Djali i Memnon Agait

Alice Fordham recensionon në Times Online librin “Vajza e Agamemnonit” të Ismail Kadaresë (botuar nga Canongate). Libri përmban dy novela: atë të titullit, dhe “Qorrfermanin”.

Më bëri përshtypje, në recension, vërejtja e mëposhtme:

Kur i shkroi këto rrëfenja, Kadareja gjendej ende në terrin e Shqipërisë, ku i mohohej liria e shprehjes, e lëvizjes dhe e shoqërimit. Ky libër, i kontrabanduar fshehurazi faqe pas faqeje në Paris, është një thirrje e guximshme për t’i vënë mend fytyrës çnjerëzore të diktaturës. [When he wrote the stories, Kadare was in the dark of Albania. He was denied freedom of expression, movement and association. This book, smuggled page by page to Paris, is a bold call to heed the inhumanity of dictatorship. ]

Nuk e kam të qartë se kur i ka shkruar pikërisht këto novela yni (“Vajza e Agamemnonit” thuhet të jetë përfunduar në 1985), por gjithsesi dyshoj se i ka shkruar në një kohë kur ishte kthyer tashmë, praktikisht, në një nga njerëzit më të fuqishëm e të admiruar në Shqipëri; e kur e kish kapërcyer edhe krizën tepër reale që e kish kapluar në 1982, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut.

Nuk e kuptoj mirë as arsyen e transportimit fshehurazi të dorëshkrimeve në Paris nga një autor të cilit në Shqipëri i ishte botuar deri edhe “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”; por as më duhet ta kuptoj, sepse ndoshta autori kishte arsye të forta për t’u shqetësuar për fatet e veta, ose të veprës së vet; ose të ndihej i kërcënuar.

Por më duket pak ironike të vëresh për Kadarenë e atyre viteve të errëta se po i mohohej liria e shprehjes, e lëvizjes dhe e asocimit; sepse atij vërtet i mohoheshin këto liri, si çdo qytetari tjetër shqiptar, por gjithsesi më pak e më rrallë se çdo qytetari tjetër shqiptar. Dhe historia e kontrabandimit të këtyre vepërzave faqe pas faqeje drejt Parisit po më duket si një tjetër mit që nuk besoj t’i shtojë gjë figurës së shkrimtarit; meqë mëton ta paraqitë ashtu si ai nuk ishte kurrë: disident.

Një mik imi pati shkruar dikur (në 1987) këtë poemth, duke pasur parasysh statusin paradoksal të Kadaresë në Shqipërinë ramiziste:

Ty të lënë të flasësh
Të qash, të rënkosh
Të gjithëve historitë e tua
Na janë shtrirë në gjoks
Na marrin frymën
Shpellë në gjoks
Nuk na lënë të flasim,
Ty të lënë të flasësh
Të tregosh hallet e tua
Dhe tonat, madje më tepër
Tregon tonat
Ti yni je kurdoherë
Ke qenë dhe je yni
Prandaj të lënë të flasësh
Lapidar prej fjalësh
I memecllëkut tonë
Rregull që përjashtimin
Vërteton.

Në terrin e Shqipërisë, i rrethuar nga frika dhe nga paranoja totalitare, Kadareja arriti të krijojë kryevepra të letërsisë shqiptare dhe botërore; edhe pse i mungonin liritë e shprehjes, lëvizjes dhe shoqërimit. Një shkrimtar e ka aq imagjinatë sa t’i kapërcejë këto mungesa që për vdekëtarët e tjerë janë doemos mbytëse; aq më tepër që Kadareja shkonte e vinte në Paris në një kohë kur të arratisurit kafshuar prej qenve e vrarë me plumba në kufirin me Greqinë ende i zvarritnin me mushka fshatrave, për të tmerruar vendasit; i botonte dot librat në tirazhe të habitshme në Tiranë kur në burgjet e Shqipërisë kishte ende shkrimtarë që vuanin dënime për motive politike; e sa për të drejtën për të krijuar shoqërime shoqëri e shoqata, nuk më duket se shkrimtari e shfrytëzoi shumë edhe kur ia dha me pashë qytetaria franceze; as pritej që ta shfrytëzonte.

Perëndimi e kërkoka shkrimtarin shqiptar detyrimisht të konfeksionuar sipas një skeme fikse: disidencë, errësirë, mungesë lirish, thirrje e guximshme, kontrabandim faqe pas faqeje; thuase letërsia që mbërrin nga Shqipëria ka nevojë të justifikohet njëfarësoj politikisht para lexuesit aq ekzigjent të Evropit…

[2007]

1 Koment

  1. Europa s’ngopet vetem me rrefenjen ne liber, don edhe rrefenjen per autorin. Nuk i del vetem gjella, kerkon te haje edhe vorben. Femija i lyp babes t’i kallezoje nje perralle per ta vu ne gjume, pastaj i lyp perrallen se si femijen e zuni gjumi me perralla. Ma ne fund e zen gjumi edhe baben vete, qe te futet edhe ai ne perralle, po nga dera e pasme.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: