Futbolli dhe politika

Kush e ka ndjekur kalimin e Silvio Berlusconi-t nga industria e mediave në pushtet, e ka vënë re se imazhi “futbollistik” i politikës ka luajtur rol vendimtar në këtë triumf. Berlusconi i shpëtoi interesat e sipërmarrësve italiane nga katastrofa që u kanosej pas rrënimit të socialistëve të Craxi-t dhe sidomos shpërbërjes së Partisë Demokristiane duke shpëtuar njëkohësisht edhe veten nga akuzat e shumta për lidhje mafioze. Fitorja e Berlusconi-t i detyrohet, në masë të madhe, fushatës politike jotradicionale që çoi në afirmimin e partisë së re, “Forza Italia” si një nga partitë më të mëdha në Itali. Mirëpo, ndryshe nga demokristianët dhe ish-komunistët e PDS, “Forza Italia” normalisht nuk kishte ndonjë bazë sociale të gatshme, e aq më pak në Italinë qendrore dhe të Jugut. Kjo bazë sociale u krijua, me shpejtësi të habitshme, falë taktikave fitimtare të marketingut politik, trajtimit të imazhit, dhe manipulimit psikologjik të turmave. Vetë emri i partisë “Forza Italia” ishte i njëjtë me thirrjen e njohur të tifozerive italiane në ndeshjet e kombëtares; sikurse valëvitja e flamujve dhe himni politik që këndohej seriozisht në mesazhet propagandistike në TV. Në të njëjtën kohë, vitet 1980 ishin vite të triumfit të Milanit në futboll, që kishte po Berlusconi-n si president. Si president i Milan-it, Berlusconi u bë fytyrë e njohur edhe në skutat më të humbura të Jugut të Italisë, ku tradicionalisht vota u ishte dhënë demokristianëve.

Ku i gjeti votat Berlusconi? Jo vetëm në tifozët e Milanit, natyrisht. Por në Veri shtresat e mesme dhe industrialistët e vegjël do të votonin për Legën e Bossi-t, ndërsa në qendër e në Jug – zona të rënduara nga papunësia dhe stanjacioni ekonomik – masa e votuesve nuk kishte ndonjë arsye të fortë të votonte për këtë manjat të mediave. Megjithatë Berlusconi fitoi, duke e marrë votëbesimin në Veri e sidomos në Jug. Fitoi duke u paraqitur si një version soft, post-modern, i Duce-s fashist; ose si një hero masash që arrin të lidhet drejtpërdrejt me “popullin”, duke i përjashtuar institucionet, shoqërinë civile, dhe të tjera hallka të ndërmjetme. Vetëm se kjo lidhje e drejtpërdrejtë në të vërtetë kalonte nëpërmjet ekranit televiziv, ishte e mediatizuar, artificiale, po aq e llangosur në makiazh sa edhe fytyra e Berlusconi-t vetë në ekranet. Berlusconi-n dhe partinë Forza Italia nuk e votoi populli, por publiku. Fitorja e këtij programi politik tregoi edhe shkallën e shndërrimit të popullit italian në publik dhe ndoshta për herë të parë në Perëndim shtroi problemin e së ardhmes së demokracisë në shoqëritë e dominuara nga komunikimi mediatik.

Ç’lidhje ka e gjithë kjo me futbollin profesionist italian, përtej famës së Berlusconi-t si tifoz i dorës së parë, ideator ekipesh të kalibrit të Milan-it dhe president i një klubi futbollistik nga më të rëndësishmit në Evropë e në botë?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje si duhet, përsëri duhet pasur parasysh realiteti italian konkret. Ndryshe nga francezët, britanikët, spanjollët e të tjera kombe evropiane, italianët e krijuan shtetin e tyre relativisht vonë, dhe në mënyrë pak a shumë artificiale. Gjeografia e Italisë është e tillë që distanca midis Veriut dhe Jugut gjithnjë është përkthyer edhe si diferencë e theksuar kulturore, ekonomike dhe politike. Veriu i Italisë tradicionalisht ka bërë pjesë në Evropën qendrore, Jugu ka qenë pjesë e Mesdheut ndërsa Roma njëfarësoj e ka vështruar veten si qendra e planetit – për shkak edhe të Papatit. Shekulli XX vërtet i solli Italisë një fitore simbolike gjatë Luftës I, por edhe kësaj fitoreje shpejt i humbi shkëlqimi për faj të katastrofës fashiste. Në këto kushte, është normale që një italian i sotëm ta ketë më të fortë vetëdijen qytetare dhe krahinore, sesa vetëdijën kombëtare; pra të ndihet më krenar, bie fjala si banor i Romës ose i Veneto-s, sesa si italian. Për dekada me radhë nacionalizmi në Itali u përshoqërua me traditën dhe ideologjinë fashiste, deri atje sa edhe fjala “patria” të përdorej me kujdes të madh, sidomos nga politikanët.

Futbolli italian, si futboll klubesh dhe i ekipit kombëtar, i shpëtoi kësaj censure të arsyetuar; madje së bashku me radion e televizionin ishte një nga ata pak faktorë që e mbajti Italinë të bashkuar e kompakte pas Luftës II, dhe jo vetëm në rrafshin e elitave por edhe thjesht popullor. “Juventus” i Torinos, bie fjala, tifozerinë më të shumtë në numër e kishte dhe ndoshta ende e ka në Jug të Italisë. E diela italiane nuk mund të konceptohet dot pa ndeshjen pasdite, që ia ka kaluar për nga popullariteti dhe pjesëmarrja emocionale edhe vetë meshës katolike tradicionale. Ndeshjet e kombëtares gjithnjë kanë shënuar rekorde të audiencës televizive, duke mbledhur dhjetëra miliona italianë para ekraneve të televizionit. Edhe sot biznesi i transmetimit televiziv të ndeshjeve të klubeve po e helmon ekonomikisht futbollin profesionist, dhe bëmat e kanaleve televizive në këtë fushë gjithnjë përmenden në titujt kryesorë të gazetave. Nuk ka asnjë dyshim që futbolli, jo si lojë por si spektakël, është një nga shtyllat e identitetit kombëtar të italianit, sidomos të italianit të thjeshtë, të rrugës, pa pretendime kulturore, që nuk mahnitet dhe aq shumë nga arti i Rilindjes dhe mermeri i Romës kapitoline.

Politika e Berlusconi-t e shfrytëzoi këtë varësi psikologjike të turmave italiane ndaj futbollit njëlloj sikurse demokristianët kishin shfrytëzuar, pas Luftës II, varësinë psikologjike të grigjave italiane ndaj Kishës Katolike. Në të dy rastet, politika u mbështet në manipulimin e turmave – sot futbollistike, dje të besimtarëve – të cilat kërkojnë të hipnotizohen nëpërmjet konsumit pasiv të një spektakli manipulues – sot të ndeshjes në fushë, dje të priftit në altar e të bukurisë së eksperiencës religjioze në përgjithësi. Nga ana tjetër, karakteristikat psikologjike të turmave në stadiume janë përshkruar mirë – dhe janë vënë në dukje infantilizmi, gatishmëria për dhunë, sadizmi, imoraliteti, intoleranca, tribalizmi, maskilizmi e kështu me radhë. Nuk është e rastit që pikërisht këto karakteristika i bëri të vetat fashizmi i djeshëm. Berlusconi, që fashist nuk është, e kuptoi më mirë se të tjerët se këto turma të magjepsura nga futbolli mund të manipuloheshin mirë e bukur, sa kohë që mahniteshin pas simboleve vizuale, kostumeve dhe ngjyrave, koreografive, fizikut mashkullor të lojtarëve; dhe sa kohë që futbollin e përjetonin si dimension të jetës, jo si hobby të rastit. Duke e asociuar imazhin e vet me futbollin si fenomen social, si industri dhe si spektakël, por edhe si arenë ku kufiri midis fitores dhe humbjes është gjithnjë i qartë, Berlusconi ia doli ta paraqitë veten si leader të të gjithë italianëve, përtej dallimeve gjeografike, kulturore, ekonomike dhe klasore mes votuesve të tij.

[2005]

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin