SINQERITETI PERVERS I UNIFORMËS

Po ta kthenim uniformën në trajtë verbale do të merrte pamjen e një deklarate. Herë e detyruar, herë vullnetare, herë e pësuar, herë solemne. Por gjithnjë e hapur, deklaruese e shpesh deklamuese. Pra uniformës duhet t’i pranojmë një farë “sinqeriteti”. Nuk është e rastit që polici me uniformë na ngjall më shumë besim se ai që punon i veshur civil. Janë të dobishëm të dy, por i pari përmbush edhe nevojën tonë për simbolikën e autoritetit shtetar, i dyti futet në dritëhije ku konturet e besimit zbehen detyrimisht, sepse zbehet edhe vetë deklarata që “firmoset“ midis qytetarit dhe shtetit.

Si veprim, para se ta veshë uniformën, njeriu zhvishet, dhe nëse “zhveshja është akt simbolik i dorëzimit të individualitetit”, atëherë depersonalizimi nuk mbaron me heqjen e rrobave. Sepse edhe trupi, lëkura, flokët, etj. janë pjesë, madje tepër të ndjeshme, të individualitetit tonë. Në burg e në ushtri fillohet me zhveshje, por edhe me qethje tullë. Madje kam përshtypjen se edhe larja e detyruar nëpër dushet kolektive i ngjan më shumë aktit simbolik me referenca fetare se sa veprimit normal të larjes për t’u pastruar.

Në Shqipërinë totalitare uniforma paraqitej si kutitë kineze. Brenda uniformës civile të përgjithshme (veshjet standarde prej doku e teritali) ekzistonin edhe uniformat, si të thuash, më uniforme. Me fjalë të tjera, ne ishim pak a shumë të veshur njëlloj, si në jetë ashtu edhe në punë. Por brenda nesh qarkullonin policë, ushtarakë, mjekë, kamerierë, etj. që dallonin për nga “qartësia” e uniformës. Ka pasur edhe një zonë të ndërmjetme, si dëshmi e natyrshme e karakterit total dhe pervaziv të uniformës. Aty bënte pjesë një shoku im, për shembull, që e kishte babanë oficer. Vitet e shkollës i kaloi me teritalin e ushtrisë dhe me xhaketat e modifikuara rishtas. Nga halli, natyrisht. Vetë unë, që e kisha babanë shofer zjarrfikëse, përdorja rregullisht këpucë policësh. Im atë ua blinte policëve që vinin nga fshati. Ata kishin nevojë për ndonjë lek, ne kishim nevojë për këpucë që në treg nuk gjendeshin. Këpucët ishin të zeza, pothuajse civile, por më e rëndësishmja ishte se “nuk kishin vdekje kurrë” dhe se po t’i lyeje tek Xhiku, lustraxhiu i lagjes, mund edhe të kriheshe se “bëheshin pasqyrë”.

Sa për uniformat ushtarake që vishnim në zbor, mund të them se ndonjëherë kishin efektin e maskës tek filmi “The Mask”. Papritur shndërroheshe në njeri tjetër. Gjumi të kapte më lehtë, librat të lodhnin më shumë, femrat të grishnin më tepër. Një farë kthimi në natyrë. Kishte nga ata që flaknin tej çdo reminishencë qytetëse, çka kurorëzohej me heqjen përfundimtare të çorapeve, për të adoptuar si këmbëmbështjellëse të famshmet “pece”; sipas shumëkujt më efikase ndaj vështirësive të jetës ushtarake. Sidoqoftë, shpeshherë veshja e uniformës nuk përjetohej si dramë, por si çlirim nga një zgjedhë tjetër. Por ngazëllimi mund edhe të mekej përballë përplasjes së uniformave, në kuptimin që mund të binte ndonjë oficer që ta merrte shpirtin. Atëherë uniforma bëhej edhe më e rëndë se armatura e kalorësve mesjetarë.

Në diktaturat më totalitare uniformat bëhen gjithnjë e më thelbësore (esenciale). Heqja e gradave në atë kohë në Shqipëri nuk kishte të bënte me shëmtimin e uniformave, por me uniformizimin e mëtejshëm të tyre. Pra një uniformë që reduktohet edhe më shumë mund të merret fare mirë si shenjë e ashpërsimit të sistemit totalitar. Mirëpo e kundërta mund edhe të mos vlejë. Zbukurimi i uniformave, lajlelulëzimi i tyre me grada, ngjyra, pupla, yje, mund të fshehë kultin ushtarak. Sepse uniforma mund të jetë konceptuar edhe nga stilisti më i madh botëror, por uniformë mbetet.

 

6 Komente

  1. Xha Xhai, s’mund të flas për atëhere (jemi pak a shumë e njëjta moshë, meqë kam qënë nga të fundit që kam bërë zbor 🙂 ), por përsa i përket uniformës sot: 80 euro për një palë Nike dhe 110 për një palë pantallona sixti…. për tu ‘uniformizuar’ me grupin.
    I thashë:Na 200 euro, këto janë, por në shtator do të të jap vetëm 200 të tjera për librat (vetëm librat i kushtojnë rreth 500 euro), …s’e di se si ja morri Zoti mëntë, dhe tha se do ti ruante lekët për librat.(S’e di sepse, por nganjëherë e besoj Zotin 🙂 )

  2. “Me fjalë të tjera, ne ishim pak a shumë të veshur njëlloj, si në jetë ashtu edhe në punë. Por brenda nesh qarkullonin policë, ushtarakë, mjekë, kamerierë, etj. që dallonin për nga “qartësia” e uniformës….”

    Me duket vertete e gjetur. Komplimente shume per kete faqe, eshte nje nder me te mirat ne qarkullim.

    Te pershendes 🙂

    Rudina Xhillari

  3. Po mendoja, qe njeriu ne thelb eshte konservativ dhe ndoshta terheqja jone tek uniformat i referohet edhe faktit se ato paraqesin nje vlere te sigurt, nje vlere qe e njohim dhe nje vlere qe, ne rastin me te keq, na mbron. Nga kaosi. Eshte nje loje (balance) midis kaosit dhe rregullit. Sa me i madh te jete kaosi qe shkaktojme, aq me shume kemi nevoje per rregullin. Ndoshta kjo eshte edhe arsyeja se perse, te pakten ne nivelin e shkollave, uniformat po rifuten perseri.

  4. Vërtet; të paktën uniforma që e ndajmë me të tjerët na siguron se nuk jemi as kemi mbetur vetëm. Zakonisht preokupohemi për veshjen si diçka që na dallon prej të tjerëve; por veshja njëkohësisht edhe na përkatëson nëpër grupe, duam apo nuk duam. Edhe thjesht kur vëmë në kokë një kapele, bëhemi pjesë e atyre që mbajnë kapele, përkundrejt atyre që kapele nuk mbajnë (sepse nuk duan, sepse nuk kanë kapele, ose sepse nuk kanë kokë). Duke pranuar e bërë tonën një uniformë, e marrim përkatësimin në kontroll, ose të paktën ashtu kujtojmë.

    Selfmaderadio shkruan:

    Po mendoja, qe njeriu ne thelb eshte konservativ dhe ndoshta terheqja jone tek uniformat i referohet edhe faktit se ato paraqesin nje vlere te sigurt, nje vlere qe e njohim dhe nje vlere qe, ne rastin me te keq, na mbron. Nga kaosi.

  5. ne kete korrupsion qe e ka perfshire vendin tone mendoj se uniforma nuk perben me nje faktor shume te rendesishem per ta lidhur popullin me shtetin..jo per gje por jane tronditur dhe tjetersuar ekuilibret e tilla!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin