Prapë për grekët

Na thonë: kujdes kur të përdorni terma të tillë si “grekët”, se janë kategorizues e pa vlerë përshkruese. Më fjalë të tjera, u dashka thënë: Janaqis, Dhespina, Leonidhas, Fotis, Kostas, Dhimitra po jo “këta grekët”. Mirëpo kategorizimin nuk ka nevojë ta bëjmë ne, e ka bërë më kohë propaganda e shtetit dhe kishës greke, dhe me shumë frytshmëri, në fillim duke ua shplarë trutë të mësipërmve me mitet e së kaluarës heroike e të “etërve” të kulturës evropiane, e pastaj duke ua shpifur paranojën e viktimës dhe të rrezikut islamiko-aziatik. Sa për Homerin, Eskilin dhe Platonin, këta kot i trazojnë, se Greqia vetë do t’i kishte harruar prej kohësh, po të mos ua kishte kujtuar Evropa. Përndryshe, psikologjia e grekut të sotëm është e dominuar nga kompleksi i katastrofës. Ca budallallëqe që kanë bërë, edhe kundër shqiptarëve, i kanë bërë në emër të vetëmbrojtjes, se ashtu janë gati, edhe për ngacmimin më të vogël, të rrëmbëhen nga paniku. Ashtu si macja, krenare sa të duash për kushërillëkun më tigrat e luanët, por gati t’ia mbathë nga syte këmbët histerikisht, sapo t’i zërë syri një pulkë a një lepur. Fajin për këtë do ta këtë, medoemos, megali-idheja, se ca vizionarëve të fantaksur iu mbush mendja, kushedi pse, që Greqia ishte shumë e rëndësishme në Evropë a më gjerë, prandaj edhe armiqtë do t’i kishte të fuqishëm. Në fakt, grekët, që kur u ngritën në revolucion kundër turqve në fillim të shekullit XIX, u ngritën me mendimin që të rimëkëmbnin Perandorinë e Lindjes (pa shaka), duke ua marrë turqve Stamboll/ Konstandinopojën, duke rivendosur në fron perandorët e krishterë të Bizantit e duke restauruar primatin shpirtëror të Kishës Ortodokse në Ballkan: që këtej edhe arsyeja për pjesëmarrjen në revolucion të lloj-lloj shqiptarëve, rumunëve e të tjerëve ballkanas të krishterë ortodoksë. Grekët vetë aso kohe ende nuk e dinin që ishin grekë, ashtu si tanët nuk e dinin që ishin shqipo: feja ishte përcaktuese, ndërsa gjuha jo. Prandaj edhe Athina kryeqytet, si të thuash, u mbeti në dorë pa dashje, si dopjo fusha, se Athina në atë kohë nuk ishte më shumë se një kasaba e rëgjuar a një fshat shqiptar, siç e kanë quajtur; dhe kur e panë që deri në Stamboll nuk shtyheshin dot, e morën në sy të bëjnë Greqinë, shpejt e shpejt e përkohësisht, sa të krijoheshin rrethanat për një dyndje të re në Bosfor. Po grushtin përfundimtar këtyre planeve afatgjata ua dha Ataturku, pas aventurës tragjike në Azinë e Vogël: dhe aq shumë grekë të pafaj u vranë e u shkatërruan në atë kohë sa kjo tragjedi do t’ia vinte vulën përfundimisht psikologjisë së grekut modern. Ndoshta edhe tërë ajo kapardisje më të shkuarën legjendare do parë si reaksion i përligjur, se kombi grek, si çdo komb i respektueshëm, edhe ai kishte nevojë për ëndrra. Propaganda nacionaliste ishte kështu edhe një orvatje për të kuruar neurozën post-traumatike. Natyrisht, as njolla e zezë e diktaturës së kolonelëve, e as fakti që Greqia mbetet vrima e fundit e kavallit në Komunitetin Evropian, nuk kanë ndihmuar për t’ua shëruar pak plagët. Gjithsesi ne shqiptarët, veçanërisht, duhet të jemi në gjendje t’ua kuptojmë sfilitjet e brendshme e në këtë proces të sqarohemi një çikë më mirë për kusuret tona, se edhe ne kërcyem nga iluzionet perandorake të kohës së sulltanëve në mjerimin total të kohës së komunizmit, pa përmendur marrinat e tanishme post-komuniste. Grekë e shqiptarë, rrimë shullëhemi në diell mbi një gur, si dy hardhuca me kujtesë dinosauri, dhe herë pas herë i vërshëllejmë ndonjëherë me gjuhë njëri-tjetrit. Komike, për ata që kanë kohë të na bëjnë sehir. [2000]

3 Komente

  1. Obsesioni grek për të sunduar tej kufijve të sotëm është shndërruar sot në sundime të tjera, ku versionet e grekësisë na bindin se nuk kanë vdekur. Shembulli më i madh është ai i Janullatosit në Shqipëri, i cili na u imponua vetëm me këtë përqasje.

    Që Greqia ka rol “dalëzotës” për ortodoksët në Ballkan, kjo mund të ekzistonte dhe me kryepeshkop jo grek, por në rastin tonë është tjetrin version i grekësisë, ai politik, jo fetar, por që nuk mund të imponohet ndryshe në Shqipërë, përveçse përmes fetares.

    Një nga zhgënjimet e sotme për mua nuk është vetëm tkurrja e shqiptarëve ndaj shpengimit, ndaj demokratizimit si mënyrë shoqërore, por nga improvizimi edhe i vetë atyre që hiqen si përçues të liberalizmit në Shqipërinë e pasdiktaturës. Sepse janë pikërisht këta që, për t’u imponuar siç duket, mbrojnë rolin politik të Janullatosit në Shqipëri, duke e përdorur atë në polemikat politike brendashqiptare. Turp!

  2. “Grekë e shqiptarë, rrimë shullëhemi në diell mbi një gur, si dy hardhuca me kujtesë dinosauri, dhe herë pas herë i vërshëllejmë ndonjëherë me gjuhë njëri-tjetrit. Komike, për ata që kanë kohë të na bëjnë sehir.”

    Kur te behet komike dhe per vete ne, atehere ndoshta mund te themi qe kemi filluar te rritemi pertej lekures sone respektive.

  3. Shume shqiptare qe jetojne ne greqi e kane tradhtuar shqiperine dhe shtiren si greke, per keta c,fare keni per te thene ??? Jemi kombi me pak krenar ne Ballkan dhe arsyet jane te shumta. Shqiptari ka treguar me sjelljen e tij se per para i ben te gjitha: nderron emrin, fene, vret e masakron etj. duhet qe brezet e reja ti mesojme te mendojne ndryshe dhe ne kete metode te shekujve te kaluar. Neqoftese nuk ndryshojne vete shqipeteret, kurre nuk do te ndryshoje Shqiperia.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin