Rreth demokracisë

 

A është demokracia në Shqipëri pikësynim absolut, apo vetëm një objektiv i tolerueshëm? A ka qenë Shqipëria gati për instituimin e demokracisë tip perëndimor gjatë viteve nëntëdhjetë?

Këto pyetje bëhen edhe më aktuale për shkak të:

  1. Vetë situatës kaotike të sistemit politik në Shqipëri sot
  2. Diskutimet në lidhje me arsyeshmërinë e ndërhyrjes amerikane në Irak, sidomos për sa i takon shanseve të instituimit të një demokracie të tipit perëndimor në atë vend dhe përgjithësisht në një vend joperëndimor.

Në thelb demokracia konsiston në pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisjen e vendit, kryesisht nëpërmjet institucionit të votës së lirë.

Ashtu siç është e konceptuar në shumicën e vendeve perëndimore, vota e lirë e qytetarëve ka të bëjë me zgjedhjen e përfaqësuesve në institucione të tipit parlamentar, ku miratohen kryesisht ligjet dhe qeveritë e radhës.

Më pak kjo votë ka të bëjë drejtpërdrejt me një çështje të caktuar – referendumi.

E përcaktuar kështu, demokracia nuk mund të identifikohet as me respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pluralizmit në shoqëri, as me vendosjen dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës.

Nga ana tjetër, demokracia në vetvete nuk ka shumë vlerë përtej respektimit të atyre të drejtave dhe sidomos konsolidimit të shtetit ligjor.

Vota e lirë, për të funksionuar në mënyrë demokratike, duhet të hidhet nga një qytetar i lirë. A janë të lirë qytetarët në Shqipëri?

Liria e individit mund të rrezikohet, ndër të tjera nga:

  1. Varfëria dhe pasiguria ekonomike
  2. Pasiguria në rendin publik
  3. Vetëdija e individit se është i angazhuar në veprimtari kriminale
  4. Injoranca ndaj problematikës politike/sociale që shoqëron votën dhe i jep kuptim
  5. Vartësia psikologjike ose ekonomike nga një individ tjetër ose një organizatë a institucion – klan ose taraf

Po të jetë kështu, atëherë rrjedh se për një pjesë të mirë të elektoratit shqiptar, liria qytetare nuk ekziston në praktikë.

Në një rast të tillë, cili është kuptimi i votës së lirë qyetare, ose aktit që e riprodhon demokracinë me përkufizim?

Vota e të varfrit mund të blihet me lehtësi; vota e të kërcënuarit i shkon kujtdo që premton “dorë të fortë”; vota e kriminelit është për politikanin e korruptuar ose të korruptueshëm; injoranti mund të gënjehet lehtë nga propaganda, ndërsa i varuri psikologjikisht ose ekonomikisht do të zbatojë urdhrin e padronit.

Të gjithë këta mund edhe të mos votojnë fare, siç edhe ka ndodhur rëndom.

Sot Shqipëria është një vend i karakterizuar nga pasurimi zakonisht kriminal dhe tepër marramendës i një numri individësh, familjesh dhe klanesh; varfërimi njëlloj marramendës i një pjese tjetër të popullsisë; korrupsioni i një pjese të politikanëve e sidomos perceptimi i të gjithë politikanëve si të korruptuar ose të paktën të korruptueshëm; nepotizmi dhe klientelizmi; krahinizmi ekstrem; perceptimi i ligjit si një forcë “e jashtme” e cila ia kufizon “lirinë” individit; organizimi i ekonomisë në baza parakriminale dhe mafioze; homologimi i partive politike; kriza e plotë e publikes.

Në këto kushte, demokracia në Shqipëri nuk mund të jetë veçse një kombinim i manipulimit të turmës nga elitat në pushtet dhe i shantazhit të organizatave parakriminale dhe mafioze ndaj këtyre elitave.

Atëherë zgjedhjet, në vetvete, nuk do të mund të zgjidhin asgjë. Shqipërisë nuk i duhet aq forcimi i “demokracisë” sesa forcimi i “institucioneve” dhe sidomos konsolidimi i vetë institucionit të ligjit në jetën publike dhe private, në bashkëvajtje me respektin ndaj të drejtave qytetare.

Pluralizmi politik, ndarja dhe nëndarja e partive, grupet dhe grupimet, denoncimet reciproke të politikanëve, debatet në parlament, kultet e egove, të gjitha këto shenja “të jashtme” të demokracisë, në të vërtetë kanë pak dobi për vendin. Përkundrazi, i shërbejnë klasës në pushtet ose klasës tjetër që përgatitet të vijë në pushtet.

Me fjalë të tjera, pa qytetarë vërtet të lirë, Shqipëria do të mbetet shumë larg sistemit politik perëndimor që formalisht ka adoptuar. [2004]

4 Komente

  1. “Gënjeshtrat dhe mashtrimet qenë norma politike, meqë votuesit kërkonin doza përherë më të reja demagogjie, pa besuar në to…”

    Duket sikur Perry Anderson t’i ketë shkruar posaçërisht për votuesit e sotëm shqiptarë. Në fakt përshkrimi i kushtohet gjendjes së elektoratit frëng të fundit të viteve ’90. Dhe u soll këtu për hir të elegancës, jo për hir të krahasimit pa vend midis dy gjendjeve, frënge dhe shqiptare. Apo edhe ky mund të bëhej?

  2. Bujku, per mendimin tim artikulli i mesiperm eshte nga artikujt me te mire ne lidhje me temen e demokracise shqiptare qe mund te kem lexuar -i sakte dhe konciz. Shembulli juaj i Frances eshte me vlere per te vertetuar ate cka thuhet ne shkrim se:
    “Pluralizmi politik, ndarja dhe nëndarja e partive, grupet dhe grupimet, denoncimet reciproke të politikanëve, debatet në parlament, kultet e egove, të gjitha këto shenja “të jashtme” të demokracisë…”
    Ideja eshte qe megjithese shfaqja eshte e njejte si ne France dhe ne Shqiperi, thelbi (gjendja) jo.

  3. Demokracise i jane veshur aq shume veti e vecori qe nuk i ka, saqe te ftillosh kete ceshtje behet pune e veshtire.

    Pike se pari,etimologjia e demokracise na e jep shpjegimin shume kthjellet duke na kursyer kohe e mund.
    Demokraci do te thote pushteti i popullit.
    Pushteti i popullit, do te thote qe populli zoteron te drejten e pushtetit,sovranitetin,por populli ne kuptimin plebej kunder patriceve apo demos kunder aristokrateve, proletare kunder kapitalisteve.
    Kjo vetvetiu e zhvesh demokracine nga tashme perralla te pas 1945, se demokraci do te thote nje sistem ku fitohet me shume leke, ku drejtesia triumfon, ku njeriu eshte me i virtytshem, ku luani lodron me gazelen dhe ujku me qengjin lozin me cingla e hane buke me domate e djath.
    Kete film e luan mjaft mire struktura fetare me Zotin si protagonist.

    Keto perralla na tregohen ne femijeve te vegjel, se femija ka nevoje per perralla ,per ti dhene edukaten ne menyren qe ai perthith me lehte.

    Mirepo perrallat i tregon gjyshi . Kush eshte ky gjyshi yne kaq i dashur dhe i kujdeshem ne rritjen tone te shendetshme ?

    Ky gjyshi mua me rezulton ti perkase kategorise se Morganeve, Rokfelereve, Dyponeve etj qe njehere e njekohe zoteronin gjysmen e Amerikes qe kishte rendesi.
    Mbase ata kane pasur qellime te mira, qe meqe ne femijet nuk i kuptojme mire ca gjera, per te miren tone duhet te kenaqemi me perralla, por ama edhe kur femija rritet perrallat nuk i ndahet.

    ‘Gjyshi’ na e dashka te miren, qenka si Zoti qe ndaloi Adamin e Even te kuptonin c’ishte e mira dhe e keqja per ta. Me ne fund ne ndodhemi serisht brenda kopshtit te Edenit, hame , pime e …. per qejf. Mjere ata qe ndodhen jashte Edenit, nuk dine cfare humbasin, ketu delja dhe ujku lozin topa-gropa, biles edhe femrat se kane me vuajtjen e lindjes se s’pjellin me, jo si tek ato te shkretat jashte Edenit qe vuajne me 4-5 femije….

    Tani, perderisa demokracia ka lindur si kryengritje e te varferve ndaj te pasurve me qellim tu grabisnin pushtetin, atehere perse sot gjithe ndertesa kryesore vendimarrese perbehet nga te pasur apo nga te mesopasur qe jane te lidhur me te pasurit ? Perse Bushi nje i krimbur ne para ben Presidentin per 8 vjet ?Perse Berluskoni, qe nuk i numerohen miliardat eshte kryezot’ i Italise ?

    Ceshtja eshte se te varferit, mund te marrin pushtetin me ane te dhunes, por nuk mund ta mbajne dot, sepse cfare merret me dhune nuk ka legjitimitetin e duhur per te qene jotja. Te varferit nuk mund te zoterojne dot pushtetin edhe per faktin e thjeshte se ne nje sistem hierarkik te bazuar tek paraja o do behesh i pasur qe te ngelesh ne pushtet ose do te kthejne me patkojte nga dielli.

    Pra i varferi nuk mund ta kete te drejten e pushtetit. Pra demokracia humbet kuptimin. Gjithcka i lejohet eshte te votoje per nje parti qe sundohet nga pasaniket te cilet pastaj ushtrojne pushtetin ne emer te ketyre te varferve.

    Por a eshte demokraci nje sistem ku te pasurit ushtrojne pushtetin ? Nese te varferit nuk do votonin keta te pasur, kush do e kishte pushtetin. Serisht keta te pasur, eshte logjike. Pra ne i varferi voton apo jo, nuk ka pike rendesie, pasi ne te dyja rastet pushtetin do e ushtroje i pasuri.

    Atehere gjithcka qe ka rendesi ne te vertete nuk eshte demokracia por shteti i se drejtes.

  4. Pershendetje

    Gjeja qe me ben pershtypje ne gjithe debatet politike virtualiste apo opinionet e ndryshme politike mbare shqiptare kritika dhe sharja ndaj poltikes dhe poltikanve ze vendin e pare.
    Po te hedhim veshtrimin vetem per pak caste ndaj krtikes qe i behet politikes ne vende te ndryshme perendimore me rezulton se nuk jemi larg nga kenveshtrimi me syrin kritik te poltikes dhe poltikanve perendimore.

    Dallimi i rende qe shoh ndaj kritikes qe i behet politikes shqiptare dhe asaj perendimore eshte pikerisht ne kritik – zgjidhje.

    Ne kemi pase nje mallkim ose me mire na zuri ne gjume rryma e re gjarperuese dhe ideoshkaterruese e diktatit “komunist” sllav. Por edhe pse ra muri i Berlinit dhe erdhi fjala e lire ne Shqiperi vazhdimi i ideologjise fryme shkaterruese nuk ndaloj por e thethoj me shume problemin duke na sjell nga te ndaluar te mendojme ne te bastardhuar ne mendime.

    Qe te jem me i qarte ne ate qe them eshte se kritika qe i bejme ne politikes dhe politikanve shqiptare nuk eshte kritike por nje bastadhim i kritikes ne kritizer. Sepse nuk dime gje tjeter vetem te mbushim fjalime me kritika duke be pa dashur lojen e fushates “elektorale” te politikanve shqiptare dhe duke harruar se 20vjet kaluan nga dita kur u beme te lire te kritikojme mos valle sollem ne drite dicka???
    Nuk u ngopem me show politiken???
    Nuk duket valle e udhes qe te bejme dicka per kete politike qe ta ndryshojme???

    Ne kritikojme por dikush po na drejton, mos valle na mjafton kritika???

    Demokracia si koncept eshte nje term i gjere po qe shqiptaret spo e gjejne vehten sepse jane akoma te rrenjosur ne ideologjine e dikush sundon te tjeret vetem kritikojne.

    Si ka mundesi qe nuk del njeri te hedh hapin e ndryshimeve politike ne lumin e ndyre te lanes se politikanve shqiptare??

    Qe te mos mbes nje kritizer ne ate qe thashe me lart dikush po punon qe nje dite mos te mbetemi ne poltronin e kritizerit me, por vertet ti vejme gjoksin ndryshimeve rrenjesore ne menyre qe popullit tone aq te vuajtur dhe gjumash, gjeneratat qe do vijne mos te na mallkojne sic beme ne me ato qe shkuan.

    Me modesti nje link qe po punon ne kete drejtim http://www.proletari.com

    Me respekt Proletari Shqiptar

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin