VALLET E UNIFORMËS

Uniformat zakonisht të sjellin në mendje institucionet totale: pizhamet me vija të spitalit e të çmendinës sidomos varur për t’u tharë në oborrin e tymosur të lavanderisë; rrobet e burgut – me vija si në filmat bardhezi të Chaplin-it, ose bojë portokalli të ndezur, si në Amerikën e sotme, që ua respekton të drejtat ngjyrave.

Institucionalizimi jo më kot zë fill me urdhrin formal, sado të mirësjellshëm, për t’u zhveshur; sepse zhveshja është edhe akt simbolik i dorëzimit të individualitetit. Kush më zhvesh, më ka në ngarkim.

Përkundrazi: veshja kopileshja.

Uniforma dëshmon përkatësi profesionale – polici, ushtari, futbollisti, balerina, valeti i parkimit, portieri, kamerieri, stjuardesa, trombonisti i bandës qytetëse, croupier-i, fatorinoja, marinari, prifti, dentisti, zbutësi i luanëve, postieri, zjarrfikësi…

Në Shqipërinë totalitare, uniforma lajmëronte disiplinë autoritare që larg, ose prononcim gazmor të masës së organizuar: punonjëse, shkollore.

Ishte edhe versioni proletar-industrial i kostumit popullor ose tradita e veshur në kominoshe traktoristi; sepse si në një rast edhe në tjetrin variacionet vetëm sa ia përforconin rreptësinë kodit. Jo më kot udhëheqja mahnitej pas vashave të virgjëra me xhubleta e jeleqe të qëndisura, mishërim i ritualit, ose i qëndrueshmërisë së çka ekzistonte.

Kush i ka jetuar vitet 1960, do t’i mbajë mend jo vetëm kostumet unisex prej doku të udhëheqjes revolucionare kineze, por edhe kombinezonet prej najloni elastik të personazheve në filmat fantastiko-shkencorë të RAI-t, ose heronjve të së ardhmes.

Të tjerë do të mbajnë mend zboret; ose shndërrimin që u bënte marrëdhënieve me mjedisin rroba e ashpër e ushtrisë, të cilën ta jepte shteti dhe duhet t’ia ktheje shtetit përsëri, në përfundim të detyrës.

Disa vajzave u shkonte veçanërisht; të tjera u bënin, sidomos pantallonave, ngushtimet përkatëse, për t’i veshur pastaj “me lugë këpucësh”, siç tallej një miku im nga Shkodra.

Ndonjëherë mund t’i gëzoheshe edhe anonimitetit që të jepte veshja ushtarake, ose lehtësimit të papritur nga barra e të qenit individ. Mund të bëje budallallëqe, pastaj të riktheheshe në identitetin tënd dhe t’ia faturoje përgjegjësinë dehjes së organizimit.

Kush nuk u ngjesh me rripin prej meshini kundërmues, këpucët dy-tonëshe prej palumbari, kapotën prej batanijeje kapanoni, gjimnastiorkën me komça pickuese e nuk e shprehu pastaj përbuzjen, me Shvejkun, për “civilët morracakë”?

Ishin vite kur edhe qytetaria përjetohej si një lloj uniforme, të cilën ta kishin dhënë në dorëzim për të ta provuar e konfirmuar nënshtrimin…

Pastaj më në fund erdhi dita kur e kapërceva detin dhe u gjenda në Romë; qytet të cilin deri atëherë e pata shijuar si skenografi televizive e filmike.

Një nga habitë e para për mua studentin papritmas të “La Sapienza”-s: të gjitha vajzat në kampus m’u dukën të veshura njëlloj, me këmisha të bardha dhe xhinse të kaltra. Vezulluese, të freskëta, të paarritshme – por njëlloj.

Pa ua imponuar asnjë autoritet e asnjë rregullore disipline, përveç trysnisë horizontale të njëra-tjetrës, revistave të modës, televizionit e në përgjithësi mass mediave.

I ardhur nga Shqipëria, ku moda ekzistonte vetëm në faqe të këputura katalogësh, në sirtaret sekrete të rrobaqepëseve private, nuk isha në gjendje ta kapja mendërisht impaktin e modës në një ekonomi tregu… edhe pse si në Tiranë si në Romë veshja të njëjtat funksione simbolike do të përmbushte.

Kohë të tjera, më të lumtura.

Në Tiranë ndiqeshin aq moda, sa ç’kishte vasha; në një kohë që ne djemtë, ende modestisht, visheshim me xhaketat evropiano-lindore të baballarëve.

Për stof polak mund të të ikte edhe koka.

Kohë të tjera, kur liberalizimi politik mund të pikasej edhe kur ndërroheshin kravatat nga zyrtarët e mesëm, ose kur gratë e tyre ende të reja lejoheshin të qarkullonin gjatë ditës mbathur me çizme igeliti ngjyrë salamandre ose tulle të papjekur mirë.

Profesori im i atëhershëm i estetikës, Shaban Murati, qeshi një herë që e pyeta, pak si pa dashur, nëse moda duhej konsideruar edhe ajo si një lloj arti.

Pastaj erdhi një ditë e bekuar, kur vajzat filluan të zhvishen dhe burrat të vishen. Proceset e de-uniformizimit të Shqipërisë u deklaruan sakaq të pakthyeshme. Sot, kur qëllon ndonjëherë që ikin dritat gjatë mbledhjeve politike të rëndësishme, sallën e ndriçojnë kravatat farfuritëse të politikanëve kryesorë, ose përçorëve të revolucionit vestimentar shqiptar pas vitit 1990.

Kur lexoj tani që nëpunësve të institucioneve në Tiranë u kërkohet të respektojnë një dress code, më duket sikur, për një kategori patriarkësh, alternativa ndaj uniformës është nudizmi – ose fitorja e socialistëve në zgjedhjet (por kjo është temë tjetër).

Veshja është edhe teknikë për të ekspozuar hiret natyrale e lakoret e vetvetishme të trupit femëror; madje edhe territore deri dje off limits, si kërthiza.

Mirëpo edhe uniforma e nëpunëses mund të jetë e parezistueshme për syrin e shpenguar: çfarë fshihet atje, pas jakës së bardhë verbuese, ose palës aq të studiuar të fundit rrëshqitës?

Ku hidhet ashtu ajo pulpë nervoze mbi takën e hajthme?

Në ç’lugina rrokulliset ai pendant tatëpjetë? Pa ta shohim pak…

E mos më lini të flas pastaj për shkollaret japoneze me minifundet e tyre të detyruara e shalët e skuqura nga afshi në galeritë e djersitura të metrosë së Tokio-s; as për atë kategori sarhoshësh amerikanë që i falen çdo natë seksualitetit të uniformës femërore të shkollave të mesme katolike – ku fundet sa vijnë e shkurtohen nga të larat obsesive, ndërsa këmbët poshtë sa vijnë e zgjaten.

Po ç’vlerë do të kish vallë virtyti pa tundimin verbues?

Veshja fsheh duke zbuluar; ose zbulon duke fshehur. Uniforma, duke barazuar, na lejon ta zbulojmë hijeshinë në shfaqjet e saj më delikate – përpjesëtimet, harmoninë e ecjes, gjestin e vetvetishëm, fluturimin e një currili flokësh, rrotullimin e artikulacioneve të mëdha.

Ka diçka të mrekullueshme e lozonjare në veshjet e thjeshta njëngjyrëshe të infermiereve, pastrueseve të bujtinave, arkëtareve të bankave, gardianeve të burgjeve, recepsionisteve në klinikat për tredhjen e kafshëve shtëpiake, kapëset e topave në ndeshjet e mëdha të tenisit, farmacistet e natës, violinistet e orkestrës amatore, murgeshat, kujdestaret e azileve të pleqve, rojet e sigurisë në shkollat fillore, kuzhinieret në mensat e bamirësisë – që ndoshta ka të bëjë me ftesën kolektive për të ndërvepruar, ose ekspozimin e detyruar ndaj epshit difuz të publikut.

Pa folur pastaj për uniformën finale, ose që na përket të gjithëve; e që e veshim në momentet më solemne të jetës – në lindje, në shtrat të dëshirës, në tryezë të kirurgut, në morg.

Lëkurën, për ta thënë me fjalë të tjera; e që i duhet zënë besë.

3 Komente

  1. pershendetje,
    zbulova kete blog para ca kohesh me ndihmen e selfmaderadio. Mu deshen edhe ca kohe te tjera per te mundur te lexoja te pakten nje artikull, ca minuta me shume per te hapur nje llogari wordpress dhe tani po shkruaj nje koment.

    Para ca kohesh kam filluar te regjistroj blogjet shqip ne site :http://blogshqip.blogspot.com/ dhe do deshiroja te vija edhe tendin. Preferoj qe autori te shprehet mbi blogun e tij, mgjth ndodh rralle. Atehere nese je dakort, me shkruaj qe te regjistroj edhe siten tende dhe nese je gjithmone dakort veç nuk shkruan dot mbi veten, do sajoj ndonje gje dhe nese nuk je dakort per gjithshka me thuaj gjithashtu.

    Shkrimi shume i kendshem dhe kendeshtrimin e gjej te drejte, sidomos mbi uniformen ushtarake qe e kam perjetuar. Si perfundim, per mua edhe lekura eshte nje maske, ç’ka nen te edhe vete ndonjehere nuk e shohim !?

  2. “Po ç’vlerë do të kish vallë virtyti pa tundimin verbues?”

    kjo eshte fjalia me esence ne kete shkrim te pakten per mua.Sepse çdo gjeje qe ne bejme ne njefare menyre mbase dhe pa e vene re e bejme te nxitur nga diçka…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin