Shqisa e gjuhës

Gjatë një bisede triviale me disa amerikanë, të gjithë m’u habitën kur e quajta dhelprën me një përemër të gjinisë femërore (she). Anglishtja nuk e ka kategorinë e gjinisë për emrat, ndonëse e ruan për përemrat vetorë dhe pronorë (he/she, dhe his/her). Në mungesë të kategorisë së gjinisë si kategori gramatikore, përdorimin e he apo she e përcakton seksi i objektit të referuar. Përndryshe, do të përdorej përemri it, i gjinisë neutrale.

Më kujtohet edhe se, kur e ndihmoja time bijë të mësonte anglishten gjatë muajve të para në SHBA, duke i lexuar nga një seria e njohur me rrëfenjëza për fëmijë e titulluar “Frog and Toad”, të dy e kishim pak të vështirë të mësoheshim me faktin që të dy personazhet, edhe Bretkosa edhe Zhaba, ishin meshkuj, meqë autori u drejtohej si he, dhe në ilustrimet ishin të veshur djalërishte.

Natyrisht, gjinia është gjini dhe seksi është seks; në rastin e kafshëve, sidomos të kafshëve për të cilat seksi nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë, gjinia merr gjithnjë përparësi; për shembull, në shqipe lejleku është gjithnjë mashkull, pse gramatikisht emër i gjinisë mashkullore, ndërsa në italishte femër (cicogna). Një italian që flet anglishte, ndoshta do ta quante lejlekun she, dhe do të keqkuptohej njëlloj si unë me dhelprën. Për italianët edhe tigri është i gjinisë femërore (la tigre), çka mund të shpjegojë pak edhe frikën e madhe të burrave italianë ndaj bashkëshorteve të tyre – por kjo është çështje tjetër.

Shqipja deri vonë ka pasur tri gjini: mashkullore, femërore dhe asnjanëse; por gjinia asnjanëse ka ardhur duke humbur terren, në raport me dy të tjerat. Ende dëgjohen forma të tilla si ujët (p.sh. derdh ujët), edhe pse uji ndeshet gjithnjë e më shpesh. Në gjuhët indo-evropiane, gjithnjë është e mundur të ndiqen raportet e gjinisë gramatikore me seksin, edhe pse ka gjuhë si gjermanishtja ku një fjalë si das Maedchen (me kuptimin “vajzë”) është e gjinisë asnjanëse, njëlloj sikurse das Weib (“grua”). Jashtë indoevropianishtes, kategoria e gjinisë shpesh ngatërrohet me kategori të tjera klasifikuese, të vështira për t’u kapur nga evropianët.

Lidhja e brendshme midis gjinisë gramatikore dhe seksit duket më qartë në mitologji ose në përrallat popullore ose në përgjithësi në letërsi. Në shqipe është e natyrshme që Dielli të përfytyrohet si djalë, dhe Hëna si vajzë; por në gjermanishte ndodh e kundërta: dielli është i gjinisë femërore (die Sonne), ndërsa hëna mashkullore (der Mond). Edhe Grimm flet diku për “Frau Sonne und Herr Mond” (“zonja diell dhe zoti hënë”). Një roman si “Dranja” i Martin Camajt do të mund të përkthehej me sukses vetëm në ato gjuhë ku breshka është e gjinisë femërore (si në italishte: tartaruga); sepse atje identifikimi i breshkës me nënën/gruan/dheun është themelor për të kuptuar romanin vetë.

Megjithatë, nuk di të ketë gjuhë tjetër indo-evropiane ku Zoti të quhet edhe me një emër të gjinisë femërore: Perëndi. Në gjuhët romane, gjermanike e sllave, emri i Zotit dhe sinonimet e ndryshme janë zakonisht të gjinisë mashkullore, meqë kjo përkon edhe me organizimin patriarkal të shoqërisë në kulturën indo-evropiane para dhe protohistorike. Fjala Perëndi gjithnjë i ka ngacmuar studiuesit e parahistorisë së shqipes; meqë disa e kanë lidhur etimologjikisht me emrin e një perëndie të lashtë sllave (Perun), në një kohë që të tjerë kanë parë atje asgjë më tepër sesa një vazhdim të fjalës latine Imperantem; diçka si perandor, çka e lidh Perëndinë etimologjikisht me Perëndimin e diellit; meqë dielli e sundon botën kur “perëndon”. Mirëpo vetë bashkekzistenca e Zotit dhe e Perëndisë në të njëjtën gjuhë, madje edhe në shprehje të tilla si “Zot e Perëndi”, të bën të mendosh. Në përdorimin e përditshëm, Perëndi merr përparësi ndaj Zot kur është fjala për ta përdorur konceptin në shumës: khs. “Perënditë kanë etje” me variantin “Zotat kanë etje” (ose “perënditë greke” etj.). Shumësi zotërinj nuk perceptohet fare si i fjalës Zot, madje prej këtij shumësi është krijuar edhe një formë sekondare zotëri/zotni, e cila për më tepër lakohet si e gjinisë femërore… (zotëria). Edhe shumësi zotër është i kufizuar në përdorim me kuptimin “pronarë” dhe në regjistra pak a shumë të ngritur (“zotër të fateve të veta”). Aq më tepër vlen kjo, po të kihet parasysh se femërorja zonjë nuk ka lidhje fare me kuptimin “dea, goddess”, ndërsa perëndeshë ka. Të ketë mbijetuar në fjalën Perëndi një koncept parakristian për Hyun?

Nga ana tjetër, gjinia gramatikore është pak a shumë refleks i ndarjes së gjallesave në meshkuj dhe femra; në kuptimin që një mashkull do të quhet me një emër të gjinisë mashkullore, ndërsa një femër me një emër të gjinisë femërore, madje edhe në rastet kur përdoren rrënjë të ndryshme (p.sh. burrë/grua, djalë/vajzë, dem/lopë, dash/dele, cjap/dhi, qen/bushtër, pulë/gjel; në krahasim me plak/plakë, gjysh/gjyshe, rosë/rosak, murg/murgeshë, mësues/mësuese etj.). Ne jemi mësuar me këto dallesa, i marrim për të mirëqena, dhe nuk e vëmë re si na e kushtëzojnë botëkuptimin; tek e fundit, është gjithnjë mirë kur gjuha të informon vetvetiu për seksin e dikujt – në kuptimin që e marrim vesh se një frezatore është femër, edhe pa e pasur idenë se çfarë është freza. Megjithatë, në gjuhë të tjera, ky dallim nuk është kaq i vetvetishëm.

Kam punuar dikur në një zyrë me një vajzë kineze lesbike, e cila vishej thjeshtë dhe ashpër, i mbante flokët të shkurtra dhe në përgjithësi kishte adoptuar sjellje dhe stile më karakteristike për një mashkull. E kisha vënë re që irritohej disi, sa herë që të tjerët i drejtoheshin tërthorazi si “she” ose “her”; edhe pse nuk më dukej se dëshironte as të quhej “he” ose “him”. Një ditë më pyeti nëse, kur mendoja për të, isha në gjendje t’ia veçoja përkatësinë seksuale nga individualiteti, d.m.th. ta kisha parasysh thjesht si Njeri të afërt, pavarësisht nga seksi femër apo jo. I thashë që s’e bëja dot natyrshëm, sepse nuk ma lejonte gjuha: kur i drejtohesha, drejtpërdrejt ose tërthorazi, isha i detyruar të zgjidhja midis formave gramatikore femërore dhe mashkullore e që andej hidhesha vetvetiu në kuptimet e klasifikimet përkatëse. Kjo donte të thoshte, për mua, që ndër të tjera ta lija të hynte e para në ashensor…

Me fjalë të tjera, shqipja më imponon një vizion shumë të seksualizuar të botës; madje edhe shumë më të seksualizuar se anglishtja, sa kohë që gjinia gramatikore më fton gjithnjë ta përfytyroja botën si rigorozisht të populluar nga objekte meshkuj dhe femra. Ajo më shpjegoi, përkundrazi, se në kinezçe kategoria gramatikore e gjinisë nuk ekziston, prandaj është krejtësisht e mundshme ta mbash përkatësinë seksuale jashtë kuadrit të referencës gjatë një bisede ose ndërveprimi, nëse ky nuk është i natyrës seksuale. Nuk dua të them me këtë se kinezët e kanë identitetin seksual më të turbullt se indo-evropianët; por vetëm që e realizojnë atë identitet me mënyra të tjera.

Ka një rrymë në filozofinë gjermane, që prej Von Humboldt-it e deri te Wittgenstein, të cilët janë interesuar për mënyrën si ndikon gjuha në botëkuptimin; ose në kushtëzimin e eksperiencës nga kategoritë gramatikore dhe semantike. Wittgenstein ka thënë diku edhe se “kufijtë e gjuhës sime janë kufij të botës sime”. Për të sjellë një shembull krejt të thjeshtëzuar, atje ku një anglez dallon midis foot dhe leg, dhe një italian midis piede dhe gamba, shqiptari mjaftohet me një këmbë, duke e specifikuar sipas rastit me ndonjë mbiemër, nëse është e nevojshme. Pozicionet e shkollës antropologjike amerikane çuan në formulimin e së ashtuquajturës hipotezë të Sapir-Whorf, sipas studimeve të këtyre dy autorëve, të cilët ishin gjithashtu të bindur se gjuha e kushtëzon eksperiencën shumë më tepër se ç’kujtojmë. Whorf ishte njohës i mirë i disa gjuhëve të Indianëve të Amerikës, dhe përfundimet e tij janë të mbështetura në analiza të hollësishme situatash konkrete.

Për t’u kthyer te shqipja, kjo ndan shumë tipare të përbashkëta me gjuhë të tjera indo-evropiane, sidomos me gjuhët romane; çka shpjegon deri-diku edhe ndikimin relativisht të pakët e sipërfaqësor të një gjuhe joindo-evropiane si turqishtja mbi të, pavarësisht prej shumë shekujve kontakti. Brenda shqipes, disa konstatime të tipit Sapir-Whorf mund të bëhen lehtë – për shembull lidhja midis gjinisë femërore të emrit Shqipëri, dhe natyrës thellësisht mashkullore të kombëtarizmit, ose dashurisë për “nënën”. Jo më kot fjala mëmëdhe tingëllon gjithnjë më poetike se atdhe. Të tjera dallesa janë triviale: për shembull, që ne si shqiptarë nuk bëjmë dallim gjinor midis fëmijëve (fëmija mund të jetë edhe mashkull edhe femër), ndërsa italianët bëjnë (bambino/bambina).

Edhe gramatika e shqipes është në thelb indo-evropiane e thjeshtuar, sidomos për nga kategoritë; mirëpo pikërisht folja i ka zhvilluar dy mënyra: dëshiroren dhe habitoren, të cilat nuk ndeshen rëndom gjetiu në Evropë. Dëshirorja u jep forcë të veçantë thënieve, dhe është shumë e vështirë për t’u përkthyer; në një kohë që habitorja lejon një saktësi ligjërimore të pazakonshme. Cili do të ishte dallimi, bie fjala, midis “nuk ka pranuar të takohet me Berishën” dhe “nuk paska pranuar të takohet me Berishën”? Shumë gramatikanë pranojnë se folësi në rastin e dytë lë të kuptohet se vetëm sa po përcjell (raporton) diçka që ia kanë thënë të tjerët, por pa ia marrë përsipër vërtetësinë. Në Ciklin e Kreshnikëve forma të tilla ndeshen shpesh.

Gjithsesi, ndikimi i shqipes si gjuhë në atë çka e quajmë zakonisht karakter “kombëtar” të shqiptarit nuk është hetuar. A mund të shkruhet vallë ndonjëherë një gramatikë e thellë e shqiptarisë, me rregullat e fshehta të cilave u bindemi në sjellje e në veprimtarinë e përditshme? Kjo gramatikë do të paraqitej në thelb si sistemimi i një tërësie presupozimesh që bëjmë, në situata kur presupozimet janë të domosdoshme. Projektimi i dallesës mashkull/femër do të ishte një nga këto presupozime; por ndoshta nga më pak të rëndësishmit. Kur ndodhem përballë me një amerikan të bardhë, unë vetë gjithnjë pyes veten se “nga është”; meqë në thellësi amerikanësinë e të bardhëve nuk e quaj etni të mirëfilltë; ndërsa zezaku më shfaqet si zezak, para se të jetë nga Kenia, nga Gana, nga New Orleans, nga Rio de Janeiro apo nga Mozambiku. Kur ndodhem përballë një femre, gjithnjë do të doja të marr vesh nëse është e martuar apo jo, edhe pa pasur absolutisht ndonjë plan për t’iu afruar. Përkundrazi, emri i dikujt nuk më intereson shumë, as jam nga ata që i torturoj kalamajtë e të tjerëve duke i pyetur si e kanë emrin. Kur punoja në një kompani pronë e një familjeje hebrenjsh, e kisha të nevojshme të merrja vesh cilët prej kolegëve ishin hebrenj dhe cilët jo. Çështja është: cilat nga këto idiosinkrazi janë të miat si individ, cilat i kam adoptuar sepse më duhen për të mbijetuar, e cilat të tjera i kam trashëguar si shqiptar?

[2006]

5 Komente

  1. Për këtë çështje e kam vrarë mendjen disa kohë, dhe besoj që rrjedha e mendimeve të individëve kushtëzohet të paktën pjesërisht nga gjuha.

    Që të dalësh në rezultate konkrete, ama, duhet një studim i plotë nga disa specialistë të gjuhësisë [krahasuese], ose një studim empirik mbi shëmbuj popullate nga të paktën 3 gjuhë dhe 3 kombësi të ndryshme (3*3*1000 = 9000 persona, të paktën). Me sa kam parë, një danez, një shqiptar, një anglez, një australian, një italian, dhe një amerikan, shprehen ndryshe në të njëjtën gjuhë, por nuk e di a kanë më peshë në këtë dukuri faktorë të tjerë si pozita gjeografike ose kultura e atij kombi, apo gjuha e nënës që ata flasin. Megjithëse amerikanët me anglezët dhe australianët duket të merren vesh në nivel tjetër nga ne folësit jo-nativë të gjuhës. Edhe në këtë rast nuk dihet a është faktor psikologjik që i bën folësit nativë të kuptohen më qartë (edhe pse me raste nuk kuptojnë fjalë nga njëri-tjetri, për shkak të fjalorit), apo është ndonjë cilësi mendim-formuese e gjuhës.

  2. Po.Edhe mua me vjen vetvetiu e pa kuptuar pyetja reth origjines se nje amerikani te bardhe,kur njihem me te.Bile shume prej tyre me shikojne habitshem.Ne nje rast ishin nje cift pleqsh dhe kur plaka me tha “Jam me origjine nga Italia,”une i fola direkt ne Italisht.Pash i habitur qe pas kesaj,plakes filluan te ridhnin lote nga syte.Kushedi sesa vite kishte qe nuk fliste gjuhen native te saj.
    Persa i perket gjinise gjuhsore.Ne kemi femije,e cila une mendoj qe vjen nga kocepti i shumesit te vjeter te gjuhes shqipe.Dyshoj se duhet te kete qene ‘fimia” dhe “fimi” perkatesisht femerore dhe mashkullore.jane forma te vjetra ku fonetikisht kemi ndryshime te rendesishme ku “i” zgjatet dhe shendrohet ne “j” dhe marjan ne fund te “ë”.M “ë”-ne mendoj qe te paret tane kane pas kuptuar shumesin e gjerave.Me “a” dhe me “i” njejesin e gjerave sipas gjinise.Jane numrat e shqipes qe te vene ne dyshim tye vazhdueshem si dialektet”gni”(arberisht)”nji”(camerisht,gegenisht””nja”(gege2) dhe “një” e gjuhes standart.Nuk ekuptoj se nga ka dal kjo “nje” sepse deshmine me te hershem te shkruar e kemi “nji”,”gni”.A demostrojne numrat e shqipes gjini?Une mendoj se po,por kjo do nje shtjellim te gjtae qe do te hante faqe te tera.Duhet te theksoj qe gjuha kineze ,ne sistemin e numerimit ka dicka te habitshme qe lidhet me gjuhen shqipe si “i”,si zanore kupton nocionin nji dhe “ë” nocioni dy.A ka lidhje koncepti i njejesit dhe shumesit me gjinine.Une mendoj se po.

  3. Duhet te shtoj qe mendimet e mia ishin dhe jane
    te mnjehershme ketu.Tani mu shtua dhe mendim qe “a”-ja,gjithmone ne dyshimin tim ka nji mister te pashpjgushme thellesisht.Une shikoj tek kocepti i dhene nga te paret tane nepermjet “a”te nji dhenie nepermjet saj “te numrit baze njejes qe ka dy sekset,por qe shkojne drejt prodhimit te konceptit shumes’.Pra mban nji shumes te fshehur qe tenton ne femerzimin e objekteve,e cila asht si pasoje e konceptit te pare baze.
    Analizojme profanisht:
    nji,nja-dy-tre-kater–
    uno-due,tre,kuatro-
    uan,tu,thri,for,fajv
    ajne,cvaj,draj
    Shikojme ne shqip-gjerm-anglisht;
    1(a),4(a)
    1(a),2(a),3(a)
    1(a),5(a)

  4. Xha xha me lejo nje kritike: Kjo teme meriton te qendroje tek ‘kriperat’, i duhet gjetur vendi.

    Ti e kape terthorazi ate qe une mendoj se eshte shkaku i formimit te gjinise tek kafshet pemet apo trupat qiellore.
    Ka te beje me konceptimet fetare pagane.
    Duke qene se konceptimi fetar eshte i njekohshem me gjuhen biles e ndihmon gjuhen te zhvillohet, atehere gjurmet pagane na japin te kuptojme pse kemi femer e mashkull.
    Dielli duhet te ishte asnjanes ashtu edhe hena apo toka, keto skane pse te kene gjini e megjithate nje sy ne folklor na ben te kuptojme se toka eshte femer pasi toka mbillet dhe pjell e cfare mbillet e pas ca muajsh pjell nuk mund te mos jete femer.
    Dielli po te ecim me logjiken se Toka eshte meme, meqe ndihmon token per te pjelle, pasi pa Diell toka nuk pjell asgje.
    Atehere Dielli nuk si te mos jete mashkull. Po ashtu shiu ndihmon qe toka te pjelle,pasi pa shi nuk ka si toka te pjelle, pra shiu domosdoshmerisht eshte mashkull.
    Po ashtu nese toka eshte mashkull edhe qielli duhet te jete femer meqe qiell+toke nuk mund te jene 2 femra.

    E njejta logjike ndjek Henen, nese Dielli eshte mashkull , atehere Hena duhet te jete femer, nata eshte femer, jo vetem fjala por vete nata eshte e femrave apo u takon vetem atyre.

    Femerorja e Tokes dhe mashkullorja e Diellit eshte e vetmja gje qe mitologjia ilire e kishte te shenjte.

    Dualiteti mashkull-femer nga buron jeta eshte baza e mitologjise pagane e identifikimi i trupave qiellore apo kafsheve si simbol te nje hyjnie a tjetre u jep gjinine.

    Hylliria-illyria-iliria apo arberia-shqiperia deshmojne feminilitetin e tokes, duke qene se percaktojne nje cope toke, Mema Shqiperi do te thote toka shqiperi e toka nuk ka si te mos jete femer.
    Dhelpra lidhet me femren, sorra apo laraska po ashtu,shqiponja po njesoj, nderkaq , skifteri apo cakalli,qeni jane meshkuj, macja femer, gjarperi mashkull por bolla e vjeter e neperka femra.

    Ka perhere nje logjike identifikimi te femres apo mashkullit me nje kafshe, qe i jep gjinine e mendoj se ka qene identifikimi qe ka sjelle gjinine e jo e anasjellta. Ne fillim duhet te kene qene gjinia asnjanese derisa nje kafshe shihej si femer e tjetra si mashkull.

    Mendoj se tashme na eshte bere instiktive qe gjinine dickaje te re tja japim vetiu sipas natyres femerore apo mashkullore qe ndiejme, megjithese tek arnet e vjetra cuditerisht trimfon femerorja, ushta,mburoja,perkrenarja por besoj se kjo ka lidhje me vdekjen e cila po ashtu eshte femerore.
    Pse vdekja eshte femer ? Lindja nuk ka si te mos jete femer po vdekja perse eshte femer ? Sepse vdekja nenkupton groposjen ne toke, kthimi tek toka ame.
    Kullotja eshte femer, bari eshte mashkull, bar+kullotje=mashkull+femer = jete(kjo e fundit ska si te mos jete femer)

    Shembujt e kesaj logjike pagane te lidhjes se mashkullit me femren jane te pafund.
    Gjuha jone ka shume femerore, sepse ne kemi qene teper te lidhur me kultin e tokes, keshtu qe Perendia apo Zonja Prende nuk mund ti shkeputej dot Zotit. Mashkull e femer ne perjetesi, pavaresisht maskilizimit hebraiko-kristian apo islamik.

  5. Mendo njesoj si Hyllin.Kjo teme asht e veshtire dhe duhet te hyje nji nivel tjeter bashkedhenes mendimesh.
    Nuk duhet te zgjatem sa hyllin por po shtoj:
    Une shikoj me shume drejtimim matematikor dhe llogjik te gjuhes.Kutohet shumezimi ose aftesia pjellese e nji objekti,te lashteve tane i sillte gradualisht ne mendimin krahasues.Po cili do te ishte sistemi i referimit?Une mendoj vete njeriu.Pra duke pare qe nji peme e re qe mbinte ,ne nje vend qe kishte peme ne afersi, interesoheshin te shikonin se si e pse ndodhte kjo.Pyetja ne vetvete sillte dhe kqyrjen per gjetjen e arsyes.Gjetja e shkakut ,fara(eshte me “a”) e cila ishte pjese perberese e frutit qe binte ne toke,te nji peme tjeter,i conte ne perfundimin qe njesoj si shumezimi njerezor,ashtu dhe toka (gruaja) bente te njeten funksion,shumezonte gjerat.
    Po te shikojme greqishten e re tokes i thote “gji”.Interesant se shqipja per kete fjale ka organin dhenes te qumeshtit te femijes te posa lindur.Pra te ushqimit.A nuk konvergjojne llogjikisht te dyja gjuhet edhe pse fjalet e ndertuara jane te ndryshme.Per te mos vajtur me pas tek “gjineka”.Duket qarte qe keta dy kombe sot,kane qene nji komb dikur(vetem keta ama).
    Shembujt jane te panumert.Cdo fjale e cdo gjuhe,mendimi im,nji teoreme me vete njesoj si ato te Matematikes,te cilat kerkojne vertetim llogjik te nji shkalle te larte veshtersie.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin