Dilema etike

 

Sipas një biografie të re të presidentit Lincoln, ky paska qenë homoseksual ose të paktën biseksual, meqë ka të dhëna se ka fjetur rregullisht në një krevat me rojet, ose meshkuj të tjerë ushtarakë.

 

Amerikanët i kanë qejf këto lloj thashethemesh, në një kohë që zbulimi i homoseksualëve në histori duket si shumë premtues për katedrat e shumta të kolegjeve universitare të kota anembanë kontinentit.

 

Teza për Lincoln-in gay me të drejtë është kundërshtuar nga të gjithë ata që e dinë se nuk ka kuptim që disa konvencione sociale të sotme dhe gjeografikisht të kufizuara në Perëndim të kërkohen edhe në të kaluarën.

 

Madje edhe në Shqipërinë e 20-25 vjetëve më parë ishte normale që meshkuj përndryshe tepër heteroseksualë të flinin në një krevat me meshkuj të tjerë për të kursyer paratë në hotel, ose kur dysheqet ishin me kët. Njëlloj sikurse ka pasur djem e burra që dilnin shëtitje në bulevard kapur përkrahu, dhe putheshin në buzë kur takoheshin.

 

o o o

Maureen Dowd, gazetare e njohur e New York Times, shkruante dje një koment në të cilin, ndër të tjera, ankohej se shumë gra të edukuara dhe të realizuara në vende të zhvilluara mbeten pa u martuar, në një kohë që burra në pushtet ose gjithsesi të suksesshëm martohen me sekretaret e tyre, infermieret, ose në përgjithësi me gra që u shërbejnë.

 

Sipas gazetares Maureen, meshkujt në Perëndim ende janë në kërkim të “mamit”; dhe s’mund ta tolerojnë dot martesën me një grua të barabartë (për nga personaliteti dhe pushteti). Por dukuria shënon edhe një krizë të feminizmit; sepse një grua sado e realizuar nuk mund të jetë e lumtur po të evitohet prej burrave të sërës së vet.

 

Siç e pat thënë dikur një feministe pak e penduar: “Jemi bërë ata burra me të cilët dikur donim të martoheshim.”

 

Për t’u emancipuar, gruaja nuk ka nevojë të adoptojë qëndrime dhe sjellje mashkullore; as mund të emancipohet duke iu kundërvënë burrave e duke i sfiduar. Emancipimi është një proces që realizohet me pjesëmarrjen e të gjithëve.

 

Ironia, në këtë mes, është se feminizmi u imponua gjatë viteve 60, në kuadrin e një lëvizjeje për çlirim seksual dhe dashuri të lirë. Sot e njëjta lëvizje po prodhon gra-qyqe, që i ngrysin netët duke lëmuar macet, qentë dhe papagajtë në një kohë që meshkujt përgjegjës u argalisen me masazhatoret tajlandeze dhe vietnameze.

 

o o o

 

Më në fund, “Panorama” e djeshme kishte një intervistë me një grua e cila ishte përfshirë njëfarësoj në arratisjen e njohur të peshkarexhës nga Himara, në fillim të viteve shtatëdhjetë. Ajo grua kishte qenë në peshkarexhë, por kishte refuzuar të arratisej së bashku me vëllezërit, meqë u druhej pasojave të rënda në farefisin e të shoqit.

 

Gjithnjë e kam vrarë mendjen për dilemën morale të atyre që arratiseshin: vallë mendonin për kë linin pas? Sa vetë janë persekutuar egërsisht pse u janë arratisur familjarë e të afërm, edhe pse nuk kanë ditur kurrfarë gjëje?

 

Pyetja ime: a ka qenë morale të arratiseshe në ato kohë, duke e ditur me siguri se çfarë furtune po u lëshoje mbi kokë atyre që lije pas?

 

Mbaj mend, kur kam dalë për herë të parë prej Shqipërie në vitet 80, arratisja më është dukur edhe më e pamundshme se ç’më dukej kur jetoja në Shqipëri dhe ëndërroja për qoftë edhe një ditë të vetme në Romë ose në Paris. Kjo sepse nuk mund ta përballoja dot mendimin se familja, ose të afërmit, do ta paguanin shtrenjtë vendimin tim për të ushtruar prerogativën e lirisë së vullnetit.

 

Por nuk mund të them dot gjë për ata që janë arratisur; pse një vendim i tillë shpesh do të jetë marrë në momente tepër dramatike – edhe pse ka pasur gjithnjë raste të papërgjegjshmish, madje edhe nga ata që sot hiqen si të persekutuar. [2005]

 

2 Komente

  1. “Pyetja ime: a ka qenë morale të arratiseshe në ato kohë, duke e ditur me siguri se çfarë furtune po u lëshoje mbi kokë atyre që lije pas?”

    Xha Xha,

    Nje xhaxha i imi, inkuadrohet ne rradhet e levizjes dhe luftes kunder okupatorit ne moshen 15 vjec, ne vitet ’42-’43. Im ate, ne interval kohor prej nje viti pas tij,ne moshen 14 vjec…Me e gjate pushka se im ate–keshtu tregonte, te paken. Jeta rrodhi cuditshem. Vendi clirohet, te dy vellezerit te nderuar e te respektuar nga shoqeria dhe deri diku nga pushteti. Them deri diku, sepse qelloi qe xhaxhai nuk po i “hante”me mashtrimet dhe demagogjine e pushtetit popullor mbi “lugen e florinjte”, pasi i dhuruan luftes mall e pasuri…Inteligjienca dhe aktiviteti i tij (e quajten subversiv..), nuk po u vinte shume per shtat udheheqjes parazite te partise, derisa me ne fund, mesuesin shume te dashur dhe shembullor te shkolles se Kuqe, e akuzojne per agjit-prop dhe e arrestojne. Kishte provuar deri ne kete arrestim te fundit,tre te tilla ne burgjet italiane e gjermane, tashme i stervitur per te mos e lene jeten e vet peng ne duar te te tjereve. Pikerisht kjo ndodhi ne arrestimin e tij te fundit nga “shoket” e tij komuniste- ua la vendimin ne dore-nuk munden dot ta ekzekutonin(pushkatim)!! Jeta e tij ishte shume e shtrenjte per ate vete (vetem 23 vjec), aq e shtrenjte, sa kur iku, sigurisht qe nuk mund te mendonte as per prinder e vellazeri, e as per ata te tjere qe do te lindnin shume e shume vite pas arratisjes se tij e qe nuk do te dinin per ekzistencen e tij (vecse shume vite me vone..). Pasojat diheshin, por, une, gjaku i tij, them se ai beri veprimin me te mire te mundshem per t’i dhene kuptim jetes se vet shume te re, pavaresisht pasojave te “hakmarrjes” se pushtetit popullor (!??) mbi familjen tone. Pushtetit te atehershem, i mungoi kurajo per t’i dhene vendin e merituar atij intelektuali, megjithese me vetemohim i sherbeu interesave kombetare dhe clirimit te vendit te vet; ai pushtet e kishte shume me kollaj t’i “c’bente” te mencurit e te diturit, me nje menyre a tjeter, per nje arsye a tjeter, mjaft qe “paria” te mos shqetesohej nga disa si xhaxhai im, qe ua grisi masken dhe u tregoi fytyren e bemat, prandaj, edhe kush mundi, nuk mund ta linte avenirin e tij te komandohej nga deshirat e Enverit,Hysniut,Xoxes apo Kadriut e co., Zgjidhja? Arratisja atje ku dielli e hena te ndriconin sa me pak (fjalet te thena ne deshperim e siper..!)
    Me falni per “rrefenjen”, por doja te sillja nje shembull konkret, ne lidhje me pyetjen e Xha. Ndoshta nuk pergjithson cdo rast kjo eksperience, por ne thelb, une them se jeta jetohet vetem nje here. Fatkeqesi e madhe, qe disa brezave te shqiptareve, u ra ta jetonin nen diktaturen me te eger komuniste, kur edhe nese nuk arratiseshe, do te te gjenin nje klecke qe te te implikonin, mjaft te te kishte ardhur rradha…

  2. kur edhe nese nuk arratiseshe, do te te gjenin nje klecke qe te te implikonin, mjaft te te kishte ardhur rradha…

    Plotesisht e vertete, sic ka treguar historia. Jo se te gjithe qe arratiseshin kishin kete arsye, po shume prej tyre e kishin, mbase shumica.

    Raste te tilla si ky qe tregove besoj te gjithe dime, dmth njerez te fikur me egzekutime e burgje per hicmosgje.

    Ne keto raste njesoj ka vuajtur familja si kur jane futur ne burg si kur jane arratisur, ne mos ka vuajtur me shume kur jane egzekutuar e futur ne burg keta persona.

    Emancipimi është një proces që realizohet me pjesëmarrjen e të gjithëve.

    Mbase deshe te thoje ‘ndodh kur perfshin te gjithe/shumicen’, se ne fakt asnjehere nuk behet nga te gjithe; asgje ne fakt nuk behet me pjesmarrje kolektive vullnetare te te gjitheve.

    Dhe pergjithesimi se emancipimi i ka lene grate kallogre nderkohe qe burrat e shkolluar martohen me pastrueset eshte mjaft i egzagjeruar. 🙂 Mund te kete raste, po jo pergjithesim.

    Emancipimi i grave na ka bere mire te gjitheve, se shumica e burrave te edukuar mendoj ne fakt preferojne te kene nje partnere qe eshte dhe shoqe, jo thjesht nje femer qe eshte femije dhe buke-berese.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin