IVANI I PARË SHQIPTAR

Shoh në “Shekullin” e sotëm se Ardian Klosi ka intervistuar historianin zviceran Oliver Jens Schmitt – autor i studimit “Arbëria Venedike” botuar para pak muajsh edhe në shqip – për një monografi që ky i fundit është duke përfunduar, në lidhje me mesjetën arbërore dhe figurën e Skënderbeut.

Shkruan Klosi në hyrje të intervistës:

Përveç trajtimit origjinal të një figure të madhe në një mjedis të caktuar politik-kulturor, kjo vepër shquan nga pasurimi i bibliografisë së deritanishme skënderbejane me një numër dokumentesh të reja, të cilat profesori 34-vjeçar i Vjenës i ka nxjerrë nga disa arkiva qytetesh europiane, sidomos nga Biblioteka Kombëtare e Francës. Njëri prej tyre, një letër e vitit 1454 e shkruar prej diplomatësh milanezë, vërteton se motivi kryesor i braktisjes së kampit turk prej Skënderbeut ishte gjakmarrja: pas vrasjes së t’et, Ivanit (apo Juanit) prej Muratit II, Gjergj Kastrioti vë njerëz që vrasin të vëllanë e Mehmetit II.

[theksimi është imi, Xh.]

Natyrisht, nuk them dot gjë për kërkimet e historianit zviceran, por habitem pak se një letër arkivash milaneze qenka e mjaftueshme për t’i trivializuar deri në këtë shkallë motivet që e shtynë Skënderbeun të kthehej në Krujë e të niste luftën kundër osmanëve.

Gjithashtu nuk më rezulton që historiografia e sotme e Skënderbeut, në Shqipëri dhe gjetiu, të ketë pranuar gjëkundi se Gjon Kastriotin, të jatin e Skënderbeut, e paskan vrarë osmanët e Muratit II ose të tjerë armiq – edhe pse mund të jem i gabuar, meqë fati i Gjon Kastriotit asnjëherë nuk më ka interesuar drejtpërdrejt. Megjithatë, po të kish qarkulluar ndonjë hipotezë e tillë, do ta kishte përmendur të paktën Kristo Frashëri, në monografinë e vet të fundit për Skënderbeun; por ky vetëm sa thotë se data e vdekjes së Gjon Kastriotit nuk dihet me saktësi…

E pastaj, sikur ta kishin vrarë të ziun Gjon me urdhër të Muratit II, nuk do ta kishin përmendur këtë të gjithë ata që kanë shkruar për Kastriotët në atë kohë (nga Muzaka te Barleti e te historianët bizantinë e turq), por do të kish mbetur puna te këta bojarët nga Milanoja e largët që ta përhapnin lajmin?

Mirëpo gjëra edhe më të pabesuara kanë ndodhur, prandaj nuk shprehem dot prerë.

Më në fund, nuk kuptoj se ç’po e shtyn Klosin ta quajë Gjon Kastriotin me emrin Ivan, i cili është një version sllav i emrit shqiptar Gjon. Nëse historianët dhe krejt kultura shqiptare kanë përdorur deri më sot emrin Gjon, ose nëse është vendosur një traditë krejtësisht e përligjur në përdorim, adoptimi i formës sllavishte Ivan do të kërkonte shpjegime të mëtejshme. Tek e fundit, në vend të Ivan mund të përdoreshin edhe forma si Giovanni, John, Johann, Ion, Iannis, Juanis, Jovan e kështu me radhë; sepse emrat në dokumentet e saj kohe përktheheshin rëndom në gjuhën me të cilën hartohej dokumenti.

Thotë pastaj Oliver Jens Schmitt:

Mendoj se zbulimi më i rëndësishëm, në pikëpamje burimore, është motivi i vërtetë i veprimit të Skënderbeut, që ishte gjakmarrja. Kemi në duar tani një dokument të ri nga arkivat e Milanos, i cili tregon se sulltan Murati II ka pasë vrarë të atin e Skënderbeut, Ivanin, dhe se Skënderbeu ishte pjesë e një përbetimi që çoi në vrasjen e vëllait të madh të Mehmetit II, Alaedin Ali Çelebiut, e pra ky motiv, gjakmarrja si shtysë personale e Skënderbeut, është një e re. Një interpretim i dytë i rëndësishëm ka të bëjë me kryengritjen e Skënderbeut, e cila në fazën e saj të parë nuk duhet vlerësuar si kombëtare, por si kryengritje e popullatës ortodokse në Ballkanin perëndimor, vërtet me një shumicë arbërish, por gjithashtu me pjesëmarrje të sllavëve jugorë e të vllehëve, të cilët ngritën krye si të krishterë ortodoksë kundër Perandorisë osmane, në një kohë kur kjo perandori po kalonte, në vitin 1443, një periudhë dobësimi politik.

[përsëri theksimi është imi, Xh.]

Edhe ky interpretim, se kryengritja e Skënderbeut duhet vlerësuar si kryengritje e popullatës ortodokse në Ballkanin perëndimor, jo si kryengritje e fiseve shqiptare kundër osmanëve, më duket disi i guximshëm; po të kemi parasysh se Skënderbeu kujdesej të identifikohej si princ shqiptar në dokumentet e kancelarisë së vet; e nga ana tjetër, vetë historiani zviceran, në po këtë intervistë, e quan themelimin e një mbretërie katolike nga ana e Skënderbeut si ide të rëndësishme politike të këtij udhëheqësi të shqiptarëve. Megjithatë, për këtë duhet lexuar monografia që, pas gjase, do të përkthehet së shpejti nga Ardian Klosi vetë.

8 Komente

  1. Ke te drejte Xh… Po nuk duhet me ua var shume ketyre qe kane marr per baze te bejne zbulime te reja, per çmitizuar historine tone te mitizuar sipas tyre…
    E di si thone… “Skenderbeu ishte Tiran”, sepse keta jane aq supermoderne dhe kerkojne qe nje princ i 1400 duhej te kishte kohe per demokraci dhe parlament, harrojne se ne kete kohe ne bote digjeshin ende njerez ne turra drush…
    Pastaj kjo e Klosit ishte e madhe e lexova dhe une sidomos ke pjesa e hakmarrjes dhe pjesa e Ivanit, kom qesh e kom shkul floket nje nate te tere…

  2. Xh..me duket se po na e merr lumi historine. Ca jane keto idiotlliqe qe shkruajne njerezit? Pastaj, IVAN per Gjonin??? Nuk mund te hidhet kurrsesi balte mbi figuren e Skenderbeut, gjithsesi, ai mbetet nje hero kombetar, gje te cilen duhet ta kete mire parasysh pseudo historiani zvicerian.

  3. Nuk dua ta paragjykoj Oliver Jens Schmitt, por kam frikë se disa albanologë të sotëm duan të gjejnë patjetër ndonjë gjë të re për të thënë, për të përligjur vendet e punës, kontratat e librave, botimet në revista të fushës, financimin e kërkimeve e të udhëtimeve nëpër botë… Në një kohë që gjithnjë u duhet të konkurrojnë me paraardhës të tyret kolosë. Më tepër habitem me Klosin, i cili i njeh mirë këto gjëra dhe e kupton se kalimi nga Gjon në Ivan nuk është thjesht punë onomastike (si të kalosh nga Gjon në Gjin). Gjoni thirret vërtet Ivan në dokumentet sllave të kohës, sikurse quhet Juanis në dokumentet latine; por emri shqip i kësaj figure historike është Gjon dhe nuk ka arsye të ndërrohet… Dhe në rast se ndërrimi nuk motivohet sa duhet, atëherë lexuesi ka të drejtë të fillojë nga interpretimet, e ndonjë të kalojë edhe në paranojë.

  4. kam frikë se disa albanologë të sotëm duan të gjejnë patjetër ndonjë gjë të re për të thënë, për të përligjur vendet e punës, kontratat e librave, botimet në revista të fushës, financimin e kërkimeve e të udhëtimeve nëpër botë

    Ja Ardian Klosi qenka nje i tille. Jam kurioz te di se kush tjeter qe mund te klasifikohet si ‘albanolog’ serioz mund te perligje friken tende.

  5. Jo, nuk e kisha fjalën për Ardian Klosin. Klosi e nxjerr bukën e gojës me përkthime dhe del herë pas here në mediat, ndërsa katedrat e albanologjisë në Shqipëri e gjetiu u kanë mbetur në duar të tjerëve, atyre që ti e unë nuk ua dëgjojmë kurrë emrin, përvecse kur vjen puna për të firmosur peticione kundër mbylljes së Akademisë së Shkencave; për të mos përmendur ca katedra të tjera që u kanë mbetur në dorë amatorëve… Por ka edhe shumë albanologë seriozë: për shembull Bardhyl Demiraj, të cilin pakkush e njeh përtej qarqeve të ngushta shkencore; ose Italo Fortino e Francesco Altimari në Itali, që kanë nxjerrë vepra me vlerë sidomos në lëmë të filologjisë; ose Seit Mansaku në Tiranë, i cili ka pasur fatin të punojë drejtpërdrejt me Cabejn.. këta po më kujtohen tani fluturimthi, dhe vetëm nga fusha e gjuhësisë historike dhe e filologjisë shqipe.

  6. Harrova të shtoj Kolec Topallin, që ka botuar një vepër madhore të Fonetikës Historike të shqipes, kohët e fundit; nuk e kam parë akoma këtë libër, por jam i bindur që ka shkruar dicka solide e që do t’i qëndrojë kohës.

  7. Sa për pagesa, Kreshnik, ke trokitur në derë të gabuar. Ndoshta duhet të pyesësh ata që kanë para për këto punë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin