E djathta dhe e majta në totalitarizëm

 

Përcaktimi zyrtar i diktaturës enveriane në Shqipëri si “e majtë” lidhet me dy faktorë: qëndrimin ndaj pronës private dhe faktin që regjimi e filloi jetën si i majtë. Por në rastin e diktaturave totalitare nuk ka shumë kuptim të flitet për të majtë ose të djathtë. E majta dhe e djathta kanë vlerë operacionale, si koncepte, kur zbatohen në kushtet e një demokracie pluraliste, përndryshe si kategori aplikative mund të krijojnë probleme, më shumë sesa t’i zgjidhin. Në të vërtetë, një regjim totalitar është i majtë për sa kohë nuk është konsoliduar dhe lufton për t’u totalizuar, dhe pastaj priret të bëhet gjithnjë e më i djathtë, në atë masë që përpiqet të ruajë vetveten pasi është konsoliduar. Gjithashtu, tipare si arbitrariteti, dhuna shtetërore, imponimi me forcë si formë mbizotëruese e çdo transaksioni social, mungesa e lirive themelore dhe e demokracisë, terrori policor, shpërfillja e vullnetit të individit, armiqësia ndaj tregut dhe kulturës tregtare etj., nuk mund të konsiderohen as të majta as të djathta, por thjesht totalitare-diktatoriale.

Po cilat mund të ishin disa nga karakteristikat djathtiste të totalitarizmit shqiptar?

 

  • Ndarja e shoqërisë shqiptare në klasa kufijtë midis të cilave ishin pak a shumë të pandryshueshëm, në kuptimin që një përfaqësues i klasave të ashtuquajtura “të përmbysura” nuk mund të shpresonte të konsiderohej ndonjëherë si qytetar “normal”, por ishte përgjithnjë i dënuar të hapte kanale në fushë, ose të nxirrte bakër në zgafellë.
  • Shpërndarja e privilegjeve materiale, sociale dhe të karrierës në përputhje me origjinën klasore dhe/ose familiare – të drejtat e studimit, bursat për të studiuar jashtë, vendet e punës të preferuara në institucione qendrore, autorizimet për frigoriferë, pashaportizimet, strehimi.
  • Krijimi i një “aristokracie të kuqe”, fëmijët e së cilës u prirën të martoheshin me njëri-tjetrin. Me këtë lidhet edhe nepotizmi aq karakteristik për vitet 80 dhe sidomos për periudhën Alia.
  • Shndërrimi i prejardhjes familiare në një kriter përkufizues të individit, në bazë të një konceptimi mesjetar-mistik të lidhjeve të gjakut dhe të individit vetë si aktualizim të familjes dhe/ose klanit ku bënte pjesë.
  • Himnizimi i kombit shqiptar, i historisë parë si avancim i pandërprerë drejt Shqipërisë së pavarur, sovrane dhe socialiste. Mbizotërimi i momentit historik në simbolikën urbane – varrezat e dëshmorëve, bustet, lapidaret, pllakat përkujtimore, shtëpitë muze të themelimeve të ndryshme, miti i Skënderbeut, ceremonitë e rikujtimit të së kaluarës. Kulti i së kaluarës dhe i të vdekurve, mitizimi i historisë së shqiptarëve.
  • Ksenofobia, si vështrim herë me mosbesim, dhe herë haptazi më përçmim i të huajës, duke përfshirë këtu shtetet e huaja, kulturën e huaj, librin e huaj, shfaqjet e huaja e deri edhe tek turistët e paktë të rastit.
  • Puritanizmi etik dhe seksofobia, difidenca ndaj sensualitetit dhe ndjeshmërisë estetike, dënimi moral e shpesh politik i divorcit dhe i abortit, intoleranca totale e homoerotizmit, mungesa e planifikimit familiar në çfarëdolloj forme të organizuar (me përjashtim të të mirëkolauduarit coitus interruptus); nxitja e shtimit të popullsisë, kulti i familjes dhe i dasmave.
  • Shtangësia e strukturave të shtetit dhe të pushtetit, druajtja nga ndryshimet strukturore dhe organizative, rezistenca ndaj reformave operative, idealizimi a posteriori i formave dhe i metodave ekzistuese të praktikës sociale, sado banale të kishin qenë në zanafillë.
  • Kulti i fshatit, i kulturës fshatare/rurale dhe i folklorit fshatar; folkloristikja si simbolikë e lidhur ngushtë më të gjitha ato momente kur udhëheqja e lartë merrte kontakt më popullin. Difidenca ndaj kulturës qytetare. Qeleshja, xhamadani, tirqet, xhubleta, kënga labe.
  • Koncentrimi në udhëheqjen e lartë të shtetit, të Partisë dhe të institucioneve i një grupi pleqsh relativisht të sklerotizuar. Vetë kulti i shfrenuar i Enver Hoxhës.
  • Justifikimi i çfarëdolloj veprimi politik dhe social, sado minimal, me një diçka të shkruar, përgjithësisht nga Enver Hoxha në një nga veprat e veta – ose dominimi i praktikës sociale nga preceptet e shkruara.

Natyrisht, po të nisemi nga një kriter i tillë fondamental si qëndrimi ndaj pronës, regjimi enverian nuk mund të përkufizohet veçse si thellësisht i majtë, në atë masë që i dha dërrmën jo vetëm pronave private ekzistuese, por edhe vetë nocionit të pronës private si kategori elementare e së drejtës. Po kështu, disa momente kyçe të fundit të viteve 60 dhe të fillimit të viteve 70, si për shembull lufta e hapur kundër institucioneve fetare dhe shkatërrimi i praktikës fetare të organizuar në vend; revolucioni antiburokratik, promovimi histerik i praktikave të fletërrufeve dhe të autokritikës, qarkullimi i kuadrove dhe krijimi i grupeve të kontrollit punëtor dhe fshatar; lëvizja për emancipimin e gruas, prishjen e fejesave dhe lufta kundër konservatorizmit dhe patriarkalizmit në provincë; asgjësimi i gegërishtes letrare si variant gjuhësor me traditë shumë të pasur dhe të konsoliduar; revolucionarizimi i shkollës dhe afrimi i saj me veprimtari të tilla si mbrojtja dhe prodhimi; heqja e gradave në ushtri dhe krijimi i shkollës së lirë ushtarake; kooperativizimi i detyruar etj., kishin karakter të theksuar majtist, ashtu siç ishte e tillë edhe nisma me pasoja katastrofike e tufëzimit në vitet e mëpasme. Shumica e tipareve djathtiste në politikën e regjimit u shfaqën në një kohë që koincidoi me izolimin ndërkombëtar pothuajse total të Shqipërisë.

Këto luhatje në boshtin e politikës së regjimit totalitar pasqyrohen mirë edhe në veprën e shkrimtarit Ismail Kadare: që nisi si e majtë në vitet 60 (poemat futuriste te “Shekulli im”, romani “Dasma”) dhe erdhi duke u bërë gjithnjë e më e djathtë (që me vëllimin poetik “Koha”, por sidomos me ciklin e novelave fanta-historike në vitet 80). [2000]

1 Koment

  1. A eshte e mundur te identifikohen se pasoje e kujt synimi ka qene zhvillimi i seciles prej ketyre karakteristikave te renditura si dhe cfare pasojash sollen ato vete?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin