Njëgjakësia

Sipas një studimi të kryer nga BBC në komunitetin pakistanez me banim në Mbretërinë e Bashkuar, të paktën 55% e çifteve të martuara të atij komuniteti ishin martesa kushërinjsh të parë. Nga pikëpamja shëndetësore, kjo don të thotë se një fëmijë prindësh pakistanezë ka një probabilitet 13 herë më të lartë se një fëmijë tjetër në UK për të trashëguar sëmundje gjenetike recesive. Në të vërtetë, fëmijët nga familje me origjinë pakistaneze në UK përfaqësojnë vetëm 3.4% të të gjitha lindjeve, por 30% të të gjithë fëmijëve britanikë me çrregullime recesive.

Ka të dhëna se ky numër i pazakonshëm martesash njëgjakësie lidhet me një dritare të ligjit për bashkimin familjar, i cili u lejon imigrantëve të sjellin në vendet pritëse bashkëshortët e tyre. Megjithatë, martesat mes kushërinjsh të parë dhe të dytë janë rregull në disa kultura aziatike myslimane. Në Irak pothuajse gjysma e të gjitha martesave janë të tilla, dhe një numër analistësh amerikanë e shohin këtë si një pengesë çuditërisht të fortë në përpjekjet për demokratizim.

Vetë Sadam Hussein-i ishte martuar me një kushërirë të parë.

Ka të dhëna se denduria e divorcit mes martesash njëgjakëse në Irak është vetëm 2%, në krahasim me 30% mes çiftesh të tjera po në atë vend, çka dëshmon për qëndrueshmërinë e atij modeli falë trysnisë së madhe të klanit familjar. Sipas analistit John Thierney të gazetës The New York Times, një numër i madh irakenësh të intervistuar e paraqitin nepotizmin jo si plagë, por si detyrim moral.

A duhet menduar njëgjakësia si dukuri shoqërish myslimane? Analistë të ndryshëm vënë në dukje se në Turqi, bie fjala, përqindjet nuk janë aspak të nivelit të Irakut ose të Pakistanit. Të tjerë përmendin popullsitë myslimane në Ballkan, për shembull shqiptarët dhe boshnjakët, duke specifikuar se këta në lidhjet martesore i druhen njëgjakësisë, meqë i kanë ruajtur disa norma të shoqërive të krishtera.

Një numër sociobiologësh vënë në dukje se njëgjakësia është rrugë e sprovuar për të përftuar grupe me karakteristika biologjike të spikatura (ose “raca”) – duke sjellë shembullin e praktikave të krijimit të raca dhe varieteteve të reja ndër qen dhe kafshë të tjera të zbutura, nëpërmjet ndërzimit të detyruar njëgjakës.

Bashkësia e perceptuar e geneve do të shërbente kështu si një katalizator i solidaritetit.

Unë nuk di të ketë gjëkundi statistika për njëgjakësinë mes çifteve të martuara në Shqipëri. Ka zona që praktikojnë endogaminë, sikurse ka zona që praktikojnë ekzogaminë; dhe arsyet për këtë janë të ndryshme. Legjenda e Konstantinit dhe Doruntinës mbetet shembëllzim dramatik i praktikave ekzogamike.

Dihet edhe se kisha, sidomos katolike, e ka kundërshtuar me forcë njëgjakësinë, duke inkurajuar ekzogaminë ose martesën jashtë grupit – dhe se në mjedise të izoluara endogamia, ose martesa brenda komunitetit, është shpesh një formë e moderuar e njëgjakësisë.

Në rrugë anekdotike, kam dëgjuar edhe për shumë martesa njëgjakësie mes myslimanëve qytetarë në Gjirokastër. Nëse këto bëheshin thjesht për arsye të pronës, apo nëse kishte gisht edhe një traditë qytetare myslimane pak a shumë e importuar, këtë nuk di ta them.

Po a ka njëgjakësi në zona të tjera në Shqipëri? A mund të shpjegojë njëgjakësia nepotizmin dhe në përgjithësi vështirësinë e shoqërisë shqiptare për t’u modernizuar? Po krimin e organizuar ose Mafian? A ka të dhëna se zonat endogamike kanë prodhuar historikisht më shumë nepotizëm se zonat ekzogamike?

Sipas analistit Randall Parker në një shkrim për hallet amerikane në Irak, “familjet e zgjeruara, por me lidhje të forta mes tyre, janë në të vërtetë armiku i shoqërisë civile, sepse aleancat familjare marrin gjithnjë përparësi ndaj çdo nevoje për paanshmëri ndaj të tjerëve në shoqërinë në plan të gjerë […] Si mund të transformohet Iraku në një demokraci liberale moderne, në qoftë se çdo funksionar qeveritar e sheh ofiqin e vet si një mënyrë për të ndihmuar klanin e vet, në kurriz të klaneve të tjera?”

Mua më duket se këto fjalë shpjegojnë për bukuri disa aspekte të situatës në Shqipëri, edhe pse në Shqipëri njëgjakësinë zakonisht nuk e përmend kush si faktor pengues ose vonues të progresit demokratizues.

o o o

Dallimi midis endogamisë dhe ekzogamisë shkon shumë më thellë se ç’mund të duket në vështrim të parë. Endogamia ndeshet rëndom në shoqëri baritore, prandaj nuk është për t’u çuditur që të parët e shqiptarëve ta praktikonin para se t’u mbërrinte Krishtërimi.

Nga ana tjetër, është e vërtetë që Kisha Katolike e kundërshtoi me forcë njëgjakësinë dhe tërthorazi edhe endogaminë, duke inkurajuar përkundrazi, martesa midis familjesh që u përkisnin komuniteteve të ndryshme.

Pavarësisht nga arsyet që mund ta kenë shtyrë Kishën Katolike të veprojë kështu, kjo ndërmarrje do konsideruar si një nga ato që ia ndërruan faqen qytetërimit perëndimor, madje edhe para të ashtuquajturit “revolucion të Romeos dhe Zhuljetës”, për të cilin flet Huntington.

Tradicionalisht, shqiptarët e kanë bukur të ritualizuar ekzogaminë – dhe këtë e shoh jo vetëm në legjendat folklorike të Doruntinës, por edhe në karvanet e krushqve në qafat e maleve – herë të ngrirë e herë të shkrirë.

Mirëpo vetë kundërvënia e katolikëve ndaj njëgjakësisë provon ekzistencën e një prirjeje të vetvetishme për njëgjakësi në komunitetet. Zakonisht, autoriteti imponohet atje ku ekziston një tundim i padëshiruar ose i menduar si i dëmshëm.

Kujtoj këtu dy vargje të një kënge popullore erotike të Jugut:

Kushërirë, kushërirë,
Afrohu se më vjen mirë.

Por kjo mund të ketë lidhje edhe me faktin që, ndër familjet e zgjeruara rurale shqiptare, inicimi seksual i fëmijëve dhe i adoleshentëve bëhej zakonisht mes kushërinjsh – dhe këtu s’ka gjë për t’u habitur.

Nuk di nëse në qytete të tjera shqiptare me prevalencë myslimane – për shembull në Prizren ose në Janinë – ka pasur martesa njëgjakëse aq dendur sa në Gjirokastër.

Mbetet për t’u hulumtuar edhe burimi kulturor i njëgjakësisë në këtë zonë – mbeturinë parakristiane ndër barinjtë lebër, apo zakon i mbjellë ndër shtresat e larta të administratës provinciale otomane nga persianët dhe të tjerë orientalë të rafinuar?

U fol para pak kohësh për nepotizmin tepelenas në administratën shtetërore – pas gjase të nxitur nga G. Ruci dhe të tijtë. Ky duket në vështrim të parë si nepotizëm i mbështetur në konceptin e krahinës, jo të njëgjakësisë ose të afërisë gjenetike e racore e të klanit si superfamilje. Megjithatë, nëse zona e Tepelenës dallohet për endogami, atëherë mund të flitet për një model nepotizmi të afërt me atë të vendeve në Lindjen e Mesme.

Sa për vendet kapitaliste të zhvilluara, shoh se në SHBA midis viteve 1941 dhe 1981 jo më shumë se 0.2% e të gjitha martesave ishin mes kushërinjsh të parë dhe të dytë.

Ka një paragjykim, në kulturën amerikane, se martesat mes kushërinjsh janë tipike ndër “malokët”, ose hillbillies, siç i quajnë këtu. Sipas këtij paragjykimi, mes hillbillies ekziston një lidhje midis njëgjakësisë dhe gjakmarrjes – punë gjaku, në të dy rastet. Në të vërtetë, një studim i 107 martesave në Beech Creek, Kentucky, në 1942, tregoi se 19% e tyre ishin njëgjakëse, me mbizotërim të martesave mes kushërinjsh të dytë.

Cila është arsyeja që këta hillbillies martohen mes tyre kaq më shpesh se amerikanët e tjerë? Duket se arsyeja kryesore është izolimi, ose jeta në komunitete të mbyllura, pa shumë kontakte me botën e jashtme.

Nga pikëpamja biologjike, ekzogamia ka patjetër avantazhe ndaj endogamisë; por nuk jam i sigurt nëse këto avantazhe kanë qenë të ndjeshme në kushtet kur vdekshmëria e foshnjeve gjithsesi ka qenë jashtëzakonisht e lartë… Nuk duhen harruar as arsyet shumë të forta ekonomike dhe kulturore në favor të endogamisë, ose të martesës brenda fisit.

Nga ana tjetër, nëse një komunitet praktikon rigorozisht ekzogaminë, por duke i martuar bie fjala vajzat në të njëjtën krahinë sado të largët, rreziku i shumëfishimit të defekteve gjenetike përsëri rritet. Në kuptimin që, po të jetë se vajzat e fisit A martohen rregullisht me djem të fisit B, atëherë pas disa brezash do të shtohet probabiliteti që vajzat e fshatit A të martohen me kushërinjtë e tyre në fshatin B.

Prandaj, nuk më duket se ekzogamia, në vetvete, është përgjigje adekuate ndaj problemeve gjenetike të endogamisë. Është e vërtetë, gjithashtu që si kanuni, ashtu edhe Cikli i Kreshnikëve tregojnë se ekzogamia ka qenë rrënjosur fort në Malësi të Veriut – po aq e vërtetë sa edhe gjurmët ndonjëherë skandaloze të endogamisë në Bibël.

Do të isha kurioz të mësoja si ka qenë puna ndër Lebër të Jugut.

[2005]

 

2 Komente

  1. ””Tradicionalisht, shqiptarët e kanë bukur të ritualizuar ekzogaminë – dhe këtë e shoh jo vetëm në legjendat folklorike të Doruntinës, por edhe në karvanet e krushqve në qafat e maleve – herë të ngrirë e herë të shkrirë.””

    ”” Është e vërtetë, gjithashtu që si kanuni, ashtu edhe Cikli i Kreshnikëve tregojnë se ekzogamia ka qenë rrënjosur fort në Malësi të Veriut – po aq e vërtetë sa edhe gjurmët ndonjëherë skandaloze të endogamisë në Bibël.””

    Keto e sqarojne pse kjo:

    ””shqiptarët dhe boshnjakët, duke specifikuar se këta në lidhjet martesore i druhen njëgjakësisë, meqë i kanë ruajtur disa norma të shoqërive të krishtera.””

    eshte e gabuar.

    Endogamine e futi padyshim islami nder shqiptare, pasi shqiptaret pagane kane praktikuar rigorozisht martesen jashte fisit por brenda races shqiptare.

    Lebrit kane praktikuar kanunin e Laberise deri ne 1944(praktikimi i fundit me i degjuar eshte vrasje masive brenda pak kohesh mes dy fisesh, 7 te vdekur nga nje ane e 8 nga ana tjeter )e duke qene se gjithe kanunet shqiptare kane origjine te njejte nga nje kanun shume antik, ligje te te cilit i gjejme edhe tek Eposi i kreshnikeve atehere mund t’ja gjejme origjinen e arsyeshme te pakten nga ligjet shteterore te mbreterive ilire, gjate periudhes 401 – 168 p.l.k. Kete e them edhe per shkak te paralelizmave te shumta qe ka kanuni me Kodin e Manuse e ky eshte jashte mase antik,qe prej dyndjes se Areve ne Indi.

    Endogamia eshte nje arsye me shume e mjaft bindese per te katapultuar islamin nga ka ardhur.
    Degjenerimi i races nga endogamia eshte i qarte e shembulli me interesant i perket ishujve te Paqesorit ku lundertaret europiane gjenin lehtesisht femra te gatshme per nderzim.
    Degjenerimi i races con lehtesisht ne prodhim elementesh te dobet te cilet behen barre per elementet e forte e keshtu raca zhduket.
    Masive ka qene endogamia nder spartanet e lashte, per shkak te sistemit te tyre unik martesor , ku burri dilte nga kapanoni i vet per te gjetur nusen ne kapanonin e femrave.
    Kishte vertet nje nivel te larte endogamia ne nje shoqeri me 30 mije individe,ku perfshihen nga 1 – 80 vjec te te dyja gjinive.

    Per kete arsye Spartanet praktikuan gjeresisht vrasjen e foshnjave me difekte e nuk eshte aspak e vertete qe e benin per arsye te thjeshta permiresimi racor, pasi shekuj me ate selektim racor do i kishte kthyer Spartanet ne gjigande te botes mesdhetare,cka nuk verifikohet nga historia,por nga niveli i larte i endogamise ne nje shoqeri me 30 mije individe,ku perfshihen nga 1 – 80 vjec te te dyja gjinive.

  2. Ne malesine e Kelmendit ishte zakon qe martesat te te mos ishin ne bashkëgjkesi, madie praktikohej vetem pas 12 breznish. Eshte shume e çuditshme se po kaq brezni ka dhe metoda e seleksionimit te linjave te pastra “pedigree method”.
    Prifti katolik i lejonte martesat me largesi pertej ne 6 breznish, ndersa komunizmi deri ne tre brezni.
    -Ne katundet e barinjeve pergjithesisht jane praktikuar martesat jashte fisit per arsye te ruajtjes se ekujlibrave, aleancave, shendetit etj.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin