Kolonë turq në Shqipëri

A ka pasur ndonjëherë kolonë “turq” në Shqipëri?

Kjo pyetje e përgjigjur prej kohësh nga dijetarët bëhet papritur aktuale, pas disa shkrimeve të kohëve të fundit, në të cilat insinuohet se të paktën një pjesë e shqiptarëve të fesë islame janë në të vërtetë turq të shqiptarizuar, të sjellë në trojet shqiptare nga administrata turke gjatë kohës së pushtimit.

Një tezë e tillë dëshmon – në rastin më të mirë – se autorët nuk e njohin historinë e vendit të tyre.

Sipas Çabejt, që për këto punë ishte dhe mbetet autoritet, sundimi osman në Shqipëri afrohet me sundimin romak dhe bizantin, meqë tri shtetet bartës të këtyre sundimeve “nuk kanë qenë shtete nacionale, por me shumë popuj që i bashkonte njësia e shtetit, e kulturës, e besimit”.

Perandoria osmane afrohet veçanërisht me atë të Bizantit dhe paraqitet si trashëgimtarja e saj, meqë të dy këto shtete nuk sollën edhe kolonizimin e viseve të pushtuara ashtu si Roma. Osmanët, shpjegon Çabej, synuan njësimin e popujve të perandorisë nëpërmjet islamizimit, me mendimin se njësimi fetar do të sillte edhe asimilimin e popujve në një njësi shtetërore.

Gjithnjë sipas Çabejt, kjo mënyrë qeverimi bëri që pushteti të përqendrohej në qendrat e administratës civile dhe ushtarake. Në këtë mënyrë ndikimi turk në jetën shqiptare është kryesisht një ndikim qytetar, i cili prej qyteteve u përhap pastaj edhe në katunde.

Kjo pasqyrohet edhe në karakterin e huazimeve të shqipes nga turqishtja, të cilat në shumicën e tyre nuk janë fjalë të burimit turk, por janë fjalë arabe dhe perse të turqishtes së mësuar. Çka don të thotë se turqizmat kanë hyrë në shqipe nga lart, si fjalë kulture, jo nga poshtë, si fjalë kolonësh turq.

Me të drejtë Çabej e kontraston ndikimin osman me atë romak, pse Roma dihet që solli kolonë në trojet arbërore, prandaj edhe ndikimi i saj ishte i tjetërllojshëm. Përkundrazi, të flasësh për “kolonë turq” në Shqipëri është njëlloj e pambështetur në fakte sa edhe të flasësh për kolonë “grekë” gjatë periudhës së sundimit bizantin.

Si në një rast edhe në tjetrin të tillë nuk ka…

Unë tezën e prejardhjes “turke” të një pjese të elementit mysliman në shqiptarët prirem ta konsideroj thjesht si provokacion për të shkaktuar turbullira politike dhe për të qëruar hesape të vjetra meskine.

Natyra e këtij provokacioni del sheshit në këtë letër të një Paul Tedeschini në “Shekullin” e sotëm, të cilën po e sjell këtu më poshtë sepse është tipike:

[P]er shkak te okupacionit turk, kane ardhur ne Shqiperi shume ushtarake dhe administratorë nga Turqia, Anadolli, Dagistani, Arabia, Egjipti, Maroku, Tunizia etj. Një pjese e tyre ka mbetur ne Shqipëri edhe mbas terheqjes se ushtrive okupatore turke. Gjate shekujve te qendrimit ne Shqipëri mjaft prej pasardhesve te tyre kanë bërë lidhje martesore, pra lidhje gjaku me vendasit, me shqiptarët. Një pjese e mire ketyre pas rdhesve te turqve sot jane shtetas shqiptarë. Ato ruajnë edhe sot emrat e tyne, zakonet e tyre, fene e tyre islame, traditat e tyre qe shpesh perputhen me ligjet e Sherjatit te te parëve te tyre, qe ne disa raste nuk perputhen me zakonet e popullit shqiptar. Fakti qe keto pasardhes te ushtrive turke kanë te njëjten fè islame te perbashket me shume shqiptarë te kthyer ne muslimanë, siç thote me te drejte i nderuari Presidenti yne, pra ky fakt nuk i jep asnjë te drejte atyre te dalin tani si perfaqesues te te gjithe muslimanëve shqiptarë, te cilet ne fakt kanë luftuar gjithmone se bashku krah per krah me shqiptarët kristianë kundër okupatorit turk e çdo okupatori tjeter.

Kjo buqetë gjepurash historike duket të ketë për qëllim t’i ndajë myslimanët shqiptarë në “të mirë” dhe “të pamirë”, sipas shijeve të radikalëve kristianë.

Më së fundi, dua të pohoj se të tilla pohime të gënjeshtërta dhe përçarëse në thelb ushqejnë pretendimet e atyre ekstremistëve të krahut tjetër, islam, që kanë edhe ata programet dhe vizionet e tyre për Shqipërinë e nesërme.

 

* * *

Pyetjes nëse ka pasur kolonë turq në trojet shqiptare apo jo, nuk mund t’i përgjigjemi me shembuj familjesh ose fisesh të caktuara.

Siç e kanë shpjeguar, në perandorinë osmane njerëzit edhe qarkullonin, prandaj edhe në qytetet shqiptare janë vendosur doemos turq, sikurse janë vendosur vllehë, sllavë, jevgj, mjeshtra, persianë, goranë, çifutë, grekë, dalmatë, arabë, italianë e të tjerë.

Çështja është që këta njerëz zhvendoseshin ose individualisht ose familjarisht ose me grupe të vogla dhe vetvetiu asimiloheshin nga popullsia pritëse. Me të drejtë është vërejtur se qytetet janë më të përshtatshme për këtë lloj përzierje sesa, bie fjala, katundet në mal.

Por kjo lëvizje popullsie e vetvetishme nuk duhet ngatërruar me kolonizimin. Kolonë ishin ata që solli Roma në Ballkan, ose bie fjala arbëreshët në Greqi e më pas në Itali.

Nëse ka pasur apo jo familje në Elbasan, Tiranë e Bradashesh që rrjedhin prej turqish, kjo ngre peshë për temën vetëm nëse sillen fakte ose prova që pinjollë të këtyre familjeve shquhen disi për fanatizëm islamik, ose anti-kristian.

Natyrisht jo. Prejardhja etnike e këtyre familjeve nuk ka fare lidhje me qëndrimet ideologjike të tyre sot – as do të ketë prova se këto familje “turke” janë martuar mes tyre. Edhe në Himarë gjen njerëz që të bëjnë be e rrufé se vijnë nga Kruja ose Mirdita, por nga ana tjetër po këta të parët venë t’i shpien fëmijët në shkollën greke.

Më në fund, karakteristikat orientale të kulturës shqiptare tradicionale sidomos urbane s’mund të vihen në diskutim. Studiuesit kanë vënë re se jo vetëm muzika popullore qytetare, stili i ndërtimit të banesës, arti i të gatuarit, ritualet sociale si dasmat e kësollet, veshjet etj. i kanë ruajtur mirë fillesat lindore, por deri edhe përrallat popullore janë, në masën më të madhe, turke-orientale.

Një dukuri e tillë ndeshet në krejt Ballkanin.

Balkanologët pranojnë se njësia kulturore-gjuhësore ballkanike i detyrohet së paku dy faktorëve: shekujve të sundimit osman, dhe shekujve të sundimit bizantin. Ka studiues që shtojnë këtu edhe një faktor të tretë: substratin iliro-trak.

Shqipëria është palë aktive në të tre këta faktorë, prandaj s’është çudi që t’i shfaqemi sot botës si më tipiku i vendeve të Ballkanit. [2006]

 

6 Komente

  1. E shoh shume te cuditshem, ne mos talles, faktin qe Paul Tedeschini e konsideron Shqiperine shume te rendesishme apo me interes per Perandorine Osmane, deri ne piken qe te kishte nje fluks kaq te madh “kolonesh” Turq deri nga Dagestani. Me cfare motivi? Cfare ofronte Shqiperia me kaq interes per Perandorine osmane?

    Me sjell ndermend “misionin e shqiperise” gjate periudhes se diktatures, si i vetmi vend qe nuk tradhetoi idealet e komunizmit por gjithmone “NE VIJE” apo “NEPER VIJE ” dhe here edhe “MBI VIJE” demaskonin te devijuarit dhe zvarriteshin duke “mbajtur” mbi vete “fatet” e komunizmit nderkombetar.

    Cuditerisht shqipetaret ende nuk jane sheruar prej ketij deliri. Edhe Paul-i me sa duket qenka akoma nen ndikimin e te njejtes semundje qe e konsideron Shqiperine kaq te rendesishme sa te ushtroi kete terheqje kundrejt Perandorise Osmane.

    Pjesa tjeter eshte verberisht dizinformuese por fatmiresisht shume diletante dhe une jam shume i gezuar, biles tani po qesh, me zgjedhjen e fjaleve tuaja te denja per tezen e autorit: “TE MIRE” dhe “TE PAMIRE”.

    Ma lejo nje pyetje i nderuar Xha Xha. A nuk duket pak si mbivleresim i vetes teoria se Perandoria Osmane ka perdorur dhe insistuar ne islamizimin e shqipetareve me shume se ndaj fqinjeve?

  2. Në një shkrim për shkoder.net Paul Tedeschini citon pjesë nga një studim i Hamdi Bushatit, për familjet shkodrane me prejardhje të huaj, ku ndër të tjera thuhet:

    Te ardhur nga Turqia, Egjypti, Arabia, Dardanelet, Maroku, Tunizia, Algjeria, Siria, Dagistani, Sudani etj: Familjet e ardhura nga keto vende perbejne numrin me te madh te familjeve te ardhura ne Shkoder. Ne kete studim nuk permenden te gjitha familjet e ardhuna nga keto vende, por vetem ato familje qe jane ma te njohtunat si familja Raxhimi (imam nga Egjypti), familja Djepaxhija (tregtar nga Konje e Anadollit), familja Berdicaj (te ardhun nga Anadolli qyshe ne fillim te invazionit osman dhe te vendosun ne fshatin Berdice), familja Derguti (nga Vilajeti i Ajdinit ne Anadoll te vendosun ne lagjen Dergut), Çukejt (artilier nga Turqia), Çakejt (personalitet zyrtar nga Çanak-Kalaja-Dardanele), Kashejt (nga Spanja mbas zhgatrrimit te dinastise islame), Sheh Muhamet Magribi (imam nga Maroku), Dilaverit (ushtarak nga Turkia), Bilanet (pregatites ilaçesh nga krahina Bilan e Anadollit), Kalajajt (oficer jeniçersh te ardhun qe ne kohet e para te invazionit osman), Abdurrahmanet (oficer turk nga Egjipti), Rust (nepunes), familja Kalact, familja Shehi (shehler me origjine arabe), familja e Nelit te Molla Dautit (origjine egjiptjane), familja Dizdart (dizdar ne kalà i ardhun nga Izniku i Bruzes se Anadollit), fisi i Sheh Qazim Hoxhes (ushtarak nga qyteti i Kastamonit te Anadollit), familja Axhemi (ushtarak nga Trabzuni i Azise se Vogal), familja Boksejt (ushtarak nga Anadolli), familja Muhamet Shehu (hoxhe nga viset e Azise se Vogel), familja Jenishehri (nga qyteti i vilajetit Hudaveqindar te sanxhakut Ortugal), familja Hysejt (oficer nga Izmiri i Anadollit), familja Xhemil Tulejmani (tekstilist nga qyteti Humus i Sirise), familja Mexhidi (me prejardhje nga Degistani), familja Behrej (ushtarake qe nga fillimi i pushtimit osman), familja Allajbegve (kolonel me origjine turke), familja Hadrejt (mytevli-administrator kujdestar), familja Sala-Isuft (grek i bame musliman).

    Unë nuk mund ta vë në dyshim vërtetësinë e këtij studimi, por dua të theksoj se Shkodra ka qenë qytet i rëndësishëm, ku vendoseshin rregullisht edhe të ardhur nga vise të tjera të perandorisë, të cilët pastaj asimiloheshin brenda pak brezash. Këta të huaj vinin në trojet shqiptare njëlloj sikurse shkonin shqiptarë në troje të tjera të Perandorisë; por kjo nuk provon asgjë në lidhje me “kolonizimin” turk të Shqipërisë, i cili mbetet, besoj, një fantazi e të krishterëve fondamentalistë shqiptarë.

  3. libri i hamdi bushatit eshte nje mrekulli e vogel ne dy volume plus shtojcen me nje pemishte gjenealogjish familjesh shkodrane; nje krestomati antropologjike per shkodren, ku permes termave, adeteve, anekdotave, strategjive sociale, toponimeve, legjendave jepen polaroide te retushuar bukur per shkodren me mote, ( titulli i librit)
    lista jo aq te vogel e familjeve te huaja shkodrane (ku bejne pjese edhe tedeschinet) mban elemente te te gjitha prejardhjeve fetare (kujtoni Marubin dhe Idromenon) dhe kjo eshte normale per nje qytet si shkodra: qender adminstrative perandorake, stacion i rendesishem tregetie me veriun adriatik e jo vetem, pjesetim midis komunitetesh te ndryshme fetare. Nje veshtrim permbi qytete te tjera me fat te njejte si Sarajeva, selaniku, Shkupi (per te mos levizur nga sektori i S-se ne enciklopedi) na jep buqeta edhe me te bujshme shkartisjeje e metissage-i, te cilat ne data te ndryshme iu nenshtruan kirrurgjive te shemtuara, ku me gjak e ku me me pak, ne emer te pastertive te panatyrshme. (kujto zhberjen e komunitetit hebre dhe musliman ne Selanik, zhberjen e dyfishte te komunitetit hebre ne Shkup-njehere me Piccolominin e ne tjetren me fashistet bullgare-per te mberritur ne shndrrimin e Sarajeves ne nje panoptikon snajperesh). Keto tentativat e shemtuara ne Shqiperi per te gjetur turq brenda vetes (Kadareja propozonte tek Shekulli te kerkojme hartat osmane per te gjetur me chdo kusht pasardhes te koloneve turq ne Shqiperine e mesme haxhiqmiliste) jane thjeshte dopjogjashta ne dore e efektit domino ballkanik te spastrimit etnik. Ama eshte dopjogjashte ne dore per faktin se ne dallim me vendet e tjera ballkanike, vija ndarese fetare midis shqiptareve, eshte pergjithsisht bashkohet brenda te njejtit gjuhegjak. Nese ne shekullin XIX ne Greqi, Serbi, Bullgari spastrimet fetare apo kembimet e popullatave u zhvilluan ne nje faze kur nacionalizmat emergjente i mbivendoseshin thjesht perimetrave komunitare fetare, apo nese ne luftrat ishjugosllave nacionalizmat nderluftues kishin tashme kollajllekun te gjenin tek armiku njekohesisht fe e etni te ndryshme, ne Shqiperi fondamentalistet nuk e kane kete fat. Pas 100 vjetesh naimifikimi, alfabetizimi, kolektivizimi, elektrifikimi, enverizimi, topalbanizimi, kemi arritur te kemi nje komb mjaftueshem te njejte me popullaten fizike te republikes. Ata qe kane endrra mesjetare supremacie apo homogjeniteti fetar, nuk munden t’i propozojne dot pervecse nen terma nekronacionaliste te pastertise se gjakut, ndryshe nuk kane dot impakt ne nje shoqeri bajagi te laicizuar si e jona. Sajimi i turqve permes shantazhit, sigurisht me pak i efektshem se sajimi i grekeve permes pasaportave, eshte thjesht riperseritje parodike e ish-Jugosllavise. (Jo per koincidence gjen edhe Bollanon te jugosllavizoje diskursin kur deklaron se ‘nuk duam per Vorio-Epirin me shume se ju doni per Kosoven’).
    per t’iu kthyer koloneve turq.
    e rendesishme eshte te thuhet se familjet e permendura mesiper nuk jane te gjitha turke (vec ne pranojme anakronizmin ‘turk’ edhe per marokenet e greket muslimane) dhe nuk jane vendosur as ne te njejten kohe e as ne te njejtin vend es as ne te njejtin program qeveritar ne shkoder, qe te mund te flitej per kolone. si shenje moderne te kolonizimit, nuk dijme qe as ne shkoder e as gjekund tjeter te kete ndonje shoqate turqish, si kemi te tilla grekesh, vllehesh, maqedonesh, malazezesh, ‘egjiptianesh’, romesh. ( ky mosinteresim ‘tipik oriental’ i ‘turqve’ per t’u deklaruar turq, mbase ka te beje edhe me faktin se turqia ka politike te ndryshme vizash me vendin tone krahasuar me, te themi, Greqine a Rumanine:). Po sigurisht mungesa e shoqates nuk eshte argument se na mugojne turqit.

    Halil Inalcik, dekani global i osmanistikes, cituar ne nje veper te islamologut me ne ze te Ballkanit, Alexandre Popovic, konkludon qarte se i vetmi ngulim kolonesh turq ne hapesiren shqiptare (nese mund te quhet keshtu) eshte ai i Kocacik-ut (Koxhaxhik). Mesa me kujtohet, vendi ndodhet ne afersite e Sfetigradit te hershem, ne nje arterie te rendesishme komunikimi, sot ne territorin maqedon. gjithsesi, rrokadat e popullatave, politike nominale e perandorive, jane perdorur edhe nga osmanet per te ndeshkuar, shperblyer grupe, apo per te krijuar barriera a tampone neper zona kompakte problematike. por deshmite e historise nuk na japin mundesi qe te gjejme te tilla aty ku duan pastertoret tane te gjakut.
    Te vetmit kolone te mirenjohur qe jane vendosur gjate koherave te reja ne hapesiren shqiptare jane hebrenjte e shkrete iberike (por edhe ata e lane Vloren ku ishin shumice e qytetit e shkuan kryesisht ne Selanik) si edhe (nese pranojme nje narrative) argatet greke te bejlereve te Gjirokastres. megjithese jo kolone ne kuptimin e tensionuar qe ka termi kur flasim psh. per pied-noirs te Algjerise franceze, perkufizimin si kolone mund ta mbajne vetem dy grupet e fundit. ama argumente koloniste me stergjysher te ardhur sporadikisht si tregtare, ushtarake a dervishe, te cilet sot kane niper qe identifikohen me komshinjte e stregjyshit, flasin e ndjehen ndryshe nga stergjyshi, mbeten ashtu si tha xhaxhai, nje Fantazi Fondamentaliste, nje Fast Forward seprapthi, drejt e per ne Mesjete a ish-Jugosllavi

    ps:kurse kulla e sahatit eshte nje nga ato pak libra te mrekullueshem ne keto 17 vjetet e pare

    1. Argumente shume me peshe. Rrofsh qe i shkrove. Nuk do t’u kisha hequr asnje pike e presje. Shqiperia eshte kjo qe eshte. Ne jemi keta qe jemi pavaresisht se nga erdhen stergjysherit. Diskutimet e tjera, pervec atyre qe behen per te vene ne pah pasurine kulturore, jane dashakeqese dhe fatkeqe. Pothuaj te bejne te mendosh me frike se c’do i pjelle mendja Tedeschinit — eshte e frikshme dhe e turpshme qe ne kete kohe dikush mendosh se eshte siperor vetem sepse i perket nje feje te caktuar, dhe guxon ta shkruaje!!!

  4. Kur ishim të vegjël na thoshnin se për një a dy fshatra myslimane të Bregut, se janë “turq të ardhur”. E shtonin të ardhur se “turq” të vjetrit rëndom quanin edhe fshatrat myslimane. Atëherë i besonim ç’na thoshnin, por sot nuk i besoj se ato mund të jenë hapur edhe nga kisha na nga qarqe të caktuara në jug të Shqipërisë. Përderisa gënjeshtra është besuar më shumë se e vërteta në rajonin tonë, nuk habitem më.

    Sidoqoftë, sot kanë dalë shqiptarë myslimanë dhe e kanë rrëfyer publikisht origjinën e tyre turke. Ku është problemi këtu? Ashtu siç ka shumë shqiptarë të greqizuar në Greqi, nuk mund të mos themi se nuk ka turq të asimiluar në Shqipëri.

    Besoj se kjo temë, nga njëra anë iu përket studiuesve, nga ana tjetër, për sa iu përket disa figurave publike na përket të gjithëve.

    Kam lexuar disa herë se autori i shumëshkruar disident Kasëm Trebeshina thotë se është turk. A është e vërtetë kjo? Nëse po, ku e mbështet ai “turkësinë” e tij?

    Gjithashtu është thënë se edhe kryeministri i parë shqiptar, Sulejman Delvina, ishte i biri i një ushtaraku të ardhur turk.

    Rrëmimi i rasteve Trebeshina e Delvina mund të nxjerrë, ndoshta, edhe fakte të tjera.

  5. Ka qene e natyrshme gjate sundimit osman qe pas 9 vjetesh nizamet te qendronin ne Shqiperi. sideomos ne Shqiperine e mesme, pasi ne Elbasan ishte baza e madhe ushtarake qe ne kohen e Mehmetit te dyte.
    Ka fshatra te tera, ku banoret e tyre e pranojne se jane te ardhur. Ketu mund te permendim fshatin çekrez ne veri lindje te Tiranes.
    -Ajo qe thote Tedescini, qe per vehte edhe ai tingellon si eshte kolon( gjerman -tedesco),ka te beje me faktin se nje kategori e diferencuar perpiqet te shpreh se shqiptaret perfaqesohen nga simboli i slam dhe jo nga simbolet shqiptare.Ky eshte problemi.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin