NJË HARTË ANAKRONIKE

Besoj shumëkush e ka ndjekur debatin në mediat dhe në Internet për një hartë në një tekst historie të klasës së 6-të, që e shtrin Greqinë e Lashtë deri në gjirin e Vlorës. Lindita Çela, që e nisi këtë debat në “Shekulli”, shkruan se harta “u jep të drejtë nacionalistëve grekë që kërkojnë ende Epirin e Veriut”.

Me të drejtë arkeologu Neritan Ceka e kritikoi këtë hartë me disa argumente të natyrës historike, nga të cilat më i mbështeturi është se “nuk ka pasur një shtet grek, por disa qytete-shtete që shënohen si Greqi e Lashtë, për shkak të ngjashmërisë kulturore, mënyrës së organizimit të jetës, etj.”.

Siç mund të pritej, forumet e zjarrta të shqipove në Internet reaguan me emocion të madh ndaj këtij “atentati” kartografik, duke e interpretuar si një tjetër provokacion prej shovinizmit grek; të tjerë thanë se ajo shpërfill e fyen fiset “ilire” të mollosëve, kaonëve dhe thesprotëve; në një kohë që në mediat u dëgjuan edhe zëra më të arsyeshëm, nga autorë që e konsideruan protestën të ekzagjeruar dhe artificiale.

Vetë autorët e tekstit të historisë shpjeguan se hartën e kishin marrë nga një tekst amerikan i historisë për shkollat fillore.

Nuk kam dëgjuar kënd të vërejë, deri tani, se e keqja me atë hartë nuk ka aq të bëjë me pasaktësinë e saj, sesa me anakronizmin e saj; meqë ideja e kufijve tokësorë në Ballkanin e lashtë pararomak mbështetet mbi një ekstrapolim të papërligjur të konceptit të ndarjes administrative të trojeve që për herë të parë u shartua në gadishull prej Romës.

Përkundrazi, qytetërimi grek i lashtë mbështetej mbi një model gjeografik të arkipelagut; dhe trualli i vërtetë i atij qytetërimi ishte deti: Egjeu ose Joni ose më pas krejt Mesdheu, i cili ua mundësonte qyteteve greke rrjetëzimin (networking). Ishte një qytetërim që mbahej në këmbë e riprodhohej kryesisht nëpërmjet komunikimit detar dhe ku distancat në rrugë detare ishin shpesh më të shkurtra se ato tokësoret. Nga qytetet-shtete të asaj kohe, ndoshta vetëm Sparta pati një farë interesi, shtrirjeje dhe zhvillimi të qëndrueshëm në hinterland; por në atë masë që u përfshi në zhvillimet greke, edhe Sparta iu nënshtrua modelit sundues të qytetërimit.

Koloni greke gjen kudo në brigjet e Mesdheut; por prania e këtyre kolonive nuk na thotë ndonjë gjë për popullsinë e trojeve në brendësi; ose më mirë, na thotë se banorët e atyre trojeve, pavarësisht nga mënyra e organizimit të tyre politik dhe identiteti që i njihnin vetes, kishin se çfarë të tregtonin me grekët.

Harta si kjo e tekstit shqip të historisë, që ushqejnë iluzionin se Greqia e Lashtë mund të konstituohet edhe si njësi “territoriale” tokësore, vlejnë më tepër për të përshkruar ndikimet kulturore. Nuk ka dyshim se fiset që popullonin Epirin në lashtësi, pavarësisht nga natyra e tyre etnike, ishin nën ndikimin e kulturës greke – meqë tregtonin me grekët e kolonive, shpesh u faleshin perëndive të njëjta ose të ngjashme, përdornin shkronjat greke në mbishkrimet e varreve.

Prandaj, çdo hartë e Greqisë së lashtë që kërkon t’i mbetet besnike realitetit të atëhershëm, nuk mund të jetë veçse hartë detare. Duke ekzagjeruar pak, mund të thoja që kufiri i vërtetë që ndante Greqinë nga jo-Greqia ishte hinterlandi.

Më pas, Roma solli në Ballkan një tjetër model qytetërimi, të mbështetur në njësinë administrative-territoriale; prandaj përdorimi i kufijve tokësorë në harta që i referohen sundimit të Romës i përgjigjet realitetit.

Kësaj periudhe i referohet edhe Vija Jireček, e cila e ndante Ballkanin më dysh, në një zonë të ndikimit latin dhe në një zonë të ndikimit grek.

Nuk duhet harruar, megjithatë, se këto vija e harta historianësh janë instrumente kryesisht didaktike, që kanë për qëllim të ndihmojnë për të kuptuar dinamikat hapësinore të zhvillimeve historike; por nuk thonë shumë për natyrën “etnike” të trojeve që paraqitin.

Mbishkrimet që janë gjetur në trojet e Shqipërisë së sotme ndjekin zakonisht vijën Jireček, meqë në veri janë të zakonshme mbishkrimet latine, ndërsa në jug mbishkrimet greke – mirëpo kjo nuk don të thotë aspak se në veri të Shqipërisë jetonin latinë dhe në jug grekë! Shumica e mbishkrimeve janë varresh ose votive, me natyrë rituale; nuk përmbajnë fjalë normale të gjuhës, por vetëm emra të përveçëm njerëzish e Perëndish. Si çdo teknologji tjetër, alfabeti (grek ose latin) ndihmon për të kuptuar ndikimet kulturore, jo natyrën etnike të popullsive që e përdornin.

Nga ana tjetër, në qytetet e lashta të bregdetit shqiptar (Lissus, Dyrracchion, Apolonia), të cilat pas gjase dominoheshin prej elementit grek madje edhe pas pushtimit të Ballkanit Perëndimor prej Romës, janë gjetur rregullisht mbishkrime me natyrë publike, të cilat përdorin, sipas rastit, greqishten ose latinishten – gjuhë të administratës.

Më në fund, është gabim i madh të merret situata e sotme demografike në Ballkan e të projektohet tale quale mbi Ballkanin e lashtë; sepse në ato kohëra trojet në brendësi ishin shumë pak të populluara dhe kontaktet me vijë tokësore midis qendrave të banuara mbeteshin të vështira, të rrezikshme e prandaj sporadike.

Martesa e njësisë etnike me truallin ka një komponente të fortë politike, e cila gjithnjë duhet mbajtur parasysh. Harta shkollore e cila u bë shkas për këtë “skandal” të fundit është e gabuar sepse është anakronike; dhe sepse ndikimi grek në Ballkan ka qenë i një natyre krejt tjetër – detare (bregdetare), ekonomike dhe sidomos kulturore. Prandaj është më mirë të flitet për ndikim të qytetërimit grek, si mishërim kulturor të arkipelagut.

17 Komente

  1. Jam i interesuar te di se si ishte e organizuar jeta ne lashtesi. Deshiroj te di gjithshka. Ju lutem me njoftoni. Faleminderit.

  2. Përderisa bëhet fjalë për një hartë greke, më erdhën mendime të përziera.

    Ka disa gjëra mbi Greqinë e lashtë që shqiptarët i marrin të mirëqena dhe, me intuitë, nuk i vënë në dyshim. E hanë sapunin për djathë, domethënë. Unë them se shkaku edhe këtë herë është kulturor, vendor, duke pranuar naivitetin shqiptar si tipar i këtij brezi, siç e lë të kuptohet edhe Xha Xhai. Sepse vërtet është anakronizëm, por autorët (anakronikë) nuk janë grekë por shqiptarë. Apo jo? Atëherë si mund të jetë ky anakronizëm grek? Thuamëni ju. Si mund të justifikohet kjo nga botuesi shqiptar duke pranuar se e kanë kopjuar atë hartë nga një botim amerikan. A e kanë cituar të paktën? Nëse jo, këtu kemi vjedhje (pllagjiaturë): dy herë të zënë mat!

    Gjithmonë vëzhgoj se si flasin shqiptarët për Greqinë dhe, sa më shumë shajnë Greqinë e re, aq më naivë janë kur flasin mbi Greqinë e lashtë a helenishten. Besojnë madje disa gjëra që nuk janë më të besueshme nga shkenca e sotme perëndimore, por pjesë e ligjërimit kombëtarist grek mbi një visore imagjinare. Domethënë se greqishtja e vjetër qenkësh gjuhë mëmë, se Greqia e lashtë paskësh qenë parajsë, vendi më i civilizuar në kubé të Zotit, se gjithë bota dikur paska qenë Greqi, e të tjera dokrra e broçkulla.

    Ndoshta i besojnë këto edhe nga “gjëmpimet”, siç e thoshte Noli gjyqin me ndërgjegjjen. Se kanë urrejtje shumë për grekët e sotëm, por dhe hanë nga grekët, prandaj dhe i vret ndërgjegjja. Është një lidhje e çuditshme kjo që kanë shqiptarët me grekët, por le ta lëmë, se ajo ësht temë më vete, temë humnerë…

    Historianët shqiptarë, dhe e kam fjalën për të gjallët, para se të rrëmbehen në shkrime, është mirë të sillen “up to date” edhe në lidhje me Greqinë. Besoj se ata mund të bëjnë punë të ndershme duke përmbysur shumë mite mbi Greqinë e lashtë, të cilat mite edhe në Greqi besohen tashmë nga mendjembyllurit dhe jo nga grekët e iluminuar. Por historianët tanë nuk kanë pse të nguten, se Shqipëria ka sot disa politikanë që ua bëjnë mirë punën, duke lexuar me lupë të gjitha botimet, për të bërë zhurmë e ndaluar ato punë që s’janë bërë mirë. Përndryshe, si do të mbeten në historinë tonë Godo, Xhufi & Co?

    (Dhe këtu doli një tjetër pyetje: ku është ndryshimi i çensurës, me tërheqjen e një libri nga tregu?)

    Perceptimi (i rremë) i Greqisë së vjetër nga shqiptarët është pjesë e leximit të trurit të tij specifik, që nga njëra anë mbjell e korr urrejtje për grekët e sotëm, dhe nga ana tjetër beson grekë që nuk kanë qenë kurrë ashtu. Prandaj dhe harta e tekste të tilla përjashtohen përnjimendsh nga filtret e “spamit” shqiptar, kalojnë pa frikë të gjitha leximet, redaktimet, komisionet, printimet, reklamimet, sepse kultura jonë është e kalbur dhe, më e keqja, shqiptarët nuk e besojnë këtë. I ngjajnë asaj plakës gërmuqe që, në luginat e rrudhave të fytyrës së saj të sfilitur, shquan nusërinë e saj.

    “Fshati digjet, plaka krihet”, tha.

  3. Pergjithesime te tipit “Perceptimi (i rremë) i Greqisë së vjetër nga shqiptarët është pjesë e leximit të trurit të tij specifik, që nga njëra anë mbjell e korr urrejtje për grekët e sotëm, dhe nga ana tjetër beson grekë që nuk kanë qenë kurrë ashtu,” them se jane te gabuara qysh ne embrion per shume arsye.
    E para, nuk mund te jene te sakta e te pasqyrojne besnikerisht ate cka eshte; me fjale te tjera, shqiptaret, ose cfaredo etnie tjeter, nuk mund te “perceptohen” duke u bazuar vetem ke nje pjese e tyre e verbuar nga nacionalizmi apo jo.
    E dyta, eshte fare e lehte, dhe pothuaj ndodh gjithnje keshtu, qe e njejta mendesi te praktikohet edhe nga pala tjeter, duke e ngerthyer keshtu kete lloj ‘dialogu’ shume ballkance.
    E treta, dikush qe e mban veten per te ditur, intelektual, largpames e dritehedhes, nuk mund te rrije gjithnje ne nje cep nga ku vetem kritikon e gajaset me turmat qe i vertiten neper kembe e neper mend (s`e kam fjalen personalisht per ju, bizantin, por sidoqofte); njefare gjuhesie dhe retorike iluministe e paqetimi duhet, me ne fund, te filloje te degjohet ca me shkoqur e ca me gjate.
    “Se kanë urrejtje shumë për grekët e sotëm, por dhe hanë nga grekët, prandaj dhe i vret ndërgjegjja,” thote bizantini duke harruar ose bere sikur, se ndoshta, vetem ndoshta edhe te sotshmit greke hane nga puna e shqiptareve, ka edhe qe i urrejne shqiptaret po ne ate monedhe, e shpresoj qe te kete edhe ca nga ata qe i vret ndergjegja.
    Sa per harten, vlen vetem te tregoje se c`lloj pune bejne “profesoret” qe po pergatisin dhe edukojne brezat e rinj te shqiptareve. Plagjiatura, qe bizantini me te drejte e parashtroi si problem, dhe qe ne boten e mediave shqiptare ka lloj-lloj formash, eshte vetem nje shprehje e groteskut ne kulturen shqiptare; “anakronizmi” eshte fjale teper korrekte politikisht dhe nga ana sociologjike me duket e pasakte per te ilustruar kete fenomen.
    Timeo danaos, tha… 🙂

  4. Losttext, unë quajta anakronizëm projektimin (ose ekstrapolimin) në lashtësi të një situate kufijsh truallsorë që është karakteristike për modernitetin; jo plagjiaturën e hartës, e cila meriton të quhet plagjiaturë, sa kohë nuk është shoqëruar me referencat përkatëse. Gjithashtu, unë besoj se nuk ka kuptim të vizatosh kufij truallsorë në Ballkanin pararomak, përveçse për arsye shumë spekulative. Nëse nuk e quaja anakronizëm këtë, si do të duhej ta quaja?

  5. Xha Xha, ju e perdorni anakronizmin si fjale, me te drejte, per te gishttreguar metoden e perdorur; une e kisha me shume ne kontekst te atyre qe e perdorin ate lloj “metode.” Keta te fundit mund t`i quajme shumecka; anakronizmi si fjale pershkruese do u parashtronte, mjerisht, nje lloj prestigji te cilin nuk me duket se e meritojne.

  6. Losttext,

    Së pari, shprehja “qysh në embrion” është shumë shqiptare, madje do të thoja se ishte një nga shprehjet e preferuara të komisarëve të diktaturës. Janë disa shprehje në shqipe që i tradhtojnë shpesh përdoruesit e një gjuhe të re në formulime. Nga ana tjetër, kjo nuk thotë asgjë tjetër në këtë debat, aq më tepër kur ne nuk besojmë se tejvonesa në kulturën shqiptare ka të bëjë me embrionin.

    Së dyti, perceptimi i rremë i Greqisë së lashtë nuk është përgjithësues, përkundrazi, këtu janë dhënë disa shembuj, duke përfshirë edhe hartëbërjen e saj. Çfarë jo përgjithësuese na sollët ju në debat, atëherë?

    Së treti, ju përgëzojë që në shkrimet e mia nuk gjeni “njëfarë gjuhëse dhe retorike iluministe dhe paqëtimi”, sepse ai bash qëllimi im: t’i kundërvihem pikërisht retorikës dhe gjuhës së shtirur “iluministe dhe paqëtuese”, e cila kjo e mba kulturën shqiptare në fund fare, ndërsa komunitetin tonë bizantin (lindor/ortodoks) në Shqipëri e mba peng dhe midis.

    Së fundi, kur shqiptarët dorëzohen para problemit të tyre të përjetshëm (feja e shqiptarit është interesi) dhe nuk pranojnë të ndryshojnë, i dëshmojnë botës se nuk janë aspak të ndërlikuar. Problemi i tyre njihet por nuk shpërnjihet.

    Si rrjedhojë e “fesë së shqiptarëve”, dorëzimi ekonomik ndaj grekëve justifikohet lehtë, por si mund të justifikohet pjesa tjetër, se shqiptarët nuk ka pse t’i vrasë ndërgjegjja për abuzimin ekonomik ndaj grekëve, për vetë faktin se edhe këta të fundit njësoj bëjnë e ndihen? Dhe kjo këtu është thelbi juaj.

    Imitimi është majmunizëm, tha.

  7. Bizantin, Edhe nje here: fjalen e kisha tamam mu ne menyren sesi ju i pergjithesoni shqiptaret duke ju veshur te njejten forme mendimi, veprimi dhe shprehjeje. Fv, te gjithe e urrekan grekun, te gjithe e ushqejne kete urrejtje, te gjithe jane interesaxhinj, te gjithe jane ‘simpletons’ qe nuk po arrijne nderkohe te nderlikohen pakez e t`u afrohen sadopak kusherinjve te tyre shume me teper te evolvuar bizantine apo te c`kushedi feje tjeter.

    Dhe kjo (ky) eshte fatkeqesisht thelbi (embrioni?) juaj, por jo vetem…

    Pavaresisht formimit qe duket se keni, thoni qe “ju pergezoj(e) qe ne shkrimet e mia nuk gjeni ‘njëfarë gjuhëse dhe retorike iluministe dhe paqëtimi'”, dhe pastaj deklaroni pa aspak vetepermbajtje se ky paska qene dhe qellimi juaj paresor. Ehh…

    Me tej, e tradhetoni vete iluminizmin dhe paqetimin e shumsiperpermendur duke, se pari, i paraqitur te gjithe shqiptaret me ane te nje premise fallse, “feja e shqiptarit eshte interesi,” dhe se dyti, shume leverdisshem, arrini ne perfundimin qe edhe deshironi me shume, “si rrjedhoje e fese se shqiptareve,(———ketu shkruaj c`te duash——-)”.

    Mendoj se jeni shume larg asaj qe predikoni, apo me shkoqur, asaj qe pretendoni qe predikoni.

    “Bej si them une, por jo si bej une”, po thote.

  8. Këtu bëhet debat dhe jo predikim, prandaj dhe ju lutem respektoni integritetin tonë dhe mos përmendni terma jashtë një shkëmbimi të tillë. Mjaft ju kemi duruar të na poshtëroni me metodat e njohura vendore. As pres prej jush leksione etike e religjionare, sepse këtu duhet ruajtur një etiketë tejet përkatësive. Sa për formimin tim, nuk kam nevojë të ma bëni ju biografinë, edhe pse jeni rrekur disa herë me metodat njohura të dikaturës, nga të cilat nuk mund të shkëputeni as ju e as idhujt tuaj.

  9. Që të kthehemi në debatin e Hartës, do të thoja se në studimet greke moderne, a neohelenike, siç i quajmë ne rëndom, ekziston një diskurs shumë interesant mbi “hartëbërjen e atdheut”. Që andej ka dalë në studim brilant mbi këtë çështje, i profesores greko-amerikane Artemis Leontis (Topographies of Hellenism – Mapping the Homeland). Për mua ky libër është brenda dhjetë librave më të rëndësishëm mbi studimet neohelenike në anglishte.

    Sipas akademikes amerikane, “atdheu ekziston jo qysh kur është banuar, por qysh kur i është bërë harta”. Edhe shkrimi i Xha Xhait këtë problematikë ka ngritur.

    Studimi që ju rekomandoj, edhe për faktin se shqiptarët nuk bëjnë dot studimet të tilla, është një studim i mirëfilltë mbi “poetikën e hapësirës”. Për më tepër, atje lexuesi mëson se si letërsia e re greke, sidomos dy nobelistët e saj, u përpoq të gjejë një vend (topos) përkatës për çdo “vend” të përmendur në mitologjinë e lashtë greke. Siç jemi dëshmimtarë vetë, kur këto pika gjeografike të mitologjisë nuk ekzistojnë, duhet të shpiken vende…

    Nëse ju intereson, kopjova këtu shënimin e botuesit. Nuk e përktheva shqip nga frika mos më sulmojnë prapë, se pse ua përkthej kur ata dinë anglisht më mirë se unë.

    Ja shënimi:

    How do people map a homeland? How does homeland define them?
    Focusing on the interrelations between culture and geography, Artemis Leontis illuminates the making of Modern Greece. As she fashions a new approach to contemporary Greek literature, Leontis explores the transformation of Hellenism from a culture ideal to a nation-state.

    In Leontis’s view, a homeland exits not when it has been inhabited, but after it has been mapped. The mapping of Hellenism, she maintains, has required that modern Greek writers reconstruct a topos, or place, for Hellenism through their own national literature. Leontis compares literary topographies of Hellenism created by Greek poets, novelists, and intellectuals from the 1880s to the 1960s with those constructed by European travelers, diplomats, and scholars. In her discussion of both modern and ancient Greek texts, she reconsiders mainstream poetics in the light of marginal national literature. Leontis examines in particular how the Nobel laureates George Seferis and Odysseus Elytis both incorporate ancient texts and use experimental techniques in their poetry.

    Charting the constellation of factors that influence our sense of place, collective identity and tradition, Leontis confronts questions central to current national struggles throughout the world.

  10. Bizantin,

    E kuptoj kamzhikimin (frustrimin) qe provoni. Megjithate, nuk arrij te justifikoj, mbase ngaqe as dua t`ja dij nga vjen, ndarjen ne “ju” dhe “ne”. Menyra sesi pergjigjeni eshte veteshpjeguese persa i perket etikes suaj personale. Me vjen keq te them qe deri diku ua erreson gjykimin e qashter, dhe ju ben te gjeni ne fjalet e te tjereve, edhe atehere kur nuk jane, burime te metejshme hidherimesh.

    Ne lidhje me harten dhe debatin qe vijoi: Ju thoni qe “Sipas akademikes amerikane, “atdheu ekziston jo qysh kur është banuar, por qysh kur i është bërë harta”

    Me tej, ne artikullin e sjelle prej jush thuhet se “In Leontis’s view, a homeland exits not when it has been inhabited, but after it has been mapped.”

    Pra, nuk eshte “akademika amerikane” qe postulon kete gje, por thjesht nje shkollare greko-amerikane.

    Per me teper, nuk m`u duk se shkrimi i Xha Xhait adresonte pikerisht po ate problematike. Perkundrazi, sic e thote edhe vete, kahu i shkrimit te tij qendron ne ate qe “unë besoj se nuk ka kuptim të vizatosh kufij truallsorë në Ballkanin pararomak, përveçse për arsye shumë spekulative.”

    Dy fjale ne lidhje me pikepamjen se “atdheu ekziston jo qysh kur eshte banuar, por qysh kur i eshte bere harta,” te cilen e mbroni ju, bizantin.

    Si postulat, i qoftethene edhe nga nje shkollare greko-amerikane apo jo, me duket po aq i demshem sa dhe mjetet e perdorura prej Inkuizicionit. Eshte i demshem dhe mbytes sepse, ashtu si pikepamja qe ua mohon kulturen, gjuhen apo edhe vete ekzistencen atyre popujve qe nuk i kane te dokumentuara me ane te shkrimit, kjo pikepamje eshte e verber edhe vete ne fushen e njohurise te cilen meton ta “ndricoje.”

    Dhe me tej akoma, “kur i eshte bere harta” si shprehje ka aq shume degezim-perdorime sinistre sa s`ja vlen barra qerane te merresh me to.

    Mirembetshi, them. 🙂

  11. Së pari, autorja e cituar nuk është thjesht një hulumtuese greko-amerikane, por profesore në një unversitet në SHBA. Nuk është ndonjë gjë e madhe, pra, por është dikush që shkruan diçka, prandaj dhe u përmend. Pedagogët e universititeve quhen pa teklif akademikë në botën perëndimore, por ju jetoni ende me hijen e Akademisë së Shkencave, dhe duke quajtur dikë Akademik përnjimendsh i jepni besueshmëri absolute në ftillim. Jo, jo. Këtu thamë dikë me profesionin e tij, siç mund të thoshnim “ushtarak” për një kolonel, a gradë tjetër. Gjuha nuk është prej tutkalli që të mbetet në vitet 1980 të Shqipërisë, aq sa të kemi frikë se çfarë fjale do të përdorim. Në shqipen e sotme Rexhep Qosja është Akademik, por edhe filan fisteku është akademik, nëse është profesor i një institucioni akademik, i një universiteti, fjala rreh.

    Së dyti, ajo që thotë Dr. Leontis e ndihmon shumë debatin tonë mbi një hartë anakronike, siç e quajti Xha Xhai. Të paktën kështu e kuptova unë. Sepse, mbasi e kam lexuar dy-tri herë atë libër këto vite, kuptova se hartëbërja e një territori është faza e parë e kombëtarizmit. Dhe kur hartat bëhen gabim, njerëzit luftojnë gabim, mbasi besojnë se aksh hartë pasqyron aksh atdhe, dhe jo se e kundërta, kur atdheu është imagjinar, pikërisht se harta është e atillë.

    Edhe ju e dini që është kështu, pavarësisht se bëni kombëtarin në fushën virutale. Meqë bëhet fjalë për një greke, ju është dhënë një rast emocionues për të kënaqur dy-tre shpirtra, por vetëm se unë nuk jam këto për arsye të ngjashme. Larg qoftë!

    Prapë dolëm tek problemi. Me këtë urrejtje që keni ju për grekët, ju errësohet gjykimi dhe nuk e shquani dot dritën, edhe kur atje ka shumë dritë.

  12. Jo mer bizantin, nuk i urrej asfare greket, dhe as po bej kombetarin. Grekun e kemi vella, gati-gati vellam, dhe ndajme bashke shume gjera, ku secila pale merr c`te mundet, ashu, ballkance.

    Sa per ate profesoreshen e nderuar, thashe shkollare, dhe jo hulumtuese, packa se te dy termat nuk jane bashkarisht perjashtuese.

    Edhe pse dihet qe nje profesor/shkollar i tille quhet akademik, kjo gje nuk u jep vlera pergjithesuese ose perfaqesuese te akademise amerikane.

    Me mllef nuk debatohet. Nese keni ndermend te vazhdoni keshtu, me duhet te shperfill vazhdimin e monologut tuaj.

  13. Mijëra vjet të shkuara, thoshte i hirshmi Platon i grekëve: “bëni dialog por mos u grindni” (dhialejesthe qe min erizesthe). Ju përgëzoj, atëherë, që u kthyet dhe madje dhëmbështrënguar në debat, dhe jam i bindur se do të vazhdojmë të debatojmë, sidomos për këto tema. Dhe kur thoni se largoheni dhe ktheheni prapë, kjo është pjesë e debatit shqiptar.

    Ndoshta për nga hartëbërja ua kemi marrë grekëve, por për nga dialogu jo dhe aq. Kultura shqiptare nuk ka traditë debati (nëse nuk përmendim pushkën), dhe diktatura e rrafshoi krejt atë. Dhuna në të gjitha nivelet shqiptare flet shumë herë në vend të dialogut, prandaj dhe një njeri me mend nuk mund të na bëjë fajtor nëse nuk dimë të debatojmë. Po eksperimentojmë.

    Në rastin tuaj them se e keni aftësinë e dabatit, vetëm se ju tradhtojnë format shprehimore të diktaturës. Kur ju përmendni kaq shpesh fjalët “embrion”, “formim”, “inkuzicion”, e të tjera terma kyç të gjuhës predikuese bolshevike, nuk duket vetëm se nga vini, por dhe ku shkoni…

    Më qafsh, me atë “formimin” kam qeshur shumë se më kujtove deftesën e shkollës së mesme, e cila më shënon: “I sjellshëm me shokët dhe shoqet. Bën përpjekje për ngritjen ideo-politike”.

  14. Të dashur Bizantin dhe Losttext, e vlerësoj shumë kontributin tuaj në këtë debat; sikurse ju lutem të mos e degradoni temën duke diskutuar njëri-tjetrin.

  15. xhaxha, ky artikull personalisht mu duk i vlefshem. Une mundohem te kuptoj gjerat dhe ky dimension detar i Greqise se vjeter ishte vertet i ri dhe kaq sh llogjik. Faleminderit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin