Dënimi me vdekje 4

Oportuniteti i dënimit me vdekje – diskutim gjithnjë i dobishëm.

Si temë e ndan opinionin më dysh: në SHBA, në Shqipëri, por edhe në shumë vende të tjera. Nuk e kam të qartë pse disa njerëz janë gjithnjë të prirur për ta favorizuar, kurse disa të tjerë nuk mund ta pranojnë.

Të ketë lidhje me psikologjinë e thellë të njërit apo të tjetrit?

Unë vetë, për ç’vlerë mund të ketë kjo, jam kategorikisht kundër dënimit me vdekje. Në asnjë rrethanë shteti i qytetëruar dhe demokratik nuk mund t’ia japë vetes prerogativën e arbitrit të jetës ose të vdekjes së individit. Aq më tepër që vrasja ceremoniale e një krimineli nuk luan asnjë lloj roli objektiv në shlyerjen e pasojave të krimit të kryer.

Është gjë e mirë që legjislacioni shqiptar e ka përjashtuar dënimin me vdekje. E kuptoj që kjo është bërë nën ndikimin qytetërues të Evropës, si edhe shumë gjëra të tjera të mira në Shqipëri, duke përfshirë respektin për të drejtat e njeriut, pluralizmin, mbrojtjen e minoriteteve.

Mirëpo kultura evropiane vetë ofron shumë arsye në favor të këtij qëndrimi, të cilat mund t’i përcillen publikut shqiptar, të përshtatura për rrethanat specifike të Shqipërisë.

Dënimi me vdekje, ashtu siç zbatohet për shembull në SHBA, është mbeturinë e shenjë barbarizmi dhe kryesisht kënaq instinktet gjakatare të turmës. Tek e fundit, njerëzit që kryejnë krime aq të rënda sa të meritojnë atë lloj dënimi, nuk mendojnë shumë për pasojat e veprimeve të tyre, në momentet kur e kryejnë ose e përgatitin krimin.

Dikur varja e një krimineli në litar (ose shtrige), përbënte spektakël publik. Njerëzit mblidheshin në shesh për të bërë sehir, duartrokisnin, brohorisnin. Xhelati ishte një figurë e gjithëpranishme në imagjinatën kolektive. Më pas varjet filluan të bëheshin vetëm natën, por të varurit ekspozoheshin në qendër të qyteteve, për të trembur të tjerët. Kjo është bërë edhe në Shqipëri, besoj, deri nga fundi i viteve gjashtëdhjetë.

Nuk ka asnjë provë që dënimi me vdekje e ul kriminalitetin. Nuk bën të ngatërrojmë rënien e krimit nën një regjim autoritar ose diktatorial ose totalitar, me zbatimin e dënimit me vdekje nga ky regjim. Është e vërtetë se nën një regjim të atillë individi kujton se nuk ka më kontroll mbi jetën e vet, por kjo nuk ka të bëjë me frikën nga vdekja e dhunshme, e shkaktuar prej shtetit.

Përkundrazi, ekzistenca e një realiteti të tillë kur njerëzit presin me vite për t’u ekzekutuar, prodhon një sasi të jashtëzakonshme zgjyre morale. Nga ç’kam parë e lexuar, për shumë nga ata që ekzekutohen, arsyeja e dënimit nuk qëndron më, në momentin e ekzekutimit – sepse janë budallallepsur, ose penduar sinqerisht, ose janë shpëlarë trush, ose transformuar për mirë, ose gjetur “Jezus-in”.

Mirëpo ndër shqiptarë ideja e vetëgjygjësisë, e hakmarrjes, dhe e parimit “një kokë për një kokë” është tepër e përhapur. Kjo ide duhet çrrënjosur nga lart, me durim, reforma, edukim.

Dënimi me vdekje nuk është edhe nga ato çështje që mund të vendosen me referendum. Njëlloj, po të bëhej një referendum për heqjen e taksave, për shembull, shumëkush do të votonte në favor!

As mund t’u lihet për propozim të afërmve të viktimave të një krimi të rëndë, për shembull një vrasjeje. Shteti nuk mund ta mbështetë legjislacionin mbi emocion, as mbi parimin e hakmarrjes. Shtypi tabloid i ka shumë qejf këto histori me të afërm viktimash që shprehin opinionet e tyre dhe kërkojnë kokën e vrasësit, sepse kjo e tërheq një lloj publiku dhe ndihmon edhe për njëfarë katarsis-i.

Për fat të keq, në shumë njerëz ndeshet pikëpamja se “ç’t’i bësh, kur nuk u jep dot plumbin ballit…”, e cila në vetvete është edhe një teori e tërë për interpretimin e një situate ligjërisht të dalë nga kontrolli. Mirëpo shteti nuk mund të shpresojë se do ta kthejë veten në palë të jetës publike duke vrarë njerëz! Përkundrazi, e vetmja gjë që nevojitet është zbatimi korrekt i legjislacionit ekzistues.

Me fjalë të tjera, krimi në Shqipëri bën “ligjin” sepse ligji nuk po zbatohet, jo sepse kriminelëve nuk u jepet plumbi ballit. Zbatimi i ligjit është një problem real, që mund të trajtohet më gjerë edhe në mediat; në vend të thirrjeve të herëpashershme për kthimin e dënimit kapital…

[2004]

 

  1. Tema qe ju keni zgjedhur eshte interesant dhe ne thelb trajton shume kundershtime ose ne te kundert aprovime,
    por ja ku eshte nje mendim i kundert ndaj atij tuaj sepse sic e kishit shkruar ne fund vete ju “krimi ne shqiperi ben ligjin”dhe duke te dhene qofte shembuj banal tregon se eshte tek policet rrugor qe merren me ca njerez qe mund ti konsiderojm me plote goje ” njerez te lodhur nga jeta”qe respektojn deri ne detaj te gjithe rregulloren dhe s’merren me ata qe mund ti konsiderojm te hypur ne disa makina te shtrenjta futen ne semafore me te kuqe duke shkelur te gjitha rregullat e qarkullimit,nejse ku ishte nje shembull shume i tipik i jetes se perditshme dhe njerezit nuk do ti pushkatojm per kete por qe dua te te nxjerr edhe me kete shembull mund te vdesin dhe kane vdekur mijra njerez dhe pse nga “trongolliku”i disa injoranteve qe nxitojn dhe s’jane te kujdesur pse se kane vene dy lek me teper….
    po per ata qe perdhunojn vajza te mitura i keq trajtojne behen te pasur duke i cuar prostituta dhe me pas i vrasin cduhet te them s’kisha mendje per nje cast apo per gjith jeten??!!
    po per ata qe vrasin me pagese..?
    po ata qe jane ne pushtet dhe po vrasin dhe po shkaterrojnn me mijra familje pse se kane ne dore pushtet ,
    po ata … s’kane fund dhe ne sipas jush duhet ti lem te lire,une jam pro denimit me vdekje dhe ne menyre te barabarte kush ben krime qe skane vite burgu ti shlyej ti denojn me denimin me vdekje qe te shikojn dhe keta te tjeret dhe o te kthehen ne rruge te drejte ose te denohen dhe te behen shembulli i disa te tjereve,ju merrni shembull Emiratet e Bashkuara Arabe per nje vjedhje i presin doren qe te kene shenje per gjith jeten e qe njerezit te ruhen prej tyre,ndersa keta kriminel te paskrupullt ti shfarrosin nga faqja e dheut se askush s’ka nevoje per ta,dhe nese sistemi demokratik nuk e lejon ja pro e rikthimit Totalitar per kete qe eshte i vetmin ligj me mend qe jam PRO,edhe pse s’jam shume pro e ketij sistemi…

  2. Dottoressa me nje s, denimi me vdekje eshte teper i ashper kurse ajo prerja e dores per vjedhje eshte barbarizem i paster.

    Kanuni i Lekes, jo modeli i sotem apo i fundit te periudhes otomane, ku nuk dihet akoma pse ndryshoi neni qe thoshte se ‘gjaku kalon per gisht’ ne favor te perfshirjes se familjareve meshkuj, ka qene kunder denimit me vdekje , pervec nese vrasesi kerkonte vdekjen, pra kur dilte prej burgut te perjetshem , vendit te vuajtjes se denimit, shtepise se tij.

    Nese vidhje , do paguaje dypernjahjen, domethene 2 here vleren e vjedhur, nga ka dale edhe shprehja, ‘do ma paguash dyfish’ e nderkaq morali shoqeror gjunjezonte hajdutin.

    Pra sipas tradites tone, denimi me vdekje del si denim ekstrem qe kerkohet prej vrasesit , por qe nuk jepet prej shoqerise.

    Vetem ne raste ekstreme masakrash familjare me femije e me gra, vjedhje me vrasje e ndonje rast tjeter, ishte shoqeria, qe zbatonte denimin me vdekje dhe debimin e vete familjareve te masakruesit, pasi nuk vleresohej familje e denje ajo qe nxirrte kriminele te tille, biles rrafshohej shtepia dhe priteshin pemet e shtepise.

    Per rastet e ‘kafsheve’ une jam me kanunin, por sot kemi nje problem shume te madh, drejtesia nuk ka aftesine(per shume arsye, qe nga heterogjeniteti i shoqerise e deri tek gjykatesi unik) qe ka pasur shoqeria kanunore. Sistemi i drejtesise eshte teper i koklavitur me gjera absurde, si mospranimi i proves te marre ne menyre joligjore, e keshtu vrasesi del i pafajshem sepse prova e vetme e forte eshte marre ne menyre te paligjshme apo me prova rrethanore ne amerike po cohen ne karrigen elektrike njerez qe nuk dihet mire ne kane kryer krime apo jo.

    Sot jemi ne udhekryq, pastaj Europa ste pranon po vure denimin me vdekje, keshtu qe politikisht eshte i pamundur te rivihet ky lloj denimi.

    Mendoj se situata eshte e atille, qe si ata qe jane kunder zoterojne argumenta te forte, ashtu edhe ata qe jane pro kane argumenta te tille.

    Ne shah , kjo situate quhet rremi, ashtu si eshte ne amerike ku gjysma e shteteve e ka dhe gjysma tjeter jo.

  3. Per te thene nese jam pro ose kunder denimit me vdekje, duhet pasur parasysh shume faktore. Cili eshte problemi me i madh qe ka shoqeria shqiptare sot? Une mendoj se eshte krimi. Krimi ne familje dhe jashte saj. Po te vihet, a do te ndihmoj shoqerine, a do te zvogloj krimin dhe ne te kundert, a eshte i nevojshem ky ligj per shoqerine tone te sotme. (une preferoj te ngelem jashte kohes se Kanunit).
    Eshte me e sigurte se ne Shqiperi nuk mund te flitet per nje denim te tille, kur tashme Shqiperia pretendon te anetaresohet ne disa organizata politike nderkombetare dhe europiane. Por, perderisa ky problem i krimit eshte kaq i theksuar ne Shqiperi, mendoj sa je vlen te sakrifikohet cdo ndeshkim nga organizatat nderkombetare. Me kete kam parasysh se kjo, pra ky lloj denimi mund te parandaloj krimin.

  4. Pershendetje te dashur bashkbisedues desha te inkuadrohem dhe te flas diqka ne lidhje me Hyllin dhe desha ti tregoj qe kanuni i dugagjinit ka pasur shum zbrastesira te cilat kan qen te pamenduara mir gjat krijimit te tij e sidomos ka pas edhe gjera primitive ne te te cilat jan shkruajtur nga nje njeri i cili ka qen trim i madh po jo edhe shum koke plot qe do te thot nuk ka qen i mir per ne sepse ka qen hasem i joni gjat gjith asaj kohe qe eshte zbatu.Une personalisht jam me Dottoresen e cila shum mir e shpjegoi per punen e Emiratve te bashkuara Arabe ku ne te funksionon ligji i sheriatit e i cili ligj eshte fjala e Alla-llahut.E si te mos veprojm me ate ligj i cili eshte ligj hynor e te veprojm me nje ligj ku e ka shkruar raca me e dobet ne kete toke raca njerzore!! Te bej nje pyetje Hylli cilin do e preferoje ate ligj i cili eshte dhene nga nje perfeksion hynor apo nga nje njeri i rendomt qe ke mund te jesh edhe ti ???? Te lutem sot shtetet e bashkuara te Arabis jane shembull per te mir per ligjet e tyre ku nuk ka as vjedhje,as perdhunime,as edhe nje gje me te vogel qe eshte gabim aty nuk mund ta gjesh e nese e gjen ose e ke gjetur te lutem me trego.Dhe ne fund denimi me vdekje eshte per ata te cilet vertet e meritojne ku edhe ktu kam nje pyetje:sikur dikush te flinte me nenen tende ose motren tende pa deshiren e tyre qfar do te beje???? do ta kishe vra me te paren her qe do te takoje e pra kjo osht ligji qe ne shtetet Arabe kete e ben shteti zemerimin tend ata e rregullojn dhe e bejn sipas rregullave te caktuar andaj mendo edhe nje her para se te thuash jo denimit me vdekje,sepse ka ca njerez qe nuk e meritojn as te lindin e lere me te jetojn.Pershendetje nga Flakoni

Të gjitha komentet moderohen. Komentet me përmbajtje negative, nga vizitorë të rinj në blog, nuk do të publikohen. Lutemi tregoni respekt për autorët dhe kolegët që ju lexojnë.

Please log in using one of these methods to post your comment:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s