Vizitori përçmues

“Ma ka ënda t’i intervistoj vendet që vizitoj,” pat deklaruar njëherë gazetari i njohur AA Gill i “Sunday Times” të Londrës. “Ta trajtoj një vend si të ishte person, të shkoj e të dëgjoj çka për të më thënë, t’i bëj pyetje, ta vëzhgoj si të ishte politikan apo pop star…” Kontributet e shumta të këtij autori, në të vërtetë, priten me tmerr nga objektet e tyre – aq sa disa kujtojnë se thjesht fakti që Gill është caktuar të shkruajë për këtë apo atë temë do marrë për gjest armiqësor. Brenda një lloji të caktuar gazetarie, provokimi ose kontroversia mjaftojnë për t’ua mbajtur gjallë vëmendjen lexuesve; aq më tepër kur është fjala për shënime udhëtimesh ekzotike, të cilat shpesh duan të distancohen prej korrektesës politike, ekologjizmit dhe romantizmit provincial. Megjithatë, shkrimi i fundit i Gill për Shqipërinë, botuar të dielën që shkoi, përbën model të shkëlqyer të një lloj travelogu dalë boje, që tanimë është turp të praktikohet më.

Me titullin “Vendi që koha e harroi”, artikulli nyjëtohet nëpërmjet një morie vëzhgimesh sipërfaqësore e batutash bajate për një Shqipëri kryesisht të vrojtuar nga xhamat e makinës, dritares së hotelit e vetrinës së kafenesë, por që në thelb tradhton më shumë huqet, manierizmat dhe tiket psikologjike të autorit vetë, sesa thotë ndonjë gjë të re për vendin që ia ka hapur dyert. Duket qartë se Gill nuk ka absolutisht asnjë lloj kurioziteti, interesi apo simpatie për Shqipërinë dhe se frustracionin prej vizitori pa dashka përpiqet ta luftojë duke iu besuar cinizmit, banaliteteve dhe shkeljeve të syrit për lexuesin bashkëfajtor të Londrës. Edhe pse Shqipëria vetë nuk ka ndonjë gjë të madhe për t’i ofruar vizitorit në këtë moment të historisë së vet, dhe ne shqiptarët jemi të parët që ia shohim e ia përgojojmë shëmtitë e cenet, kjo nuk ia përligj dot papërgjegjësinë këtij snobi të bezdisur, i cili e vuan kaq shumë anabasin e vet anti-romantik mes për mes enigmës Shqipëri, sa nuk gjen ngushëllim veçse duke përqafuar, me lexuesin e vet, klishetë dhe banalitetet më tipike të eurosnobizmit bajat.

Për një emër të njohur të një gazete të njohur, Gill të habit me mendjelehtësinë e pafalshme me të cilën i afrohet historisë së një vendi që ka marrë mundimin të vizitojë. Vështirë të merret me mend se nga i vjen kjo pafajësi gazetarit të Londrës, në një kohë kur nuk duhet të jesh historian nga Oxford-i, për të ditur se Shqipëria nuk ka qenë as në fillim të shekullit XX as ndonjëherë tjetër “shtet vasal i perandorisë osmane”, se Kuba nuk ka figuruar ndonjëherë aleat i afërt i komunistëve të Hoxhës krahas Kinës së Maos, se vetë Hoxha nuk “vdiq nga kanceri” dhe se Nënë Tereza nuk është “e vetmja figurë e shquar” që kanë nxjerrë shqiptarët; as nuk duhet të jesh linguist e filolog i indo-evropianishtes për t’iu shmangur pohimeve trashamane të tipit “shqipja është një nga ato gjuhë që nuk kanë asnjë të afërm, por vetëm një gjysmë dyzinë shkronja më shumë,” e që “thonë se është e pamundur për t’u mësuar pasi e ke mbushur moshën dy vjeç”; as specialist i së drejtës zakonore për ta kuptuar sa absurde është ta quash Kanunin e Lek Dukagjinit “manual të lashtë vrasësish”. Çuditërisht, Gill e ka një mëri të veçantë edhe me vetë mbretin Zog, të cilin e mban për “njeri që e bën Charlie Chaplin-in të duket serioz,” por jo me Edi Ramën, që e vendos në krye të punëve në Tiranë që në vitin 1992.

Nuk di sa mund të kuptohet jeta e sotme në Shqipëri përtej travajeve të historisë së shqiptarëve, ose të paktën përtej vizionit që kanë shqiptarët vetë për historinë e tyre; por Gill e ka bërë një emër si autor shënimesh udhëtimi, prandaj nuk është për t’u përjashtuar që shpërfillja e historisë do marrë edhe si metodë komode për këdo që s’gjen kohë të merret me çikërrima shekullore. Përshtypjet e një udhëtari mund të lexohen e madje shijohen edhe duke ia pranuar njëfarë obtuziteti, ose mungese kureshtie, ose edhe thjesht interesi a simpatie njerëzore çfarëdo për botën që e rrethon. Nga ana tjetër, e për fat të keq të gazetarit të “Sunday Times”, shkrime të tilla për Shqipërinë sot i gjen nga të katër anët sa s’i ha as pula, aq sa të duket ndonjëherë sikur u jepen si tema kursi studentëve të ngeshëm të gazetarisë në universitete provinciale të Evropës. Gill ndoshta nuk kish pse të mundohej e të zbriste deri në Shqipëri, për t’u rrëfyer lexuesve të vet të së dielës se rrugët e Shqipërisë janë “me gropa”, aktori komik i preferuar për publikun shqiptar është Pitkini, Tirana i shpalos udhëtarit një kombinim të rrallë të arkitekturës fashiste dhe komuniste, banesat e kryeqytetit janë lyer me ngjyra të ndezura, pleqtë që shullëhen në diell rrugëve i kanë dhëmbët të prishur, djemtë dhe vajzat urbane janë rinia “e veshur më keq” në Perëndim, shqiptarët janë “të shkurtër me fytyra prej vjerdulle e me këmbë pak të shtrembëra”, trafiku konsiston kryesisht në makina të vjedhura, plazhet janë të ndotura me plehra dhe pejzazhi me bunkerë, e më në fund se gegët jetojnë në veri të vendit dhe toskët në jug… Mjaft të lexonte kolegët e vet italianë, frëngj e gjermanë bujtës në hotelet “Tirana” e “Dajti” në fillim të viteve nëntëdhjetë, kur ekzotizmi totalitar i Shqipërisë ende s’e kish humbur vlerën e përdorimit si temë bisedash të ngeshme në klubet evropiane të farmacistëve e të tregtarëve të stofrave të provincës.

Lexuesi i Gill, nga ana e vet, sado përtac dhe i vetëkënaqur me filistinizmin masturbator që i kullon artikullit nga të gjitha poret e brimat, përsëri mund të dojë të dijë diçka për “vendin që koha e harroi”, sepse nesër mund t’i duhet të votojë, ndër të tjera, edhe për pranimin ose jo të Shqipërisë në Bashkimin Evropian e për të tjera çështje që lidhen drejtpërdrejt me fatin e shqiptarëve të artikullit. Që këtej, disa vese në dukje veniale të Gill vijnë e mbarsen me helm të hidhur, teksa autori shndërrohet në megafon të rastit për gjithçka të pahijshme, herë të vërtetë e herë të pavërtetë, që është thënë për Shqipërinë kohët e fundit në mediat perëndimore, dhe këtu s’e kam fjalën për gropat e rrugëve, baltën, kaosin dhe mjerimin e periferive urbane. “Tre milion shqiptarë jetojnë në vendin e tyre,” thotë Gill, “ndërsa një milion tjetër jashtë, duke u marrë kryesisht me punë të paligjshme. Shqipëria,” vazhdon ai pa iu dridhur dora që ia mban penën e gazetarit, “është epiqendra e tregtisë së seksit në Evropë, duke kontrabanduar dhe stërvitur vajza nga Moldavia dhe Ukraina drejt Perëndimit.” Për ata që nuk emocionohen shumë nga seksi i tregtuar, autori i ka gati të tjera surpriza të këndshme: “thuhet se shqiptarët kanë në dorë pjesën më të madhe të tregtisë së paligjshme të armëve, kallashnikovët me çmimin më të ulët që mund të gjenden.” Të tjerë informantë anonimë i thonë këtij dëshmitari të epokës së “Shqiptarët kanë marrë në dorë krimin e organizuar në Milano.” Kultura aq dëshpërimisht derivative e të rinjve urbanë e studentëve të kafeneve paguhet me “para dërguar në atdhe nga jashtë. Ekonomia e Shqipërisë varet nga shërbimet e Western Union dhe nga tufa bankënotash fituar paligjshëm, fshehur nën sediljet e Audi-ve të vjedhura.” Edhe “orgjia e pangopur e ndërtimeve” s’është veçse pasojë e detyrimit për të pastruar paratë e pista të mafias.

Të gjithë e dimë sa të vërteta mund të jenë pohime të tilla, e njëkohësisht sa stonojnë si akuza të lëshuara pa teklif në një artikull që kërkon të zbavitë me çdo kusht turistët imagjinarë britanikë të kolltuqeve përtace të së dielës. Gill nuk merr mundimin t’i verifikojë akuzat e veta, duke u mjaftuar t’i paraqesë si të mbledhura poshtë e lart bisedave ose leximeve ose tavernave ku elitat britanike të penës e të pirunit shkëmbejnë përshtypjet për planetet e jashtme të sistemit; por përshtypja e krijuar është se ky imazh i rëndë i Shqipërisë ka hyrë e është bërë tashmë pjesë e folklorit intelektual të kontinentit, duke u koduar në themelet elementare të dijes praktike në eurosallonet. Nëse nuk mund të pritet që një cinik i regjur si Gill të habitet pozitivisht me zhvillimet e “demokracisë” shqiptare, ose me “hapat përpara” që janë bërë në këtë apo në atë drejtim, gjithashtu nuk mund të pranohet që Shqipëria e vërtetë – ose ai univers të cilin Gill e ka kundruar vetëm nëpërmjet filtrit të trashë e opak të paragjykimeve të veta eurotrash – përnjimend të ketë përfunduar në një shkretëtirë të tillë surreale, me pleq dhëmbërënë e mëngëngrënë, restorante pa klientë, parqe publike marinuar në urinë dhe të rinj veshur si klounë, në një mjedis urban selitur në trajta të një tende të madhërishme cirku. Ajo që i mungon vizionit të tymosur të këtij gazetari të mërzitur me veten e me botën përreth, është pikërisht dinamika e kohës që rrjedh, ose e pozitives që përftohet nga negativja e në ballafaqim me të.

“Çdo fjali që ka brenda fjalën ‘Shqipëri’ të bën për të qeshur”, thotë Gill në fillim të artikullit. Pasi kanë njohur, ushqyer e duruar gazetarë që i kanë keqkuptuar, përfolur, kritikuar, sharë e përbuzur, shqiptarët do të mësohen edhe me gazetarin që kërkon të qeshë me ta, t’i paraqitë si shaka të Evropës, njerëz të dalë nga Mesjeta, tribu primitive vrasësish të pamëshirshëm, prostitutash shijetrashë e kusarësh të luksit kontinental, racë të frikshme barbarësh zbritur malesh që tanimë ka ngritur çadrat përreth kështjellës. Edhe pse Evropa vetë nuk është pa faj për katrahurën ku është katandisur Shqipëria sot e për farsën e teatrit të saj politik, ne “të brendshmit” e dimë se çka i bëmë ne shqiptarët vetes gjatë shekullit XX e sidomos gjatë 50 vjetëve diktaturë totalitare pakkush nga keqdashësit përtej do të kish guxuar ta llogariste si të mundshme. Megjithatë, dëshmia e AA Gill është dëshmi e dekadentizmit të asaj vetëdijeje evropiane që e ka humbur krejt dëshirën dhe interesin për t’u ballafaquar me ankthin e Tjetrit, ose drojen difuze të atij që e kupton se e kanë lënë përjashta, e që nuk i ka as çelësat, as fjalëkalimet, as parrullat, as kontaktet, as verdhushkat, as manierat e nevojshme për t’u lejuar në tryezat e gostive. Dhe ky kalemxhi e shahit i paftuar, megjithë superioritetin kaba dhe pozat prej patrici komik e buzëhollë, vërtet ndoshta erdhi ta marrë Shqipërinë në pyetje, por nga ç’ka shkruar më rezulton i pyetur, i zhbiruar e i gjykuar nga pleqtë dhëmbëkrimbur e adoleshentët gjynahqarë e të batërdisur që i zunë rrugën për ta mikpritur.

[2006]

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin