GOOGLE DO TË THOTË GOGOL?

Rando Devole, në “Tema”, dt. 25 korrik 2007

 

SHQIPTARËT PËRBALLË INTERNETIT

 

Për arsye objektive interneti hyri vonë në jetën e shqiptarëve, shumë prej të cilëve nuk ia njohin fillesat e aq më pak evoluimin e vrullshëm të fundviteve ’90. Nga ana tjetër, të përhumbur siç jemi në rutinën e së përditshmes, ka raste që disa gjëra i pranojmë ashtu siç janë, në kufijtë e së natyrshmes, si të dhëna përgjithmonë, pa pyetur se ç’përfaqësojnë e përse i përdorim. Në këtë pikë teknologjia vetëm sa na e rrit apatinë, falë edhe ndërfaqeve me të cilat na del ballas: të thjeshta, elementare, intuitive.

Ndonjëherë harrojmë se pas ikonave tashmë familjare të kompjuterit dhe display-ve shumëngjyrëshe të celularit ekzistojnë mijëra elemente të panjohura me emra të pakapërdishëm. Një botë e tërë misterioze plot me bit, algoritme, chip, qarqe elektronike, procesorë, ram, software, faqe html, databazë, etj. etj. Ndërlikueshmëria e teknologjisë na bie në sy vetëm kur nuk funksionon: kur kompjuteri na bllokohet, kur celulari nuk tingëllon, kur saçi nuk kap sinjal. Në këto raste (jo edhe aq të rralla) ndjekim skemën më të thjeshtë: ia lemë teknikut zgjidhjen e problemit, pa qenë nevoja ta lodhim trurin (me të drejtë) se çfarë qëndron pas akronimit enigmatik Tcp/Ip.

Google bën plotësisht pjesë në jetën tonë të përditshme prej kërkuesish internetianë, madje nuk ka nevojë për asnjë prezantim të posaçëm. Është një nga motorët kërkues të internetit, ose më mirë është “Motori” kërkues në internet par excellence, meqë u shërben pothuajse të gjithë lundërtarëve të sprovuar ose jo. Në adresë të tij nuk kemi asnjë pyetje, asnjë dyshim: është kështu dhe pikë. Si puna e ajrit që thithim ose si akullorja që lëpijmë. Kur marrim frymë ose hamë akullore nuk është se pyesim veten për përqindjen e azotit në ajër apo për rregullat fizike të kristaleve tw akullores. E megjithatë ka disa njerëz që pyetje kanë bërë, madje të hidhura, dhe jo vetëm për suksesin planetar të Google-it. Mund t’i lexoni tek libri “Dritëhijet e Google-it” (Luci e ombre di Google), shkruar nga grupi Ippolita, i përbërë nga disa hakerë dhe ekspertë të internetit. Ky grup përdoruesish dhe studiuesish të informatikës ka shkuar edhe më tej, ka bërë pyetje më problematike, veçanërisht për efektet kulturore të motorit më të famshëm të botës.

Historia e Google-it mund të gjendet kudo. Mjafton të klikosh në Google… Rrëfehet se dy studentë gjenialë, Sergey Brin e Larry Page, e filluan punën me një algoritëm “të thjeshtë”, për të ndërtuar më pas perandorinë e sotme prej miliarda dollarësh. Të gjithë janë dakord me pohimin se Google është motori kërkues më i njohur në internet, ka ndërfaqe origjinale, të thjeshtë, të qetë dhe qetësuese njëkohësisht. Mirëpo aktualisht Google na paraqitet si diçka më shumë se një motor kërkimi, pikërisht se ka të bëjë me të zakonshmen, të përditshmen, sjelljen. Google është sot gjithshka: kërkim, kalendar, postë elektronike, informacione, muzikë, video, postë në celular, lajme, etj.

Lajmi i ri, sipas të cilit galaktika Google rezultoi në mars të 2007 si më të klikuarat në internet, nuk duhej të na befasonte. Për herë të parë ndërmarrja e Mountain View ua kaloi rivalëve të vet historikë: Microsoft dhe Yahoo, duke tërhequr në mars 528 milionë vizitues në të gjithë botën. Nuk është për t’u habitur. Google përbën një grackë fatale për të gjithë ata që e duan thjeshtësinë dhe shpejtësinë në internet (potencialisht tërësia e përdoruesve pa përjashtim). Sepse Google e sublimoi thjeshtësisë në një kohë kur të gjithë u dashuruan pas efekteve speciale të Flash-it dhe lajleluleve të tjera grafike. Kurse autoriteti erdhi duke iu ngritur gjithnjë e më shumë edhe falë objektivitetit të tij të shumëpërfolur.

Për ne, përdoruesit e vdekshëm të internetit, ka pak rëndësi se si funksionon një motor kërkues. Fusim në katrorin e duhur fjalën e kërkuar dhe klikojmë “kërko” në katrorin tjetër më të vogël. Pak e dinë se Google bazohet në algoritmin superstar PageRank™. Si të gjitha algoritmet e tjera edhe ky është një lloj procedure që arrin një rezultat të caktuar duke kryer, sipas një rendi të caktuar, një sërë hapash të thjeshta. Edhe dollapët e pamontuar, ashtu si edhe kutitë me preparat për buding, e kanë nga një copë letër me udhëzime brenda. Pra janë rregulla njerëzore, subjektive. Ç’hyn këtu objektiviteti i padiskutueshëm i rezultateve të Google-t? Sipas PageRank™ kërkimi merr parasysh faqet internet që vizitohen më shumë, pra algoritmi përllogarit kryesisht popullaritetin e një siti. Mirëpo a mund ta pranojmë se sasia lidhet gjithnjë me cilësinë?

Vitet e fundit edhe shqiptarëve po u lezetohet vazhdimisht përdorimi i Google-it. Shërbimet e tij janë të panumërta: databazë pamore, lajme, libra, blog, harta, video, shërbime financiare, e-mail, kërkime, Voip, mesazhim i çastit, forume diskutimi, përkthime, bashkërendim me telefoninë celulare, etj. Madje Google nuk harron të të sugjerojë termin e duhur në rast se e ke shkruar gabim. “Mos po kërkoje filan fjalë?” të thotë me mirësjellje. Ndërkohë një sërë shërbimesh janë në fazën beta (provë) si p.sh. Google Scholar ose Google Library, i pari synon kërkimin e specializuar, i dyti ka ambicien e madhe t’i shndërrojë librat në format dixhital.

Ne shqiptarët jemi të parët që nuk duhet të ankohemi për tërë këto shërbime falas të Google-it. E megjithatë një sistem i tillë kapilar, për më tepër potencialisht invaziv, nuk ka se si të na lërë indiferentë. Përballë nesh kemi një shoqëri të huaj që menaxhon një pafundësi të dhënat. Natyrisht, qëllimet nuk procesohen, por për kë menaxhon informacionet e e-mailit tonë, telefonatat e bëra, faqet e konsultuara, kërkimet e realizuara, blogjet e ndërtuara, videot e para, pamjet e shkarkuara, e kështu me radhë, nuk është e vështirë të na e dhunojë privatësinë. Në Shqipëri Google duket asnjanës, një mjet i rëndomtë pune, kurse serverët e Mountain View gjenden larg, aq larg sa duken të padëmshëm. Përveç kësaj, ka shumë mundësi që shoqëria jonë ta ketë removuar idenë orwelliane të Vëllait të madh, kryesisht për shkak të lodhjes mendore që regjimi totalitar i ka shkaktuar, por edhe për lirinë kaotike të shoqërisë aktuale. Tregu shqiptar duket si më pak i globalizuar se të tjerët, por kjo është pjesërisht e vërtetë dhe gjithsesi çështje kohe. Reklamat e Google-it mund të jenë investim i mirë për të gjitha mallrat që duan të vërshojnë në hapësirën shqiptare.

Tani për tani rreziku se shqiptarët mund të vuajnë nga obsesione të kota duket i largët. Ky mund të duket “luks” vetëm për vendet perëndimore. Në këtë pikë, shqiptarët ndoshta kanë të drejtë. Ka mundësi që Google të jetë vetëm një motor i shkëlqyer kërkimi, por i detyruar të respektojë rregullat e tregut-xhungël të sistemit kapitalist. Vetë motoja “Don’t be evil” (Mos u bëj i keq) i Sergey Brin dhe Larry Page mund të jetë i sinqertë. Po kështu filozofia që qëndron pas perdeve të arta të ndërmarrjes Googleplex, një lloj parajse për punonjësit e Google-it, të cilët gëzojnë kushte fantastike që informaticienët e tjerë as në ëndërr nuk i shohin. Pyetjet megjithatë nuk mënjanohen. Çfarë qëndron pas kësaj filozofie të mirësisë? Një strategji kulturore për të thithur trurin më të zotë e për të mbretëruar në treg njëlloj si “të këqijtë” e Microsoft-it? Një reklamë e fshehur për kapitalizmin e mirë? Apo është thjesht një mënyrë për të kënaqur nëpunësit? Po pas reklamës thelbësore, pak të ndrojtur, por të personalizuar në maksimum, çfarë qëndron? Ku shkojnë të gjitha të dhënat që Google ka mbledhur e rrëmon çdo ditë? Në qoftë se sot janë të sigurta po nesër?

Vetë sistemi i Gmail-it është gjenial në llojin e vet. Përdoruesit mund të ftojnë deri pesëdhjetë miq të tjerë për të përfituar postën më të madhe e më bujare të internetit. Për një keqdashës, që ka në dispozicion të dhënat e Google-it, i duhen vetëm tre sekonda për të rithurur marrëdhëniet sociale të secilit prej nesh, por edhe të dhëna personale duke filluar nga adresa, telefoni, e kështu me radhë.

Por në qoftë se adresa është problem dytësor për shqiptarët (të paktën derisa të mbarojë rregullimi i territorit, meqë as postierët nuk i dinë adresat tona), tema të tjera mbeten të mprehta. Vetë kulti i objektivitetit shkencor – që pompohet nga i pagabueshmi algoritëm i Google-it – duhet të na fusë në mendime, sidomos në këtë fazë të demokracisë shqiptare, kur teknologjia dhe teknicienët na shiten si të paanshëm e të padiskutueshëm. Vetë objektiviteti duhet t’i rrijë larg teknologjisë, ashtu si demokracia duhet t’u rrijë filtrave të teknologjisë moderne. Është e njëmendtë që kompleksiteti i internetit kërkon filtra medoemos; edhe realiteti i ndërlikuar shqiptar i kërkon; por ato duhet të jenë parimore, politike, kulturore, e mbi të gjitha të deklarohen si të tilla, pa u fshehur pas mistikës teknokratike, si mburojë për të kaluar nën rrogoz alternativa të caktuara.

Në vende si Shqipëria, ku autoritetet tradicionale dihasin në kufi të zhgalitjes, që prej rënies së Murit të Berlinit, autoriteti i teknologjisë gjigantohet përditë. Efektet dehëse të dixhitalitetit ndihen mbi këdo: celular, lap-top, internet, televizor… Miliona gishta të lodhur nëpër tastiera, miliona sy të skuqur nga ekranet. Ndërkohë që “procesorët cerebralë” po ngadalësohen gjithnjë e më shumë në aftësitë e tyre kritike. Për fat të mirë kemi hakerët e lartpërmendur, që na kujtojnë se edhe gjigantët e mirë të teknologjisë nuk janë imunë ndaj pyetjeve dhe qëndrimeve kritike. Tek e fundit, edhe kazma ishte mjet i nderuar pune, krejtësisht i pafajshëm, pavarësisht se në Shqipëri u përdor për të shkatërruar kisha e xhamia, duke u përjetësuar kështu në simbolikën e totalitarizmit.

4 Komente

  1. Është thjeshtë luftë shifrash.
    Natyrisht që google, në përgjigjet e para që do të japë përsa i përket asaj që kërkohet, vë ata që kanë paguar për reklamë si dhe ata që me mënyra të ndryshme kanë më tepër ‘visibilitet’ (dmth google ju jep prioritet sepse mund të jenë bloger të blogspot psh 😛 ose që në një mënyrë ose një tjetër, çojnë në programet e universit të googl.

    Gjithsesi kjo s’do të thotë se ajo ‘fsheh’ ndonjë faqe të veçantë (dhe këtu mund të krijoheshin premisat për të menduar keq)… mjaft që të shkosh deri tek faqja e 12428 (kur ndonjëherë i tillë është rezultati i zërave që mund ti përgjigjen kërkesës.

    Që është një fushë me interes, e tregon dhe interesimi i UE për krijimin e një motorri kërkimi europian , dhe s’janë pak, por 120 milionë euro të hedhura në treg (http://punto-informatico.it/p.aspx?i=2045389)

  2. Ne disa websites kam pare sistemin DIGG qe i lejon internetistat te aprovojne ose jo per cilesine e materialeve ne nje faqe te caktuar. Nuk e di nese kjo perdoret nga google apo jo

  3. Rando thote: ” Vitet e fundit edhe shqipetareve po u lezetohet vazhdimisht perdorimi i Google-it.”

    Me vine me mendje disa raste ku rezultatet kerkimore ne Google jane permendur per te pohuar e afirmuar madheshtine e arritjeve personale. Krijimi i nje faqeje personale ne Internet me profil profesional si gazetar, shkritar, artist, kengetar eshte mese normale dhe ndoshta e nevojshme per ata individe qe nepermjet Internetit mirembajne lidhjet me publikun. Ama eshte qesharake kur shikon se si perdoret Interneti per te krijuar, meremetuar, shumefishuar, pasqyruar monumentalizmin e imazhit vetjak.
    Me poshte nje mesazh qe eshte percjelle para ca muajsh ne Art-Café nga e bija e shkrimtarit Naum Prifti:

    Per kureshtaret:GOOGLE nje nga kompanite me te medha te Internetit jep informacion per cdo gje qe prek mendjet njerezore. Duke shfletuar rastesisht u bera kureshtare te dija nese per ta ishte i njohur emri i shkrimtarit shqiptar NAUM PRIFTI, babait tim.
    U mahnita kur atje gjeta 11,100 (njembedhjete mije e njeqind) referenca per aktivitetin e tij letrar e artistik. Kjo shifer kaq e larte mendoj se na shton krenarine qe letersia shqipe dhe autoret shqiptare tani jane objekt hulumtimesh edhe per kompanite me te medha te Internetit, Masmedias me te perhapur.

    Ne rastin me siper nuk mbetet te them vec zoti ja shtofte. Por me gricen nervat me pseudointelektuale/artiste/politikane/aktiviste qe kane pushtuar cdo qoshe te Internetit me pranine e tyre kembengulese qe shpesh here shoqeron magalomanite reale. Kjo prani virtuale behet aq dominuese sa merret si e mireqene duke ia shtuar vlerat reales. Vete natyra ngushelluese e lajkatare e komuniteteve virtuale e perforcon kete duke i perkrahur autoret ne kor per arritjet, humbjet, botimet, shfaqjet, madje edhe per ndonje pordhe qe u shpeton.
    Me poshte po permend rastin e dikujt qe ka fituar dukshmeri te madhe ne komunitetin e diaspores, vecanerisht ate ne NY, fale aktivizimit virtual qe afirmon ate real si humaniste, politikane, poete, mesuese. Nuk e mohoj qe ajo mund t’i beje te gjitha keto, por nuk i duroj dot furcat dhe reklamimet bombastike qe ben dhe i bejne te tjere si vetja.
    Perversiteti arriti kulmin me ngushellimet publike e gazetareske per vdekjen e te jemes.
    Nuk kam aspak keqdashje ndaj personit ne fjale, dhe si kjo mund te kisha permendur te tjere dhe kjo nuk eshte ndonje gje per t’u krenuar.

    http://sq.wikipedia.org/wiki/Kozeta_Zylo
    http://www.albanianliterature.org/writers/kozeta_zylo.htm
    http://osdir.com/ml/politics.region.albania.shqiperia/2006-01/msg00083.html
    http://www.peshkupauje.com/mos-hidhni-balte-mbi-veprat-e-kadarese/2006/05/16/

  4. Në të vërtetë Interneti, duke na ofruar të gjithëve qytetari virtuale, u jep mundësi disave t’i realizojnë pa mundim ëndrrat e veta për madhështi, duke adoptuar tone prej profeti e hire prej prostitute, poza prej perandori e dëlirësi prej shenjtoreje, e duke i folur polemit nga podiumi i megalomanisë. Kushdo mund të krijojë, madje nxitet zyrtarisht të krijojë një hapësirë për t’i shndërruar elukubracionet e veta në katekizëm vetadhurimi. Kësisoj, një teknologji që u zhvillua e mori krahë falë edhe premtimit për të na bashkuar, po përdoret gjithnjë e më shpesh si teknologji e veçimit, për të na mbajtur të ndryrë në kullat përkatëse. Natyra virtuale e mjedisit online të lejon të rithemelohesh, ndonjëherë edhe rrënjësisht (femra bëhet mashkull, komunisti antikomunist, Edi Ramë, qeni mace, plaka vajzë, sadisti mazohist); duke u rilindur “në vetvete”, çka pjell e ushqen jo vetëm konsideratë supreme për veten, por edhe pafajësinë e dikujt që ndihet kaq i dëlirë moralisht, sa është gati të kryejë çdo krim-mendim. E keqja e këtij deliri komunikativ nuk është se e heq qafe ballafaqimin – ose nevojën për t’u përleshur me të tjerë madje edhe me veten nëse dëshiron që ligjërimi yt t’i vlejë sado pak publikut; por sepse së bashku me ballafaqimin heq qafe edhe publikun, duke e reduktuar monologun në të folur me veten. Demokraci e fjalës vërtet, por e një fjale që nuk e dëgjon kush më.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin