Bizantinët shqiptarë

Herë pas here dëgjojmë të përdoret termin “Bizantinë Shqiptarë”, i cili sipas rastit u referohet shqiptarëve të fesë ortodokse, grekomanëve ndër këta shqiptarë, shqiptarëve me prejardhje nga familje të fesë ortodokse, shqiptarëve me prejardhje arumune (vllehëve) e kështu me radhë.

Kam një problem me “insularitetin” e këtij elementi “bizantin”; sepse shumë nga ato grupe, me përjashtim të pak grekomanëve të Korçës, luajtën rol të madh gjatë Rilindjes Kombëtare dhe më pas.

Nuk e fsheh se elementin me prejardhje ortodokse në Shqipëri unë e shoh si konstitutiv të pandashëm të shqiptarësisë, dhe jo vetëm për arsye historike. Mjaft të shihen kontributet e këtyre në kulturën shqiptare të dy shekujve të fundit.

Ka dy faktorë në historinë e ortodoksëve shqiptare që duan mbajtur parasysh: (1) lidhjet e tyre me kulturën bizantine dhe (2) lidhjet e tyre me komunizmin. Të parat janë historike dhe madje etnologjike, nuk mund të mohohen; por ndërlikimi u vjen nga pretendimet e Greqisë për t’u paraqitur si tani trashëgimtare e Bizantit në Ballkan, çka e kthen Greqinë në një lloj protektori të elementit ortodoks në ato vende si Shqipëria, ku është në minoritet.

Një rol të ngjashëm ka pasë luajtur dikur Austro-Hungaria për elementin katolik, po në Shqipëri.

Sa për raportet e privilegjiuara të ortodoksëve shqiptarë me komunizmin, këto vështirë se mund të mohohen. Nëse ka kontakte të nënujshme midis filozofisë së krishtërimit ortodoks dhe komunizmit, për këto nuk kam kompetencë të flas. Por në përfshirjen e elementit ortodoks në fillimet e komunizmit në Shqipëri ka luajtur rol edhe (1) gjendja sociale e shumë shqiptarëve të grupimit ortodoks, e kushtëzuar nga raportet e pronësisë së tokës gjatë sundimit otoman dhe (2) shtrirja e komunizmit në vende sllave dhe parapëlqimi, prej padronëve sovjetikë, i elementit shqiptar me prejardhje ortodokse.

Unë kam mendimin që sovjetikët e favorizuan elementin me prejardhje ortodokse në Shqipëri, njëlloj sikurse kam mendimin që komunizmi u mbështet në shtresat e varfra dhe të mesme ortodokse në Jug të Shqipërisë më shumë se në shtresa të tjera. Këto dy gjëra nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Bashkimi Sovjetik i Stalinit ishte natyrisht shtet pothuajse ateist, por nuk duhet harruar se Stalini e organizoi Partinë Komuniste si të ishte një lloj urdhri fetar ortodoks, ndoshta në bazë të çka kishte parë e mësuar kur studionte në seminarin e priftërinjve ortodoksë. Paralelizmat midis fanatizmit stalinist dhe ortodoksisë nuk janë të miat, janë bërë prej shumë studiuesve të stalinizmit. Nga ana tjetër, pas hyrjes së fashizmit në Shqipëri, është e vërtetë se komunistë pati edhe gjetiu, madje te një studiues italian (Dalla Rocca) kam gjetur faktin tepër kurioz se deri edhe Urdhri Katolik Francescan në Shkodër kishte krijuar grup komunist të vetin! Mirëpo komunizmi ndër katolikë nuk hodhi rrënjë – as në Shkodër, as gjetiu në Evropë. Edhe në Poloni, në Hungari dhe në Çekosllovaki komunizmi “triumfoi” vetëm ngaqë ato vende i pushtoi Ushtria e Kuqe dhe instaloi në pushtet kuklla të rastit, në një kohë që komunistët shqiptarë e morën pushtetin “me forcat e veta”, sepse e kishin mbështetjen të fuqishme të paktën në Jug.

Që elementi me prejardhje ortodokse në Shqipëri vazhdon të ketë në dorë shumë gjëra, duke përfshirë edhe pushtetin politik, administratën, diplomacinë, shërbimet sekrete ose segmente fitimprurëse të ekonomisë, pikërisht në një kohë kur Greqia luan një rol të shpërpjesëtuar në përcaktimin e drejtimeve të politikës shqiptare, kjo nuk do të thotë ndonjë gjë të madhe në vetvete. Forcën e elementit me prejardhje ortodokse unë e lidh më shumë me vazhdimësinë e pushtetit që nga koha e diktaturës, sesa me imponimin e ndonjë vullneti grek.

Tek e fundit, nuk duhet harruar se elementi me prejardhje ortodokse historikisht ka treguar dhe vazhdon të tregojë kapacitet më të madh për punë, krijimtari, organizim dhe bashkërendim sesa komunitete të tjera të ngjashme.

Nëse këta “bizantinë shqiptarë” (cilëtdo qofshin) e ndiejnë veten të kërcënuar në Shqipëri, nuk është për t’u çuditur që do të kërkojnë mbështetje te Greqia, meqë qeveritë greke të të gjitha llojeve i shprehin hapur simpatitë e veta për elementin shqiptar-ortodoks – edhe kur e quajnë, edhe kur nuk e quajnë vorio-epirot.

Argumenti im ka natyrë sociologjike, dhe sociologjia procedon me statistika dhe grupe të mëdha njerëzish, jo me të dhëna individësh. Të dhënat individuale nuk vërtetojnë asgjë. Që Preng Bib Kolën e rrasën brenda për përdhunim dhe vrasje të një të mituri, kjo s’më thotë asgjë për karakteristikat e popullsisë katolike të veriut; njëlloj sikurse s’më thotë gjë fakti që kanadezit Pashk Bib Kola me prejardhje shqiptare (nga i njëjti fis) i dhanë çmimin Nobel në fizikë.

Përkundrazi, që Akademia e Shkencave në kohë të diktaturës ishte e mbushur dingas me profesorë me prejardhje ortodokse mund të më thotë diçka… kryesisht për preferencat e regjimit, por edhe për prirjet e komunitetit përkatës. Edhe prania dominuese e elementit ortodoks në krye të punëve sot në Shqipëri më thotë diçka, sikurse u thotë shumë të tjerëve.

Natyrisht që përkatësia fetare nuk lidhet drejtpërdrejt me përbërjen e Akademisë së Shkencave. Akademikët e Enver Hoxhës nuk shquheshin për fetari të madhe. Përkatësia fetare është vetëm themeli mbi të cilin ngrihet një etikë grupi e caktuar, e cila favorizon ndër të tjera studimin dhe dijen, dhe që, me kohë, i bën njerëzit profesorë dhe akademikë. Në rrafshin praktik, kjo do të përthyhet edhe si nepotizëm, po të kemi parasysh se komuniteti ortodoks e percepton veten si minoritet në Shqipëri.

Në veprën e njohur “Etika protestante dhe fryma e kapitalizmit”, të cilën shumë e mbajnë si veprën themeluese të shkencës së sociologjisë, Max Weber-i përpiqet të tregojë sesi nuk është rastësi që kapitalizmi triumfoi në komunitete të fesë protestante…

Ditët tona, autorë të mirënjohur si Fukuyama dhe Sowell, në disa vepra të tyre, kanë analizuar gjatë marrëdhëniet midis etikës tradicionale të grupeve dhe arritjeve të tyre sociale, ekonomike dhe politike.

Kush vallë nuk do të kërkonte t’i shpjegonte diferencat evidente në arritjet sociale dhe ekonomike midis Indisë dhe Pakistanit si të mbështetura në etikën e ndryshme të punës që u nënvendoset dy komuniteteve përkatëse?

E ka vrarë ndonjëherë mendjen njeri këtu të shpjegojë me metoda “joraciste” suksesin ekonomik të minoritetit gjerman në Brazil dhe në vende të tjera të Amerikës Latine? Ose të minoritetit italian në Argjentinë?

Vallë nuk ka dëgjuar ndonjëherë njeri për komunitetin kinez në Azinë Juglindore, për shembull në Malajzi, i cili është kaq më aktiv ekonomikisht dhe shoqërisht se vendasit (myslimanë), sa e ka detyruar qeverinë të ndërhyjë administrativisht për të mbrojtur jokinezët?

Për ta hapur edhe më shumë argumentin, i ka shpëtuar vallë kujt se në 500 vjetët e fundit Anglia dhe Franca kanë nxjerrë një numër të madh figurash të shquara të shkencës, ndërsa Spanja shumë pak – dhe Perandoria Otomane praktikisht asnjë?

Kur them se shqiptarët me prejardhje të fesë ortodokse priren të jenë më të zotët ose intelektualisht më produktivë se të tjerët (myslimanët dhe katolikët), këtë e kam përshtypje personale, nga njerëzit që kam njohur drejtpërdrejt, nga autorët që kam lexuar dhe nga aq sa di nga historia e shqiptarëve.

Krahasimi i aftësive midis grupeve etnike është terren me mina, por edhe frikë nga e vërteta nuk duhet pasur. Shqiptarët ortodoksë kanë pasur një pozicion të veçantë midis komuniteteve në Shqipëri; ashtu siç e kanë pasur ortodoksët në përgjithësi brenda Perandorisë Osmane; dhe jo të pangjashëm me pozicionin e çifutëve në Perëndim.

Vështirë të mohohet se në Shqipëri të Jugut dhe të Mesme, për shekuj me radhë, myslimanët dhe të krishterët ortodoksë jetonin krejt ndryshe, për shkak edhe të fesë, por sidomos për shkak të implikimeve të statusit fetar në statusin juridik të njërës palë dhe të tjetrës, raporteve me shtetin dhe pronësinë. Ndarja fetare sillte një ndarje edhe të roleve sociale, dhe pikërisht kjo ndarje bënte të mundur bashkëjetesën paqësore.

Për të fituar status, ortodoksëve si rregull u duhej të fillonin nga zeroja më shpesh se ç’u duhej myslimanëve, të cilëve statusi u mbrohej me mënyra të tjera; dhe kjo mund ta ketë favorizuar zotësinë si tipar të trashëguar brenda komunitetit (e njëjta gjë thuhet ndonjëherë edhe për hebrenjtë). Për ta thënë ndryshe: një mysliman budalla ka pasur historikisht më shumë shanse për të bërë dhe rritur fëmijë sesa një ortodoks budalla.

Natyrisht, vëzhgime të tilla ndeshen rëndom në sociologji dhe nuk ka asgjë raciste të thuash se njëri komunitet, për arsye historike, ka treguar dhe tregon zotësi sociale më të mëdha se një komunitet tjetër.

Po le të kthehemi në Shqipëri, për t’u ndalur edhe një herë në dallesat midis ortodoksëve dhe myslimanëve.

Duke e formuluar edhe njëherë mendimin tim, unë besoj se ortodoksët dhe myslimanët dallojnë mes tyre nga mënyra si i afrohen sfidave të të jetuarit në shoqëri (etika e punës, ambicja, besimi tek njëri-tjetri, dëshira për t’u shkolluar, filozofia e të jetuarit, në përgjithësi kapitali social). Kur flas për ortodoksë dhe myslimanë, nuk kam parasysh praktikantët e njërës fe ose tjetrës, por prejardhjen e komuniteteve përkatëse.

Historikisht, pozicioni i veçantë i komunitetit ortodoks brenda Perandorisë Otomane kushtëzonte, në një farë mase, specializimin e këtyre njerëzve në punë që kërkonin angazhim intelektual, mjeshtëri, mendje të hapur, besim në arsyen. Kjo vlen për krejt ortodoksët në Ballkan, por edhe për ata të Shqipërisë në veçanti.

Ka qendra banimi në Shqipëri ku ortodoksë dhe myslimanë tradicionalisht kanë jetuar veçmas, por krah për krah: Elbasani, Berati, Tirana – qytete në thelb myslimane – kanë komunitete të vjetra ortodokse. Ka edhe fshatra të mëdha ku njëra lagje, bie fjala, është ortodokse – ka një të tillë në Trebinjë të Mokrës, për shembull. Kush është kurioz për gjëra sociale dhe i ka mbajtur sytë hapur (duke parë rreth e rrotull, jo duke u zgurdulluar në parrullat e Dullës ose në gotën e rakisë), besoj se i ka vënë re menjëherë dallesat midis njerës palë dhe tjetrës: në filozofinë e të jetuarit, në qëndrimin ndaj gruas, në rolet e sekseve, në organizimin e jetës familiare, në përdorimin e dhunës në familje dhe jashtë saj, në mënyrën e rritjes së fëmijëve, në qëndrimin ndaj seksit dhe seksualitetit, në qëndrimin ndaj Tjetrit (ose komunitetit Tjetër), në shkallën dhe mënyrën e kursimit të parave, në aftësinë për të guxuar ekonomikisht, në llojin e pronave të preferuara, në mënyrën e investimit, në zanatet që u mësohen fëmijëve, në qëndrimin ndaj autoritetit, në mënyrën e trashëgimisë e kështu me radhë.

[2005]

16 Komente

  1. Kur flas për ortodoksë dhe myslimanë, nuk kam parasysh praktikantët e njërës fe ose tjetrës, por prejardhjen e komuniteteve përkatëse.

    Ndersa ne qe e perdorim termin Bizantin, kemi parasysh ato Homo Sapiens qytetare te Shqiperise qe e praktikojne ate fe deri ne aleance me bashke-mendimtaret e tyre Salafiste.

    Greqia/Bizanti ishte shkaku i gjithe renies te Perandorise Osmane (madje kjo mund te datohet me pushtimin e Konstantinopolit hyrja e perversitetit Grek ne psiko-etiken Turko-Myslimane. Sulltani u be hem Cezar hem Bazileus, plumage and ‘the cage’ included)

    keta Bizantinet qe flasim ne jane parazite te rrezikshem, mbartes te nje virusi vdekjeprures qe shume me lehte se ‘budallenjte katundare’ myslimane e katolike, infekton ata Shqiptare me trashegimi ‘raja’-je Ortodokse

  2. Ne 97′ kur u hapen depot ne nje qytet te jugut, ishte interesante te shihje qe myslymanet mbanin me vete nje kallash ndersa ortodoksit nje thes me miell.

  3. Kreshniku shkruan:

    Ndersa ne qe e perdorim termin Bizantin…

    …keta Bizantinet qe flasim ne …

    Kreshnik, ma heq dot kuriozitetin e më sqaron dot, nëse kjo nuk të dëmton personalisht, se cilët janë këta ne, ose në emër të cilit grup, bashkësi, sekt, korporatë, celulë, klub, shoqatë, komitet, komision apo organizatë je duke folur?

  4. Së pari, një parantezë mbi titullin “bizantin”.

    Përderisa cilësimi “bizantin” përdoret edhe me një nuancë negative (për intrigën, kryesisht), ka intelektualë shqiptarë që e përdorin vetëm negativisht, në një kohë kur ai është përdorim jo i parë. Që të përdoret termi vetëm për të denoncuar “antishqiptarët”, është pasojë e shqipes së diktaturës, edhe kur këta antibizantinë e shajnë tre herë në ditë komunizmin (Pardje lexova të thotë Saimir Lolja tek Alb Shkenca: “bizantinët e bashkuar”, duke futur në atë thes serbët, grekët e të tjerë “bizantinë”) Kuptimi i parë, pra, është ai i shkrimit të Xha Xhait, i përkatësisë kulturore, bizantine, për shqiptarët ortodoksë, ashtu si dhe për arbëreshët, të cilët madje e thonë vetë se janë bizantinë.

    Së dyti, shqiptarët ortodoksë e shohin veten si minoritet në Shqipëri, por nuk flasin për këtë publikisht. Kam dëgjuar të flasin disa herë vllehtë, dhe disa intelektualë ortodoksë (ndoshta të gjithë vlleh) tërthorazi. Ky shkrim i 2005-s nga Xha Xhai është lexuar dhe marrë parasysh nga Foti Cici, dyfish bizantin, në mos trefish (ortodoks, por dhe i diplomuar në “Muzikë Bizantine”, plus teologjisë së Athinës). Në një shkrim publikuar në http://www.shqiptarortodoks.com ai përpiqet të thotë, për herë të parë hapur, se shqiptarët ortodoksë, jo vllehtë, apo grekët, ndihen minoritarë në Shqipëri.

    Ajo që është e re në këtë shkrim është

    http://shqiptarortodoks.com/tekste/shkrime/problemi-mysliman.pdf

  5. (Vijon)

    Ajo që është e re në këtë shkrim, pra, është njëfarë paniku, do të thoja, mbi tre peshkopët e vetëm në kishën ortodokse shqiptare, të cilët vijnë nga familje myslimane dhe jo ortodokse (bizantine). Mbas kësaj them se këta myslimanë pushtetarë në ortodoksi mund të quhen bizantinë, por me nuancën negative, të intrigës greko-myslimane, për të përdorur gjuhën e Foti Cicit.

    Së fundi, nëse ka fund këtu, u përpoqa të shquaj ndonjë sëmundje “superioriteti ortodoks” në shkrimin e FC, për të lexuar më mirë Xha Xhain, por s’e gjeta. Ndërsa vëzhgimi personal i Xha Xhait mund të jetë i atillë, bizantini thotë: “hiqni autorët ortodoksë nga bibliotekat tuaja, dhe na thoni çfarë Shqipërie keni: dhia me një bri”. Kjo është apologjetikë, në fakt, si zemërim ndaj “pushtimit” të kishës ortodokse nga myslimanët, por nuk është jashtë problematikës së këtushme.

    E përgëzoj Xha Xhain për ndërdisiplinimin e diskursit të tij. Duke përfshirë religjionet në shkrimet e tij, nuk është vetëm bashkëkohor, por dhe ndriçues në botën tonë të varfër.

  6. Kreshnik, ma heq dot kuriozitetin e më sqaron dot, nëse kjo nuk të dëmton personalisht, se cilët janë këta ne, ose në emër të cilit grup, bashkësi, sekt, korporatë, celulë, klub, shoqatë, komitet, komision apo organizatë je duke folur?

    Ne pergjithesi kuptimi pezhorativ i fjales ‘bizantin’ perdoret nga Shqiptare kombetariste (sic i shquani ju), qe e shohin Albosferen jo sic eshte (sqetulla e botes) por sic ka qene (kerthiza). Ne pergjithesi jane njerez me orientim oksidental.

    une ne Oksident psh kam mesuar se ti thuash dikujt ‘bizantin’ eshte fyerje sepse kjo fjale permbledh disa konotacione:

    1) i pabese
    2) i paburre
    3) simoniak
    4) intemperant
    5) i duket vetja se coc eshte “me i bukri i shpendve”.

    etj etj

    Nga sa kam studiuar historine e Kalifatit Osman vura re se Kalifati nisi te bjere pikerisht kur Sulltani, me pushtimin e Konstantinopolit, u be Basile (i vune puplat dhe e futen ne kafaz).

    “Ne” pra mendojme se Bizantin=korrupsion multidimensional (shpirt, karakter, moral, trup, shoqeri, fe etj etj etj)

  7. Që të përdorësh emrin bizantin vetëm me kuptimet dytësore/fundësore të termit prej shqiptarëve, është njësoj sikur të besosh përdorimet e emrit arvanitis nga grekët. Besoj se nuk ka analogji më të goditur. Dihet se arvaniti përdoret për të dëshmuar njeriun që nuk mëson lehtë, që e ka më të vështirë të ndriçohet, të qytetërohet, të civilizohet, të lëmohet, të përshtatet, të pajtohet, të integrohet. Madje përdoret edhe për alternativë të barbarit. E të tjera. Por këto përdorimet greke nuk mund të zëvendësojnë përdorimin parësor të arvanitit në realitetin grek, jo të virtytit, por të pranisë, të ekzistencës së tij në Greqi. Njësoj si ne, bizantintët, domethënë shqiptarët ortodoksë, në Shqipëri, pavarësisht nga kuptime të tjera që mund të ketë emri ynë. Dhe besoj se e njëjta gjë është edhe për emrin shqiptar në botën e sotme perëndimore. Hë?

  8. Dihet se arvaniti përdoret për të dëshmuar njeriun që nuk mëson lehtë, që e ka më të vështirë të ndriçohet, të qytetërohet, të civilizohet, të lëmohet, të përshtatet, të pajtohet, të integrohet. Madje përdoret edhe për alternativë të barbarit.

    Pikerisht, dhe si i tille arvaniti mbetet shume here me i virtytshem se bizantini

  9. Siç e the vetë, shqiptarët nuk e mohojnë se cili është problemi kryesor që i ka çuar në fund të Evropës, domethënë shumë mbrapa edhe atyre bizantinëve: konceptimi i antivirtytit si virtyt dhe për pasojë rënia me të katërt në kurthet e fqinjëve. Sepse ato që thuhen për arvanitët nuk janë të vërteta, prandaj dhe nuk përdoren zyrtarisht, por shqiptarët i rrokin si të vërteta se edhe vetë përkëdhelja e tyre është e tjetërkonceptuar.

  10. Kreshnik, nuk të kuptoj mirë kur thua se “arvaniti mbetet shume here me i virtytshem se bizantini”…
    A nuk janë vallë arvanitët bizantinë e shkuar bizantinëve, për nga feja dhe kultura dhe madje historia?
    Edhe natyra thelbësisht bizantine e kolonive arbëreshe në Itali të Jugut, a nuk u detyrohet prurjeve të arvanitëve nga Moreja?
    Ku bazohesh vallë, kur kërkon që t’i japësh ngjyrë etnike Bizantit?

  11. Për arbëreshët, po lexoja lajmet e tyre këtë muaj (shtator 2007) dhe një nga titujt është përgjgje për vetë reagimet tona këtu: “Shtatori: fillimi i vitit bizantin”. Edhe grekët e ortodoksët e tjerë bizantinë e përdorin si “fillimi i vitit kishtar”, apo “i indiktit”. Është kalendari bizantin, kur viti nis më 1 shtator:

    I Settembre: the begging of the Byzantine year

    http://www.jemi.it/index.php?option=com_content&task=view&id=569&Itemid=2242

  12. Xhaxha ka ndryshim midis Bizantinit ‘etnik’ (grekut) dhe atij fetar (arbanit/arberesh). Te pakten deri me 1905 kur Norman Douglas botoi rrefimin e tij Old Calabria ‘bizantinet’ fetare ne Itali nuk i kishin shume qef ata ‘etnike’ pertej pellgut.

  13. Përsëri mbi ne bizantinët shqiptarë.

    Sot Shekulli ka botuar një shkrim të zj Aida Bode mbi piktorin Qirjako Kosova. Ja linku:

    http://shekulli.com.al/news/132/ARTICLE/15442/2007-09-07.html

    Para dy javësh zj. Bode kërkoi që një version më i zgjeruar i shkrimit të saj, tok me disa foto të veprave ikonografike të piktorit të ri, të botoheshin në sitin shqiptarortodoks.com, madje me titullin “ikonografi shqiptare”. Megjithëse zj. Bode na nderoi me kërkesën e saj, unë ngurrova, sepse nuk kishte ikona me shkronja shqipe. Sepse janë ikona të reja, të sotme, jo të vjetra. Besoj se arti i këtij piktori është art, por nuk mund të jetë shqiptar, sepse gjuha zyrtare e kishës në Shqipëri është shqipja. Ikonat e vjetra sigurisht që janë në gjuhë të huaja, duke qenë njëherësh pjesë e artit shqiptar, por kjo na është imponuar me metoda jo teologjike.

    Arti grek shumë bukur mund të reklamohet në kishat greke, ku shqiptarët gjithmonë kanë blatuar dhuratat e tyre në atë kulturë. Ashtu kam bërë edhe unë: kur kam qenë mësues i greqishtes apo i muzikës kishtare apo i kulturës greke, jam përpjekur të jam sa më grek, jo vetëm se jam paguar për punën që kam bërë, por edhe kur s’jam paguar kam qenë i ndërgjegjshëm për shërbesën time. Kjo do të thotë se kur dikush pretendon se bën art shqiptar, duket të na e provojë, të bëhet sa më shqiptar.

    Nuk do të zgjatem mbi këtë çështje sepse e kam trajtuar problemin qysh para katër vjetësh. Nuk ka ndryshuar asgjë mbi këtë temë, prandaj dhe nuk mund të tërhiqem as sot.

    Ja shkrimi:

    http://bizantin.wordpress.com/2007/09/06/per-nje-ikonografi-shqipfolese/

  14. Pergjithesisht jam dakort me shkrimin hapes, vecse rendesia katolike del pakez e zbehte.
    Ketyre perqasjeve fetare ne fakt u duhet ndenjur disi larg, po jo aq sa te mohoen plotesisht.
    Qe ortodokset shqiptare kane ruajtur bizantinizem, kjo eshte e kuptueshme, duke qene se per 1 mije vjet kane pasur Bizantin si qender administrative e shpirterore e po ashtu gjate epokes turke prape koka ne Kostandinopoje.

    Mireposic e tregon mesjeta, qe me principaten e Arberit ne 1190 ortodokset kuptuan me ne fund se ishin shqiptare e jo bizantine e perhapja e shpejte e percaktimin etno-kulturor arber deshmohet nga fakti qe ne fillim te 1300 ne greqi u dynden njerez (toske) qe e quanin veten arber.

    Kjo i dha hov edhe ndryshimit nga ortodokse ne katolike me lehtesi po gjate vete kohes se Principates.
    Nese do ishin bizantine te bindur sdo kishin ndryshuar kurre ne katolike.
    Ndryshimet vazhduan deri ne fund te shek 15 kur u stabilizuan si katolike.

    Mendoj se periudha nga 1190- 1479 , pra 300 vjet ndikuan fuqimisht ne subkoshencen ortodokse per te mohuar bizantinizmin e paster cka pastaj gjate rilindjes pavaresisht ndikimit te fuqishem grek, beri te mundur shkeputjen nga greket.

    Presioni turk la shenja te forta, e beri te mundur edhe perqafimin e ndikimit te kishes greke, cka beri te mundur zhdukjen e percaktimit arber, ndryshe nga arbereshet.
    Pra kriza e identitetit perfshiu pervec myslymaneve edhe ortodokset.
    Krizen katolike e deshmon nje leter qe mori Papa Albani (fillim i 1700) nga i derguari i tij ne Shqiperi, nje leter rrenqethese.

    Nese sdo kishte turq, greket do i kishim ne duart tona sot,nese shikojme zhvillimin e historise mesjetare.

    Tani ku dua te dal me veshtrimin e shpejte historik. Tek nje fakt i thjeshte, ne subkoshencen e ortodokseve flene 1500 vjet qe ne subkoshencen myslymane u copetuan dhe mbi te gjitha qe edhe keto copa refuzohen kategorikisht prej ndergjegjes se myslymaneve.

    Kjo subkoshence e ben ortodoksin me te prirur ndaj efektit civilizues qe vjen nga jashte e po ashtu ato 300 vjetet e mesjetes bene te mundur qe sapo u mohua ndikimi grek ortodokset kane dhene patriote e kunder italianit e gjermanit u ngriten masivisht ashtu si kunder andarteve ne 1913-1914.

    Edhe sot rrymen historike e udheheqin ortodokset, jo vetem ne rrethet akademike por edhe ne ato joakademike, ashtu si per fat te keq ca grekofile ne rrethet akademike jane ortodokse. Korrupsioni nuk pyet per kombesi.

    Persa i perket ndryshimeve mes ortodokseve dhe myslymaneve , me duken pak te ekzagjeruara, te pakten persa i perket bektashij e ortodoks. Vertet qe vihen re ndryshime po gati nje shekull shtet e shkeputje reciproke ndaj zakoneve islamike e ortodokse ka bere te mundur gati homogjenizim te jugut, sigurisht pa mohuar edhe ndonje zone ku kane ngelur relike.

    Qe enveri u mbeshtet mbi ortodokset veshtire te mohohet pasi pervec elementeve qe u permenden ketu, kemi edhe shkaterrimin e shumices se xhamive e teqeve por kthimin e kishave ne qendra kulturore ose mbyllje e tyre, pa u prishur, pervec rasteve te rralla e kjo ne nje periudhe ku ndikimi sovjetik ishte inekzistent.

    Ne fakt te prishesh manastirin e Ardenices apo te Apolonise, te dyja te shek 13 eshte vertet mekat. Une do i ktheja ne muze, nuk do i rihapja per besimtaret ashtu si me cdo kishe e xhami tjeter ne shqiperi. Ato jane relike te nje kohe qe sduhet te kthehet me.
    Shqiperia ka nevoje per Faltore te reja, ku te ruhet e zhvillohet kultura e morali shqiptar e jo ajo me ngjyra te huaja.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin