Fashizëm fshehurazi

 Duke ndjekur reagimet e mediave për ngjarje të ndryshme njëfarësoj polarizuese, nuk e shmang dot përshtypjen që shqiptarët shpesh po i motivon vetëm mllefi, për t’i rregulluar punët e veta.

Analistë të ndryshëm e kanë vënë re edhe se adoptimi i strukturave dhe i institucioneve perëndimore në Shqipëri është shpesh sipërfaqësor, madje i bërë sa për sy e faqe, ose për t’u konformuar.

Si edhe në disa vende të tjera të Lindjes, “demokracia” erdhi në Shqipëri së prapthi, me bujë e me metingje, jo me institucione. Por deri më sot, nuk ka asnjë shembull në botë që kjo lloj skeme të ketë pasur sukses.

Tradicionalisht, në Perëndim institucionet i kanë paraprirë demokracisë – në kuptimin e ngushtë të zgjedhjeve të lira dhe të barabarta. Ato vende si Polonia, Çekia dhe Hungaria që kanë bërë përpara këto 15 vjet i kishin pak a shumë institucionet të ruajtura.

Liria e fjalës, ose toleranca e disidencës nuk ka të bëjë aq me demokracinë, sesa me liberalizmin. Është vërtet shqetësuese të konstatosh se deri edhe intelektualë që njihen për të mençëm e të ditur mendojnë se liria e fjalës ka vlerë deri atëherë sa nuk janë prekur idhuj që këta i kanë për zemër.

Demokracia pa liberalizëm duket se shpie në forma të ndryshme të fashizmit. E kuptuar në mënyrë vulgare, demokracia kthehet në një instrument të shumicës për të shtypur pakicat. Në kushtet e dominimit të komunikimit publik prej mass mediave, vota e popullit – për fat të keq – nuk ka atë peshë që i jepej e që ndoshta kishte dikur.

E vetmja shpresë për të ardhmen e qytetërimit perëndimor dhe për dinjitetin njerëzor mbeten kështu institucionet, shteti ligjor, kushtetutshmëria, ndarja e pushteteve, decentralizimi.

 Unë mbetem i mendimit që edhe fashistëve ose komunistëve s’mund t’u mohohet fjala. Në SHBA gjithnjë shitet lirisht “Mein Kampf” i Hitlerit. Deri edhe “Protokollet e Zionit” shiten.

Meqë ra fjala te Hitleri, vendet perëndimore u kanë dhënë përgjigje të ndryshme atyre historianëve “revizionistë” që në një mënyrë ose në një tjetër mohojnë ose ripërmasojnë Holokaustin – shfarosjen masive të hebrenjve prej nazistëve gjatë Luftës II.

Një numër vendesh i procedojnë këta njerëz penalisht. SHBA dhe, në mos gabohem Mbretëria e Bashkuar, i tolerojnë. Ndërkohë, ka pasur njëfarë zhurme në mediat rreth arrestimit kohët e fundit të dy historianëve të tillë, njëri në Austri dhe tjetri i ekstraduar nga Kanadaja në Gjermani.

Unë vetë mendoj që askush nuk ka pse t’u druhet historianëve revizionistë. Megjithatë, burra më të mençëm se unë në Evropë mendojnë ndryshe.

Diskutimi për Lirinë e Fjalës, cenimin e “shenjtërisë kombëtare” dhe ndjekjen administrative dhe penale të fajtorëve përkatës, nuk mund të mos përfundojë në një diskutim të fashizmit.

Kush ka durim të shfletojë forumet e shumta shqiptare në Internet, do të vërë re se fashizmi atje është ulur këmbëkryq, i maskuar pas kombëtarizmit, shpesh ekstrem, pasionant, mitik, violent, irracional, dhe – do të thoja me keqardhje – shumë primitiv.

Kjo lektisje e mendimit shqiptar post-totalitar pas fashizmit si patos në mos si ideologji nuk duhet parë veçse si një kombinim i gjymtimit të mendjes shqiptare nga diktatura enveriste me mungesën e traditës liberale në Shqipëri.

Po të kihet parasysh se në këto forume të drejtën e shenjtë të fjalës së lirë e ushtrojnë kryesisht çuna mustaqepadirsur që jetojnë në Perëndim, ka arsye për t’u shqetësuar për të nesërmen e shqiptarëve.

Shumëve prej këtyre egërsia fashiste, intoleranca dhe kombëtarizmi ekstrem u vjen vetvetiu, pa sforcim e pa studime; teksa vitet që kanë kaluar në Perëndim duket t’u kenë shërbyer vetëm për të akumuluar mllef.

Ku ta ketë origjinën ky fashizëm folklorik?

Nëse ne shqiptarët ndihemi të poshtëruar si komb, për këtë fajin e kemi më shumë vetë sesa të tjerët, të huajt, faktori i jashtëm. Hordhitë e rrugeçërve nëpër forume, energjitë e tepërta hormonale mund t’i kishin kanalizuar drejt diçkaje më konstruktive.

 Megjithatë, unë e shoh një lidhje midis fashizmit “spontan” të vegjëlisë shqiptare sot dhe patriarkalizmit tradicional – Admirimit për personalitete të forta, ikona kombëtare, masa ndëshkimore të forta, veprime energjike dhe hierarkike, njerëz që bëjnë “zap”, pastërti dhe përpikmëri, respektim oraresh, dënimin me vdekje mundësisht me varje “në mes të pazarit”, ose edhe më mirë akoma, në mjediset e Rogner-it.

 Vallë nuk është fashizmi edhe një projeksion i patriarkalizmit në shtet? A nuk është historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX një varg gjakimesh të njëpasnjëshme për të (ri)gjetur babën? A nuk modelohet shteti autoritar sipas një familjeje të fortë patriarkale, grusht bashkuar rreth një burri diktator mustaqelli super-macho?

[2005]


2 Komente

  1. Rreziku i fashizmit eshte i vogel por gjithsesi per tu marre parasysh.
    Mendoj se ne Europe sidomos gjate epokes Kohl-Miteran u bene perpjekje per te njehsuar nacionalizmin me fashizmin, per interesat antikomb qe duhen mbrojtur . Interesat antikomb duhet te cojne drejt formimit te nje populli europian, qe eshte endrra e cdo globalisti vizionar e sidomos endrra e bankiereve dhe industrialisteve te medhenj te cilet kane nevoje per nje supershtet brenda te cilit te levizin pa u vene re kapitalin e tyre gjigantesk.

    Kjo nderlidhje e gabuar tashme ka zene rrenje ne njeriun e sotem e shpesh njerezit ja fusin si kau peles kur behen pjese e nje debati te tille. Fashizem=nacionalizem=diktature. Me te ik petlla kur sheh nje barazim te tille, sa larg realitetit eshte sikur qofte edhe per faktin se fashizmi eshte produkt i nacionalizmit e nuk mund te barazohet, pasi produktet e nacionalizmit jane nga me te ndryshmet e ndodhe te jene te kunderta me njera tjetren.

    Fashizmi europian kohet e fundit ka marre force e po shihet tashme nga vete fashistet jo si produkt ne radhe te pare i shovinizmit(faktikisht nacionalizmi i bie te jete gjyshi i fashizmit) por i racizmit e kjo po i heq fashizmit bazen idealiste origjinare e po e kthen ne nje ombrelle per te mbrojtur Europen nga te zinjte e arabet jevgj, pra si nje teori e kohezionit europian .
    Kjo me ka rene ne sy edhe tek disa shqiptare neper forume, te cilet ndihen europiane sepse jane te bardhe.

    ””Megjithatë, unë e shoh një lidhje midis fashizmit “spontan” të vegjëlisë shqiptare sot dhe patriarkalizmit tradicional””

    Kjo mund te jete e vertete deri diku e do thoja se patriarkalizmi tradicional prodhon autoritarizem nepermjet te cilit mund te shkojme tek fashizmi, por autoritarizmi nuk legjitimon detyrimisht kalimin ne fashizem.

    Ne shekullin e 21 fashizmi dhe komunizmi perbejne vec fantazma qe nxirren per te trembur ‘femijet’ nga qarqe te caktuara politike e rryma mendimi te cilat kapen pas tyre per te mbrojtur kete demokraci te shperfytyruar nga vdekja natyrore qe po afron.
    Plutokracia dhe demokracia jane 2 sisteme ne lufte me njera-tjetren e nuk ka gjasa qe demokracia te triumfoje.

    Platoni thote se ka 6 lloje qeverisjesh,3 te drejta e 3 te padrejta te cilat ne menyre ciklike perseriten.
    Mbase demokracise i ka ardhur ora… Ceshtja eshte kush do riciklohet…Fashizmi valle? Se besoj… Besoj se do vije Oligarkia e cila perputhet me se miri me plutokracine.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin