Etër e bij

Herë pas here do të nxjerre krye ideja a miti se bijtë, në një mënyrë ose në një tjetër, janë trashëgimtare të lavdisë ose të turpit të etërve; ky mit pastaj do të përdoret si shkurtore për kategorizimin e personave të ndryshëm, të cilët kujtojmë se i njohim që nga momenti kur ua dimë gjenealogjinë. Problemi merr domethënie në kontekstin e diskutimeve rreth disa figurave pak a shumë publike në politikën e sotme shqiptare – Gramoz Pashko, Spartak Ngjela, Fatos Lubonja, Andi Bushati, Edi Rama, Ben Blushi, Ardian Klosi, Ilir Gjoni – të cilat rrjedhin nga familje dikur shumë të ekspozuara ndaj pushtetit totalitar komunist.

Miti në fjalë ka një fillesë pothuajse folkloristike, sot pak a shumë primitive, në besimin se jo individët, por familjet janë aktorë të skenës sociale. Ky besim mund të ketë qenë i përligjur në rrethanat historike kur lindi, por sot s’i qëndron dot kritikës; jo sepse shoqëria shqiptare është transformuar në një arenë ku protagonistë nuk janë më familjet, por individët e lirë, por sepse mund të sillen shembuj të panumërt rastesh kur individët u janë kundërvënë familjeve, kanë përqafuar një politikë ose një doktrinë objektivisht armiqësore ndaj interesave të tyre ngushtësisht familiare, dhe pikërisht gjatë këtij procesi janë realizuar si të tillë, d.m.th. si individë. Më i njohuri nga këta shembuj është vetë lindja e komunizmit në shoqërinë shqiptare, kur bijtë u ngritën kundër interesave të etërve dhe kundër traditës, për të lidhur mes tyre një aleancë të tipit transversal dhe për të sjellë përmbysje të pashoqe në të gjitha strukturat e shoqërisë shqiptare, falë mënyrës se si e përdorën pushtetin kur e patën. Nëse vetë komunizmi si ide u importua në kushtet e rritjes së kontakteve të shqiptarëve me Perëndimin e pas-luftës së parë botërore, e shumta e komunistëve në Shqipëri ishin shqiptarë bij shqiptarësh.

Një tjetër kapitull i mitit, i cili mund të jetë më i rëndësishëm nga ç’duket sot, është adoptimi, prej komunistëve në Shqipëri, i principit të “fajit familiar” me të cilin ishte abuzuar çnjerëzisht në Bashkimin Sovjetik të Stalinit, sidomos në periudhën e luftës civile, e më pas, gjatë spastrimeve të mëdha të viteve tridhjetë. Ky princip, i cili më shumë u importua si teknikë e gatshme policore-represive, u shartua për bukuri në politikën e regjimit të Hoxhës, sepse bashkëtingëlloi me principin tjetër, autokton dhe tradicional, të familjeve si aktorë socialë elementarë. Në të vërtetë, në kohën e Stalinit, përsekutimi i familjarëve shpesh u përdor si mjet efikas presioni ndaj të burgosurve politikë, për t’i detyruar këta të pohonin monstruozitete, me shpresë së kjo mund t’ua kursente disi persekutimet pjesëtarëve të familjeve të tyre; ishte thjesht një metodë mafioze banditeske, që me kalimin e kohës stalinistët e zyrtarizuan, duke i dhënë një dorë llaku doktrinar. Më në fund, miti e ka edhe një komponente reale, racionale, përderisa është e logjikshme që bijtë – në mënyrë tipike – të mbrojnë interesat e familjeve të tyre, sidomos në kushtet kur prona private është në themel të çdo strukturë sociale, por kjo mbetet e diskutueshme për Shqipërinë e sotme, pavarësisht nga ç’mund të duket në pamje të parë.

Megjithë këtë komponente të fundit, nuk më duket së kemi të drejtë ta marrim shkurtoren si të mirëqenë dhe të pranojmë karakterizime lapidare të individëve sipas mbiemrave që mbajnë, ose baballarëve që i kanë rritur, madje edhe atëherë kur duket sikur ka prova për pohime e qëndrime të tilla. Gramoz Pashko dhe Fatos Lubonja hynë në konflikt me Sali Berishën jo pse baballarët e tyre kishin qenë funksionarë të regjimit totalitar; Ardian Klosi i ra Kadaresë jo sepse Bilbil Klosi kishte qenë prokuror i Enver Hoxhës; Edi Rama i mori votat e socialistëve jo sepse i jati kishte qenë anëtar i KQ të PPSH; Ilir Gjoni u emërua ministër i Mbrojtjes jo sepse Xhelil Gjoni kish qenë zgjedhur prej Ramiz Alisë si “dorë e fortë” në kohën e krizës së ambasadave. Për fat të keq, ka shumë shqiptarë që mendojnë kështu, dhe shumë më tepër shqiptarë që e pranojnë këtë mit pa e parë të nevojshme që të paktën ta konsiderojnë të diskutueshëm.

Në të vërtetë, është qesharake të mendohet se polarizimi i shoqërisë shqiptare në “të mirë” dhe “të ligj” mund të ketë baza gjenetike, pavarësisht se si bëhet në mendjen e njërit apo të tjetrit – PS dhe PD, komunistë dhe antikomunistë, persekutues dhe të persekutuar, kriminelë dhe viktima, të mençur dhe budallenj, shenjtorë dhe mëkatarë. Përkundrazi, nëse do të guxonim të flitnim për influenca genesh në sjelljet dhe preferencat e këtij apo atij politikani shqiptar të sotëm, do të ishte krejt e ligjshme, për shembull, të mendonim së bijtë e familjeve komuniste janë gjenetikisht të prirur për t’u ngritur kundër vlerave në të cilat identifikoheshin baballarët e tyre e për t’u bërë antikomunistë, ashtu si baballarët u ngritën dje kundër baballarëve të tyre, dhe u bënë komunistë, duke diktuar në bazë të sjelljes së tyre një gen, si të thuash, të “rebelimit ndaj etërve”. Mirëpo historia nuk e influencon të sotmen nëpërmjet stisjeve të tilla gjenetiko-psikologjike.

Nëse ka diçka që i bashkon mes tyre fëmijët e nomenklaturës së djeshme, kjo nuk më duket të jetë ndonjë nostalgji për komunizmin e Hoxhës, as për privilegjet që gëzonin dikur falë pozitës politike të baballarëve. Kjo diçka është më tepër mundësia që këta patën për t’u edukuar në mënyrë më të rafinuar, për të qenë objekt vëmendjeje e kujdesi të posaçëm, për t’u mëkuar që në djep me një kompleks superioriteti, e për të pasur mundësi ekspozimi ndaj shumë mesazheve të kulturës perëndimore të cilat pjesës tjetër të popullsisë i mohoheshin. Ky kontakt i hershëm me liberalizmin perëndimor, së bashku me kompleksin e fajit të tanishëm për turpet dhe krimet e etërve, i bën këta “hidalgo” të priren ndaj liberalizmit (si anti-konservatorizëm), kozmopolitizmit (si anti-nacionalizëm) dhe eklektizmit (si anti-puritanizëm); ndërkohë që kompleksi i superioritetit i bën kandidatë të përshtatshëm për t’u kthyer në protagonistë të jetës sociale, për të mirë ose për të keq. Të gjithë ata që u futen analizave sociologjike të mekanizmave të transmetimit të pushtetit në Shqipërinë e sotme janë pak a shumë të detyruar ta llogaritin këtë shtresë – bijtë e nomenklaturës së djeshme – si një faktor të veçantë në dinamikën e politikës shqiptare, dhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Në fund të fundit, dhe pavarësisht nga shtrembërimet e hatashme që po i bëhen këtij nocioni në Shqipëri, vizibiliteti politik dhe social mbetet gjithsesi i varur nga predispozicioni për t’u vënë në krye, për të frymëzuar dhe për të udhëhequr masat. Në këtë pasion si rregull bashkëjetojnë shpirti i sakrificës dhe vaniteti i pashembullt, vokacioni për t’u shërbyer të tjerëve dhe etja për pushtet. Fakti që shumë elementë të kësaj shtrese janë rritur me vetedijën e të qenit të privilegjiuar shpesh është përcaktues për përfshirjen e tyre në jetën politike, më cilësinë e protagonistit.

Unë vetë nuk ruaj ndonjë iluzion të veçantë për shtresën e bijve të ish-nomenklaturës enveriste, pasi as kompleksi i superioritetit që këta kanë, as kultura që kanë përfituar falë pozicionit të familjeve të tyre dhe privilegjeve që nuk u mungonin, nuk garantojnë atë cilësi që sot i duhet më shumë politikanit protagonist në Shqipëri: karakterin dhe drejtësinë (paanshmërinë). Madje edhe orientimi i këtyre nga Perëndimi nuk ka ardhur aspak nga ndonjë bindje e shëndoshë që u ka lindur duke gëzuar edhe lirinë për të zgjedhur midis opsioneve; përkundrazi, nëse shumë pinjoj të ish-nomenklaturës e zgjodhën Perëndimin, këtë e bënë sepse e dinin që kjo pozë do t’u siguronte një lloj prestigji ose privilegji moral, ndaj bashkëmoshatarëve të tyre me mundësi fare të kufizuara për të zgjedhur. Për fat të keq, lidhjet e miqësitë që po i sjellin këta njerëz sot në pushtet u farkëtuan në një kohë kur terrorit të egër enverist po ia zinte vendin favoritizmi mafioz i fundit të viteve 80, dhe këtu nuk ka asgjë për t’u çuditur, po të mendojmë së pjergullat mafioze janë të vetmet kultura që kanë arritur të harlisen me sukses në djerrinat e Shqipërisë post-komuniste.

Nuk duhet harruar edhe se i ashtuquajturi “revolucion demokratik” i fillimit të viteve 90 në Shqipëri shpesh nuk ishte veçse një përpjekje in extremis e elementëve më aktivë të regjimit Alia për të mbijetuar në kushtet kur totalitarizmi në Shqipëri nuk mund të mbahej më gjallë kurrsesi, dhe këtu me mbijetesë unë kam parasysh edhe ruajtjen e privilegjeve, nëpërmjet transformimit të tyre, kamuflimit, ose rimodelimit të rrethanave. Sali Berisha, megjithëse e futi Nexhmije Hoxhën në burg, nuk e eliminoi fizikisht nomenklaturën komuniste, por thjesht u përpoq me mënyra pak a shumë të ligjshme që ta mbante larg pushtetit politik. Kthimi në pushtet i socialistëve pas vitit 1997 u shoqërua edhe me një rigjallërim të elementëve të kësaj nomenklature edhe në sferën politike, në një kohë që roli i tyre në ekonomi dhe në tregti nuk më rezulton të jetë vënë ndonjëherë në diskutim, të paktën nga pikëpamja ligjore.

Mirëpo Shqipëria ekonomike e fillimit të këtij shekulli do të mund të përkufizohej edhe si një limer ku biznesmenët dhe politikanët merren vesh – herë me të mirë e herë me të keq – si t’i rishpërndajnë pasuritë ricikluar dhe gjeneruar rishtaz, duke përfshirë këtu edhe ato me burim nga korrupsioni, kontrabanda, ndihmat ndërkombëtare të devijuara dhe skemat bankare për të shtënë në dorë paratë e emigracionit. Ish-nomenklatura ka interesat e veta për të mbrojtur edhe këtu, sepse nuk mund të mohohet protagonizmi i saj në vitet e kaosit total, kur u shqye në copa e në llokma kufoma e pronës shtetërore. Funksionarë të ministrisë së tregtisë së jashtme, të Albimportit e të Albeksportit; funksionarë të Ministrisë së Jashtme e të ambasadave; agjentë të zbulimit dhe të kundërzbulimit, pak a shumë të stërvitur në kontakte më perëndimin, dhe të tjerë si këta, shumë shpejt morën në kontroll pozicione kyçe të biznesit privat në Shqipëri. Është fare e natyrshme që kjo shtresë biznesmenësh t’i referohet tani politikisht asaj shtrese politikanësh që rrjedh nga familje të larta të nomenklaturës komuniste, për shkak të lidhjeve dhe të miqësive të cilat doemos i paraprijnë përmbysjes së diktaturës Alia. Vetëm se tanimë nuk janë individët që përfaqësojnë familjet apo klanet e tyre dhe shprehin interesat e tyre, por janë këto të fundit që identifikohen, organizohen e strukturohen rreth këtyre individëve. Thua të jetë ky rezultati më domethënës i revolucionit në jetën politike shqiptare të viteve 90? [2000]

1 Koment

  1. Tradita e revolucioneve e do qe pas anarkise e cila shkaterron eliten sunduese te vihet ne jete mekanizmi i formimit te elites se re e cila do i zere vendin te vjetres.

    Elita e turmes, ku marrin pjese edhe pjesetare rinegate te elites se vjeter, fillon e perzihet me nje pjese te elites se vjeter qe i mbijetoi ‘masakres’, per arsye se kjo elite eshte e pergatitur, ka bere shkolla te mira dhe me kryesorja di sesi komandohet nje shtet, pra di sesi ushtrohet pushteti.

    Nderkaq kjo pjese e elites se vjeter qe mbijetoi o si rinegate ose si e domosdoshme , meson eliten e turmes sesi perdoret forca qe kjo zoteron.
    Praktikisht shkrihet dija e elites se vjeter me forcen e elites se turmes e keshtu elita e re qe lind nga ky kryqezim, ka forcen e duhur dhe dijen e duhur per te ushtruar pushtetin.
    Legjitimiteti , nese zoterohet dija dhe forca , nuk eshte i veshtire te realizohet.

    Tani ti xha xha thua se ky proces nuk ka ndodhur ne Shqiperine e pas 1991.
    Nga ana tjeter sjell shembuj sesi pjesetare te elites se vjeter ndodhen ne krye.
    Mirepo keta jane o rinegate o bij te eterve. Normal qe eterit e tyre do heqin dore nga ushtrimi publik i pushtetit, perndryshe si do fitohet legjitimiteti nga kjo elite e re ?

    Nese ta zeme Rama nuk do ishte bir i babait, a do ishte peshkuar prej Nanos ? Nese Rama do ishte nje artist i falimentuar, nudist, karagjoz dhe jo bir i babait sa gjasa do kishte te binte ne syte e Nanos ?

    Partia Socialiste eshte partia komuniste e reformuar dhe elita komuniste la ne krye te bijte e saj. Nuk mund te ishte ndryshe. Pastaj se jane te pergatitur apo jo, kjo nuk ka rendesi, pasi sot nje qe eshte me i pergatitur nuk ka mundesi te rivalizoje me ate qe eshte biri i babait. Nuk te le kasta.

    Prandaj xha xha nuk ka edhe shume mite ketu brenda. Fshati qe duket nuk do kallauz.

    Elita e turmes me shume levizi drejt PD-se, ose themeloi parti te djathta. Por keto parti te djathta ngaqe perjashtuan apriori miximin me eliten komuniste, nuk paten kurrfare suksesi.
    PD e cila mbajti nje pjese te elites se vjeter, perkundrazi e asfiksoi gjithe te djathten e ne fakt PD-ja ka nje force ne politiken shqiptare qe nuk i pergjigjet si duhet nje situate normale.

    Tashme Shqiperia ndodhet ideologjikisht pa te djathte e pa te majte, por me nje lemsh, ku Edi Rama synon te terheqe te djathtet duke pretenduar te anoje nga qendra ndersa Sala kujdeset per te mos shtyre njerezit e varfer ne krahet e te majtes,por ti lere keshtu ne kete gjendje medyshjeje.
    Sala kujdeset per popullin e thjeshte me taktiken e xhaxhit.

    Dy partite qe duhet te zoteronin skenen politike, socialdemokratet dhe republikanet, mezi kane mbledhur aq force sa ti shfryjne qurrat vete, se pantallonat ua ngrejne socialistet e demokratet.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin