GJASHTË VJET

Diell i freskët i ndritshëm; ajër i kthjellët i kulluar si ujë; dëshirë për ta ngrirë momentin pezull, në emër të përjetimit. Kështu nisi për mua dita e 11 shtatorit 2001, në orën 8:30 të mëngjesit, tek hiqja këmbët zvarrë ende i përgjumur, për të mbuluar distancën e shkurtër midis pallatit ku banoja dhe hyrjes së stacionit të metrosë, në rrugën 205 të Bronx-it. Pasi hyra e zura vendin tim të preferuar në vagon, bëra çka kisha bërë rregullisht çdo ditë, qëkur isha përfshirë në rutinën e mëngjesit: mbështeta kokën në qelq të dritares dhe dremita. Linjës D i duhen rreth 40 minuta për të arritur në Times Square, ku edhe punoja atë periudhë; dhe 40 minuta janë kohë e mjaftueshme për të rekuperuar sado pak gjumë nga nata gjithnjë e pamjaftueshme. Gjithsesi, atë ditë m’u bë sikur treni u vonua pak diku nën Central Park; dhe lajmërimet e mbytura për vonesat ma trazuan pak gjumin, përndryshe aq të mirëpritur.

Më në fund, rreth orës 9:30, dola prej nëntoke në stacionin e Avenusë së 6-të, mu në zemër të Manhattan-it – i njëjti ajër i freskët i ndritshëm dhe diell i kthjellët i kulluar si ujë. Me bisht të syrit, dallova më pak trafik se zakonisht; meqë në atë orë Avenuja e 6-të zakonisht gëlon nga taksitë dhe furgonat që furnizojnë dyqanet dhe restorantet e shumta. Më tërhoqi vëmendjen edhe një makinë e çuditshme, me një formë të gabuar, të keqe; diçka si një mizë krahshkulur, ose tjetër kandërr agresive, që më kaloi përbri me alarm të pazakonshëm. Kapërceva Broadway-n dhe Avenunë e 7-të, dhe mbërrita në zyrë, ende më shumë i fjetur sesa i zgjuar. Mu në hyrje të katit, ulur në tryezën çuditërisht të zbrazët të recepsionit, më doli përpara pastruesi Braulio, portorikan veteran, i cili me spanjishten e vet të shpejtë filloi të më kumtonte diçka urgjente për një avion të rrëzuar; jo, të përplasur; por edhe që lidhej njëfarësoj me “kullat binjake”. Ndërkohë m’u dëgjua një gërvimë radioje, nga njëra prej zyrave. Shkova atje, për t’i gjetur praktikisht të gjithë kolegët të mbledhur rreth aparatit, mbi njërën prej skrivanive. Ishte një radio që e përdornin zakonisht për të matur mërzinë e ditës në zyrë, e që nuk e kisha dëgjuar kurrë të fliste ose të luante muzikë; më shumë orendi sesa mjet komunikimi; objekt i pluhurosur e i vjetëruar, model tashmë i hequr nga tregu, markë e falimentuar prej vitesh.

Dy avionë pasagjerësh qenkëshin ngulur në rrokaqiejt e World Trade Center; askush nuk dinte pse dhe si. Pak pasi kisha hyrë unë në zyrë, lajmëruan se po shembej përdhe kulla jugore (2WTC, pikërisht në 9:59 AM). Po shembej përdhe kulla jugore? Mendja kërkonte kohë për ta përpunuar një informacion të tillë. Ndërkohë, kullat binjake më faniteshin obsesivisht siç i kisha parë për herë të fundit, nga poshtë, me qafën të përthyer deri në dhimbje. Me disa kolegë vendosëm të dilnim për një kafe, ose edhe për t’u orientuar pak më mirë, përballë këtij rimodelimi të vrazhdë të realitetit. Te një vetrinë banke në Avenunë e Shtatë, pamë pamjet televizive të pabesueshme të rrëzimit të kullës; ndërkohë që një zezak i veshur spic, i përfshirë njëkohësisht nga paniku dhe ngazëllimi maniakal, lajmëronte kalimtarët se ishte goditur edhe “Kremlini”. Pak më vonë, kur ishte shembur tashmë edhe kulla veriore (1WTC, në 10:28 AM), u kuturisa deri në Avenunë e Pestë, për të parë sesi vija e drejtë e bulevardit këputej brutalisht, kilometra më poshtë në horizont, nga një mur i hirtë tymi.

Ende nuk arrija t’i pranoja vetes se katastrofa e atij mëngjesi dhe qyteti që më rrethonte i përkisnin të njëjtit univers (çka e kam të vështirë ta pranoj edhe sot e kësaj dite, gjashtë vjet më pas). Por nuk m’u desh shumë të vija re se qielli mbi New York ishte zbrazur prej avionëve; pamje ndoshta edhe më e ankthshme sesa vetë shtëllungat kërcënuese në jug të Manhattan-it. Nga ajo ditë mbaj mend edhe kur u ngjita në tarracë të pallatit tim, në mbrëmje, për të kundruar puplën kobzezë të tymit, ende llamburitëse nga drita e perëndimit, që e kish ndarë tashmë qiellin përgjysmë. Natyrisht, nuk e mendoja dot, në atë moment, se jeta ime, ashtu si jeta e miliona banorëve të tjerë të metropolit, kishte ndryshuar tashmë në trajta nga më të të dhimbshmet. Më pas do të thuhej se 11 shtatori ia hoqi krejt Amerikës virgjërinë, ose ndjenjën foshnjore të paprekshmërisë; duke ia shtuar një përmasë të pamirëpritur të frikës, më pas të rrëgjuar në paranojë; ose të indinjatës, më pas të rrëgjuar në vendosmëri për shpagim. Për mua, ndërkohë, sulmi ndaj World Trade Center ishte edhe shpërfytyrim djallëzor i dy simboleve të historisë së dashurisë midis qytetërimit perëndimor dhe lartësisë: rrokaqiejt dhe avionët. Se Manhattan-in asgjë nuk e ka përfaqësuar më mirë, në imagjinatën kolektive, sesa e ashtuquajtura skyline, vijë a kontur i profilit të pyllit të ndërtesave shumëkatëshe, me qiellin në sfond; sikurse rrallëherë i qëllon banorit të këtushëm të ngrejë kokën, pa e parë të paktën një avion që vërtitet në qiell.

Me Kullat Binjake më lidhnin edhe disa kujtime të rastit: kërkesa për punë që i pata dërguar dikur një kompanie që i kishte zyrat aty; kafeja e mirë espresso që të bënin në Coffee Station, një prej bareve në qendrën tregtare të nëndheshme; flamurët shumëngjyrësh të vendeve anëtare të WTO, që ia zbukuronin foyer-in e që gjithnjë do ta mahnitnin time bijë, ende të mitur. Kur më patën çuar atje për herë të parë, pak pasi isha mbartur në New York, gjëja e parë që mendova sapo u përballa me vertikalitetin e pabesueshëm, ishte se kullat duhej të ishin bosh nga brenda; meqë asgjë njerëzore e mirëfilltë nuk mund t’ua toleronte vëllimin dhe lartësinë; prandaj do t’i pranoja më lehtë si monumente, ose obeliskë të Rendit të Ri Botëror amerikan të viteve 1990, sesa si vende ku njerëzit mund të punonin, të bënin telefonata, të pinin kafe dhe verë, të hanin pizza, të fotografonin njëri-tjetrin dhe të harronin, sado përkohësisht, se po popullonin një përmasë përndryshe tabu.

Çuditërisht, vetëm kur ato ndërtesa u shembën duke marrë me vete më se 2700 viktimat, arrita ta pranoj përfundimisht se rrokaqiejt e WTC ishin ndërtesa reale; njëlloj si edhe pallati ku banoja, ose godina tjetër ku e kisha zyrën. Më vonë do të mësoja edhe se, nga 2700 të vrarët, të paktën 200 ishin hedhur drejt vdekjes, prej zgavrave të dritareve në lartësi marramendëse, për t’u shpëtuar flakëve. Kundërmimi i tmerrshëm i mishit dhe i kockave të shkrumbuara do të përhapej dalëngadalë në krejt Manhattan-in, së bashku me pluhurin nga ndërtesat e shkatërruara dhe blozën prej zjarrit infernal. Pas asaj dite, New York-u ndoshta do ta merrte veten, për t’u kthyer në shprehitë dhe automatizmat e detyrueshme prej metropoli botëror; por gëzimin e jetës qytetare nuk do ta rifitonte dot më.

Terrorizmi do të bëhej, ndërkohë, element përcaktues i politikës amerikane, brenda dhe jashtë Amerikës. Historia e këtyre gjashtë viteve – histori e shkruar me dhunë, bomba, vdekje, tortura, vuajtje, kërcënime – shpërtheu e tëra prej atij mëngjesi fatal të 11 shtatorit 2001: të freskët, të ndritshëm, të kthjellët e të kulluar, si për të na kujtuar çfarë nuk do të mund të përjetonim dot më. Sulmet terroriste ndaj World Trade Center dhe Pentagonit, të përcjella e të amplifikuara me miliona herë nga televizioni, u shndërruan sakaq në një narrativë themeluese për shekullin XXI e në mit të origjinës për një botë të re e të ashpër, që ndoshta askush nuk e ka mirëpritur. Administrata e presidentit George Bush – që i kish fituar zgjedhjet e vitit 2000 në një klimë krejt tjetër e në vazhdën e indinjatës amerikane për aventurat seksuale të presidentit të mëparshëm Bill Clinton – u kap krejt e papërgatitur ndaj këtij zhvillimi; mbarë Amerika u kap e papërgatitur. Pati një të krisur në krejt rendin e sendeve.

Shumë amerikanë sot, madje edhe vetë Presidenti Bush, do ta kenë kuptuar se reagimi amerikan ndaj atentateve të 11 shtatorit ishte, në thelb, pjesë e planit madhor të autorëve të atyre atentateve. Edhe pse kultura zyrtare politike në Washington vijon t’i shpjegojë sulmet e atëhershme me arsyen retorike se “ata i urrejnë liritë tona”, e vërteta është se qytetari amerikan, në këto gjashtë vite të fundit, ka ardhur duke i humbur një pjesë të të drejtave dhe lirive qytetare që përndryshe i njihen me kushtetutë. Ndërsa ushtria amerikane u dërgua përtej detit për ta “çliruar” Irakun nga diktatura e Saddam Hussein-it, e për t’i dhuruar popullit të atjeshëm demokracinë, vetë vendimi i administratës Bush për ta konsideruar si “luftë” përgjigjen e vet anti-terror krijoi probleme të mëdha me kushtetutshmërinë, raportet e pushteteve dhe marrëdhëniet midis të drejtat e individit dhe arsyes shtetërore, ose famëkeqes raison d’etat. Për pasojë, Amerika pas 11 shtatorit nuk është më parajsa e diellzuar e viteve klintoniane, me më shumë premtime se banorë. Sado paradoksale të tingëllojë kjo sot, Amerika vuan.

6 Komente

  1. Pjesa e Pare

    Po punonim ne trotuarin e nje ndertese ne Water Street. Kishim instaluar tre kate skela alumini ne maje te te cilave ndihmesi im, Piter, po me veshtronte me njefare padurimi si per te thene, he, kur po e marrim pushimin e pare. Kafe, cigare… S`i veja faj; ishte aq dite e pazakonte ne bukurine e saj sa duhej te ishte shpallur dite pushimi, packa se e Marte. (E marrt[e]). Te zene me pune, prej kohesh zhurmat e qytetit ishim mesuar t`e mos na benin pershtypje dhe t`i harronim atjeperaty. Bori makinash, zera njerezish, zhurma e perplasje gjithfaresh qe, ne ajrin e tendosur nen diell te asaj dite, beheshin po aq te tejpashme, si dekor I kthjellet ujor.
    Hoqa dorezat dhe u ktheva te shoh ndermjet honit te ndertesave te Water Street. Me pare se te ndjeja nje ere gome te djegur e te ndergjegjesohesha per numrin e makinave te zjarrfikseve qe leshonin me piskame te tejzgjatur sirenat e tyre, pashe qindra, mijera copeza letre, ca me te medhaja se te tjerat, mu si flutura te tjeterbotshme, te rreshkisnin neper pjerrinat e ajrit lehtesisht, gati me nje gezim te hutuar clirimi, sekretin e te cilit e dinin vetem ato.
    Ne momentin qe bera t’i them Piterit qe te zbrisnim shkallet e skeles, nje rropame filloi ta cante ajrin ne fillim si me hezitim e pastaj, e vetekenaqur me shprishjen totale qe po i bente tejpashmerise, tendosjes dhe diellzimit te asaj dite, u be, u shpejtua, u rrit, u zgjerua ne shkalle decibeli te perbindshme derisa nje shperthim-perplasje ndodhi ne rrokaqiellin ku po punonim. Piteri me pa, i ngrire. I ngrire, une ja kisha uzurpuar veshtrimin. Cfare dreqin ishte kjo, me pyet ai. Piter, i them, s`di pse me ze te mekur, me ngjan se nje aeroplan u perplas ne kete ndertese. Pame te dy poshte skeles; njerezit ishin mbledhur ne trotuar me gjeste e me fytyra te drejtuara jo nga ndertesa jone. Zbritem me shpejtesi poshte, nje sekonde me duket, dhe me vrull hapa deren e makines se punes, ndeza radion dhe e ngrita zerin ne fund. Njerezit u mblodhen si heshtje e murrme perreth makines duke u ngucur qete dhe me padurim njekohesisht. Folesi ne radio perseriti disa here se nje aeroplan i dyte, i dyte pra, ishte perplasur dhunshem ne kullen e dyte te World Trade Center. Aty m`u be sikur erdha ne vete dhe kuptova c`po ndodhte dhe ne te njejten kohe sikur e humba vetedijen. Pashe nje lot. Po rreshkiste qete e po shndriste akoma me qete ne fytyren e nje gruaje te shendoshe zezake.

  2. II

    Pra edhe ne kullen numer dy, ashtu si ne ate numer nje ca minuta me pare, eshte perplasur nje aeroplan, thoshte folesi i radios me nje ze te paqete, nderprere hutueshem prej kadencash grykore, hundore, kadenca heshtjeje qe kerkonin te mbusheshin me fjale dhe njekohesisht, t`i evitonin ato. Si s`e paskam degjuar perplasjen e pare, mendova fluturimthi si me turp, ndersa pashe rrotull te gjeja Piterin, apo me sakte formen zgjatuke te kafkes se tij ne mes te kokave te njerezve qe kishin filluar te mpiheshin si nen nje meditim te detyruar. Pas meje, i gjate, gjymtyreholle, me sy jeshilhapur te cilet kishin vetine te buzeqeshnin edhe pa ndihmen e pjeses tjeter te fytyres, Piteri po veshtronte andej andej atje, nga kullat binjake, prej nga ku, te zezehirta, shtellunga tymi bulconin, fryheshin e perdridheshin duke mesyre blune e perhapur te qiellit. E terheq prej menge dhe automatikisht, pa thene asnje fjale mes nesh, e gjithnje e me me ngut fillojme te mbledhim veglat e punes. Hej, i them Piterit, cunat po punojne ne Wall Street, ikim u japim nje dore.
    Kaluam Water Street, ne te cilen tani copezat e letrave kishin filluar te preheshin kerpudhshem mbi asfalt. Njelloj letargjie i mberthente porsa preknin asfaltin, edhe sikur ne ate gjendje, ftonin te tjerat, qe akoma vertiteshin neper rathet e shprishur te ajrit, te bashkoheshin me to aty poshte pas gjithe asaj marramendjeje. Ne ane te rrugeve qe pershkuam shpejt e shpejt, ndertesat kishin zbrazur njerezit tek kembet e tyre, mbi trotuare, e keto te fundit te mbushur plotperplot, ngjanin si konvejere te ngecur. Sirena zjarrfiksesh. Sirena policie. Nuk e vija me re si shkelqente dielli; dita ishte hepuar nga pesha e njerezve neper trotuare.
    Dy ekipet qe, si Piteri dhe une, punonin me skela ne Wall Street, i kishin mbledhur materialet dhe Majku, Armandi, Berti dhe Hozeja po vrisnin mendjen c`te benin. Asnje lloj telefoni nuk punonte. Provova shume here, me kot, te flisja me motren e vogel ne Staten Island e ta qetesoja, se e dinte qe punoja prane World Trade Center. Pashe shoket e punes. Ishin ndryshe. Kisha vite qe i njihja e prape, ishin ndryshe, sikur njelloj prizmi a dimensioni tjeter i kishte shfytyruar e rimbledhur me ngut para meje ne menyre qe te mos i vija re. Ishte e pamundur te mos i vija re. Ec, Piter, thashe me padurim, ikim shohim c`behet atje.
    Dolem ne Broadway. Nje kordon policash pergjate avenjuse mbante njerezit ne njeren ane. Trotuari tjeter nga ana e World Trade Center ishte bosh. Piteri dhe une rreshqitnim midis turmes se njerezve qe nguteshin ne te njejtin drejtim me ne. Kur dolem ne Liberty Street, mes trupave dhe zerave te njerezve, thirrjeve “O Zot, O Zoti im”, te qarave me denese dhe atyre pa ze, sapo edhe rrokaqielli i fundit qe ma pengonte pamjen u zhvendos majtas, pashe kullen numer nje. Nga e cara diagonale, si nje zhgarravine fantazmagorike nga ato qe vetem femijet e vegjel mund t`i bejne, tymi dilte me vrull e menjehere ngjitej perpjete pergjate kolonave te jashtme te kulles. Letra, letra, letra me te medhaja se ato ne Water Street popullonin nivelet e ajrit ndermjet ndertesave me njefare pezullimi, si per te bere nje pause mes te ciles era e shkrumbimit, e gomes se djegur, apo e kushedi c`gjeje tjeter, te ndihej me qarte. Pastaj e pashe. Nje figure njerezore, si lecke e murrme me gjeste te ngadalta t`i ngulej ajrit teposhte, anes kulles. Dikush ishte hedhur. Nuk e pashe momentin e hedhjes, por ngaqe renia merrte njefare kohe te gjate, e pashe vetem kur i ishte afruar mesit te kulles. Pas cdo hedhjeje, turma ne te cilen isha ulerinte me fort duke shoqeruar krejt renien si me nje trysni per ta ndaluar ate, ngadalesuar disi, bere te pavertete. Por ishte e vertete. Kullat ne te cilat kisha punuar ca vjet me pare ne nje skele elektronike nga ato qe i ngjiten nderteses nga jashte, tani po digjeshin perbrenda nga nje zjarr qe kurre me pare ishte ushqyer me ate lloj perzierje materialesh: hekur, allci, tapet, dru, leter, kaucuk, plastic, xham dhe njerez. Pamja ishte e tille qe s`lejonte mendimet te formoheshin dhe qe kerkonte te stiste forcerisht nje shurdhim, nje ndalje te zhurmave.

  3. III- dhe e fundit

    Te drejtuar nga kullat, grimca te ngerthyera prej magnetizmit, njerezit ofshanin, qanin, perqafoheshin, preknin njeri tjetrin si te siguroheshin qe kishin vertet dike prane, dike te gjalle, qe nuk ishte I prere me dysh e pastaj I shkrumbuar, ashtu copa copa, prej zjarrit te benzines; dike qe nuk po mbytej ne tym e verbohej ne makth atje lart, dike qe nuk mund te hidhej ne hon I vdekur dy here. Ne ate moment m`u perzie, dhe duke terhequr Piterin menjane turmes, I thashe qe te iknim prej andej; me dukej sikur dicka tjeter mund te ndodhte, akoma me e tmerrshme. Ai me ndoqi pa fjale. Filluam te zbresim Maiden Lane drejt Pier 17 dhe kthenim koken here pas here te shihnim mbrapa; majat e rrokaqiejve sikur anoheshin duke na ndjekur nga majat e honeve te ndertesave. Duke ecur pa e kthyer me koken mbrapa, ndjeva pothuajse mekanikisht se si ishte e mundur te te ikte jeta, te rridhte prej teje, te te linte bosh e te zgavert, levore druri qe drurin ja kane krejtgerryer dhe e kane lene ashtu ne nje gjest te ngrire. Papritur ndjeva nje shtyrje nga prapa; s`me kishte prekur kush, por shtyrja ishte e tille qe ma riktheu jeten menjehere. Ktheva koken e u ndala; e rende, rrotulluese, shperthyese dhe e shpejte, nje mase e perzbardhur tymi e pluhuri po vershonte e pushtonte honin e Maiden Lane-it. Vrapo, Piter, bertita dhe fillova dhe vete te vrapoj per nga lumi. Pashe njerezit qe vraponin para meje ti mbuloje reja e tymit; ishte me e shpejte se te gjithe ne. Nuk shihja me gje; ngrita doren, gjith duke vrapuar, por nuk arrita ta shoh. Ndalova e fillova te eci duke kapur me duar, I verber, anet e ndertesave. Ne nje kryqezim munda te dalloj dicka: Water Street. Edhe dy blloqe me kishin mbetur per ne Pier 17. Ne mendje me panik po mendoja dominote: po sikur…?
    Ideja e rrokaqiejve qe perplaseshin tek njeri tjetri s`mu nda derisa mberrita ke parmaku I hekurt ne Pier 17. Ne anen tjeter te parmakut ishte uji I lumit. Per cudi, rridhte I qete, ne pune te vet, me aty-ketu ato suprinat rrethatare te vorbullave qe duan te krijohen, por qe u prishet mendja ne cast. Reja e tymit u zgjerua dhe ngadalesua duke u shfryre e duke mbuluar gjithcka, rruget, makinat, pemet njerezit. Vete isha krejtesisht I mbuluar nga nje shtrese pluhuri, e ngjeshur dhe poroze njekohesisht. S`kishte asnje kuptim ta shkundja nga vetja. Pashe se prane meje kisha dy gra te ngerthyera pas parmakut. Me tej, nje grumbull njerezish po bertisnin duke treguar per nga Ura e Bruklinit. U degjua nje uturime avioni. M`u prene gjunjet; mendova se ai tmerr do vazhdonte, I ngjizur dhunshem ne perplasje aeroplanesh ne ndertesa te larta. Por jo, ishte vetem nje aeroplan reaktiv, ushtarak… do ishte absurde te bente te njejten gje. Eca drejt Ures se Bruklinit bashke me njerezit qe kisha rrotull, si te kishim bere ujdi ne menyre telepatike. Ne ate moment u kujtova qe Piterin s`po ma zinin me syte, po njefaresoj e dija qe ishte jashte rrezikut. Nga rruge e rrugica, si prej kapilaresh qe po kryenin funksionin e tyre te fundme, njerezit po derdheshin e grumbulloheshin perposhte FDR-se. Shume prej tyre ishin te mbuluar me pluhur si une. Dukeshin sikur kishin dale nga nje skene filmi, action stuntmen, e tani, te rraskapitur, s`kishin kurrfare deshire te shkundnin pluhurin, te pastronin fytyrat, te rregullonin floket; prape neser te njejten skene do zhironin. Isha si ata. Ndjeja si me veshtronin perkitazi njerezit qe nuk ishin te prekur prej pluhurit. Askush nuk pyeti cfare, si, apo ku. Kur ishim afer Ures se Bruklinit, ra dhe kulla tjeter. Nuk shihnim gje ne ate moment, por pasi filluam prape t`I ngjiteshim ures, pame po ate re pluhurtymi te vershonte edhe nje here permes e lart ndertesave. Shtellunga gjigande qe ngrihej nga downtown i Manhatanit I ferkohej ne bark qiellit. Tani kishte ndrruar drejtim e i kanosej shperfillshem Bruklinit. Mizeria e njerezve mbi ure (kur ktheva koken majtas pashe se e njejta gje po ndodhte edhe ne Uren e Manhatanit), ishte si nje nga ato maratonat qe zhvillohen nje here ne vit, por e percudshme ashtu, shpinekthyer nga Manhatani, dhe e zvarre, si nje film me xhirim te ngadalesuar.
    Kur mberrita ne Red Hook ku kishim qendren e kompanise dhe ku kisha parkuar makinen time, pashe se ate e kishte mbuluar po ai pluhur I gjithegjendshem, vetem se me rralluar, si ato format qe ben ujet e detit ne tabanin e reres. Ja fshiva xhamat me duar; kisha nje deshire te mekur te beja dicka me duart e mia. Udhetimi per ne Staten Island zgjati dy ore perkunder 25 minutave qe e beja zakonisht. Nuk kisha qene kurre ne trafik te tille, pa degjuar asnje bori te paduruar, asnje sharje, asnje gjest te marre ofendues. Rrotat e makinave rrotulloheshin heshtur, sikur makinat vete t`i kishin motorret e fikur dhe nje force e padukshme vetem sa I shtynte lehte para. Ushtare te lodhur nga pritshmeria e betejes dhe qe kthehen me pezm me heret se c`duhet prej saj, sepse udheheqesin ua kane vrare pabesisht. Kur hapa deren e shtepise, pashe se ne dhomen e pritjes ishin mbledhur ca nga fqinjet, nga mesi i te cileve doli ime moter qe erdhi me vrap te me perqafonte. Supet iu drodhen dhe, per te paren here ate dite, qava edhe une.

  4. Të falënderoj për këto kujtime, Losttext; i ke shkruar shumë mirë. Më bëhet qejfi që u bëra unë shkas, me temën që hapa, për t’i sjellë ti këtu në blog.

  5. Falemnderit dhe ju, Xha Xha, qe me shembullin e pervojes tuaj, me shume se me hapjen e temes vete, me shtyte te shkruaj me ne fund dicka mbi ate dite. Me duhej mua personalisht kjo gje, sepse ndjej njefare lehtesimi, sado trivial.
    Pershendetje!

  6. Duke lexuar kujtimet e Xha Xhait dhe të Losttext-it për 11 shtatorin, më bëri përshtypje diçka e çuditshme. Edhe pse në një kontinent tjetër, edhe pse mijëra kilometra larg, kujtimet e mia përputhen në një farë mënyre me të tyret.
    U nisa si çdo ditë për në punë. Qielli i kaltër, ajri i qelqtë, fllad shtatori. Përgjumja e zakonshme e mëngjesit, punët rutinë, ecejaket nëpër korridore. Nuk e mbaj mend kur ndjeva një heshtje të pazakontë nëpër zyra. Atë zbrazëti e kisha dalluar në raste ndeshjesh ndërkombëtare, ose në ndonjë rast solemn tejet të rrallë. Mirëpo atë lloj heshtje, më e heshtur se të tjerat, deri në zymti frikësuese, nuk e kisha ndjerë asnjëherë.
    Kolegët i gjeta të grumbulluar në një dhomë me televizor. Fytyra të ngrira, të tendosura, të pabesueshme. Unë televizorit i shihja shpinën. Përballë kisha kolegët. Një dritë e egër, flakëruese, e frikshme, u shndriste në sytë e trembur.
    Pyetjes sime se ç’kishte ndodhur askush nuk iu përgjigj. Heshtja u bë edhe më e rëndë. Mes lëvizjesh prej zombi, gjeta diku një hapësirë për të parë. Ngriva si të gjithë. Nuk ishte e mundur!
    Nuk e di kur u përmenda, por arsyen e mbaj mend mirë. M’u kujtuan gjithë tmerr miqtë e kushërinjtë që kam në Amerikë. Një inventar i shpejtë dhe i çoroditur në mendje më tregoi se vetëm njëri prej tyre mund të gjendej nga ato anë në ato çaste. E mora në telefon por nuk doli. Ndoshta ishte në linjën D për të shkuar në Times Square. I çova një e-mail. M’u përgjigj me pak fjalë, por mua më mjaftonin për ta kuptuar goditjen e rëndë. Më vonë u dëgjuam. Informacionet e tij ngjasonin me të miat, ja në shqetësim ja në konfuzion.
    Nuk di si ta shpjegoj, por hiq shqisën e nuhatjes, pra erën e tymit, të hekurit të shkrirë, të mishit të shkrumbuar, e kështu më radhë, mua më duket sikur kam qenë atje. Edhe dhimbjen e pata të njëjtë. Pavarësisht se atë ditë gjendesha fizikisht në një kryeqytet evropian.
    Ndoshta sepse profili i Nju Jorkut ka hyrë thellë në imagjinarin tonë kolektiv, ndoshta sepse me mërgimin tonë e kemi bërë planetin edhe më të vogël, ndoshta sepse planeti është vërtet i vogël, ndoshta sepse ushqehemi të gjithë nga të njëjtat imazhe mediatike, ndoshta se ata nuk qëlluan dy pallate shumëkatëshe por diçka të thellë përbashkësisht njerëzore, ndoshta…
    Ka shumë ndoshta. Por kur lexoj kujtimet tuaja, që ishit në atë moment në Nju Jork, unë i përjetoj totalisht si të miat. Mos e quani si shprehje solidariteti. Do të ishte e mangët. E ndjej si diçka më të njëmendtë. Sepse ndaj vetes nuk mund të kesh ndjenja solidariteti.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin