Gripi i panikut

 

Groposja në Kakavijë e 3400 pulave greke të gatshme për tavë dhe oriz, e përcjellë prej syrit voyeurist të mediave, provoi se asnjë vjegë logjike nuk ka mbetur më midis shqetësimit për një epidemi gripi globale dhe panikut masiv. I pari mbështetet në konsiderata pak a shumë shkencore dhe kërkon bashkërendimin e përpjekjeve për t’ia frenuar në mos ndalur përhapjen gripit të shpendëve; i dyti nxitet prej lajmeve herë të pakontrolluara e herë të pakuptueshme, dhe i kushton shtrenjtë shoqërisë, individëve dhe institucioneve. Paradoksalisht, shfaqjet e skajshme të këtij paniku – jo vetëm në Shqipëri por kudo gjetiu – rrezikojnë të diskreditojnë vetë përpjekjet e institucioneve, sa herë që lajmi, bie fjala, për një papagall që jep shpirt në Angli, përcillet me shpejtësi drite nëpër eter, amplifikuar satelitësh, rrjetesh numerike, ekranesh televizive dhe titujsh të freskët gazetash.

 

A duhet informuar publiku i gjerë për rrezikun e një pandemie që mund të shoqërohet me viktima të shumta në njerëz? Pikëpamjet për këtë janë të ndryshme, sadoqë informimi vetë tanimë nuk mund të kontrollohet, as të karantinohet dot më. Vetë gripi i shpendëve dihet se shkaktohet nga një virus, famëkeqi H5N1, i cili në një numër rastesh e ka kapërcyer barrierën e specieve, duke kërcyer nga shpendët në njerëz, por gjithnjë në rrethana të kontaktit të ngushtë e të zgjatur me shpendët. Çka i lë pa gjumë ekspertët është mundësia që virusi, duke u shumëfishuar me miliarda herë në shpendë dhe njerëz të sëmurë anembanë botës, të marrë papritur një formë të tillë që t’ia lejojë të përcillet nga njeriu në njeri, njëlloj sikurse gripi i zakonshëm dhe rrufa. Përpjekjet për të kufizuar përhapjen e H5N1 në shpendë synojë, sidomos, kufizimin e atyre rrethanave që do t’ia rritnin gjasat atij mutacioni të virusit të cilit të gjithë i druhen.

 

Me gjithë zhurmën që bëhet për barna për t’u përdorur në rast të një epidemie të H5N1, ose për vaksinimin në masë të popullsisë planetare, ende nuk dihet nëse barnat që kanë efekt ndaj gripit të zakonshëm do të veprojnë edhe ndaj këtij virusi të ri; në një kohë që vaksina e zakonshme kundër gripit nuk besohet se do të mund të veprojë. Institucionet shëndetësore ndërkombëtare ende nuk kanë ndonjë plan të qartë masash për të parandaluar epidemi prej një virusi që përhapet lehtësisht me rrugë ajrore, sidomos në kushtet e sotme kur kontaktet anembanë globit janë shumëfishuar dhe njerëzit lëvizin lirisht nga një zonë në tjetrën – duke fluturuar njëlloj si shpendët. Përpjekjet për të krijuar një vaksinë specifike kundër H5N1 kanë dhënë disa rezultate premtuese, por është ende shumë herët për të shpresuar. Mutacioni i virusit të shpendëve në një agjent vdekjeprurës për njerëzimin mund të ndodhë në çdo moment, madje mund të ketë ndodhur tashmë; dhe e vetmja armë që kemi në duar është aftësia për të vepruar me arsye dhe gjakftohtësi.

 

Ekspertët dhe sidomos “ekspertët” që shkulin leshrat në TV për rrezikun e kësaj katastrofe shëndetësore i referohen shpesh të ashtuquajturit grip spanjoll, të vitit 1918, i cili i populloi me miliona tabute varrezat në botën e atëhershme. Kohët e fundit, mikrobiologët – duke përpunuar material të nxjerrë nga kufoma ngrirë në permafrostin e Alaskës gati një shekull më parë – kanë arritur të rindërtojnë në laborator genomën e virusit që ishte përgjegjës për pandeminë e atëhershme dhe të arrijnë në përfundimin se iu përcoll njerëzve prej shpendëve, nëpërmjet një mutacioni. Të gjithë psherëtijmë lirisht kur mësojmë se, edhe këtë herë, shkenca e pati më të lehtë të rikonstituojë në laborator një armë tjetër të hatashme kundër shëndetit, sesa t’i përafrohet ndonjë mënyre për t’iu kundërvënë rrezikut trumbetuar me aq të madhe. Sikur të mos mjaftonin gëzimi e hareja për një zbulim të tillë, laboratorëve që e zotërojnë virusin e ringjallur iu kërkua zyrtarisht t’ia bëjnë publike genomën, duke e afishuar në Internet.

 

Mikrobiologë që engledisen laboratoreve me mjete të tilla të flamës bota i ka si ujët e pakët dhe i mban me pekule; sepse armët vrastare janë lodra të preferuara të të pushtetshmëve të këtij planeti. Mbrojtja e publikut ndaj rreziqeve, përkundrazi, u është besuar në rastin më të keq mediave – që e ndiejnë veten mirë, madje riprodhohen për bukuri në rrethanat e panikut total; dhe në rastin më të mirë kompanive farmaceutike, ose korporatave shumëkombëshe – për të cilat paniku ndaj gripit të shpendëve s’është veçse premtim fitimesh përrallore, ose mundësish për të futur edhe më keq në kllapë institucionet publike, shtetet, legjislaturat dhe gjithçka tjetër që do t’ua dojë mideja. Në këto rrethana, publiku do alarmuar jo vetëm për rrezikun e një epidemie me pasoja serioze nëmos paralizuese për ekonominë, por edhe për rrezikun tjetër, të një status panicus të qëndrueshëm, ushqyer nga mediat dhe nga ekspertët, për qëllime jo gjithnjë të kthjellëta.

 

Jetojmë në kohë kur nuk merret vesh se kush e përcakton kufirin midis informimit dhe frikësimit të publikut. Pas atentateve të 11 shtatorit në SHBA, senatit amerikan dhe institucioneve të tjera iu dërguan letra me spore antraksi të cilësisë super-luftarake, pikërisht në kohën kur senati duhej të votonte për të ashtuquajturin PATRIOT ACT, ose paketën e masave të jashtëzakonshme kundër veprimtarisë terroriste në truallin amerikan. Autori djallëzor i këtyre letrave nuk u gjend kurrë, edhe pse antraksi i përdorur u tha të ishte nxjerrë nga një laborator biologjik i Pentagonit. Që nga ajo kohë, gjesti i thjeshtë i hapjes së një zarfi ose një pakoje postale, të paktën në SHBA, e ka humbur pafajësinë e dikurshme; dhe të panumërta janë rastet kur njësitë anti-terroriste janë thirrur për të verifikuar sasi të vogla allçie ose niseshteje në zarfe ose pako çfarëdo. Mjediset publike në qytetet më të mëdha në Perëndim janë mbjellë tanimë me gjithfarë sensorësh elektronikë, të cilët pritet të dallojnë agjentët patogjenë në ajër – dhe pikërisht linë e zezë, ethet e verdha, murtajën dhe gjithfarë sëmundjesh të tjera nxjerrë nga analet e llahtarive të Mesjetës. Vetëm pak ditë më parë u tha se një nga këta sensorë pikasi gjurmë të Francisella tularensis, agjentit shkaktar të tularemisë, në afërsi të Shtëpisë së Bardhë. Ndoshta një këpushë miu kishte rënë brenda në sensor, ndoshta Osama kishte dërguar të vetët – ku ta dish?

 

Nuk ka nevojë të jesh ithtar i filozofisë psikoanalitike të Jung-ut për të besuar se frika ndaj sëmundjeve ngjitëse i ka rrënjët thellë në mendjen njerëzore; madje edhe më thellë sesa instinkti i vetëmbrojtjes – pse epidemia vrasëse vë në rrezik jo vetëm mbijetesën e individit, por edhe të krejt species. Njeriu modern, të cilin teknologjia e ka mësuar të ndihet në kontroll të mjedisit përreth, mbetet në thelb i pafuqishëm ndaj një dukurie të tillë si sëmundja epidemike, e cila kalon padukshëm nga një individ në tjetrin duke shfrytëzuar po atë mekanizëm dhe po atë rrjet marrëdhëniesh që e bën të mundur vetë shoqërinë njerëzore. Arritjet në biologji, kimi dhe në fusha të tjera të teknologjisë mjekësore nuk janë të pakëta; por e njëjta dije që na vë në zotërim të mjeteve për t’u bërë ballë rreziqeve biologjike, na mëson edhe se epidemitë janë praktikikisht të pashmangshme, sidomos kur popullsia shtohet pa cak dhe vjen e përqendrohet në metropolet. Shto këtu edhe që hapësira të tëra të psikes njerëzore kontrollohen jo nga arsyeja, por nga emocioni, metafora dhe simboli; dhe shkenca nuk arrin dot të konkurrojë, brenda atyre hapësirave, me forcën zjarrvjellëse të apokaliptizmit biblik për fundin e botës ose vdekjen si provë të ekzistencës së Hyjnisë.

 

Mediat, në këtë kontekst, gjithnjë e më shpesh i flasin irracionales brenda nesh; sepse informimi, në shumë raste, nuk është veçse një pretekst për t’ia hapur dyert mirëbesimit, simpatisë dhe adhurimit. Kush është nginjur e velur nga supa e pulës që i serviret çdo mbrëmje spërkatur me piperin fatal H5N1, nuk e ka fare të vështirë të ndërrojë kanal, për t’u njohur me dëmet e këtij apo atij uragani në Gjirin e Meksikës ose tajfuni në Detin e Kinës Jugore; përmbytjet në Bangladesh ose zjarret në Kaliforni; tërmetin në Borneo ose në Kashmir; ose për asteroidin 99942 Apophis që tani paska një shans prej 1/32.000 për t’u përplasur me Tokën në prill të vitit 2035. E gjithë kjo ende pa ndërmarrë ndonjë kapërcim të species mediatike e pa u kredhur në ujërat e turbullta të Internetit, ku pesë minuta mjaftojnë për t’u specializuar në teoritë e Fundit të Botës, ndonjëherë edhe në bashkëlidhje me mënyrat për t’iu shmangur me dredhi. Vetë lufta kundër terrorizmit, e shpallur me bujë të madhe nga administrata Bush, u ka çelur shtigjet frikësuesve profesionistë të publikut, të cilët s’po e kanë për pesë të dalin ekraneve e të shpallin rreziqe imagjinare për bomba në metronë shumëmilionëshe të New York-ut, por vetëm për t’i përfunduar pastaj deklaratat e tyre kobzeza me një ftesë publikut për të vijuar jetën normalisht…

 

 

Gripi i shpendve është real, teksa pulat ngordhin me mijëra, virusi u kalon pastaj zogjve shtegtarë që e përhapin anembanë globit, për t’ua kaluar shpendve të tjerë, ndoshta njerëzve. Rreziku që H5N1 t’i nënshtrohet një mutacioni të tillë që t’ia bëjë të mundur transmetimin me rrugë ajrore është njëlloj real, madje vjen duke u shtuar me kalimin e kohës. Zhurma mediatike rreth këtyre rreziqeve, megjithatë, nuk po duket t’i shërbejë shumë përgatitjes së publikut për një epidemi të mundshme, sa kohë që, për momentin, publiku nuk mund të bëjë absolutisht asgjë për t’ia parandaluar mutacionin virusit. Efekti i dëshiruar i një zhurme të tillë dhe i panikut irracional në popull duket të jetë, në plan global, forcimi i pushtetit të autoriteteve kombëtare dhe ndërkombëtare ndaj masës së publikut – sa kohë që perceptimi i një rreziku vdekjeprurës, real ose imagjinar, vetvetiu ua konsolidon autoritetin atyre që janë në kontroll dhe të cilëve do t’u drejtohemi të gjithë për ndihmë dhe mbrojtje, në rast katastrofe. Tragjedia e përmbytjeve në Louisiana dhe fiaskoja totale e autoriteteve federale dhe lokale për të parandaluar katastrofën humanitare tregon se, logjikisht, këto autoritete në botën mbarë duhet të përgatitin më parë veten sesa publikun për rreziqet natyrore globale; në një kohë që suksesi i mediave për të frikësuar planetin mbarë me rrezikun H5N1 vërteton se, kur është fjala për komunikimin masiv, epidemia e panikut vështirë se po kontrollohet dot më. [2006]

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin