Barazi apo barazimtarizëm?

Nuk duhet ngatërruar barazia (égalité) me barazimtarizmin (égalitarisme). Barazi ka edhe në kushtetutë, edhe në realitet; madje edhe në Amerikë. Sa për barazimtarizmin, ky është eksperimentuar ndonjëherë – siç bëri edhe Enveri me rrogat – por ka dështuar.

Unë do të thoja se në shoqëri ka edhe hierarki, edhe barazi, dhe roli e detyra e shtetit është të ruajë balancën midis këtyre dy konfigurimeve. Zakonisht politikat e majta anojnë nga barazia me pretendimin se është tepruar shumë me hierarkitë, ndërsa të djathtat i mbrojnë dhe i selitin hierarkitë me pretendimin se është tepruar shumë me barazinë.

Problemi nuk është te barazia si parim, por te interpretimi i saj. A është barazi ajo që krijon efekti ekualizues i tregut, apo ajo që imponon ndonjëherë shteti mbi çmimet e produkteve të caktuara? A është barazi gjoba e njëjtë për qytetarë me të ardhura të ndryshme, apo gjoba e përpjesëtuar sipas të ardhurave?

Amerika vetë, nëse i ka tërhequr gjithnjë shqiptarët, kjo ka ndodhur edhe falë namit që ka, si shtet i mundësive të barabarta, në krahasim me Evropën, ku kjo barazi është më e vështirë të arrihet, për të emigruarit ose të vegjëlit. Këtu njerëzit gjithnjë hanë, marrin dhe ikin – po t’i besosh gojëdhënës.

Mirëpo shërbimi shëndetësor i këtushëm nuk mund të përballohet më. Të gjithë janë në krizë: konsumatorët në të dy skajet (qytetarët dhe spitalet), mjekët, HMO-të. Sistemi po shkon drejt kolapsit, dhe fajin për këtë e kanë çmimet jashtëzakonisht të larta të shërbimeve nga njëra anë, dhe paditë e panumërta gjyqësore kundër mjekëve dhe spitaleve nga ana tjetër.

Ashtu siç e shoh unë, shërbimi shëndetësor amerikan, i konceptuar si të ishte një business i zakonshëm me qëllim fitimi, është kthyer në një shushunjë që u thith jetën amerikanëve vetë. Kjo nuk është më ekonomi tregu, por karikaturë e ekonomisë së tregut.

Edhe me mediat, punët nuk shkojnë mirë. Që nga momenti kur mediat vijnë e shndërrohen në aktorë aktivë të skenës politike, vetë funksionimi i sistemit vihet në pikëpyetje. Kur Arnoldi zgjidhet guvernator i Kalifornisë sepse njerëzit ia pëlqejnë rolet e terminator-it në filmat përkatës, kupa e mbushur fillon të derdhet.

Për mendimin tim, shoqëritë perëndimore, të cilat priren të organizohen gjithnjë e më shumë rreth sistemeve të prodhimit dhe shpërndarjes së informacionit, po i ekspozohen çdo ditë e më tepër rrezikut të një “pronunciamiento” nga ana e mediave; ose e një orvatje e këtyre të fundit për ta marrë shtetin në zotërim.

Dje ndodhi në Itali, sot po ndodh këtu në SHBA. Vallë duam që kjo të ndodhë edhe në Shqipëri, të dashur libertarianë? Do t’ua lëmë tellallëve të na e qeverisin tregun?

[2004]

1 Koment

  1. Artikull i mire. Ne Amerike mediat jane te monopolizuara, po keshtu pothuajse ne te gjithe Evropen perendimore, Angli, France, Hollande etj. Te gjitha jane ne pronesi te cifuteve qe kan prioritete te vecanta nga shtresa intelektuale e Evropes.
    Me pare mund te thuhej se mediat mund ta kapnin qeverine per qafe dhe me zor ta rrotullonin.
    Sot industria e informacionit zgjedh qeverine sipas qefit dhe e drejton koken drejperdrejt.
    Duket si teori ekstreme por eshte thjesht fakt i turpshem se cfare i ka ndodhur qeverive pas demonizimit te nationalizmit si fajtore e luftes se dyte boterore.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin