PASAPORTA SI PASQYRË

Gjeneratorët? Automjetet luksoze? Plehrat nëpër rrugë? Kafenetë plot? Karroca e famshme me kuaj? Gomari i ngarkuar? Asnjë nga këto nuk më bëri përshtypje kësaj vere në Shqipëri. Edhe pse telekamerat dhe aparatet fotografike i kthenin vazhdimisht objektivët nga sendet e mësipërme, duke i shndërruar pashmangshmërisht në kulte mediatike, mua personalisht nuk më thoshin asgjë të re.
Vëmendja ime rrëshqiste në një objekt tjetër, tashmë i zakonshëm nëpër duart e shqiptarëve. Ndoshta si dikur buka dyzetëshe. Gjendej kudo: ata që ndiznin gjeneratorët e fusnin ëmbëlsisht në xhep, ata që vozitnin makina klasi e tregonin me mburrje, ata që hidhnin plehrat e kontrollonin me kujdes, ata që rrinin në kafene e shqyrtonin me imtësi, ata që kishin frerët në duar e shikonin me bisht të syrit, tek xhepi i këmishës rregullisht me cep të grisur. Pra telekamerat dhe aparatet nuk kanë si mos ta kenë marrë. Me siguri e kanë pavdekësuar nëpër pamje dhe fotografi, por të hutuar pas ekzotikes, pas tëlehtëshpjegueshmes, pas anormales normale, kanë harruar ta zoom-ojnë për t’i sintetizuar me një klik ndoshta gjithë vitet postotalitare.
Pasaporta. Fjalë për fjalë “kaluese” nga një vend në një tjetër. Si të thuash “çelës”, sepse një dokument i tillë të lejon ta hapësh derën, ta kalosh portën, pra kufirin. Hidhini me kujdes një sy pamjeve të xhiruara në Shqipëri: baret, sheshet, rrugët, ishin plot me shqiptarë me pasaporta në duar. Nëse ju ka shpëtuar është krejt rastësi. Nëpër duart e shqiptarëve pasaporta tregohet, analizohet, shqyrtohet, blihet, shitet, shitblihet, rishitet, riblihet, ëndërrohet, vuloset, dashurohet, anullohet, përkëdhelet, lutet, falsifikohet, ndërrohet. Me dy fjalë: merr jetë. Ndoshta nga vdekja, ose gjysmëvdekja, koma, gjumi… Kjo duhet parë më tutje.
Dikush mund të më thotë se pasaporta u shërben shqiptarëve si dokument identifikimi, ndërkohë që ka lindur për të përmbushur detyra të tjera. Ndoshta më fisnike. E vërtetë. Përderisa kartat e identitetit ende nuk po përgatiten – kryesisht për faj të mëdyshjes se çfarë fotografie do të vendoset mbi to, e Skënderbeut, e Nënë Terezës, apo e individit vetë (kulti i individit?) – atëherë pasaporta është e detyruar t’i nënshtrohet një farë mbiekspozimi social, për vetë rolin e vet polifunksional. Mirëpo këto pallavra le t’i shkruajnë analistët e huaj. Ne u besojmë deri në një farë pike, sepse në çaste sinqeriteti e kuptojmë edhe vetë se nëpër rrugët e Tiranës, Tepelenës apo Shijakut, pasaporta nuk na duhet për t’u identifikuar. Policin, po ta pyesim pak, na del edhe kushëri po qe nevoja. “Si ta thonë emrin?”, “I kujt je?“, “Çfarë e ke filanin?“, “Është çuni i dajës tim”….
Në vitet e diktaturës pasaporta ishte një objekt i rrallë. Në fakt ekzistonte vetëm sepse teorikisht “socializmi mund të ndërtohej edhe në një vend të vetëm”. Me fjalë të tjera arsyen e ekzistencës e gjente tek qenia e vendeve të tjera jo tek regjimi. Sa për këtë të fundit, po të kishte pasur mundësi, do ta zhdukte nga faqja e dheut mundësinë e pasaportës, d.m.th. ose pasaportën vetë ose vendet e tjera. Marrja e pasaportës në atë kohë nënkuptonte vizë. Sepse vizën fillimisht ta jepte qeveria jote, pastaj e huaja. Kurse tani që qeveri nuk kemi, na e japin vetëm ambasadat. Meqë ra fjala. Për metër katror, përqendrimi më i fortë i pasaportave verifikohet përballë kangjellave të konsullatave të huaja. Kuptohet pse. Intelligenti pauca.
Është çudi se si pasaporta shqiptare në vite, nga pikëpamja kromatike (e ngjyrës), nuk ka pësuar ndonjë metamorfozë gjenetike thelbësore. Ka mbetur në nuancat e së kuqes, pa guxuar të shkojë më tej. Fillimisht e kuqe flakë, pastaj e kuqërremtë, pastaj kafe e kuqërremte. Pak a shumë. Nuk e di nëse ka pasur ndonjë ndikim pigmenti simboliko-kombëtarist, por fakti është se nuk jemi larguar kurrë nga flamuri. Për hir të së vërtetës ndryshime janë bërë në pasaportë. Madhësia e fotografive, të dhënat, shenjat antifalsifikim (gjithnjë të pamjaftueshme), ylli, faqet. Vetëm shqiponja ka mbetur krenare, e papërkulshme nga stuhitë e kohës, njëlloj si diskutimet për ditën e çlirimit.
Pasaporta u ka qëndruar palëkundur edhe luhatjeve të gjendjes shpirtërore të shqiptarëve. Në fillim u instrumentalizua nga i fundmi i regjimit për t’u treguar qytetarëve se Shqipëria ishte bërë vend i lirë. Ramiz Alia prandaj e dha shpejt e shpejt të drejtën për pasaportë. Me një gur vrau dy zogj: nxori në pension de jure fjalën “arratisje” dhe krijoi mirazhin e lirisë. Tek e fundit e dinte se kontrolli i kufijve bëhet nga brenda, por edhe nga jashtë. Kohët kishin ndryshuar. Kështu ua la të tjerëve detyrën e qenve të kufirit.
Përjashto periudhat e urisë kolektive për pasaporta, kryesisht në prag tenderësh, kur vërtetohej më së miri raporti kapitalist kërkesë/ofertë, pasaporta ka qenë element i gjithgjendshëm në natyrën shqiptare. Tani problemi nuk është gjetja e pasaportës, por mbushja e saj me një vizë, Shengen mundësisht, ose më mirë amerikane, ose më mirë fare kanadeze. Edhe pse atje bën ca ftohtë.
Parë si objekt pasaporta nuk thotë kushedi se çfarë. Shumë shumë mund të rrëfejë ecejaket burokratike nëpër zyra noterësh, legalizuesish, falsifikuesish, konsujsh, policësh, vulavënësish e individësh të tjerë me uniformë ose jo. Si simbol pasaporta të rrëfen jo pak. Vetë hierarkia brenda saj nuk është memece. Sepse si edhe shoqëria, apo më qartë ushtria, pasaportat janë fatalisht të shtresëzuara. Ka pasaporta diplomatike, shërbimi dhe në fund, por krejt në fund, vijnë ato të zakonshmet. E pra si simbol pasaporta flet hapur për klaustrofobinë kolektive, ëndrrën për të ikur, dëshirën për ta ndërtuar jetën gjetiu, lirinë e pa/gëzuar, qytetarinë kokulur, politikat e dështuara integruese, zhgënjimin tek klasa drejtuese….Pasaporta flet qartë, por askush nuk e dëgjon.
Dikur ishin në modë disa portofola të hollë me pasqyrë brenda. Në trajtë pasaportash ose letërnjoftimesh. Edhe ngjyrën të kuqërremte e kishin. Hapeshin për t’i hedhur një sy fytyrës, vetes. Si pasaportat. Pikërisht.

2 Komente

  1. Të lumçin gishtat, Pishak, se e ke qarë! Uroj ta botosh dhe në Tiranë, se këto ditë është në trend kjo temë.

    E ku ka shqiptar që të heshtë për këtë temë?

    Nëse diktatura do ta kishte ruajtur Shqipërinë të hapur, ndoshta do të kishte gjetur dhe një fjalë shqip për pasaportën, siç ngjizi për kartën e identitetit (letërnjoftim). Mirëpo nuk iu gjet fjalë sepse fjalët korrespodojnë me sende.

    Edhe me emër evropian, pasaporta shqiptare prapë s’të shpie dot atje. Kur shkruan At Zef Pllumi “njëqind vjet tranzicion” e thotë bukur, se nëse ia bëjmë historinë shqiptarit nga pasaporta ashtu del. Kujtoni Nolin, duke qenë turk në shtetësi, kur shkoi në Amerikë me pasaportë fallso, me emër tjetër….

    Thoshte Noli në djalëri të tij se “greqishtja nuk pi ujë as në Turqi tani” (sepse dikur pinte atje si gjuhë zyrtare), por çfarë mund të themi ne për pasaportën tonë që, përveçse në Turqi e Maqedoni, ku gjetë të shpie?

    Për pasaportat, pra, domethënë për shtetësinë shqiptare. Kam lexuar së fundi disa artikujshkrues, jo një të vetëm, të publikojnë lajme se aksh shqiptar “e la shtetësinë dhe kombësinë shqiptare”. Dhe kjo e fundit, kombësia, them se është e vetmja gjë që ka ndryshuar në diskursin publik mbi pasaportat.

    A është lënia e shtetësisë/pasaportës edhe mohim i kombësisë? Unë them fare jo. Ata që i shkruajnë gjëra të tilla, vetëpërshkruhen në vocërrakësinë e vendit, se thonë: “Ah që s’kam dhe unë një pasaportë të huaj”, dhe hidhen pastaj në kallëzim të atyre që e kanë, duke shpërndarë helmin. Nuk akuzojnë për atë që të përfolurit kanë tashmë në dorë, pasaportën e huaj, por për atë që s’kanë: mohimin e kombësisë! Ata që thonë diçka të tillë, se aksh shqiptar mohoi kombësinë pse flaku një pasaportë-stigmë, na kujtojnë se lufta e klasave vazhdon.

    Ata që kanë lënë shtetësinë shqiptare kanë arsye tejkaluese ta bëjnë këtë. Ja disa arsye.

    Nëse dikush jeton në një shtet që nuk lejon shtetësi të dytë, duhet të lerë shtetësinë e parë.

    Nëse dikush jeton në një shtet që lejon shtetësi të dyfishtë dhe zhvendoset në një tjetër shtet shtetësie të dyfishtë, nuk mund ta ketë trefish, prandaj në shtrëngicë do të lërë shtetësinë që nuk i shërben mirë; këtë shqiptaren.

    Nëse dikush ka arsye reagimore me përkatësinë e tij shtetërore, e lë shtetësinë. Nuk njoh ndonjë syresh, por mund të jem unë të ardhmen, nëse shteti shqiptar i jep shtetësinë Janullatosit – larg qoftë! – sepse do të përmbarojë e zyrtarizojë asisoj një mision të pandershëm, me petkën e përnderimit të hyjnores! Nuk do të dua të jem më shtetas shqiptar.

    Të gjithë këta që rendita, e lënë shtetësinë, por jo kombësinë. Jo vetëm që nuk ekziston një procedurë e tillë ligjore, por nuk është as llogjike.

    Cili është ai shqiptar që ka kyçin për të lëvizur kombësinë prej tij e për ta hedhur matanë, qoftë dhe atje ku e mori?

    Ku na është dhënë kombësia, pastaj? A ka kombësi pasaporta, Pishak dhe kolegë të nderuar? Jo, them unë. Se shteti shqiptar, edhe të dojë, nuk na e jep dot kombësinë. Ne jemi ata që ia japin të qenit kombëtar shtetit shqiptar, të cilit i paraekzistojmë madje në histori. Përndryshe ai nuk do të ishte formuar! Për më keq, shteti shqiptar nuk ka fuqi as të na i ruajë këtë kombësi që kemi, por po na e grimëzon dhimbshëm e ngadalshëm, si në një lojë-torturë…

    Duke u përsiatur mbi pasaportën dhe kombësinë, nuk e bëj dot gjatë, se më vjen përsysh një imazh. Shteti ynë shqiptar na ka dhënë vetëm dy gjëra: pasaportën dhe opingat! Këto të fundit jo vetëm në kuptimin metaforik në shqipe, domethënë na jep asgjënë, por dhe në atë parësor, në fjalor: mbathja!

  2. Marrja e pasaportës në atë kohë nënkuptonte vizë. Sepse vizën fillimisht ta jepte qeveria jote, pastaj e huaja. Kurse tani që qeveri nuk kemi, na e japin vetëm ambasadat

    Bukur Pishak. E pare ne kete prizem pasaporta qenke ‘leje ikje’ nga qeveria e vendit. Dmth zbythje frikacake. Mbetem i mendimit qe Shqiptaret, ndryshe nga si i mendoja, qenkan bageti shume te urta. Ose te pakten u ngrihen leshrat perpjete vetem kur u zhduket 50% e ekonomise brenda muajit.

    (ndonese mamaja ime i sheh Shqiptaret me shume si bretkoca qe gatuhen pa protestuar shume nqs ja u ndrron gradualisht temperaturen e tenxheres)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin