SHPORTË KARAVIDHESH

Metaforën e shportës me karavidhe e bëri popullore në Shqipëri Enver Hoxha, në cilësimin e tij të njohur për Ballin Kombëtar.

Më pas Enver Hoxha vetë dhe kalemxhinjtë përkatës e kanë përdorur rëndom për të karakterizuar kaosin, ose mungesën e koordinimit në sistemet pluraliste, ku secila palë ndjek interesin e vet pa përfillur interesin, ose rrezikun e përbashkët.

Pavarësisht se u komprometua në gojë të Enver Hoxhës (i cili i hëngri pastaj vetë të gjitha karavidhet që mundi), shprehja i ruan vlerat edhe sot.

Madje ka edhe një përdorim tjetër të metaforës që më duket me interes, e që i referohet asaj çka ndodh kur karavidhet përpiqen të kacavirren në anët e shportës, për të dalë që andej e për t’i shpëtuar tenxheres.

Thuhet se, sapo një karavidhe arrin të ngjitet sado pak në anë të shportës, karavidhet e tjera, që kërkojnë edhe ato të dalin, i kapen e varen pas shpine dhe si përfundim e rrëzojnë. Një karavidhe e kacavjerrë pas një sipërfaqeje vertikale mund të mbajë peshën e vet, por jo edhe të karavidhes tjetër që kërkon t’i kalojë përsipër.

Me fjalë të tjera, sikur në shportë të kishte pasur vetëm një karavidhe, kjo do të kish dalë që andej pa problem; përkundrazi, është veprimi kolektiv, por i shkoordinuar, i shumë karavidheve njëkohësisht, që e bën të pamundur daljen.

Nuk është se karavidhet e kanë zili atë që po del nga shporta, dhe i sulen për ta fundosur. Arratisjet dështojnë sepse karavidhja që ia arrin të bëjë përpara drejt lirisë, shndërrohet në mur për t’u kacavjerrë nga të tjerat.

Kjo metaforë më kujtohet kur përpiqem t’i jap dum farsës së zgjedhjes së presidentit të republikës, që prej ditësh i ka pushtuar mediat e Tiranës, kafaz kaluar kafazit. Pluralizmi partiak atje ka degraduar në një sistem për bllokimin e progresit politik nëpërmjet vetove të kryqëzuara.

Kush ka guxuar ta ndjekë debatin, do ta ketë vënë re mungesën e frikshme të përmbajtjes; ose edhe thjesht të argumentimeve në favor të këtij apo atij emri të propozuar. Komedianët që kanë në dorë pushtetin në Tiranë duan të na bindin se politika është çështje imponimi vullnetesh arbitrare, nëpërmjet shantazhit, makinacioneve, ose kërcënimit të hapur.

Farsës politike, si edhe herë të tjera, i mungon e vetmja gjë që politikanët duhet e mund të bëjnë: të kërkojnë marrëveshjen ose kompromisin nëpërmjet debatit dhe shkëmbimit të pikëpamjeve të kundërta.

Gjithashtu si edhe herë të tjera, bindem se Shqipërisë, për fat të keq, po i mungon klasa politike e denjë për ta udhëhequr. Protagonistët e teatrit komik të politikës shqiptare janë thjesht të marrët që u ka mbetur në dorë çmendina; të përfshirë në rituale pluraliste e demokratike, por të pavetëdijshëm për kuptimin e domethënien e tyre.

Njëlloj si ata banorët primitivë të Guinesë së Re, të cilëve u pëlqyen shumë ndihmat e amerikanëve gjatë Luftës II, dhe pastaj nisën të sajonin avionë prej kashte në madhësi natyrale e t’i ekspozonin në mënyrë të tillë që të dukeshin nga ajri, me shpresë për t’i tërhequr amerikanët përsëri, pas mbarimit të Luftës.

Çka bëhet dhe thuhet gjatë kësaj fushate nuk mund të interpretohet dot sipas kodeve normale të komunikimit politik; të cilat kanë vlerë vetëm me kusht që të ekzistojë një klasë politike e mirëfilltë.

Përkundrazi, gjestet e këtyre, deklarimet pompoze, takimet e kundërtakimet, blofet e kundërblofet vetëm sa më provojnë se këta janë kalamaj – të liq e kryeneçë, zemërligj e kapriciozë, histerikë e kafshues – që duan t’i bëjmë sehir në lojërat e tyre absurde.

Shportë me karavidhe vërtet, edhe pse këto karavidhe nuk i vë kush në gojë, madje as derri.

Xha Xhai

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin