta shumë bashkëkohësve, të cilët e zëvendësojnë menjëherë “me objektivitet” a “subjektivitet”, përkatësisht, e ndonjëherë madje e kapërcejnë se pikërisht nuk gjejnë një fjalë që të arrijë “partishmërinë”…

    Por shembulli më i përafërt “i përgatitjes publike në ligjërim” është ai i Pirro Dhimës që do t’ju rrëfej tani.

    Në vitin 1991, si student në Athinë, lexova një intervistë të peshëngritësit për përfolur, i cili kur u pyet për vendlindjen e tij tha se “Himara e ka çarë udhën e historisë me pushkë dhe me penë”.

    Kjo thënie u mor nga shumë gazetarë si fjalë e mjaft goditur, aq sa shumë grekë kujtuan se brenda djaloshit në dukje naiv e të pafajshëm ishte një njeri i squtë e karizmatik.

    Ata nuk e dinin se këtë e kishte thënë Enveri për popullin shqiptar, por sportistit, të ndodhur në trysinë e medias dhe jo vetëm, i kishte shpëtuar një thënie e gatshme, si ato vargjet shkrimore që iu vijnë të gatshme në buzë praktikantëve fetarë!

    Kjo, te ky shembull që bëzan vetë, mbështet të vërtetën se regjimi e arriti ta përgatisë shqiptarin të flasë në publik; dhe madje të dijë si të flasë.

    Një përftesë të tillë mund ta arrijë vetëm feja, prandaj dhe debati prapë të çon atje, tek përbashkësia e gjuhës totalitare në të gjitha kultet, qofshin ato politike a fetare.

    Dhe me këtë rast, dua të shtoj se para disa vjetësh, për të ndijuar pikërisht këtë zonë në dukje të cekët, u detyrova të studioj vëllimet e një periodiku tepër ndriçues mbi këtë temë, Journal of Cultic Studies, ku studiohen pikërisht kultet fetare e politike. Mu hapën sitë!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin