DY NALTMADHNITË

Këto ditë u njoftua kudo në lajmet se Presidenti i Republikës Shqiptare, Bamir Topi, vizitoi Familjen Mbretërore të Shqipërisë dhe zhvilloi një takim me pretendentin për fronin, Leka Zogun.

Është prerogativë e Presidentit të takohet me qytetarë privatë dhe të shkëmbejë me ta mendime për çështje që e shqetësojnë atë vetë, ose shtetin i të cilit është titullar.

Me atë rast, u tha edhe se “Presidenti Topi ka vlerësuar ndër të tjera edhe mbështetjen e Mbretit Leka për çështjen e Kosovës, duke theksuar me domosdoshmëri pavarësinë e saj,” çka tingëllon sa prekëse në vetvete, aq edhe irrelevante, meqë mbështetja e “Mbretit Leka” për çështjen e Kosovës ka po aq rëndësi institucionale sa edhe mbështetja e Kosovës për çështjen e “Mbretit Leka”.

Megjithatë, është mirë që edhe qytetari Leka Zogu angazhohet shpirtërisht e politikisht për fatin e vëllezërve tanë të përtej kufirit.

Çka më tërhoqi mua vëmendjen, në këtë rast, është titulli me të cilin Presidenti i Republikës iu drejtua qytetarit Leka Zogu.

Citoj nga deklaratat e Topit në faqen zyrtare të presidencës:

Unë shfrytëzova rastin për të bërë këtë vizitë për të shkëmbyer mendime dhe ide, por edhe për ta pyetur Naltmadhninë për shëndetin. Kjo është në misionin njerëzor të punës së Presidentit. Nga ana tjetër, diskutuam dhe për çështjen mjaft të rëndësishme të Kosovës, e cila tashmë është në axhendën ndërkombëtare, kjo duke marrë në konsideratë edhe një ndjeshmëri të shprehur vazhdimisht nga Naltmadhnia.

A është e hijshme që Presidenti Topi ta quajë Leka Zogun “Naltmadhni”?

Unë mendoj se nuk është e hijshme.

Naltmadhni është një titull me të cilin nënshtetasit e një mbretërie i drejtohen monarkut të vet.

Bamir Topi nuk është nënshtetas i Leka Zogut; Leka Zogu as është monark, as numëron nënshtetas të vetët.

Ka edhe më: vetë figura institucionale e Presidentit të Republikës, si Kryetar i Shtetit, e përjashton, formalisht, figurën institucionale të Monarkut; sepse e para përmbledh në vetvete disa nga atributet që përndryshe do t’i kishin shkuar Monarkut.

Duke e quajtur Leka Zogun “Naltmadhni”, Presidenti Topi i kumton publikut, dashur pa dashur, se ai nuk e konsideron veten President të Republikës, por subjekt të një mbreti imagjinar.

E keqja këtu ka të bëjë me përdorimin e fjalës në një kontekst institucional: Presidenti përballë Pretendentit të Fronit. Përndryshe, Bamir Topi mund të quajë “Naltmadhni” edhe bodyguard-in e vet (me shaka); por si qytetar i thjeshtë, jo si president.

Me fjalë të tjera: e di Presidenti ynë që shteti shqiptar ka formë republikane? Doemos që e di. Po që thelbi i republikës, si formë e qeverisjes, ka të bëjë me të mos pasurit monark? Ndoshta edhe këtë e di.

Atëherë pse i drejtohet qytetarit Leka Zogu me një titull i cili, formalisht, u rezervohet vetëm monarkëve? Vallë ngaqë kultivon, sado fshehurazi, ëndrra monarkike për Shqipërinë?

Një president monarkist do të përbënte kontributin më ironik të Shqipërisë në konstitucionalizmin modern; por kam frikë se në rastin e tanishëm arsyeja është më e thjeshtë e më pak ironike: Presidenti ynë ende nuk do t’ia ketë marrë dorën rolit të vet institucional.

Mund të pyetet se me ç’titull duhej t’i drejtohej pretendentit të fronit Presidenti i Republikës Bamir Topi, në cilësinë e vet të Presidentit të Republikës.

Kësaj pyetjeje duhet t’i japë përgjigje shefi i Protokollit të Presidencës. Unë do të thoja “zotëri” del e tepron; nëse del e tepron për qytetarët e tjerë të Republikës.

Fundja edhe “zotni”, nëse Presidenti ynë kërkon të ruajë harmoninë stilistike me “naltmadhni”.

Përkundrazi, tituj të tjerë tingëllues, si “Hirësi”, “Fortlumturi”, “Shenjtëri”, “Shkëlqesi” përsëri do të ishin të papërshtatshëm.

Hollë-hollë, do të kish pasur ndoshta më shumë kuptim sikur titullin “Naltmadhni” ta kish përdorur Leka Zogu për t’iu drejtuar Bamirit; sepse nga pikëpamja institucionale Presidenti i një vendi i afrohet më shumë figurës së monarkut sesa një qytetar i thjeshtë që e pretendon fronin e Shqipërisë sipas një kriteri, si të thuash, biologjik…

22 Komente

  1. Xha Xhai shkruen:

    Një president monarkist do të përbënte kontributin më ironik të Shqipërisë në konstitucionalizmin modern

    Ne fakt, Shqipnia e ka pase nji president monarkist: baben e Lekes! Prandaj ma mire me fole per tradite konstitucjonalizmi eksperimental.

  2. Edhe republike.edhe mbreteri?Jane cudira qe nuk me cudisin.Sipas kokes edhe kapelen.Ne kulinari sac shkon bakllabaja me kontorno.Mish-mash hesapi!Si aga,me pantollona me andra!Pse a ndryshojme nga fiset “Zulu?!”…

  3. Le të dëgjojmë pak imzot Nolin
    (cituar nga kujtesa):

    Se ç’u rehatos mileti,
    se sulltanin prapë e gjeti,
    se që kur e humbi s’fjeti.

    Kur i mësonim këto vargje përmendsh, të them të drejtën unë nuk e kuptoja ku e kishte Noli. E merrja këtë si shaka, si ironi për Zogun. Tani nuk mendoj kështu. Vizita e Bushit në Shqipëri, që të mos shkojmë larg, tregoi të njëjtën gjë: shqiptarëve u mungon Baba!

    Nga të gjitha fotot e shqiptarëve si grup, tej Bushit do të shkoja tek Enveri, për të lexuar të njëjtat buzëqeshje vetëkënaqëse, “se Sulltanin prapë e gjeti”. Kur nuk e ka, sipas Nolit, nuk fle, sepse është në pritje.

    Kur thotë Xha Xhai, pra, se Topi e sheh veten si subjekt të një monarku imagjinar, do të thoja se ai i bie këmbanës… Ndoshta Presidenti nuk është i vetëdijshëm për këtë, aq më tepër kur tani ai ndodhet në fazën e “muajit të mjaltit”, ku çdo gjë është tmerrësisht e ëmbël.

    Naltmadhni, tha.

  4. Nuk me duket se ka ndonje gabim qe Presidenti i Republikes te therrese “Naltmadheri” pretendtentin per fron. Vete fjala “naltmadheri” nuk me ngjan se doemos nenkupton marredhenie vasaliteti, duket thjesht si nje titull nderimi “Madheri e Larte” a dicka e ketij lloji. Pavarsisht se mund te duket e tejkaluar (dhe mbase eshte ne te vertete) ideja e monarkise ne Shqiperi, pretendenti per fronin me lidhjen biologjike qe ka me mbajtesin e meparshem te fronit ka cdo te drejte juridike per te pretenduar jo vetem rimarrjen e fronit, por edhe mbajtjen e titujve e emertimeve.

    Nuk besoj se gjithe familjet mbreterore qe humben fronet gjate L2B dhe u larguan nga vendet e tyre humben edhe titujt (ma merr mendja njelloj thirreshin edhe kur ishin ne mergim,) pavarsisht se juridikisht perfaqesonin vetem vetveten. Disa u kthyen neper fronet perkatese, disa jo. Mbreti i Bullgarise, per shembull, nuk pushoi se kerkuari fronin derisa u kthye si kryeminister. Mbreti Zog pretendon se eshte ne kete kategori, te pretendenteve qe presin dite me te mira. Madje me referendumin e pas ’97, ai juridikisht u njoh si pretendent i ligjshem. Asgje s’e pengon te kerkoje prape referendum dhe ta fitoje, po mundi. Nderkohe, vazhdon te quhet “Naltmadheri.”

  5. Presidenti edhe mund të mos jetë i vetëdijshëm për gabimin (çfarë emri tjetër t’i vëmë?) që bëri duke e quajtur Leka Zogun, Naltmadhni, por kjo tregon diçka më tepër, që ka të bëjë me funksionimin e Shtetit shqiptar.
    Presidenti nuk ka përse t’i dijë të gjitha (këtu nuk po e fus çështjen elementare të emërtimit të pretendentit për fron), prandaj edhe ka një shpurë të tërë këshilltarësh, ekspertësh, bodigardësh.
    Mesa më thonë, funksionarët e protokollit në vende të tjera ua mësojnë si në klasë fillore presidentëve të vendeve të përkatëse se si duhen thërritur personalitetet e ndryshme. Sepse, ta zëmë, takimi me Papën nuk është njëlloj si ai me Presidentin X, apo Mbretin Y.
    Mirëpo në këtë mënyrë kthehemi tek çështja e vjetër e improvizimit. Ka aq shumë improvizim në ato të gjora 28 mijë metra katrorë, sa nuk ka e tërë Evropa bashkë.

  6. E çuditshme është se edhe mbas 20 vjetësh liri gjuhësore, gjuha shqipe vazhdon të përdoret me kllapa në gjuhë të huaja, përderisa shumë terma janë ende të parrokshëm plotësisht.

    Naltmadhni (Lartmadhëri), është siç u shpjegua, Madhëri i Lartë, por mund të përkthehet më mirë nga greqishtja, Μεγαλειότατος, ” Më se i madhërishëm”, superlativi i së madhes.

    Në Greqi, ish mbreti i së cilës është gjallë, dhe që u dëbua nga Greqia në vitet 70 me një referendum të stisur nga diktatura e kolonelëve, ka më tepër tepër respekt për Kushtetutën, më tepër kulturë kushtetuese, prandaj dhe titulli “Megaliotatos” përdoret vetëm ironikisht. Madje kur ish mbreti shkoi të vizitojë pallatin presidencial, ish pallatin mbretëror, u thirr “zotëri” dhe madje në mbiemër, ashtu si gjithë qytetarët grekë. Dhe megjithatë, shumë grekë reaguan atëherë ndaj ish Presidentit Stefanopullos që e lejoi ish mbretin Konstandinos të shkelë në pallatin presidencial.

    Sa për kishën greke, vetëm dy-tre peshkopë të rrjedhur e pranuan ish mbretin të futet në kishë si kryetar shteti, edhe ata me pretekstin se paraardhësit e tij kishin ndërtuar shumë kisha.

    Sa kanë shqiptarët për të mësuar nga grekët, tha….

  7. Edhe titulli që përdori Presidenti, naltmadhni, është në vetvete i çuditshëm: një formë arkaike gegërishte së cilës do t’i përgjigjej toskërishtja, njëlloj arkaike, lartmadhëri; meqë në shqipen e sotme zyrtare titulli me të cilin u duhet drejtuar monarkëve është madhëri. Ndoshta Presidenti e përdori këtë trajtë gegërishte nxjerrë prej sëndykësh që kundërmojnë naftalinë, për t’ia bërë pak qejfin qytetarit Lekë Zogu, i cili flet një shqipe të vjetër, pothuajse patriotike. Megjithatë, një kryetar shteti shqiptar që i drejtohet pretendentit të fronit me një formë protokollare arkaike duket sikur ka dalë nga faqet e novelës “Viti i mbrapshtë”.

    Nga ana tjetër, Artan Lame [korrigjuar pas vërejtjes së Julius], në edicionin e sotëm të gazetës “Shqip” shkruan për këtë incident:

    [P]ardje Presidenti im shkoi në shtëpinë e atij që është qytetar i Republikës sime prej vetëm 3 vjetësh dhe e quajti Mbret. E dëgjuam të gjithë dhe u çuditëm të gjithë. Po mirë mor zotni, por po qe Naltmadhnia e Tij mbreti i këtij vendi, Shkëlqesia Jote, president i kujt vendi është? Apo edhe kryesia e shtetit do bëhet me koalicion tani?

  8. Artan Lame Xha Xha. Po plakesh me duket. 😀

    Qellimin e ketyre formaliteteve e ka shpjeguar LG. Edhe per fat te keq keshtu eshte… Ai e mendon veten pretendent qe nje dite te marre fronin e shqiptareve.
    Personalisht e urrej kete ide. Nuk ka asgje prej te kaluares qe te na lidhe me “princer” e “mbreter”.

    Ndersa greket, bizantin, i vene GJITHNJE perpara titullit nje “teos”. Dmth ish. Ish mbret. Ky i yni as ish nuk mund te quhet se mbret as ka qene, as do jete ndonjehere. Eshte nje “hic” i gjate cerek shqiptar. Kaq.

    Gjithsesi doja te dija, ku bazohet mbeshtetja e kosovareve ndaj Lekes??

  9. Besoj se tema u shtjellua paksa, aq sa një fjali-sentencë duket jo vetëm e vonë, Elsa, por dhe si e huaj në debat tashmë.

    Gjithsesi, vonesa në përvojën mbretërore shqiptare, si tipar kulturor në historinë tonë, dhe këmbëngulja e mbretërorëve për të nxituar ritmet e tyre përndryshe të përshuara, nuk mund të mos t’i përkasin Përvojës Shqiptare.

  10. LG, jam kurioz te di se ne cilen pjese te ligjit shqiptar eshte i justifikuar JURIDIKISHT pretendimi per fron nga kushdo qofte?

  11. Ligjit nr.7866, datë 06.10.1994 “Për Referendumet”

    Ky Ligj lejoi qe ne zgjedhjet e Qershorit 1997 te behej referendum per formen e regjimit krahas zgjedhjeve te parakoheshme parlamentare. Nese Leka Zogu do ta kish fituar referendumin, sic edhe pretendoi se ndodhi, fare mire mund te kish hipur ne fron. Ndofta se ishte rremuje ne ’97, me referendumin u lejua te krijohej nje precedent aspak i volitshem per politiken shqiptare.

  12. Me hollesisht (rrofte Interneti!):

    Sipas nenit 3 të Ligjit nr.7491, datë 29.04.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, “Populli e ushtron pushtetin nëpërmjet organeve përfaqësuese të tij si dhe me referendum”. Në nenin 16/7, ndër kompetencat kryesore të Kuvendit Popullor, përcaktohet se “vendos për referendumet popullore”. Ndërsa neni 28/4 përcakton se Presidenti i Republikës “Shpall ligjet dhe referendumet e vendosura nga Kuvendi Popullor”. Në mbështetje të këtyre neneve të ligjit kushtetues, Kuvendi Popullor ka miratuar Ligjin nr.7866, datë 06.10.1994 “Për referendumet”, i cili parashikon procedurat për organizimin dhe zhvillimin e referendumeve. Për referendumin e datës 19 qershor 1997, Kuvendi Popullor në mbështetje të nenit 16 pika 7 të ligjit themelor, me Vendimin nr.310, datë 13.05.1997 ka vendosur thirrjen e referendumit të përgjithshëm për formën e qeverisjes, republikë ose monarki kushtetuese, në të njëjtën ditë me zgjedhjet për deputetët e Kuvendit Popullor. Ndërsa Presidenti i Republikës me Dekretin nr.1798, datë 21.05.1997 ka shpallur referendumin e vendosur nga Kuvendi Popullor.

  13. Tamam ajo qe mendoja. Por ka nje gje. Qe te therritet populli ne referendum per te vendosur formen e qeverisjes, do te thote qe ligjet kushtetuese gjate referendumit te pezullohen. Mirepo ne qofte se ligjet jane te pezulluara qe te behet referendumi, do te thote qe te pretendosh per fron eshte njesoj si te pretendosh te pezullosh ligjin pa pasur mazhorancen e parlamentit apo pa pasur statusin e presidentit. Si qenka kjo e justifikuar juridikisht? Mos eshte me mire te thuash se eshte e justifikuar politikisht?

  14. Forma e qeverisjes eshte nje nga nenet e kushtetutes dhe nuk ka asnje arsye qe te pezullohet veprimi i kushtetutes ne teresi apo ligjeve qe rrjedhin prej saj, ne rast referendumi. Cdo ligj mbetet ne fuqi per aq kohe sa nuk eshte shfuqizuar apo pezulluar shprehimisht me nje ligj tjeter. Mbajtja e referendumeve behet per te provuar nese mund te aplikohet nje ligj i ri apo nese mund te ndryshohet nje ligj ekzistues. Vetem rezultati i referendumit sjell nevojen e ndryshimit ose jo te ligjeve ekzistuese, jo mbajtja e tij.

    Justifikimi juridik ekziston sa kohe ka ligje qe e parashikojne nje veprim (Ligji per Referendumin lejon mbajtjen e tyre pa bere kufizime ne objekt). Elementi politik hyn ne loje ne momentin kur parlamenti mblidhet, sipas ligjit, te votoje per objektin e referendumit (ndryshimi i formes se regjimit) dhe kur presidentit i kerkohet te miratoje dekretin. Vetem mekanizmi politik mund te pengoje nje kontestim te formes se regjimit ne te ardhmen. Juridikisht, pretendimi per ndryshimin e formes se regjimit (kthimin ne monarki kushtetuese, pra, dhe marrjen e fronit nga Leka Zogu) do jete gjithmone i ligjshem sa kohe qe nuk ka nje ligj qe e ndalon shprehimisht.

  15. Ne qofte se forma e qeverisjes eshte nje nga nenet e kushtetutes, atehere eshte e implikueshme qe ne nje ballotazh te ri per formen e qeverisjes te kete nje pezullim, ne mos te kushtetutes ne teresi, te ketij neni ne vecanti. Pikerisht sepse referendumi eshte pezullim ligji prandaj dhe kerkohet nje e pesta e numrit te deputeteve, ose 50000 firma nga populli. Pra, qe te kete nje pretendim juridik per ndryshim te formes se qeverisjes, duhet qe keto forca te mblidhen. Perndryshe pretendimi per fron, nga kushdo, nuk eshte juridik. Pastaj ti e thua vete, “Vetem mekanizmi politik mund te pengoje nje kontestim te formes se regjimit ne te ardhmen”. Nuk eshte kjo e barabarte me te kunderten e vete, ku “vetem mekanizmi politik mund te ndihmoje nje kontestim te formes se regjimit ne te ardhmen”? Pra, pretendimi politik eshte gjithmone prezent, nderkohe qe kushtet per pretendim juridik nuk jane te plotesuara. Pikerisht sepse pretendimi politik eshte gjithmone prezent, prandaj edhe mund te jete e pranueshme kur presidenti i drejtohet me “Naltmadhni”, pasi tregon asnjeanshmeri politike kur presidenti respekton njesoj pretendimet politike te subjekteve te shtetit shqiptar.

  16. Anëtarët e këtij blogu duhet të dalin e të mbledhin firmat për një peticion lidhur me të drejtat e autorit. Xha Xhai që më 9 shtator 2007 e ka ngritur problemin e cilësimit “Lartmadhni” të Leka Zogut nga ana e Presidentit të Republikës, Bamir Topi.
    Sot tek gazeta Panorama http://www.panorama.com.al/index.php?id=5409 na del se analizën (analizën?) e kësaj çështjeje e paska bërë Servet Pëllumbi. Përse nuk citohet autori? Ose të paktën blogu? Ose tek e fundit liria e internetit?
    Jam gati t’i drejtohem personalisht shoqatës “Mjaft” dhe Kryetarit të ndonjë sigle që qarkullon në Tiranë.
    Ose po rri në heshtje e po shijoj faktin se ky blog po bëhet gjithnjë e më shumë popullor në Shqipëri.

    ***************************************
    Panorama, 5.10.2007

    Presidenti i bën vizitë një pjesëtari të familjes mbretërore që ka fituar nga Parlamenti një trajtim të veçantë. Veçse, ndodhi diçka paradoksale: Presidenti i drejtohet Leka Zogut duke e quajtur mbret, më saktë “Naltmadhëria juaj”, njëlloj siç thirrej Ahmet Zogu i shpallur mbret i shqiptarëve në vitin 1928. Pluralizmi, por sidomos “Republika” humbasin çdo vlerë. Dy kryetarë shteti në të njëjtën kohë dhe duke i shtrirë dorën njëri-tjetrit. U quajt “teprim kortezie, “mungesë e këshilltarëve, pra jo “gafë politike”. Ashtu qoftë dhe mbetët me kaq prirja mbretërore e presidentit tonë!”, analizon zoti Pëllumbi.

  17. Edhe nje here meqe nuk qenkemi marre vesh:

    1. Mbajtja e referendumeve nuk e pezullon veprimin e ligjeve qe jane ne fuqi dhe qe referendumi kerkon ti ndryshoje. Ligji eshte ne fuqi deri diten kur hyn ne fuqi ligji i ri qe ben ndryshimin nese referendumi fiton. Pra, Kushtetuta bashke me nenin per formen e regjimit jane ne fuqi. Jemi republike parlamentare deri diten kur ne baze te rezultatit te referendumit (po supozojme qe ne referendum fitoi monarkia kushtetuese) mblidhet Kuvendi dhe miraton nje ligj qe thote “Per ndryshimin e nenit 2 te Kushtetutes se RPSH” Kur ky ligj te hyje ne fuqi (normalisht pas botimit ne Fletoren Zyrtare nese thuhet “hyn ne fuqi menjehere” ose ne daten qe parashikon ky ligji i sapo miratuar) atehere ndryshon forma e regjimit dhe neni 2 i kushtetutes eshte ndryshuar te thote “Forma e regjimit eshte monarki kushtetuese” Nuk po i hyjme avazit te neneve te tjera qe duhen ndryshuar me kete rast.

    2. Numri i deputeteve apo votuesve qe kane te drejte te propozojne referendum nuk ka lidhje me pezullimin e ligjit ekzistues, ka lidhje me te drejten per iniciative legjislative. Ligji ua njeh kete te drejte disa institucioneve, sic eshte qeveria, nje numri X deputetesh, apo nje numri X qytetaresh (jo kushdo ka te drejte te vere ne levizje Kuvendin per te diskutuar e votuar ligje.)

    3. Vullneti politik aplikohet ne Kuvend, atje ku behet de facto miratimi i objektit te referendumit. Pra, Partia e Legalitetit bashke me numrin X te deputeteve ka te drejte juridike VETEM te propozoje nje referendum per formen e regjimit. Po nuk ngriten doren deputet e partive politike dhe te votojne PRO ketij objekti, nuk ka si te kete referendum per formen e regjimit. Kur u miratua referendumi i pare, askush nuk u ngrit te vere ne dyshim legjitimitetin e pretendentit per fron, nuk u shtrua ceshtja “a eshte ky pretendenti i vertete?” (atje nuk u shtrua as ceshtja, “pse na duhet ndryshimi i formes se regjimit?”)

    Ne kete kuptim, precedenti u krijua, Zogu u pranua juridikisht si pretendent per fronin mbreteror. Tani mbetet vullneti politik i partive te cilat me ane te deputeteve te tyre e hedhin poshte ose jo kerkesen per nje referendum te ri mbi formen e regjimit. Prandaj i takon te thirret Naltmadheri edhe nga presidenti i republikes (perpos disa protokollove ku edhe ish presidente apo ambasadore vazhdojne te thirren Z. President apo Z. Ambasador edhe kur nuk jane me ne ato poste.)

  18. LG, falemnderit per sqarimin ne piken e pare. Ajo qe shpreha ne lidhje me pezullimin ishte me shume nga padija se sa nga dija. Shpresoj qe sqarimi juaj te jete i mireinformuar.

    Sa per piken e trete, apo per precedentin, sipas teje, legjitimiteti i nje pretendenti eshte legjimitet vetem ne ate qe ishte pretendent i vetem. Mirepo, nese neser, pasneser, nje ligj per referendum kalon kuvendin, fakti qe me pare Zogu ka qene pretendent i vetem ne nje rast, e sigurt qe krijon precedent nqs ka nje pretendent tjeter ne nje rast te ardhshem?

    Jam dakord me pretendimin juridik qe lejon referendumi, por ky pretendim juridik per fron, sipas ligjeve ne fuqi, eshte i barabarte per te gjithe subjektet e RSHse. Eshte pikerisht aspirata politike e vecante e nje prej ketyre subjekteve te RSHse qe e detyron presidentin te repsektoje kete aspirate politike. Nqs do kishte nje pretendent tjeter, nga familja e Kastrioteve bie llafi, presidenti do i drejtohej atij pretendenti me te njejtin titull, apo me “Madheria Juaj”, apo me cfaredo titulli qe ky pretendent do te aspironte te thirrej ne rast se do hypte ne fron. Po njesoj sikur kryetari i nje partie politike te caktuar te mbante nje titull te vecante qe do e dallonte jo vetem nga shqiptaret e tjere qe nuk do benin pjese ne kete parti, por edhe nga anetaret e thjeshte te kesaj partie, presidenti do ishte i detyruar t’a therriste me kete titull, detyrim qe vjen si rrjedhoje e asnjeanshmerise se tij politike.

  19. askush nuk ka të drejt të flas apo mohoj të drejtën që e ka si mbret e deshi këtë dikush apo jo, ka qenë dhe do të jetë apo do të lerë trashëgimtar të fronit mretëror, i lumt për guximin që ka pas për tu kthyer në vendin e lindjes, është knaqësi e madhe kurë them se edhe ne kemi një mbret dhe një princ, është sikur një shtëpi e bukur me tradit dhe kultur të pasur,
    shiqojeni princin aq i ri me shumë ambicje për Shqipërin dhe Kosovën, më mirë ta kemi mbretin dhe Princin tonë se ti presim princat shkije.

    Përshëndetje naltmadhënis së tij Mbretit Leka dhe Princit tonë.

  20. ”’Sa kanë shqiptarët për të mësuar nga grekët, tha….”’

    Kemi per te mesuar si behet genocid shteteror e pastrim etnik, biles une jam nje nxenes shume i vemendshem e shpresoj nje dite ta kemi mesuar mire kete leksion nga mesuesi grek.

    Naltmadhni nuk do te thote Madheri e Larte, por me i larte se madhnia.
    Mbretit si titull i ka hije ‘Madheri’ ndersa Perandorit ‘Lartmadheri’. Keshtu mund ti thuash mbretit madheria e tij, apo madheria e larte por Perandorit ‘Naltmadhni’.

    Sigurisht qe naltmadhni nuk i ka hije nje mbreti por nje perandori, por ‘mbreti i shqiptareve’ nuk i can fort kryt per formalizmat.

    Duhet pranuar se Presidentit shqiptar nuk i ka aspak hije ti drejtohet nje shqiptari me ‘Naltmadhni’, vecse debimi i monarkut nga pushtuesi italian e pastaj nga komunizmi, le patjeter pretendime e mesa duket Bamiri si individ ia njeh keto pretendime, keshtu qe bamiri shqiptar e njeh si naltmadhni e me teper se si president ka folur si shqiptar.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin