TREGU I ALBANOLOGJISË

Adri Nurellari del sot me një shkrim në “Panorama” ku diskuton për pasojat e shkrirjes së Akademisë së Shkencave, dhe veçanërisht për identitetin e një disipline të tillë si albanologjia.

Shkruan Nurellari:

Vetë termi albanologji ngjall debat për vlefshmërinë e saj, pasi hamendëson një disiplinë shkencore më vete, sikurse janë sociologjia, psikologjia e kështu me radhë. Pra, niset me premisën që shqiptarët, pra albanët, janë aq të veçantë, aq sui generis, sa meritojnë të bëhen subjekt i një shkence me një emër të sajin të quajtur albanologji. Kjo gjë mbase i shkonte për shtat regjimit të shkuar totalitar në Shqipëri, i cili qëndroi për dekada me radhë si një rast klasik i autarkizmit, aq sa ende sot Shqipëria përmendet në tekstet mësimore të marrëdhënieve ndërkombëtare si manifestimi më tipik i autarkisë. Në kushtet kur vendi ishte krejtësisht i izoluar dhe nën kërcënimin e vazhdueshëm, qoftë të armikut të jashtëm dhe qoftë të armikut të brendshëm, regjimi e shikonte të volitshme që të improvizonte një shkencë safi shqiptare të quajtur albanologji, si për të certifikuar e legjitimuar shkencërisht atë që regjimi kishte shkaktuar politikisht.

Këto argumente nuk më tingëllojnë bindëse. Termi “albanologji” shenjon tërësinë e atyre disiplinave të dijes që kanë për objekt historinë dhe kulturën shqiptare, gjuhën shqipe, dhe të tjera fusha të ngjashme. Objekti i albanologjisë asnjëherë nuk ka qenë problematik, sa kohë që shqiptarët përfaqësojnë një njësi kombëtare të pavarur në Evropë; aq më tepër të zbuluar prej dijes relativisht vonë. Albanët vërtet nuk janë të zgjedhurit e Perëndisë, por janë aq të veçantë e aq sui generis sa të përligjet ekzistenca e albanologjisë; si shkencë e përcaktuar nga objekti, jo nga synimet e saj. Kjo nuk mund të zhvlerësohet nga përdorimet që i janë bërë kësaj dege të dijes nga regjimi totalitar në Tiranë, ose nga forca të ndryshme kombëtariste; as mund të merret si simptomë e autarkisë shqiptare të viteve 1960-1980; ashtu siç nuk mund të identifikohet albanologjia me shtrembërimet që iu bënë si pasojë e trysnisë ideologjike të regjimit. Albanologjia është vetëm një emër tjetër për studimet shqiptare; dhe ekzistenca e albanologjisë është njëlloj e përligjur sa edhe e romanistikës, gjermanistikës, sanskritologjisë, sllavistikës, helenistikës e kështu me radhë.

Vazhdon Nurellari:

Arkeologjia, historia, linguistika e kështu me radhë janë shkenca universale, disiplina që studiohen me rigorozitet në gjithë botën dhe nëpërmjet këtyre disiplinave shkencore mund të studiohen edhe tema që kanë të bëjnë me kulturën, identitetin apo të kaluarën e shqiptarëve. Pra, studimet për Shqipërinë e shqiptarët mund të konsiderohen si një nga temat e shumta, ku secila prej këtyre disiplinave mund të fokusohet, por në fakt me qendrën albanologjike hamendësohet e kundërta, sikur albanologjia është jo thjesht një disiplinë shkencore më vete, por është sipër këtyre shkencave të tjera. Kjo gjë është qesharake dhe reflekton një prirje etnocentrike të dalë boje.

Përkundrazi, mua më tingëllokan pak qesharake argumentet e Nurellarit. Të thuash që albanologjia është një degë e dijes që ka për objekt studimin e shqiptarëve, të kulturës historisë dhe gjuhës së tyre, nuk do të thotë që ta vësh albanologjinë mbi disiplina të tilla si arkeologjia, historia, linguistika; por vetëm ta specifikosh një degë të dijes duke ia ngushtuar objektin. Kjo merr vlerë të veçantë në rrethanat e historisë së shqiptarëve, meqë aty mungesa e dokumentacionit dhe sidomos e një shteti shqiptar në shekuj e bën të domosdoshme qasjen së vërtetës me rrugë multi-disiplinare, ku të dhënat gjuhësore plotësojnë të dhënat historike dhe antropologjike (folklorike). Nëse është kështu, atëherë nuk ka asnjë të keqe ideja për të krijuar dhe subvencionuar një qendër e cila të merret me bashkërendimin e këtyre përpjekjeve multi-disiplinare. Gabimi i Nurellarit është se e ngatërron albanologjinë si degë të dijes me përdorimet që mund t’i bëhen albanologjisë për synime të ndryshme ideologjike. Tek e fundit, edhe hipotezat që shqipja rrjedh prej trakishtes ose dako-mizishtes; që sllavët kanë bashkëjetuar me shqiptarët në Shqipëri të Jugut; që Skënderbeu i ka luftuar osmanët për motive të dobëta (hakmarrje); që bregdeti i Shqipërisë nuk ka qenë banuar prej para-ardhësve të shqiptarëve në lashtësi e të tjera hipoteza që nuk gëzojnë favoret e dijetarëve në Shqipëri, janë njëlloj pjesë e albanologjisë sa edhe pozicionet zyrtare për këto çështje. Nga ana tjetër, pseudo-teoritë dhe legjendat për shqipen si mëmë të gjuhëve ariane, lidhjet shqiptaro-etruske, shqiptaro-trojane ose fjalët shqipe që përdor Homeri, nuk i përkasin albanologjisë si fushë të dijes, por mitologjisë kombëtariste.

 

Thotë pastaj Nurellari, për të dalë nga llogorja ku e ka groposur veten:

Mbase do të ishte më mirë që veçmas dhe paralel instituteve që janë përfshirë brenda qendrës albanologjike, të ekzistonte një qendër e studimeve shqiptare se sufiksi -logjike është çorientues, e cila të nxisë e koordinojë kërkimet e ndryshme që kanë interes për problemet shqiptare.

Edhe pse deri tani nuk ka folur aq për emrin e albanologjisë, sesa për thelbin e saj, ose identitetin e saj; të cilat nuk përcaktohen prej emrit. Tek e fundit, albanologjia quhet ndonjëherë edhe albanistikë, por kjo është çështje traditash e formaliteti; në një kohë që thelbi i çështjes është nëse ka të drejtë ekzistence një fushë e dijes e cila ka për objekt shqiptarët…

Shpjegon Nurellari:

Në traditën akademike perëndimore ekziston një analogji e zbehtë, që mund të justifikojë ekzistencën e qendrës së studimeve albanologjike, dhe është tradita e studimeve rajonale, më saktë studimet e kahershme të ashtuquajtura orientale. Por edhe kur bëhet fjalë për qendrat kërkimore orientale, sot ekziston një prirje për t’iu shmangur stigmatizimeve të tilla tani që kemi një zhvillim të studimeve postkoloniale. Ekzistojnë edhe qendra të studimeve evropiane apo amerikane, por që padyshim ato janë aty si qendra që koordinojnë studime multidisiplinare, që kanë tematikë të përqendruar ndaj çështjeve apo realiteteve evropiane apo amerikane, por kurrsesi nuk pretendojnë të rivalizojnë apo të shërbejnë si çadër sipër disiplinave klasike, si historia apo arkeologjia, sikurse po bëjmë ne. Bota shkencore nuk rrotullohet rreth realitetit shqiptar dhe as realiteti shqiptar nuk është aq endemik, sui generis, apo unik si fenomen sa të vlejë të konsiderohet si një shkencë më vete.

Unë përsëri nuk kuptoj. Për disa shekuj me radhë, një disiplinë “klasike” si arkeologjia ishte e tëra e përqendruar në qytetërimin klasik grek dhe latin. Kjo lloj arkeologjie, së cilës ia kemi përjetuar pasojat edhe në Shqipëri, mund të thotë shumëçka për kolonitë greke në bregdetin shqiptar, por jo dhe aq për kulturën materiale të vendasve në trojet e sotme të shqiptarëve. Që këtej lind nevoja për të pasur një arkeologji e cila të fokusohet në këtë kulturë materiale joklasike, e cila mund të na ndihmojë për të kuptuar më mirë parahistorinë e shqiptarëve; dhe që do të përkufizohet jo sipas metodave që ndjek (të njëjta me ato të arkeologjisë klasike), por sipas objektit të studimit. Natyrisht, bota mund të bëjë ç’të dojë me katedrat e veta të studimeve orientale, aziatike, arabike e mezo-amerikane; por kultura shqiptare ka nevojë të madhe për prurje të dijes në fusha të paqarta të historisë, të cilat duhet t’i nxitë me mekanizma të posaçëm. Nuk ka asgjë të keqe dhe autarkike që një arkeolog shqiptar të gërmojë në Shqipëri; e keqja fillon kur autoriteti politik ose ideologjik ia shpjegon këtij arkeologu se për çfarë duhet të gërmojë…

Përfundon Nurellari:

Përpos nevojës për t’iu shmangur traditës shkencore etnocentrike, nuk është e arsyeshme që studimet për problemet shqiptare të jenë akoma të përqendruara në institucione shtetërore. Duhet të merren masa për të kaluar në një fazë tjetër, ku hulumtimet për problemet shqiptare të mos jenë të centralizuar a komanduara nga lartë, por të jenë të lira, spontante dhe krejtësisht në dorën e komunitetit akademik. Nëse me të vërtetë shteti do të donte që të nxiste kërkimet për probleme shqiptare, fare mirë mund të komisionojë kërkime shkencore, nëpërmjet shpalljes të garave në nivel kombëtar e ndërkombëtar, duke ftuar institucionet kërkimore apo akademike më në zë në botë për t’u angazhuar. Ashtu sikurse kemi hequr dorë që të prodhojmë vetë televizorë “Lura” e “Adriatiku” në Durrës, sepse ato që blejmë nga “Philips” apo “Samsung” na leverdisin më mirë, po kështu kërkimet shkencore për Shqipërinë të realizuara nga akademikë të huaj mund të jenë shumë më cilësore dhe të leverdishme për vendin tonë se mbajtja e një qendre permanente për kërkime shkencore për problemet shqiptare.

E kam përmbajtur veten deri tani, por ky paragraf i fundit është tipik për të shembëllzuar profkat që qarkullojnë në diskursin intelektual të sotëm në Shqipëri, ku gjithçka kërkohet të modelohet sipas “ekonomisë së tregut”. Dija e natyrës albanologjike nuk mund të komisionohet, as të porositet në tregun global të shkencës; sepse është produkt delikat i një kulture që kërkon mjedis të veçantë për t’u krijuar e për t’u riprodhuar. Kjo nuk do të thotë që roli i shtetit është themelor për mbijetesën e albanologjisë dhe të albanologëve; por nga ana tjetër nuk do të thotë as që produktet albanologjike të kuotohen në bursën ndërkombëtare të ideve.

 

Do ta ketë fajin uji i pishëm, tha.

9 Komente

  1. Xha Xhai, nje argument me te vertete bindes. Lexova me pare shkrimin e Nurellarit dhe me la nje shije te pakendeshme. Kur lexova analizen tende, e kuptova perse.
    Thanks.

  2. Nuk e kuptoj, ne shqiperi, cdo njeri qe i thote vetes gazetar, pavaresisht ca edukimi ka e pervoje, mund te flasi per cdo teme e si te doje?!Ca niveli ka rene diskutimi publik.

    Shume llafe nga politikan e njerez jo kopetent ne opinion, qe ndoshta e qellimshme, e njerezit nuk kane informacionin e duhur per te bere nje gjykym real e te shendosh e dhene nje zgjidhje.

    Kisha lexuar nje shkrim me pare te Andri Nurellarit per demokracine liberale, e sugjerime per te djathten e mu duk shume feminor per te kapur tema te tilla.
    Shkrimet jane ketu te ky forumi.

    http://www.edsh.org/diskutime/forumdisplay.php?fid=12

  3. Pergjija e Z. Pellumb Xhufi per kete teme.

    Sqarim i plote dhe i ekulibruar.

    Zoti Xhufi, dje Kryeministri Sali Berisha ndërmori një nismë, çka nënkuptonte mes të tjerash edhe rishikimin e historisë. Cili është vlerësimi juaj?

    Dy gjëra ka deklarata e djeshme e Kryeministrit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. E para është që Kryeministri del aty ku nuk e pret në këto ditë të nxehta vere. Kur njerëzit presin që ai t‘u thotë diçka të mirë për dritat e ujin, Kryeministri del për reformën e kërkimit shkencor. Së dyti ka të bëjë me përmbajtjen e kësaj të ashtuquajture reformë, e cila është më së tepërmi inkoherente. Qeveria, që në momentin kur kaloi ligjin për shpërndarjen e Akademisë së Shkencave, duhet menjëherë të kalonte edhe ligjin për riorganizimin e kërkimit shkencor, gjë që nuk ka ndodhur. Pra është një reformë e copëzuar, inkoherence dhe akoma më tepër është një reformë e dëmshme në gjykimin tim. Edhe njerëzit që u morën me konceptimin e kësaj reforme të kërkimit shkencor nuk kanë qenë njerëzit e duhur. Zoti Berisha ndërtoi pranë vetes së tij në Kryeministri një grup pune prej 9 personash dhe prej tyre asnjëri s‘i përkiste shkencave që janë lëvruar në akademi. Ai donte të bënte një reformë të akademisë, duke marrë njerëz të jashtëm, që nuk kishin të bënin me shkencat. Aty kishte mjekë, fiziologë, inxhinierë mekanikë e zooteknikë, që u morën me përpilimin e reformës, por munguan historianët, arkeologët dhe etnografët. Çfarë reforme mund të bëjë një grup i tillë, që nuk e njeh fushën? Ndaj ajo u konceptua në variantin prerës, të shkurtimit, të mbylljes dhe të reduktimit në një minimum njerëzish që do zgjidhen mbi kritere politike. Shkencat albanologjike, për të cilën u fol posaçërisht, që sipas fjalës së Kryeministrit do të riorganizohen në një qendër të kërkimeve albanologjike, do të vihen nën drejtimin e Ministrisë së Arsimit. Që këtu zbulohet karakteri degradues i kësaj të ashtuquajture reformë. Akademia e Shkencave deri dje varej drejtpërsëdrejti nga qeveria, ishte një institucion i pavarur, por në pikëpamje administrative varej nga ekzekutivi. Tani do duhet të varet nga ministria, e cila merret që nga problemet e arsimit parashkollor, deri tek arsimi universitar, që janë të tepërta, të shumta, delikate e tepër të vështira. Është një varësi formale për t‘i dhënë kësaj qendre albanologjike një pikë referimi, por që nuk do t‘i sjellë asgjë të mirë, nuk do marrë asnjë input nga Ministria e Arsimit. Ana tjetër është që institutet e dikurshme të Akademisë së Shkencave, siç ishte ai i historisë, gjuhësisë dhe letërsisë, instituti i arkeologjisë, i etnografisë apo instituti i artit shqiptar, tani do të reduktohen në departamente. Diçka që presupozon një shkurtim drastik të personelit dhe bindja ime është se do jetë një shkurtim mbi baza politike, duke u nisur edhe nga përvoja që kam pasur si ish-punonjës i institutit të historisë. Nga ana tjetër, do të mungojë një mbështetje për këtë qendër edhe në kuptimin financiar. Dua të them se, akademia, e cila u anatemua përsëri nga Kryeministri, ka qenë një institucion që për 30 vjet mes shumë të mirave pati edhe të mirën e madhe që ktheu Shqipërinë në qendrën botërore të studimeve albanologjike. Në Shqipëri kanë ardhur që nga vitet ‘70 deri në ditët e fundit të ekzistencës së akademisë shkencëtarët më të shquar të albanologjisë. Ata kanë dhënë një kontribut të shquar bashkë me kolegët e tyre shqiptarë. Institutet e akademisë kanë bërë vepra shkencore dhe atdhetare, që janë vlerësuar në forumet ndërkombëtare, në kongrese, seminare e kolegjiume. Akademia e Shkencave ka pasur një kontribut të jashtëzakonshëm për ngritjen e jetës shkencore e akademike në Kosovë që në fillim të viteve ‘70. Nuk është një rastësi që kur filluan lëvizjet demokratike kombëtare të shqiptarëve në Kosovë, demonstratat e vitit 1981 nga studentët e deri te revoltat e viteve 1989-1990, serbët kanë akuzuar si indoktrinuese të rinisë dhe inteligjencës kosovare pikërisht Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Ky është vlerësimi më i madh që është bërë këtij institucioni, që Kryeministri ynë e zhvleftësoi derisa e asgjësoi dhe që pas vdekjes e shan dhe shpif kundër saj. Akademia nuk është aspak një institucion i stilit sovjetik, siç thotë Kryeministri. Ai duhet ta dijë se akademia ka lindur si institucion në Greqinë e lashtë dhe në kohën e rilindjes evropiane u përqafua në të gjitha vendet evropiane që patën akademikët e tyre. Në shumë prej tyre akademitë vazhdojnë të ekzistojnë në formën e tyre të vjetër, që nuk është as greke, as sovjetike e as romake. Në kushtet e reja të zhvillimit kërkimi shkencor ka kaluar nga akademia e shkencave tek universitetet, ku janë krijuar kushtet e duhura. Kushtet materiale, bibliotekat, arkivat, laboratorët dhe koha që i lihet në dispozicion personelit universitar që të merret me kërkim. Universiteti ynë është i papërgatitur sot dhe do jetë i papërgatitur edhe për shumë kohë për të absorbuar veç didaktikës edhe kërkimin shkencor. Sot, në universitetet tona, për fat të keq, bëhet diçka si afër zeros, praktikisht nuk bëhet asgjë. Ndaj them se shpërndarja e Akademisë së Shkencave, prishje e instituteve të akademisë, duke filluar nga ata që merreshin me shkencat albanologjike, është vepër irracionale dhe antikombëtare. Vihet në pikëpyetje kërkimi shkencor në këta sektorë kaq të ndjeshëm, që kanë të bëjnë me identitetin e popullit shqiptar.

  4. Bledi, shkrimi i Pëllumb Xhufit është shkrim në mbrojtje të Akademisë së Shkencave. Unë kam punuar shtatë vjet në një Institut kërkimor atje, dhe jam i bindur se Akademia ka dhënë kontribute të mëdha në lëmë të kërkimeve albanologjike: histori, gjuhësi, antropologji, histori arti, arkeologji, e kështu me radhë. Megjithatë, jam njëkohësisht i bindur edhe se, për nga mënyra si funksiononte, Akademia u shndërrua me kohë në një çerdhe të mediokritetit, të kryesuar nga një dorë pleqsh të ditur, të mençur e të vetëkënaqur, por pa vepra dhe pa status qytetar brenda shoqërisë civile. Akademia e kërkoi vetë shkrirjen e saj, sepse pas vitit 1990 veproi në bazë kodesh e rregullash të shkruara në një epokë tjetër. Prandaj, ndryshe nga Xhufi, unë mendoj se veprimi për shkrirjen e strukturave të Akademisë është i drejtë; sa kohë që ky institucion nuk e luajti dot rolin e vet pas kolapsit të diktaturës. Nga ana tjetër, Xhufi ka të drejtë kur thotë se Universiteti i Tiranës është edhe më keq se Akademia, kur vjen fjala për cilësi të punës kërkimore dhe të kontributeve kulturore; në kuptimin që shkrirja e Akademisë nuk duhet interpretuar si provë që universitetet në Shqipëri funksionojnë; por vetëm si provë që qeveria sot e ka të pamundur t’i shkrijë edhe universitetet… Nga ana tjetër, kur flasim për studiues në fushë të albanologjisë, unë mund të të sjell një listë me emra jashtëzakonisht të përgatitur, të cilët ose punojnë në universitete jashtë Shqipërisë, ose kanë mbetur në Shqipëri dhe vegjetojnë, sepse e kanë humbur dëshirën për punë, sepse janë plakur, ose sepse nuk botojnë dot, ose thjesht sepse kanë dëshirë të merren me punë më fitimprurëse. Pëllumb Xhufi vetë është njëri prej tyre; një historian i përgatitur në La Sapienza të Romës në një kohë kur Shqipëria nuk dërgonte pothuajse askënd të studionte jashtë; një specialist i historisë së Mesjetës dhe veçanërisht i Bizantit; por që sot merret me punë që s’kanë të bëjnë fare me specialitetin e tij fillestar. Nuk dua ta gjykoj aspak, as ta paragjykoj; por vetëm ta përmend si shembull të të gjithë atyre kuadrove që pas 1990-ës nuk e vazhduan dot punën e tyre kërkimore, megjithëse të përgatitur mirë e të zotët profesionalisht. Në këtë kontekst, pyetja që duhet shtruar është: a duhet të mbetet albanologjia pjesë e kulturës shqiptare sot? Dhe jo të vihet në dyshim vetë ekzistenca e studimeve albanologjike, siç bën Nurellari.

  5. Nuk dua te bazohem mbi Nurellarin, se shtremberohet biseda, ne te njejten kohe ti ke bere mire qe ke drejtuar shtremberimet e tij, se keto dite te ze frika me keto papergjegjshmeri qe shikon ne shtyp, e ca te rezikshme, e ndoshta apel qe kemi nevoj per njerez te zgjuar, per ti institucionalizuar e perkrahur qe mos te na pushtojen keta medioker .

    1-Nuk diskutohet Akademia pas 90 duhej rikoncepuar sipas kohes se re. Nuk ka diskutim ne gjendien aktuale te akademise, problemi qe ndahen njerezit eshte ca do behet me te. Ca marin si shembull gjendien pas 90tes per te argumentuar shkaterimin e saj, kjo nuk eshte as llogjike as e vlevshme, po eshte e kunderta ndryshimi e pershtatia e saj me kohen e re. Madje per gjendien pas 90 fajin e ka vete qeveria qe nuk ka bere reformat e duhura qe ne fillimet e 90tes e kujtohet tani pas 17 vjetesh, shan te tjeret, e zgjidhja eshte shkaterimi, si per shume gjera qe jane bere keto 17 vjet.

    2- Mendimi im eshte Akademia te ruhej, e te behej nje shkrirje paralele me Universitetin, e katedrat e tij te shkrihesin me institutet e akandemise, e te ruheshin te dyja e te forcoheshin. Se si do qe kete ta bente nje grup me pervoj e njohje te fushes, e te mirej dhe eksperienca perendimore. Une jetoj ne ameriken e veriut po institucionet kerkimore pranw universiteteve jane teper frytdhenese.
    Plus qeveria te jipte para per projekte studimi.

    3-Mendoj se shkenca shqiptare duhet te fokusohet ne nevojat e vendit, e kjo eshte dhe ekonomia te kesh nje mendim shkencor ne vend.
    E kjo ne cdo fushe, e qeveria te paguaj para ne projekte me gjera konkrete per nevojat e vendit e historise gjuhes etj te cdo fushe qe nevojitet.

    Kam pasur nje mik arkeolog, tani eshte ne mergim, e me thoshte se fonde te tera kane vajtur kote, ne kerkime me teper per te bere buje ne fushat qe jane te stabilizuara mire, si ajo romake ose greke, e kur vjen puna jane shume pak ose agje behet me objekt iliret, shume gjytete te tyre ose vende nuk jane prekur fare.

    Shkenca duhet te jete ne sherbim te nevojave te vendit, keshtu eshte dhe ndarja globale, ne duhet ti dalim zot problemeve te ketij vendi, sic ben secili vend, e ke nje justifikim ne popull per investimet ne shkenc e kerkim kur nga ajo perfiton vendi e qytetaret e tij, dhe keta jane dakort per investime ne ate fushe.

    Pastaj per anen tjeter ka vende te medha me buxhet te medha, e interesa globale, qe meren me gjera globale. po kur secili vend mbulon problemet e vendit te tij, dhe bota eshte mbuluar plus secili vend mer ato qe ka prodhuar shkenca boterore dhe i perdor ato per problemet e tij ose ne realitetin e tij.

    Kam rastisur shume njerez ketu qe jane te interesuar per shqiperi e per shume gjera per te, po fakteqesisht edhe ne se ka punime ato ke veshtire ti gjesh.
    Kete te benin ne fillim qeveria.

    Para nje muaji kisha nje profesor qe me pyeti si mund te kerkonte ne Akademine a ne universitetet shqiptare punimet per gjakmarjen qe ti referonte ne punimet e tij.
    E pergjigjia ime qe teper e pamjaftushme se dhe vet nuk jam i qarte.

    Pra pasi te ngrish nje ambient shkencor ta lidhesh natyrshem dhe me ate globalin, se dhe ai eshte interesuar per ty, vecantite e tua, dhe ti per ate.

  6. Kam lexuar nje liber ketu para disa viteve ne biblioteken publike, po nuk ja mbaj mend emrin tani, e libri kishte te bente me ”arkelogjine e konsoliduar” ne shekullin e 19 ku cdo gje e bente greke .

    Thelbi i librit qe ky, qe autori shtronte pyetjen ne fillim si ka mundesi qe nga shfaqia e pare e grekerve e deri te kulmi i qyteterimit te kene kaluar 200 vjet.

    Ne ate kohe qe e pamundur te ngrihej nje qyteterim nga zerua per 200 vjet e ne nje rajon aq te kufizuar.

    Gje qe greket ose shume qe mbrojne tezat e tyre bejne cdo gje greke e te krijuar nga ata.

    Autori shtjellonte se shume gjera qe sot i dhemi greke jane kulturat lokale te zones, ato para greke, te cilat nga qe referohen ne kohen e lulezimit te grekerve te lashte, ne i bejme te gjitha greke e te shpikura e krijuara nga ata.

    Autori mirte qe nga gjuha greke qe sot i thone alfabet greke po ai eshte alfabet fenikas, nje ngateres jo e vogel, per ndryshon komplet rrjedhen e kultures, e ja referon cdo gje grekerve.

    Fenikasit qe qene qyteterim para greke, qene pak a shume si grekte ne mezdhe e hapur me anije me tregeti ne gjithe pikat kuce te tij, ku me von u hapen greket.

    Po keshtu ndertimet greke, te cilat ne i themi stili grek, autori mirte ne qyteterim para grek, ne Krete, Meneas (ne mos gaboj emrin se nuk me vjen ne mend tani i qarte), ai qyteterim eshte para grek e stili grek i ndertimeve eshte mare komplet nga ai, e ne sot ne menyre spekullative ja dedikojme cdo gje grekerve.

    Duke pare dhe shume gjera ne ate liber, duke kujtuar qe dhe perendite greke qene barbare, pra jo greke, e duke kujtuar sa gjera kane mare greket e i kane bere te tyre, e sot duket sikur kjo eshte gje legale e tyre, qe e vazhdojne dhe sot.
    Pra duke pare ne kete kendveshtrim jane shume gjera te qyteterimve te zones, me i rendesishme ne ato zone Ilir, shume gjera te tyre jane futur ne qyteterimet e medha, ose pak kane analizuar shkencetaret ca kane mare keto kultura qe cilesohen te medha nga qyteterimet tradicionale te zones se mezdheut.

    Ketu kam kuptuar nje te vertet te madhe te shkences sone, qe rend pas kapitujve e emrave te medhenj , grek a romak,
    e nuk ka bere asngje te nxjerr ato renjet qe kane mare keto nga qyteterimi ilir e ai i lashte i vendeve ku keta shtrihesin.

    Ne nje liber tjeter kam lexuar se gjithe pervoja romake e divizioneve eshte mare nga iliria e maqedonia.

    Pra ka shume objekt per shkencen shqiptare.

    Uroj qe qeverite e ardhshme shqiptare te japin para e kerkojne projekte ne keto fusha.

    Dhe ne tu kerkojme atyre, qeverive, te investojne ne keto fusha.

    Nje shembull i fundit, “ILIRICUM SACRUM” nje liber qe duhet te perkthyer ne shqip, e bente bazen e studimit e edukimit tone, e qe jep rrenjet shekullore Iliro-Shqiptare, e bere nga Vatikani, eshte perkthyer ne gjuhen kroate e nuk eshte perkthyer ne shqip ose nuk jane dhene para nga qeveria qe ky te kopjohej, perkthehej e te punohej nga institutet tona shkencore.

    Degjojme vetem ne lajme , ca arkeolog, qe vene ne ca zona me ndikime te forta te qyteterimit romak ose grek, e dihet po germove aty do gjesh ndonje objekt, se ka plot, e keto na i shesin si haritje, show, kur eshte lene menjan cdo gje tjeter Ilirire, e kur nuk thellohen e perqendrohen ne ato qe thash mesiper.

  7. Nuk e di c`edukim ka Z. Nurellari, por me duket se qendrimi i tij ndaj albanologjise dhe funksionit te akademise shfaq te pakten dy realitete, sado te ndryshme nga njeri tjetri, prej te cileve eshte ushqyer:

    I) Ndryshimet ne Shqiperine postkomuniste dhe ne fillim prirja gjithperfshirese, e pastaj edhe “pergjigja e vetme” ndaj aradhes se problemeve ne Shqiperi, per t`i kllaposur keto probleme nen ligjet, shpeshhere jo te mircaktuara, te ekonomise se tregut.

    II) Paqetesia dhe furnizimi i vazhdueshem i Kanonit perendimor te dijes me teori dhe kendveshtrime te reja. (Perndryshe me duket e jashtudhshme permendja e teorise se postkolonializmit, fv, ne kontekst me albanistiken.)

    “Argumentet” e Z. Nurellari nuk i afrohen aspak thelbit apo funksionit te akademise, dhe keshtu, ngjajne me shume me nje orvatje “intelektualiste” per te thene dicka per hir te te thenit dicka. Xha Xhai ben mire qe merret me te, blogesisht, se qendrime si te Z. Nurellari jane po aq te demshme sa edhe ato te miteve kombetariste per nga peshtjellimi qe mund te sjellin.

    Sa per Akademine Shqiptare, pervec mangesive qe e brejten shume heret, nje nga dobesite ose nje nga nyjet me te forta qe nje akademi e ardhshme duhet te kete, eshte bashkepunimi me rrjetin universitar, nderthurja e studimeve ne cdo lloj fushe te saj, pra edhe albanologjise, me studente, mesues, apo edhe shkollare te specjalizuar e te afirmuar.

    A duhet te kete nje ideologji apo a mund te shmanget krejtesisht ideologjia pas funksionit te kesaj akademie? Veshtire qe ndikimet ideologjike te shmangen plotesisht; ato e nxjerrin koken edhe atehere kur qellimi i studjuesve nuk eshte aspak ideologjik. Te pakten, megjithate, nje riorganizim, pse jo, edhe me subvencjonim nga shteti apo persona dhe entitete private, eshte paresia e komunitetit te inteligjencies shqiptare.

  8. Për disa shekuj me radhë, një disiplinë “klasike” si arkeologjia ishte e tëra e përqendruar në qytetërimin klasik grek dhe latin. Kjo lloj arkeologjie, së cilës ia kemi përjetuar pasojat edhe në Shqipëri, mund të thotë shumëçka për kolonitë greke në bregdetin shqiptar, por jo dhe aq për kulturën materiale të vendasve në trojet e sotme të shqiptarëve. Që këtej lind nevoja për të pasur një arkeologji e cila të fokusohet në këtë kulturë materiale joklasike, e cila mund të na ndihmojë për të kuptuar më mirë parahistorinë e shqiptarëve;

    Zbulimi i fundit i mureve ‘qiklopike’ (me siguri edhe ata do te dalin si koloni greke po le te presim fjalen e fundit) si dhe iniciativa si Albanian Rescue Archaeology Unit http://www.gshash.org/index.htm besoj se jane disa hapa pozitive drejt njohjes me mire te vetes tone jashte prizmit helen-klasik.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin