Bukuria që nuk vret

Një incident në Universitetin e Durrësit me një vajzë myslimane të pezulluar nga auditoret për shkak se mbulonte kokën me shami sipas rregullave të fesë së vet, u shoqërua vetvetiu nga një debat në mediat shqiptare rreth së drejtës së shtetit dhe institucioneve për të ndërhyrë në mënyrë shtrënguese në raste kësisoj. Ky debat koincidoi edhe me debate të ngjashme që janë zhvilluar kohët e fundit në Britani të Madhe, në Francë e gjetiu në Perëndim, për çështjen e perçes së vajzave dhe grave myslimane në ato vende. Sikurse atje, edhe në Shqipëri marrëdhëniet e shtetit me individin po e përjetojnë multikulturalizmin si krizë, veçanërisht në rrethanat kur individëve të feve dhe kulturave të ndryshme u duhet të komunikojnë së bashku në të njëjtat mjedise publike. Shamia e kokës dhe perçja, në këto raste, e kapërcejnë funksionin e tyre utilitar prej veshjesh, për t’u imponuar si shenja të zhurmshme përkatësie; prandaj edhe debati shpesh ka të bëjë me sa janë të përgatitur shteti dhe shoqëria civile laike, në Perëndim dhe në Shqipëri, për të bashkëjetuar me manifestimet publike të Islamit e veçanërisht të Sheriatit si tërësi porosish me natyrë etike.

Problemi i vajzave e grave të mbuluara në mjedise publike nuk mund të konsiderohet problem i të drejtave civile të atyre që mbulohen, pa marrë parasysh edhe të drejtat civile të atyre që nuk mbulohen. Mjediset publike janë edhe vende ku njerëzit bien në kontakt me njëri-tjetrin dhe ndërveprojnë, duke riprodhuar marrëdhëniet sociale mes tyre. Një formë themelore e këtij kontakti është edhe me anë të të parit. Një person i mbuluar në mjedis publik është një person që mund të shohë të tjerët, por që u refuzon të tjerëve të drejtën ta shohin. Në këtë rast, unë mendoj se ky person shkel të drejtat civile të të tjerëve, sepse perçja a priori instituon një raport pabarazie. Kjo nuk është njëlloj sikurse të mbash perçen në një shkollë për vajza myslimane ku të gjitha janë të mbuluara; sepse ajo vajza në Durrës dëshiron ta fshehë fytyrën në një shkollë publike, ku një pjesë e mirë e nxënësve nuk mbulohen.

Roli i shtetit, në këtë rast, do të ishte ai i kujdestarit të hapësirës publike. Për të njëjtën arsye, dikush mund të lajë kokën e sqetullat në çezëm të shtëpisë së vet, por nuk mund ta bëjë këtë tek një shatërvan në një shesh ose në një park publik.

o o o

Për mua, një femër e mbuluar bart një mesazh poshtërues, kur nuk bart mesazh intimidues; e që gjithsesi presupozon se vështrimi im do të jetë “i papastër”. Është njëlloj sikur dikush të më zgjaste dorën për përshëndetje, por të mbrojtur me dorezë meshini, për të mos shkëmbyer florë bakteriale me mua gjatë kontaktit. Ndoshta kjo ka të bëjë me reflekset e mia kulturore, të sjelljes në publik, ose me atë që unë jam mësuar të shoh fytyra njerëzish, jo mure. Një femër e mbuluar sikur më kumton: unë jam këtu, ndaj të njëjtën hapësirë me ty, por njëkohësisht ty nuk të lejoj të ndash të njëjtën hapësirë me mua. Do të më thonë që është e drejta e kujtdo të respektojë porositë që ia jep feja e vet ose t’u bindet urdhrave të babait, të bashkëshortit, të hoxhës ose të një autoriteti tjetër shpirtëror. Unë nuk jam në gjendje të them sa i paprekshëm është ky argument. Natyrisht fe të ndryshme japin porosi të ndryshme për veshjen dhe paraqitjen e jashtme të njerëzve. Por nëse një fe do t’i porosiste të vetët që të dilnin lakuriq në pazar, atëherë besoj të gjithë do t’i ngriheshin kundër dhe do t’u kërkonin atyre adeptëve të mbuloheshin, pavarësisht nga arsyet që ata vetë mund të kishin për t’u zbuluar. Po a nuk ka një farë ngjashmërie thelbësore midis lakuriqësisë dhe mbulimit, në kuptimin që si njëra ashtu edhe tjetri duhen kufizuar në publik?

Përveç kësaj, ndërveprimi i individëve në një hapësirë publike – qoftë më të rregulluar, si shkolla, qoftë më pak të rregulluar, si pylli – u nënshtrohet disa normave herë të shkruara e herë të pashkruara, të cilat ndonjëherë rrjedhin prej traditës. Shembulli i atij qytetarit që lante kokën në një shatërvan në pjacë m’u kujtua sepse një mik më pat treguar dikur për një ligj të tillë të hollësishëm, të lëshuar nga nuk di ç’trup ligjvënës në Gjermani, e që pikërisht e përcaktonte atë akt si kundërvajtje. Kjo pavarësisht nëse ka një shumicë apo një pakicë njerëzish që do të donin të lanin kokën në shatërvanet e Berlinit apo të Hamburgut. Shqipëria ka një traditë juridike që bën ta kujtojë e ta shpluhurosë në këtë rast, sepse më shumë se gjysmë shekulli më parë, Zogu, që ishte vetë i fesë Islame dhe besimtar i devotshëm, e pa të udhës ta ndalonte këtë zakon të pahijshëm të mbulimit. Më në fund, unë jam i tëri për shenjtërinë e të drejtave qytetare, por femra e mbuluar në publik më duket se, ipso facto, e përjashton veten nga mjedisi natyral ku përftohen dhe ushtrohen këto të drejta, siç e dëshmon edhe praktika e të drejtave qytetare në vende të rregulluara nga ligji Islamik.

o o o

Natyrisht, perçja është perçe dhe shamia e kokës shami koke. Ka një dallim mes tyre që nuk ka të bëjë thjesht me shijen në veshje. Këtu e kam fjalën gjithnjë për perçen që mbulon fytyrën, të cilën e konsideroj të papranueshme në publik.

Një pjesë e argumenteve që sillen pro dhe kundër perçes së gruas në Shqipëri janë argumente të njohura madje të huazuara nga debate të ngjashme në Francë, Britani të Madhe ose gjetiu. Mirëpo në shoqëritë perëndimore çështja e perçes ka specifikën e vet, të ndryshme nga si e shohim ne për Shqipërinë. Në Perëndim perçen duan ta përdorin segmente të caktuara të komuniteteve të imigrantëve të fesë islame, të cilët jo vetëm që nuk janë integruar në shoqëritë pritëse, por edhe refuzojnë të integrohen në to, duke iu referuar origjinave të tyre gjeografike dhe kulturore. E kam thënë edhe gjetiu se e majta multikulturaliste Perëndimore, duke dalë në mbrojtje të idiosinkrazive të komuniteteve të imigrantëve (duke përfshirë edhe zakonet e tyre fetare), në të vërtetë i damkos këto me statusin e komuniteteve margjinale, ose të destinuara për të mbetur në rrëzë të piramidës sociale. Në Francë e në Itali, fjala vjen, një grua e mbuluar me perçe gjithnjë rrezikon të mbetet e përjashtuar nga komunikimi publik.

Në Shqipëri rregullimi i mbajtjes së perçes ka një traditë, e cila nuk mund të injorohet dhe të likuidohet me një të rënë të lapsit. Zogu e ndaloi mbajtjen e perçes për arsye të njohura, të ngjashme me ato të turqve, ose të tunizianëve, të cilët gjithashtu e kanë ndaluar, të cilat besoj kanë vlerë edhe sot. Veç kësaj, një pjesë e mirë e grave myslimane shqiptare, siç dihet, nuk e përdorin perçen. Në këtë kontekst, unë alarmohem më shumë nga rikthimi i perçes në disa komunitete myslimane në Shqipëri, sesa nga përdorimi i perçes në vetvete. E kam fjalën që më alarmon nevoja që ndiejnë këto komunitete për t’u organizuar nëpërmjet shenjash të tilla, të cilat i referohen një koncepti të jetës publike praktikisht të huaj edhe për Shqipërinë.

Kam frikë se përdorimi i perçes nxitet me mënyra të ndryshme nga fondacione të caktuara bamirëse, të cilat janë përçuese të një versioni fondamentalist radikal të Islamit. Në këtë rast, perçja shndërrohet në një sinjal përkatësimi. Rreziku i këtij tribalizmi të ri lidhet edhe me natyrën inkrementale të këtyre ndryshimeve në stilin dhe komunikimin në publik: sot perçen, nesër diçka tjetër të huazuar po andej nga ka ardhur edhe perçja e kështu me radhë, deri në një mbyllje të këtyre komuniteteve, ose shkëputje të tyre nga shqiptarët e tjerë.

Shumë nga argumentet e sjella kundër ndërhyrjes administrative ndaj perçes në publik u referohen të drejtave të njeriut. Kjo temë merr rëndësi të madhe në rrethanat e një vendi si Shqipëria, ku të drejtat e njeriut rregullisht janë nëpërkëmbur. Megjithatë, ka diçka paradoksale në përdorimin e një argumenti të tillë kur vjen fjala për perçen, meqë shumëkush këtë lloj prononcimi do ta konsideronte si shkelje të së drejtave të gruas. Aq më tepër që koncepti që ka Islami për të drejtat e njeriut nuk pajtohet me konceptin e shprehur në kushtetutën shqiptare.

Për ta thënë ndryshe, kur vjen fjala për të zgjedhur një anë në konfliktin midis fesë dhe shtetit, unë prirem të rreshtohem me shtetin, për arsye të ndryshme. Nuk them dot shumë për Islamin, sepse nuk e njoh mirë në aspektin intim e ritual, as e kuptoj dot mirë raportin që vendos besimtari mysliman me Allahun. Por kam përshtypjen se të drejtat e njeriut siç njihen e praktikohen prej Sheriatit dhe të drejtat e njeriut siç njihen e praktikohen nga qytetërimi laik perëndimor janë dy sisteme të papajtueshme. Gruaja që del me perçe në publik nuk ushtron të drejtën e saj private, por u bindet kodeve të Sheriatit, çka, pas gjase, ia imponojnë meshkujt e familjes së saj. Kush e kundërshton këtë, nuk kundërshton të drejtën private të gruas në fjalë, por të drejtën e praktikuar nga një komunitet i caktuar, i cili në thelb refuzon t’ia njohë ligjshmërisë laike epërsinë e ndaj Sheriatit.

[2006]

 

3 Komente

  1. nuk pajton me ato fjal tua per shamin,pse mbulohet nji vajze tash po ua cenojka te drejten te tjereve per ta pare ate?si mund te shpehesh keshtu,qfare te drejte kemi ne per ta pare dike, qfar konvente ta rregullon ty kete,kjo asht e drejt persobnale dhe moral e dikujt se a don ti nenshtrohet shikimeve te te tjetereve,e ti si mund ta mohosh.nji konkluzion i tille jo qef nuk eshte i sakte, por eshte edhe teper fyes ndaj njerezve, ndaj cilesive te tyre dhe ndaj bindjeve te tyre pavaresisht qfaredo qofshin,pse motrave te ndrit nuk po tentoni tua hjekni ate far perqen qe i mbulojn floket pra??

  2. I dashur Safijam,

    se ç’ka një gjë artistike në këtë ndërhyrjen tënde; madje pothuajse të realizuar po qe se nuk do kishe zgjedhur gegërishten verilindore të shkruar më gabime, sepse sinqerisht që njeriu nuk mund ta marrë një mëndim të formuluar si në ndërhyrjen tënde si të thënë më përgjegjësi të plotë intelektuale. Për sa i përket zgjedhjes se gegërishtes verilindore për këtë qëllim unë personalisht nuk do të isha dakord, që në hapësirën shqipfolëse të Rep. të Shqipërisë sa herë të duhet të karikaturohet një karakter i mangët nga trutë si në rastin e figurës tënde, atij t’i vihet në gojë (konkretisht në penë) një gegërishte e fortë e trashë, sepse vërtetë që ata njerëz mund të tingëllojnë relativisht të ngadalshëm, por kjo është vetëm një formë e zakonshme e fonetikës së shqipes nga ato anë, sepse nga ana përmbajtësore ata njerëz janë intelektualisht të kompletuar, për të mos thënë që aktualisht nga gjithnjë nga pikëpamja përmbajtsore mendimi i pakët i artikuluar publikisht që vjen nga ajo hapësirë duket si më i pjekur e i peshuar në krahasim me mendim banal aq të trumbetuar nga media e Tiranës, e cila paradoksalisht në vend të kultivimit dhe mirëmbajtjes së shqipes standarte për hir të snobizmit dhe (ose edhe) injorancës i ka vënë me një përkushtim skizofren kazmën asaj (shqipes e kam fjalën).

    Megjithatë duke vrojtuar rastësisht automatizmin në përzgjedhjen e shqipes verilindore si bartëse të mendimit reaksionar, që mua më duket dalëngadalë një klishe sa banale aq dhe e stërkonsumuar, për të mos thënë që kjo nuk është gjë tjetër vetëm se një paragjykim komunist, enverist, antikombëtar, i cili si edhe shumë të tjerë fle ende sot në ndërgjegjen qytetare iluzionarisht të emancipuar shqiptare (pikërisht sot shkruante gazeta „Sot“ diçka kundër malësorit Berisha), ndoshta mund të lëmë më një anë etikën e çështjes dhe le të hedhim një vështrim mbi estetikën e anës përmajtësore të saj, pra mbi shaminë, e cila si objekt pengues i vështrimit të lirë, mund të shndërrohet në një objekt shikimi në vetvete, gjë të cilën nuk është se jam duke e konstatuar unë sot këtu, por që por që u ka tërhequr vëmendjen prej kohësh estetëve të fokusuar në shfaqjet e shpalosjet e veshjeve urbane të pakicave të reja etnike apo fetare të mbërritura në shekullin e XX në metropolet evropiane si një hapësirë e re për kumtimin anonim të mesazheve në pamje fetare apo ideologjike, por në thelb kryesisht sociale, ndërkohë që kjo e fundit (pra shamia) po kthehet në një objekt kulti, pa të cilën qytete si Londra, Berlini apo Parisi në dinamikën e tyre sociale do të dukeshin si të mangëta.

    Shami koke të dala tek MoMa: http://www.moma.org/collection/browse_results.php?criteria=O%3AAD%3AE%3A27732&page_number=1&template_id=6&sort_order=1

  3. I dashur GH,
    Sa mjerueshem tingellojne fjalet e tua pseudo intelektuale sidomos kur i drejtohen nje ryme mendimi si ajo e Safijam.
    Personave qe perbejne kete kategori duhet ti flasesh hapur dhe pa lojra fjalesh ashtu sic ben Xhaxhai.
    Dua te thekspj se ndaj c’do mendim te Xhaxhait mbi temen ne fjale dhe me vjen keq qe egzistojne njerez te mbyllur si Safijami, qe dhe emrin mezi ja shkruaj, aq pa kuptim eshte!
    Dhe me kaq e mbyll komentin mbi “Bukurine qe nuk vret”.
    Por me vjen akoma me keq per persona si ty qe harxhojne nje mal me fjale per te thene asgje!
    Per persona si ty qe harxhojne tere ate energji per te bere c’eshte e mundur qe te duken te vecante, te pakten ne te shprehur.
    Per persona si ty qe perdorin hironine deri ne banalizim.
    Per te tere ata qe si ty, kerkojne te vecohen nga te tjeret duke u shprehur me zhargone te huazuara:

    Per ata qe si ty
    … asnjehere nuk kerkojne ulje. Te shtirurit kushtojne me pak.
    … nuk shohin asnjehere televizor. Preferojne nje liber. Titulli? Lemeri.
    … te jete per mua, ushtria neper rruge dhe hajdutet neper gazerma. Thjesht jo!
    … une them gjithmone ate qe mendoj! Asgje, pikerisht!
    … ne jemi populli me i vjeter ne bote. Ne kete menyre i afrohemi majmunit.
    … ah sikur te lindja dhe nje here. Ne Uruguaj i dashur.
    … kinezet dhe japonezet jane te gjithe njesoj…si lajthi.
    … heren tjeter as kam per te votuar hic. Ne qofte se ke aftesine per te kuptuar dhe per te dashur…
    … me mire asgje se sa keq. Pikerisht si ty!
    … nuklearja ne Vlore…po, posi jo. Por, sikur…
    … sa me lodh tere ky pluhur! I dashur, cigarja ben te veten.
    … adhurojne Ismailin. Kadare, per me te shperqendruarit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin