Sigurimi – mami e demokracisë?

Në fund të viteve tetëdhjetë Sigurimi i Shtetit ishte një nga shumë të paktat forca të organizuara mirë, me struktura përgjithësisht të mbrojtura nga ekspozimi publik. Njëkohësisht ishte në interesin e agjentëve të Sigurimit të të gjitha llojeve që tranzicioni të mos shoqërohej me demaskim të krimeve që shumë nga këta kishin kryer gjatë diktaturës.

Është prandaj e logjikshme që Sigurimi të përpiqej ta kontrollonte tranzicionin duke marrë pjesë aktive në të. Në ngjarjet e Dhjetorit, në formimin e PD-së, në shembjen e statujës së Enverit dhe në shumë ngjarje të tjera, Sigurimi ka pasur njerëzit e vet, të ngarkuar me detyra specifike. Këta rivalizoheshin vetëm nga agjenturat e huaja; që edhe ato kishin lidhje paralele të panumërta me Sigurimin “tonë”.

Zor të merret vesh ndonjëherë cilët kanë qenë këta njerëz.

Në një roman të anglezit G.K.Chesterton – “The Man Who Was Thursday” – komiteti drejtues i një organizate anarkistësh rezulton i përbërë krejtësisht nga agjentë provokatorë të infiltruar të policisë sekrete. Ky ndoshta do të ishte një skenar apokaliptik: lufta politike në Shqipërinë post-totalitare si luftë midis fraksioneve të ndryshme të Sigurimit: drejtorive, sektorëve, nëndrejtorive, zbulimit, kundërzbulimit, ndjekjes…

Duket e pamundshme?

Logjikisht është zgjidhja më e mundshme. Nëse ka pak të ngjarë, kjo lidhet me dobësitë e njohura të shoqërisë shqiptare, jo me virtytet e saj. Jo se nuk ka pasur dhe nuk ka politikanë vërtet ta pamolepsur në lidhje sekrete, spiunllëqe, provokacione, nënshkrime deklaratash komprometuese dhe denoncimesh për t’u harruar. Por pikërisht sepse të vënë përballë organizimit sistematik të një arme sekrete si ajo e Sigurimit, këta pak shanse kanë pasur dhe kanë për të dalë mbi ujë.

Nga ana tjetër, fraksionet e Armës dihet se pasqyrojnë të çara të vjetra të shoqërisë shqiptare. E kam fjalën: një gjë është të kesh qenë anëtar i Armës, një tjetër gjë është të vazhdosh t’ia bësh politikën, ose t’u bindesh urdhrave të ndonjë të fshehti, që i ngrys ditët nën dhe, në tunel, rrethuar me tym duhani dhe truproje shurdhmemece.

Kanë rrjedhur shumë vite. Brenda Armës, as shantazhi nuk vlen shumë, sepse e përdorin të gjithë kundër të gjithëve. Plagët e ndërgjegjes shndërrohen në vullnet për ta ruajtur karriken. Me kalimin e kohës, përbetimet politike shndërrohen në amanete morale ose familjare; njerëzit zvarrisen së prapthi, për t’u kthyer në barrikadat e fisit, krahinës, fshatit të gruas. Ideali i “Partisë” shndërrohet në ideal të vjehrrës.

Funksioni ynë këtu është që ta plotësojmë tablonë, violina të treta të një simfonie të komplikuar dhe në thelb të mërzitshme. [2005]

 

1 Koment

  1. Thone se kur Lenini mori pushtetin ne arkiva gjeti te dhena se nje pjese bashkepuntoreve me te ngushte te tij ishin agjente te OHRANA-s cariste. Por edhe 18 Brymeri i famshem u menaxhua nga Fusheja. Autor anonim, me jep nje konkluzion qe te mos ndihem si ty “violina të treta të një simfonie të komplikuar dhe në thelb të mërzitshme”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin