Homo otacustes

TIPOLOGJI E SHPEJTË E HAFIJES
(homo otacustes)

Për t’u pasur parasysh nga të gjithë ata që janë gati të përveshin mëngët për të filluar nga gjykimi etik, gjatë “hapjes” së qivureve të dosjeve:

  1. Ademi raportonte vullnetarisht gjithçka politikisht “të dyshimtë”, sepse i besonte verbërisht vijës së Partisë dhe mendonte se po i shërbente me ndërgjegje të lartë çështjes komuniste, ose pushtetit popullor, ose revolucionit. Ky mund të raportonte edhe babanë, ose motrën, ose fëmijën e vet, po të ishte nevoja.
  2. Bashari raportonte rregullisht dhe profesionalisht gjithçka të dyshimtë që vinte re, në përputhje me detyrat e ngarkuara e urdhrat e marra nga eprorët dhe përkundrejt një pagese. Ky mund të punonte edhe në ndonjë ambasadë dhe të merrej me përgjime ose ndjekje “të rëndësishme”, për shembull të një bashkëshorteje kryesore.
  3. Caci raportonte kryesisht për njerëz të cilët i urrente; ose kuturisej në provokime të gjithfarshme, për të grumbulluar material. Ose edhe thjesht për kënaqësi sadiste, a për t’u ndier i gjithëpushtetshëm ose “i brendshëm”. Po të punonte në ambasadë, ky do të raportonte rregullisht për studentët ose pasuniversitarët.
  4. Dulla raportonte që t’u dilte gjërave përpara ose për të akumuluar kapital politik, ose për t’u ndier në kontroll të situatës, ose sepse kishte frikë të tmerrshme se mos e raportonin dhe i merrnin më qafë kalamajtë, ose ngaqë trembej se mos lëshonte fjalë në pije e sipër.
  5. Ethemi raportonte sepse “organet” i bënin shantazh të rëndë – për shembull, ngase kishte një të afërm në burg ose të pushkatuar, ose kishte gruan polake ose kishte nënshkruar dikur një deklaratë për të shpëtuar lëkurën, ose vëllanë e vet nga burgu.
  6. Fatriu raportonte sepse kërkonte të bënte karrierë, për shembull, për t’u pranuar në Parti, ose për t’i dalë e drejta e studimit, ose për të mbetur në detyrë pas një përdhunimi të shëmtuar të një kolegeje, ose për të fituar një bursë trevjeçare në Stokholm.
  7. Gori raportonte vetëm pranë organeve të Partisë (sekretarit etj.), i cili pastaj u raportonte organeve të Sigurimit. Po të ishte student, ky do t’i fuste kolegët e vet në gjithfarë ngatërresash idiote.
  8. Hiqmeti raportonte vetëm ata që mendonte se e provokonin, duke e futur në biseda ose situata të rrezikshme.
  9. Idrizi raportonte vetëm për persona të caktuar, të cilët e kishte për detyrë t’i përgjonte sepse, siç ia kishin shpjeguar, ishin “armiq”.
  10. Jovani raportonte sepse dëshironte të bëhej agjent i armës së Sigurimit, ose të tregonte se kishte aftësi të rralla për punë spiunazhi, ose ngaqë tërhiqej homoseksualisht nga figurat e forta të Ministrisë së Brendshme (heronjtë e heshtur).
  11. Kostaqi raportonte thashetheme pa ua përmendur autorin, ose bënte përmbledhje të zhurmave, zërave dhe fjalëve që qarkullonin në popull.
  12. Ligori qëndiste letra anonime me akuza të rënda politike të qena e të paqena, kundër personave të ndryshëm, për arsye të ndryshme.
  13. Mexhiti raportonte si ekspert teknik i besuar, me kërkesë formale të organeve të pushtetit.
  14. Nexhdeti raportonte sepse kishte frikë se, po të mos raportonte, do ta konsideronin si politikisht të dyshimtë. Ose ngaqë mendonte se të gjithë raportonin. Ky mund të denonconte ndonjëherë edhe vetveten.
  15. Orhani raportonte sepse, me ose pa ndonjë arsye objektive, ishte bindur se Sigurimi e ndiqte dhe po ia bënte gropën.
  16. Pertefi raportonte rregullisht sepse ia donte puna, por raportet e tij nuk akuzonin njeri ishin të padëmshme.
  17. Qamili raportonte rregullisht për jetën private të figurave të larta të Partisë dhe të Qeverisë, meqë punonte pranë tyre zyrtarisht si kopshtar, pjatalarës, masazhator, kafexhi ose manikyrist.
  18. Rushiti kishte nënshkruar nën presion një deklaratë bashkëpunimi me organet e sigurimit, por nuk kishte raportuar asnjëherë asnjeri.
  19. Suati ishte liruar nga burgu para kohe dhe lejuar të jetonte në Tiranë, ose i ishte rikthyer e drejta e botimit ose e krijimtarisë me kusht që të vihej në shërbim të Sigurimit dhe të raportonte familjarët, miqtë dhe të afërmit.
  20. Teufiku përgjonte dhe raportonte në lidhje me një grup që, me qëllim destabilizimi të pushtetit, përnjimend planifikonte të ushtronte terror masiv në Tiranë ose Bradashesh, për shembull, të helmonte depot e ujit.
  21. Urani raportonte vetëm komunistë, sepse e urrente Partinë e Punës.
  22. Vehipi raportonte sepse ishte morfinoman dhe vetëm ashtu mund të siguronte morfinë.
  23. Xuxi raportonte ose dëshmonte gjyqeve vetëm për persona tashmë të arrestuar dhe të demaskuar nga Partia.
  24. Ymeri raportonte bashkëvuajtësit në burg, me shpresë se do t’i ulej dënimi.
  25. Zoi raportonte bashkëvuajtësit në burg, të cilët herë pas here edhe i provokonte për t’i futur në qorrsokak ose ngatërresa, i ngarkuar qëllimisht nga Sigurimi. [2004]

2 Komente

  1. Te gjithe raportojne per te rregulluar perspektiven. Paska qene nje bote qe e legjitimonte raportimin. Pse t’i gjykojme sot valle? Madje mund te shtohet ta zeme Nazmiu qe nuk raportonte, ngaqe e dinte se nuk do hiqte dore po te fillonte. Mua me kujton kete realitetin tone te sotshem, te cilin me perspektiven e ketyre firauneve mund ta kuptosh me mire, madje mund t’i gjesh edhe shkakun. Sot nuk ka raportime, por opinione te fermentuara ne xhade. Mjeket dihet qe vjedhin, madje jane kriminele, se te shohin nga duart dhe te lene te vdesesh po nuk u dhe para. Gjyqtaret sic kane ngjyren e toges, ashtu edhe jane. Gazetaret genjejne dhe jane te shitur, politikanet duhen varur, administrata jane skutha korridoresh dhe te paafte, mesuesit jane ca balo te katandisur ne kursexhinj te rendomte, ushtaraket jane ca njerez qe vishen me te njejta rroba, studentet, ah keta jane te vecante. Keta jane te vetmit studente qe nuk bejne jete studenti. As per forme. Shkojne me X5 ne shkolle, me Galaxy4 ne leksione dhe ca e cave vetem tangat u mbahen mend. Po biznesmenet? Lere mo keta, keta jane biznesmene te emeruar, ne mos qofshin qafnguqur qe nuk u shkon asgje pervec {xhinksit}. Diplomatet? Me mire mos fol per ta se vertet te vjen ndot. Po mendoja nje dite: more po kush ka ngelur ketu? Femijet dhe kafshet? Si puna e atij qe tha se “aty vetem gomari ishte gomar”. Tani qe po e mendoj vetem per spiunet, d.m.th agjentet e SHISH-it ka e shumta nje akuze te harruar per paaftesi, por jo kete lloj stigmatizimi. Edhe ata qe merren me trafiqe. Me duket se Nazmiu do kete filluar te raportoje.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin