Komunistë të ndershëm

Tema e komunistëve të ndershëm ngjall debat, sa kohë që pranohet se komunistët, me përkufizim, kanë qenë janë të pandershëm. Nuk jam nga ata që mallëngjehem për çdo gromësimë anonime, por këtë herë gjuha ka fiksuar një të vërtetë subversive – për kohën!

Kur flasim për kohën e komunizmit, nuk ka kuptim as t’i përziejmë motivet individuale të njerëzve me logjikën e marrjes dhe ruajtjes së pushtetit. Dua të them se jo të gjithë u bënë komunistë me vendim individual dhe të peshuar. Në shumë raste, njerëzit “organizoheshin” sepse ishin të një fisi ose të një fshati të lidhur me Partinë.

Ashtu ka qenë struktura sociale në Shqipëri (klanore), dhe ashtu praktikisht ka mbetur. Mjaft të shihet gjeografia e pluralizmit, për të vënë re se në vend të pluralizmit, kemi thjesht segmentim.

Ka edhe një dallim tjetër që do përmendur: midis komunizmit si ideologji dhe pushtetit politik. Për mendimin tim, ata që e morën pushtetin në Shqipëri pas Luftës e përqafuan komunizmin më së shumti sepse ashtu mund të dilnin në krye të punëve. Në rrethana të tjera do të ishin bërë fashistë, ose budistë, ose anarkosindikalistë. Megjithatë, komunizmi i ndihmoi ta konsolidonin pushtetin, sepse u siguroi përkrahje në popull, ose të paktën aq përkrahje sa ç’u duhej.

Në këtë kuptim, ngjarjet e fillimit të viteve nëntëdhjetë rrëzuan komunizmin, por jo kastën në pushtet. Nuk e kam fjalën për karta të djegura si Nexhmija, Ramizi dhe Pali Miska; po për bazën sociale të regjimit të vjetër. Me pak ndryshime kozmetike dhe operacione plastike, ajo bazë sociale e ka mbajtur pushtetin duke arritur të ndërrojë lëkurë pa shumë dhimbje. Për këtë rol të madh ka luajtur Sigurimi i Shtetit, i cili gjithnjë ka qenë i organizuar mirë dhe i kish marrë masat me kohë për një situatë kur monedha e komunizmit nuk do të shkonte më në treg.

Pyetje: ka pasur ndonjëherë komunistë në Shqipëri? Përgjigje: po ka pasur. Shpronësuesit, emancipuesit, propagandistët, mbledhësit e tatimeve, poetët e oxhaqeve “të nalta”, komisarët e dritës, gjykatësit popullorë, prishësit e fejesave, shkallmuesit e kishave dhe të xhamive, kolektivizuesit, tufëzuesit, udhëheqësit e çetave, komandantët e brigadave aksioniste e të tjerë si këta kanë qenë mirëfilli besimtarë në komunizëm.

Pushtetmbajtësit e regjimit Alia, përkundrazi, nuk më janë dukur kurrë komunistë. Në kohën e tyre, e vetmja sfidë kish të bënte me ruajtjen e statu quo-së, snobizmin e pinjollëve përkatës dhe përsëritjen obsesive të formulave enveriste në publik e sidomos njëri-tjetrit. Ishin komunistë për nga emri, por në të vërtetë i përkisnin një kaste pushtetarësh, burokratësh dhe aparatçikësh që mundoheshin të administronin çifligun e madh të Shqipërisë.

Qehallarë mbetur pa bej.

Qehallarët e djeshëm njëfarësoj vazhdojnë të vërtiten në kulisat e pushtetit, me maska të përshtatshme për momentin. Kam frikë se do të vazhdojnë të vërtiten edhe për shumë kohë. Janë të zotët. Njëlloj si aristokracia britanike në shekullin XIX, kanë bindjen se u bie për barrë të jenë në krye të punëve në Shqipëri. Kjo nuk ka më të bëjë me komunizmin. Komunizmi iu desh gjatë shekullit XX. Tani Adam Smith-i u del dhe u tepron, për të mos përmendur Berlusconi-n.

Po komunistët e ndershëm?

Logjika ta do që, nëse kanë ekzistuar atëherë, tani kanë mbetur… të ndershëm. Ndoshta edhe nostalgjikë për Enverin, nga ata që ia ruajnë portretin në mur dhe bustin. Votojnë për Fatos Nanon, pa hezituar; të bindur se ende i shërbejnë “idealit” (ose imazhit grotesk që kanë sajuar për veten). Në të vërtetë i shërbejnë po asaj kaste që i shërbenin edhe dje, me të njëjtën devotshmëri.

Të tillë gjenden kudo, skllevër nga shpirti, që e kalojnë jetën në hije të autoritetit. Është problem psikologjik, jo sociologjik. [2004]

4 Komente

  1. Ndoshta eshte edhe nje pyetje tjeter qe duhet te behet:

    – A mund te mbijetonte nje komunist i ndershem ne komunizmin Shqiptar?-

    Per mendimin tim pergjigja eshte nje jo kategorike. Ndershmeria intelektuale kerkon medoemos qe t’i vere ne dukje kontradiktat midis bindjes politike (ne kete rast komuniste) dhe zbatimit te tyre ne realitet. Nese keto kontradikta behen flagrante dhe te dukshme ne jeten e perditshme eshte e pamundur qe nje komunist i ndershem te mbetet i ndershem pa i vene ato publikisht ne dukje. Kjo kishte pasoja te renda dhe vite te tera bene nje “spastrim” te elementit komunist nga komunizmi Shqiptar. Behet fjale per njerez si Petro Marko, Tuk Jakova, Sejfulla Maleshova e ndoshta edhe Kasem Trebeshina;njerez qe mbeten komuniste edhe ne burg. Eshte ndoshta ca si i nxituar mendimi qe “Po te mos ishe ne burg nuk mund te ishe ne te vertete komunist.”, por llogjika e ashper e pabarazise reale nuk te le vend per te manovruar.

  2. “Në të vërtetë i shërbejnë po asaj kaste që i shërbenin edhe dje, me të njëjtën devotshmëri.

    Të tillë gjenden kudo, skllevër nga shpirti, që e kalojnë jetën në hije të autoritetit. Është problem psikologjik, jo sociologjik. [2004]”

    Artikullshkruesi eshte shume i kufizuar ne llogjiken dhe konkluzionin qe servir. Eshte nje brez i tere qe i sherbeu popullit tone ne profesione te ndryshme duke qene njekohesisht dhe anetar partie ( ose komunist, sic i pelqen autorit) Njoh dhe perulem me respkt perpara jetes dhe vepres se qindra mesuesve, mjekeve, inxhiniereve qe u perpoqen me te gjitha mundesite e tyre t’ua benin shqipetareve jeten me te lehte, me te mire, edhe duke qene anetare partie ( PPSH). Ti autor, me siguri ke nje lloj mellefi qe i shikon gjerat bardh e zi.
    Nejse kete e gjykojne ata qe na lexojne me mire.

    Sipas teje, duhet te votosh per Sali Berishen per te mos i sherbyer me asaj kaste ? Bobo sa poshte…

    Nuk mund te komentoj me tej. Nuk ja vlen…

  3. “Pyetje: ka pasur ndonjëherë komunistë në Shqipëri? Përgjigje: po ka pasur. Shpronësuesit, emancipuesit, propagandistët, mbledhësit e tatimeve, poetët e oxhaqeve “të nalta”, komisarët e dritës, gjykatësit popullorë, prishësit e fejesave, shkallmuesit e kishave dhe të xhamive, kolektivizuesit, tufëzuesit, udhëheqësit e çetave, komandantët e brigadave aksioniste e të tjerë si këta kanë qenë mirëfilli besimtarë në komunizëm.”

    Sjam dakord ne pjese te konsiderueshme me pergigjen qe i jep autori pyetjes ne krye.
    E para e punes, ne Shqiperi nuk ka patur komunizem, ka patur formalisht ne leter dhe parrulla. Ne fillim, cdo gje filloi me levizje komuniste, me ideale te pasterta qe u perqafuan nga rinia e atehereshme. Por ajo mbeti me aq sepse komunizmi si i tille ishte dhe eshte nje absurditet ne kohen e per me teper ne nje vend si Shqiperia.
    Ne Shqiperi ka patur vetem nje diktature te eger ne kulm, ka patur nje PPSH me anetare dhe jo komunsite. Ata pak komuniste me ideale qe mund te kishin mbetur, pas viteve ’50 e humben plotesisht besimin tek idealet dhe, ose perfunduan ne menyre te mjeruar, ose u tulaten e qendruan pa u ndjere duke i sherbyer nga zori sistemit qe i zhgenjeu.
    Kurse ata te tjeret qe u pranuan, u kaliten, dhane prova te te qenit “komuniste”, nuk ishin tjeter dhe jane po ata sharlatane qe sot e kane kthyer petkun, jane ata te cilet e kane ende duart te palara nga pislleqet, ne mos nga ‘krimet’ qe mund te kenë bere.
    Keshtu aty ku rrjeshtohen se cilet kane qene komunistet nga autori, ne te vertete kane qene keta qe permenda paksa me siper.
    Keto une keta i konsideroj si plehra qe polli regjimi i diktatures e qe do ishte mire te ishin te paret qe duhet te spastroheshin nga ndryshimet demokratike te pas viteve 90. Por shiko ç’ngjaka. Jane keta bukuroshe qe pispillosen me etiketa te reja, bejne politiken, diplomacine, e kjo gje me trishton shume se shoh se Shqiperia eshte bere pre e pacavureve qe la Enver Hoxha.
    Ata qe permenden ne krye si komunista, nuk ishin vecse bashibozuke te perpunuar nga regjimi diktatorial (pra jokomunist) i Enverit, te cilet ne kohe te ndryshe dhe me fushata, Enver Hoxha i perdorte si vegla masive politike te manipuluara per te realizuar planet paranoike te tij per te shpetuar nga miqte.
    Ata pak qe mund te jene ende me ideale “komuniste” e qe vazhdojne te betohen per Enverin e votojne per Nanon, jane pjesa me mjerane dhe injorante, e si te tille le te qendrojne deri ne vdekje, me barkun thate e grushtin shternguar, le te jene, sme ven keq per ta.

  4. Dikush e ka thënë:

    ”A mund të jetë një individ njëkohësisht edhe fashist, edhe i ndershëm, edhe inteligjent? Jo! Mund të jetë fashist dhe i ndershëm – por jo edhe inteligjent; ose fashist dhe inteligjent – por jo edhe i ndershëm.”

    Unë pyes:
    A vlen kjo edhe për komunistët?
    E kam fjalën për komunistët e bindur.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin