Tirana humbur dhe rigjetur

Parë për së largu, nga distancat e pamëshirshme të Botës së Re, Tirana i përket yllësisë së Evropës së qyteteve, në shoqëri të Romës, Parisit, Berlinit, Vjenës, Pragës, Amsterdamit, Athinës. Distanca në këtë rast s’është veçse një shtrirje në hapësirë e dëshirës. Për mua si banor vendas të vjetër, kryeqendra shqiptare është njëkohësisht emblemë dhe kujtim, fetish dhe flamur, qytet dhe kryeqytet. Në vetëdijen e vet kolektive edhe kombëtare edhe kozmopolitane Tirana përvijohet, përndryshe, si fytyra që i tregon Shqipëria botës, sikurse është edhe fytyra që merr bota përthyer në realitetin shqiptar.

Ky është edhe misioni historik i kryeqyteteve që duan të luajnë rol në kulturën e vendeve të tyre: të shërbejnë si portale drejt përmasave të reja e të epërme për kombin.

Tirana si mjedis i përditshëm ose rutinë e banorëve të vet pak ka të përbashkët me Tiranën që u mungon të ikurve. Të parëve ua formulon ekzistencën duke ua kufizuar; të dytëve duke ua pasuruar.

Imagjinimi i vendlindjes projektuar në hapësirat e reja të qyteteve të huaja është sport i rëndomtë, në mos i fshehtë, i mërgimtarit. Më kujtohet sa të lehtë e kisha ta gjeja qytetin tim në Romë, dhe jo vetëm në rrafshulëtat e mermerta të Foro Italico-s e në të tjera autoritarizma arkitektonike të kohës së Mussolini-t; por edhe në lagje të tjera, të pafamshme. Më mjaftonte një dritë e përthyer pas një dritareje, ose era e duhanit të përzier me kafe nga dera e hapur e një bari në rrethinat, ose edhe kundërmimi i gjelbër i perimeve të freskëta në tezgat e tregut fshatar, në Tiburtina.

Përkundrazi, në New York imagjinatës i duhet t’ia gjejë një logjikë krahasimit duke e shpërfillur vertikalitetin, larminë etnike marramendëse, kutërbimin e keq të tezgave me gjevrekë e dhjamë pule të djegur, fasadat e qiejgërvishtësve arratisur nga “Metropolis” i Fritz Lang. Edhe këtu Tirana e ka më të lehtë të materializohet, sado pak, ditët me diell, në mëhallat e buta artistike të Village ose të West Side, ose tek e fundit edhe në një park modest e gjysmë të braktisur të Bronx-it, si ai që mban në gji shtëpizën e magjepsur të Edgar Poe-s.

Është e vështirë t’i gjendet caku mallit të mërgimtarit për Tiranën pas viteve nëntëdhjetë, pse kjo e ka gjetur vetveten duke u shndërruar, madje edhe atëherë kur s’ka kërkuar veçse identitetin. Këtu s’e kam fjalën për vizionet pothuajse instinktive të rrugicës, mëhallës, shkollës, strehimit, furrit të bukës, fushës së sportit, rrugës së Kavajës e kështu me radhë; vizione që i përkasin një universi intim, të dashur por të pavolitshëm për t’ua rrëfyer e kumtuar të tjerëve. Kam parasysh, përkundrazi, atë Tiranë që e ndaj mendërisht me brezin tim e që ma ushqen mallin pandjeshëm.

Drama e kohës që ikën ka të bëjë edhe me pamundësinë për t’i ndalur një çast përjetimet, ose për t’i riprodhuar sërish, si të ishin kuadro të një filmi ose sekuenca të shkrimuara të një videoloje. Si ta rikthesh në jetë aromën e athët të tymit të druve të zjarrit muzgjeve të herëta të dimrit? Trokitjen migjeniane të sopatës së drumepresë, rrethuar nga heshtja e pasdites së vonë?

Kur ulem të bëj plane për udhëtimin e ardhshëm në Evropë, gjithnjë më duket sikur po i shmangem Tiranës edhe këtë herë. E kam më të lehtë të kthehem në Romë, ku kam jetuar vetëm një vit; por që më ka zënë vend në kujtesë me gjithë peshën e monumenteve të veta. Më ngushëllon mendimi se Romën “time” do ta gjej njëlloj siç e kam lënë, me Piazza di Spagna, Ponte Milvio, Castel Sant’Angelo, Piazza San Pietro, Fontana di Trevi, Piazza Navona, Campidoglio, Ara Coeli, Piazza del Popolo, Fori Imperiali, Colosseo, Villa Borghese… (deri edhe librarinë “Feltrinelli” afër Piazza Repubblica nuk do ta kenë luajtur). Në mënyrë të tillë që të mund ta gënjej veten qoftë edhe për një çast të vetëm, dhe të bartem mendërisht në një kohë tjetër, njëkohësisht të shkujdesur e të ankthshme.

Një shëtitje rishtas në qytetin e përjetshëm ku marrin jetë format platonike të mijëvjeçarëve do të më mjaftonte – ndoshta – për t’ia rilexuar vetes së djeshmen, siç i përnjeh i verbri fytyrat me mollëzat e gishtërinjve.

Tirana e sotme, përkundrazi, i falet filozofikisht Heraklitit: pse është më e lehtë të përjetohet në kohë sesa në hapësirë. Tryezat e lajmeve fundosen nën peshën e shndërrimeve, sistemimeve, pastrimeve, ripërtëritjeve, riaftësimeve. Qyteti i vjetër totalitar i bulevardeve të paradave, i shesheve të metingjeve e të varrimeve dhe i mëhallave proletare me tri turne kërkon t’i përshtatet modernitetit, Berlusconi-t, motorit me djegie të brendshme, krizës malthusiane, Adam Smith-it. Vetë kontrastet midis luksit dhe mjerimit, ambicjes dhe apatisë, publikes dhe privates, PS-së dhe PD-së kthehen marksisht në burim energjie për shndërrime të tjera. Çdokush prej dëshmitarëve të shumtë i përthyen këto zhvillime në përvojën vetjake, në kuptimin që kronikat e Tiranës së këtyre viteve të fundit, ose procesverbalet e dinamizmit qytetar të pashembullt marrin shpesh trajta rrëfimi vetjak, herë të sinqerta herë romantike, herë përçmuese herë narcisike.

Si çdo qytet tjetër i madh e skenë e historisë kombëtare, Tirana është edhe makinë edhe organizëm. Makina do mirëmbajtur, riparuar, vajisur e pastruar; por organizmi kërkon vëmendje dhe ndjeshmëri. Hapja e rrugëve të reja, planëzimi i ndërtimeve, zonimi dhe orkestrimi i trafikut kanë gjithnjë të bëjnë me mekanikën; dekori i rrugës, pikturimi i ballinave dhe mikpritja e hapësirës publike ndaj happenings dhe të tjerëve gjeneratorë të gjallërisë dhe të festimit spontan kanë të bëjnë me qytetin si art. Jo më kot është praktikisht e pamundur të lexosh një reportazh ose ese gazetari të huaj për Tiranën, ku të mos përmendet psikadelia e ngjyrave të ballinave – shkelje syri post-modernizmit nga një qytet që modernizmin e njohu më shumë në trajta autoritariste.

Ndërkohë qytetit të vjetër, atij që e mbartim me vete si kornizë të kujtimeve, i mbivendoset qyteti i atyre që erdhën pas nesh, për të trashëguar Tiranën e shekullit XXI; dhe pikërisht atë Tiranë që, me siguri, kërkon ta identifikojë veten duke iu larguar imazhit të hidhur të kryeqytetit totalitar gjatë komunizmit. Pika orientuese të fëminisë sime, si Rruga e Postës, Stacioni i Kamzës, Komiteti, Stalini (ai i vjetri në qendër), Ekspozita Kineze, Reklamat, Tymi, Dyqani i Luleve, Libri Sovjetik, Fusha e Zezë, Muzeu i Luftës (në rrugën e Barrikadave), Selvia, Parfumeria, Gastronomi janë përtretur tashmë; të tjera presin radhën për t’u thërmuar nga nofullat e shndërrimeve të reja.

Mbaj mend një përshkrim të Hugo-it të një statuje groteske elefanti në Parisin e “Të Mjerëve”. Kur e lëçisja, njëfarësoj luaja me idenë se ajo përmendore e brishtë dhe e pameritueshme tanimë nuk ekzistonte më, përveçse në mendjen e lexuesve të romanit. Në krahasim me Parisin teatër të revolucioneve, Tirana më dukej po aq pa të shkuar sa edhe vetja, por edhe po aq e qëndrueshme.

Fillimet e viteve nëntëdhjetë, megjithë përmbysjet në shtet dhe në hierarkitë, zor se mund të quhen revolucionare për Tiranën – veç në mos u marrtë ndonjë ditë vendimi për të muzeifikuar autobusat shkatërraqë e të zbrazët që, për turp të qeverisë së atëhershme, u përdorën si barriera për kontroll turmash pas dyndjes së ambasadave në korrik të 1990-ës. Revolucioni i vërtetë do të vinte më pas: me ethet e ndërtimeve private, kioskëzimin idhnak të hapësirës publike gjatë viteve kaotike të “deregulation” të Sali Berishës, kolonizimin e rrethinave nga dhjetëra-mijëra mërgimtarët e brendshëm dhe muhaxhirët e skamjes së komunizmit, spekulimin me trojet, dyqanëzimin e arterjeve kryesore të qytetit dhe sidomos zaptimin e qytetit nga automjetet.

Për shumë nga ne të ikurit, ky revolucion u shtjellua i tëri në heshtjen e imponuar prej distancës, por edhe i fshehur në mjegullën e largimit. Vështirë, në mos e pamundur, që perceptimi i së resë, gjatë një vizite të shpejtë, të mos shoqërohej me një reaksion instinktiv të mospranimit, ngritjes së supeve, skepticizmit.

Kjo sepse kujtimet tona për Tiranën, me kalimin e viteve, vijnë duke u pastruar, qëruar e filtruar nga momentet e pakëndshme, ose terri ekzistencial i të jetuarit nën çizmen totalitare, për t’u reduktuar në jastëqe të ylberta të nostalgjisë. Rrugët ku luanim “me porta të vogla” pasditeve, autobusi i Unazës, rrallësia e hallkut rrugëve, qielli i dyndur yjesh, paqja e një shëtitjeje në bulevard në dy të natës, turma gëzueshëm e jetërsuar e njerëzve që dilnin nga kinemaja, rrokullisja e lehtë e ujit të shiut në ulluk. Mërguar prej qytetit real, ia kemi lejuar vetes ta ndërtojmë ashtu siç e mbajmë mend brenda mureve të mallit.

Por Tirana e atjeshme kacavaret pas titujve të lajmeve edhe e sidomos me kronikën e zezë: viktima grirë me kallashnikov, foshnje të tepërta mbytur në djep, virgjëresha katundare përdhunuar e shitur përtej detit, vetmitarë vetëvarur, profesorë kalbur në dru, malësorë marrë gjak, shahistë arrestuar, veteranë grabitur ditën për diell… Të mendosh që dikur mungesën proverbiale të krimit e thërrisnim heshtur në ndihmë kur donim ta krahasonim Tiranën me qytetet e mrekullueshme të Perëndimit, ku e keqja ndonjëherë domosdoshëm do të kompensonte për të mirën, humnera për lartësinë, errësira për dritën. Duke refuzuar që sigurinë publike t’ia njihnim për meritë totalitarizmit dhe policorizimit të hapësirës private, njëfarësoj e kishim lidhur me thelbin e Tiranës vetë, njëlloj sikurse parqet e qeta, kujdesin dhe vëmendjen për të moshuarit, gjelbërimin e bahçeve, qiellin e bollshëm, ritmin e natyrshëm të ditënatës patrazuar nga frenezia e tregut si model jetese.

Romantizëm? Ndoshta, por tanimë edhe premisë për t’iu riafruar Tiranës atje ku kryeqyteti shqiptar po kërkon shtrirje: urbanizimin jo thjesht si modernizim, por edhe e para së gjithash qytetërim. Vetëm në atë përmasë – të nyjtuar në kultivimin e hapësirës publike dhe të Tiranës si qytet të qytetarëve të saj – do të mund ta rigjejë vetveten edhe kush detyrohet ta kundrojë këtë spektakël të mrekullueshëm për së largu, pa u ndier i përjashtuar.

[2004]

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin